Teatri Avdush Hasani – Shfaqja “Kosovatrans”

Shkruan Avni Selmani

Teatri Avdush Hasani sjell shfaqjen “Kosovatrans”, një dramë psikologjike me elemente komike, me tekst dhe regji nga Naser Shatrolli. Shfaqja trajton realitetin shoqëror dhe politik të Kosovës pas luftës, duke u fokusuar në tranzicionin e zgjatur dhe pasojat e tij te individi dhe shoqëria.

Ngjarja ndërtohet rreth dy personazheve qendrore, Flamurit dhe Arafatit, të cilët përfaqësojnë dy botëkuptime të ndryshme për luftën, pasluftën dhe realitetin aktual në Kosovë. Flamuri, ish-komandant i luftës, përballet me harresën dhe zhgënjimin shoqëror, ndërsa Arafati, një i ri i rritur në mërgim, kthehet në Kosovë me pikëpamje kritike ndaj miteve dhe narrativave të ndërtuara pas luftës. Përmes dialogut mes tyre, shfaqja hap dilema mbi heroizmin, kujtesën kolektive dhe drejtimin e shoqërisë kosovare.

Në shfaqje luajnë Ismet Azemi dhe Faris Berisha. Ekipi realizues përfshin Ermal Gërdovcin si asistent regjisë, Drinor Zymberin për muzikën, Flutura Dedinjën për kostumografinë, Zeni Ballazhin për skenografinë, Robert Nuhën për koreografinë, Ekrem Xhakën për dekorimin e përgjithshëm, si dhe Albert Gashin dhe Skënder Latifin për ndriçimin.

Shfaqja u realizua nën drejtimin e Agron Gergurit, drejtor i Teatrit “Avdush Hasani”.

Fotografitë promovuese të shfaqjes janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Lini një koment