Shkruan Avni Selmani
Për 27 vjet me radhë, Kosova pothuajse asnjëherë nuk ka pasur një program të mirëfilltë ekonomik dhe strategjik. Ato që janë prezantuar si “programe zhvillimore” kanë qenë kryesisht premtime fushatash, të shkruara sa për sy e faqe dhe për të mashtruar elektoratin me fjalë që kurrë nuk janë realizuar.Pas luftës, Kosova kishte një mundësi historike. Kishte ndihmë ndërkombëtare, përkrahje politike dhe një popull që besonte se po ndërtohej një shtet i ri. Pikërisht atëherë duhej të vendoseshin themelet e ekonomisë prodhuese dhe industriale. Por në vend të kësaj, politika zgjodhi rrugën më të lehtë, ekonominë e konsumit, tregtisë dhe importit.Më e dhimbshmja është se Kosova i ka pasur pothuajse të gjitha predispozitat për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme. Ka pasuri natyrore, miniera, tokë pjellore, potencial energjetik dhe diasporë të fuqishme. Dikur Kosova njihej për Trepçën, industrinë dhe kapacitetet prodhuese që kishte. Me rezervat e thëngjillit, konsiderohej ndër vendet më të pasura në botë për nga potenciali energjetik, ndërsa kishte edhe shumë kapacitete tjera që për një vend të vogël si Kosova do të ishin më se të mjaftueshme për ndërtimin e një ekonomie stabile dhe zhvillimore. Por në vend që këto kapacitete të modernizoheshin dhe të bëheshin bazë e zhvillimit ekonomik, shumica u shkatërruan ose u lanë pas dore.Privatizimi, që u prezantua si proces zhvillimor, në realitet u shndërrua në një privatizim të egër dhe pa strategji. Shumë ndërmarrje u shitën jo për të vazhduar prodhimin, por për interesa të ngushta ekonomike dhe politike. Fabrikat u mbyllën, makineritë u zhdukën dhe ajo pak bazë prodhuese që kishte Kosova u shkatërrua dalëngadalë. Për vite me radhë, qytetarëve u janë premtuar nxitje të investimeve për prodhim, investime dhe vende pune. Çdo fushatë është mbushur me fjalë të mëdha për zhvillim ekonomik, por pas zgjedhjeve pothuajse gjithçka ka mbetur vetëm në letër.Për më tepër, qytetarëve shpesh u është paraqitur një pasqyrë e rreme e zhvillimit ekonomik. Pas luftës, ndihmat dhe donacionet ndërkombëtare u paraqitën si sukses ekonomik, edhe pse ato ishin vetëm mjete emergjente për rindërtim. Më vonë, edhe rritja e konsumit, ndërtimet, kreditë bankare apo qarkullimi më i madh i parasë u shitën si “zhvillim ekonomik”, ndërsa ekonomia vazhdonte të mbetej e dobët dhe e varur nga importi. Madje edhe inflacioni ndër vite është përdorur për të krijuar përshtypjen e një rritjeje ekonomike, ndërkohë që qytetarët vetëm janë përballur me çmime më të larta dhe dobësim të jetesës.Sot, pas gati tri dekadash nga lufta, rezultatet shihen qartë. Kosova vazhdon të mbetet vendI më I varëfr në Evropë, me ekonomi të dobët, me prodhim minimal dhe me varësi të madhe nga importi dhe diaspora. Kjo është pasqyra më e qartë e dështimit politik dhe ekonomik të klasës politike që ka udhëhequr vendin që nga paslufta.Ajo që e brengos edhe më shumë këtë vend është fakti se zhvillimi ekonomik pothuajse as sot nuk është prioritet real. Në vend që të diskutohet seriozisht për industri, prodhim, teknologji dhe strategji ekonomike, debatet publike dhe studiot televizive vazhdojnë të dominohen nga përplasjet politike, patriotizmi i rremë, tradhtia dhe akuzat se kush është me Serbinë apo me Rusinë. Përderisa energjia e shoqërisë harxhohet në këto tema, ekonomia vazhdon të mbetet prapa.Dhe përderisa vazhdohet me të njëjtin avaz, Kosova rrezikon të mbetet peng i premtimeve dhe jo i zhvillimit që qytetarët e kanë pritur prej 27 vitesh. Pa zhvillim ekonomik, çdo premtim tjetër mbetet vetëm propagandë politike. A.S


