Monografia e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”

Shruan Avni Selmani

Në kuadër të shënimit të 50-vjetorit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, u promovuan tri projekte të rëndësishme që dokumentuan historinë, kujtesën dhe trashëgiminë artistike të këtij institucioni kulturor: monografia “Shota, muze në lëvizje”, e shkruar nga Agron Gërguri, dokumentari “50 vjet me Shotën”, me regji të Ismet Sijarinës, si dhe ekspozita personale fotografike “50 vjet në 50 fotografi” nga Avni Selmani.

Monografia u botua në dy gjuhë shqip dhe anglisht, nën kujdesin e drejtorit të ansamblit, Shefqet Gjocaj, dhe me dizajn nga Zeni Ballazhi. Ajo pasqyron historinë e themelimit të ansamblit që nga viti 1948, rrugëtimin e tij nga statusi amator në trupë profesioniste, si dhe kontributin e qindra artistëve që përmes dekadave kanë mbajtur gjallë këngën dhe vallen shqiptare.

Në libër janë përfshirë intervista dhe rrëfime nga disa prej figurave më të njohura të ansamblit, si Fahri Beqiri, drejtori i parë shqiptar i “Shotës” që nga viti 1967, Nahire Surroi, Sevime Gjinali, Xhemali Berisha, Ylber Asllanaj, Nazmi Demaj e shumë të tjerë, të cilët ndanë kujtime për periudha të ndryshme të zhvillimit të ansamblit, nga vitet e para, përmes periudhës së vështirë pas vitit 1981, e deri në pasluftë, kur “Shota” rifitoi hapësirën e saj institucionale dhe artistike.

Autori Agron Gërguri e përshkruan “Shotën” si një institucion që ka ruajtur me përkushtim identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kulturore shqiptare, duke e quajtur “një muze në lëvizje” që udhëton përmes brezave e kontinenteve me të njëjtin mision artistik e shpirtëror.
Në dokumentar, përmes imazheve arkivore dhe intervistave, jepet një tablo e plotë e historisë, figurave dhe ndikimit të këtij ansambli në jetën kulturore të Kosovës.

Këto dy projekte shënojnë një moment të rëndësishëm në historinë kulturore të vendit, duke e dokumentuar jo vetëm rrugëtimin artistik të “Shotës”, por edhe shpirtin e qëndrueshëm të artit tradicional shqiptar.

Fotografitë dokumentuese dhe setet artistike të monografisë u realizuan nga fotografi Avni Selmani.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”

Lini një koment