Shkruan Avni Selmani
Zgjedhjet përfunduan. Sipas premtimeve që dëgjuam për një muaj të tërë, tani të gjitha problemet janë zgjidhur. Më në fund, do të kemi mirëqenie të lartë, pagat do të rriten menjëherë dhe askush nuk do të detyrohet të largohet më nga vendi për një jetë më të mirë. Madje, diaspora do të kthehet, sepse tani këtu do të ketë mundësi të shumta. Investimet do të shtohen në çdo sektor, papunësia do të zhduket dhe të rinjtë do të kenë vende pune me paga të larta. E si mund të ndodhë ndryshe, kur politikanët na premtuan “kulla dhe pallate”, parajsën në tokë?
Por pastaj vjen realiteti. Të njëjtat probleme mbesin, të njëjtat fytyra vazhdojnë të japin arsyetime dhe gjithçka mbetet një iluzion fushate. Papunësia nuk zhduket, diaspora nuk kthehet. Paga minimale mbetet e ulët, ndërsa çmimet vazhdojnë të rriten. Importet vazhdojnë të mbulojnë tregun, duke lënë ekonominë vendore në mëshirë të tregjeve të huaja. Prodhimi vendor mbetet i dobët, sepse asnjë strukturë shtetërore nuk merr hapa seriozë për ta zhvilluar.
Ata që dolën fitues tani janë të zënë duke shpërndarë favore. Aktivistët e partisë sistemohen në poste të reja, ndërsa qytetarët e zakonshëm, që u përdorën si votues, mbeten aty ku ishin. Premtimet e mëdha fshihen pas justifikimeve të përditshme dhe e njëjta histori vazhdon pa ndryshim.
Çdo katër vjet, e njëjta histori përsëritet: të njëjtat skena, të njëjtat mashtrime. Njerëzit, të lodhur nga zhgënjimet, ose e harrojnë, ose e pranojnë si fat të pashmangshëm.
A thua do të vijë një ditë kur kjo mënyrë e qeverisjes do të ndryshojë, apo gjithçka do të mbetet një skenar i rishkruar zgjedhje pas zgjedhjeje? A.S

