Eda Zari, projekti “Toka Incognita”

Shkruan Avni Selmani

Albumi “Toka Incognita”, i publikuar nga Intuition / Schott Music & Media GmbH në Mainz të Gjermanisë, përfaqëson një nga projektet më të rëndësishme të artistes shqiptare Eda Zari. E njohur si një nga përfaqësueset më të veçanta të muzikës etno-xhaz shqiptare, ajo ndërthur elementet e traditës popullore me frymën moderne të xhazit evropian, duke krijuar një identitet muzikor unik që bashkon rrënjët kulturore shqiptare me tinguj bashkëkohorë dhe universalë. Ky projekt shfaq trashëgiminë muzikore shqiptare në harmoni me elemente të xhazit, muzikës ballkanike dhe asaj të Afrikës Veriore, duke krijuar një përzierje të pasur tingujsh që mbartin identitet, kërkim dhe ndjenjë.

Albumi përfshin dymbëdhjetë këngë të konceptuara si një udhëtim shpirtëror përmes “tokës së panjohur” – një metaforë që Eda Zari e përdor për të shprehur kërkimin e njeriut për rrënjët, përkatësinë dhe vetëdijen kulturore. Në këtë vepër, ajo sjell një qasje kërkimore mbi iso-polifoninë shqiptare, e cila është pjesë e trashëgimisë jomateriale të UNESCO-s, duke e përshtatur në një gjuhë moderne muzikore që ruan thelbin shpirtëror të saj.

Në album marrin pjesë muzikantë të njohur ndërkombëtarë si Dominic Miller (kitarë), Sebastian Studnitzky (trompetë), Rhani Krija (perkusion) dhe Gert Kapo (piano) dhe Vladimir Gica (klarinetë). Një pjesë e kompozimeve interpretohet nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, nën dirigjimin e Jetmir Barbullushit, duke i dhënë albumit një dimension të gjerë emocional e simfonik.

Në booklet-in e albumit, Eda Zari thekson:

“Ky projekt është fryt i një kërkimi të gjatë për të kuptuar dhe për të risjellë në mënyrën time muzikën që më ka formuar. Është një falënderim për njerëzit, për vendin tim dhe për tingujt që më kanë rritur.”

Fotografitë zyrtare të projektit dhe portretet artistike janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.
Fotografitë janë realizuar në Katedralen e Ardenicës, në Kalanë e Petrelës, ne plazhit Durrësit dhe në studion e fotografit, duke krijuar një lidhje mes hapësirës shpirtërore, historike dhe artistike që përfaqëson vetë frymën e albumit.

Për pamjen artistike dhe stilin vizual të albumit janë kujdesur Hair & Make Up Artist Besa Muça, e cila krijon një pamje unike dhe harmonike me karakterin mistik të konceptit, dhe Designer-ja e njohur Mirela Nurçe, e cila realizon veshjet e përdorura në sesionin fotografik dhe në kopertinën e albumit, duke plotësuar idenë estetike dhe simbolike të “Toka Incognita”.

Eda Zari “Toka Incognita”
Photo by Avni Selmani

Lini një koment