27 vjet mashtrim me ekonomi, shteti që nuk ndërtoi kurrë zhvillim ekonomik

Shkruan Avni Selmani

Për 27 vjet me radhë, Kosova pothuajse asnjëherë nuk ka pasur një program të mirëfilltë ekonomik dhe strategjik. Ato që janë prezantuar si “programe zhvillimore” kanë qenë kryesisht premtime fushatash, të shkruara sa për sy e faqe dhe për të mashtruar elektoratin me fjalë që kurrë nuk janë realizuar.Pas luftës, Kosova kishte një mundësi historike. Kishte ndihmë ndërkombëtare, përkrahje politike dhe një popull që besonte se po ndërtohej një shtet i ri. Pikërisht atëherë duhej të vendoseshin themelet e ekonomisë prodhuese dhe industriale. Por në vend të kësaj, politika zgjodhi rrugën më të lehtë, ekonominë e konsumit, tregtisë dhe importit.Më e dhimbshmja është se Kosova i ka pasur pothuajse të gjitha predispozitat për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme. Ka pasuri natyrore, miniera, tokë pjellore, potencial energjetik dhe diasporë të fuqishme. Dikur Kosova njihej për Trepçën, industrinë dhe kapacitetet prodhuese që kishte. Me rezervat e thëngjillit, konsiderohej ndër vendet më të pasura në botë për nga potenciali energjetik, ndërsa kishte edhe shumë kapacitete tjera që për një vend të vogël si Kosova do të ishin më se të mjaftueshme për ndërtimin e një ekonomie stabile dhe zhvillimore. Por në vend që këto kapacitete të modernizoheshin dhe të bëheshin bazë e zhvillimit ekonomik, shumica u shkatërruan ose u lanë pas dore.Privatizimi, që u prezantua si proces zhvillimor, në realitet u shndërrua në një privatizim të egër dhe pa strategji. Shumë ndërmarrje u shitën jo për të vazhduar prodhimin, por për interesa të ngushta ekonomike dhe politike. Fabrikat u mbyllën, makineritë u zhdukën dhe ajo pak bazë prodhuese që kishte Kosova u shkatërrua dalëngadalë. Për vite me radhë, qytetarëve u janë premtuar nxitje të investimeve për prodhim, investime dhe vende pune. Çdo fushatë është mbushur me fjalë të mëdha për zhvillim ekonomik, por pas zgjedhjeve pothuajse gjithçka ka mbetur vetëm në letër.Për më tepër, qytetarëve shpesh u është paraqitur një pasqyrë e rreme e zhvillimit ekonomik. Pas luftës, ndihmat dhe donacionet ndërkombëtare u paraqitën si sukses ekonomik, edhe pse ato ishin vetëm mjete emergjente për rindërtim. Më vonë, edhe rritja e konsumit, ndërtimet, kreditë bankare apo qarkullimi më i madh i parasë u shitën si “zhvillim ekonomik”, ndërsa ekonomia vazhdonte të mbetej e dobët dhe e varur nga importi. Madje edhe inflacioni ndër vite është përdorur për të krijuar përshtypjen e një rritjeje ekonomike, ndërkohë që qytetarët vetëm janë përballur me çmime më të larta dhe dobësim të jetesës.Sot, pas gati tri dekadash nga lufta, rezultatet shihen qartë. Kosova vazhdon të mbetet vendI më I varëfr në Evropë, me ekonomi të dobët, me prodhim minimal dhe me varësi të madhe nga importi dhe diaspora. Kjo është pasqyra më e qartë e dështimit politik dhe ekonomik të klasës politike që ka udhëhequr vendin që nga paslufta.Ajo që e brengos edhe më shumë këtë vend është fakti se zhvillimi ekonomik pothuajse as sot nuk është prioritet real. Në vend që të diskutohet seriozisht për industri, prodhim, teknologji dhe strategji ekonomike, debatet publike dhe studiot televizive vazhdojnë të dominohen nga përplasjet politike, patriotizmi i rremë, tradhtia dhe akuzat se kush është me Serbinë apo me Rusinë. Përderisa energjia e shoqërisë harxhohet në këto tema, ekonomia vazhdon të mbetet prapa.Dhe përderisa vazhdohet me të njëjtin avaz, Kosova rrezikon të mbetet peng i premtimeve dhe jo i zhvillimit që qytetarët e kanë pritur prej 27 vitesh. Pa zhvillim ekonomik, çdo premtim tjetër mbetet vetëm propagandë politike. A.S

Përçaj dhe sundo, politika që po e mban peng Kosovën

Shkruan Avni Selmani

Në Kosovë, politika prej vitesh nuk po zhvillohet mbi ide, programe apo përgjegjësi ndaj qytetarit, por mbi përçarje dhe përplasje të vazhdueshme. Sa herë ka kriza politike apo debate publike, vëmendja nuk shkon te zgjidhjet e problemeve të qytetarëve, por te akuzat dhe sulmet që dominojnë skenën politike.Kur ke një klasë politike që nuk ka një program të mirëfilltë ekonomik dhe as vullnet për zgjidhje apo kompromis që të formohen institucionet, por një politikë që shërbehet vetëm me parimin “përçaj dhe sundo”, atëherë është e qartë se interesi kryesor nuk është shteti, por pushteti. Dhe sa më shumë të thellohet kjo mënyrë e të bërit politikë, aq më e rëndë bëhet jeta e qytetarit, sepse fokusi i klasës politike është të vijë në pushtet me çdo kusht dhe me çdo çmim, ndërsa problemet reale të njerëzve mbesin pa zgjidhje.Ajo që bie më shumë në sy është fakti se pothuajse asnjë parti dhe asnjë lider politik nuk distancohet publikisht nga kjo mënyrë e komunikimit. Edhe kur debatet kalojnë çdo kufi etik dhe njerëzor, rrallëherë dëgjohet një reagim i sinqertë. Shumë politikanë kanë frikë se mos humbin mbështetës apo vota nëse dalin kundër njerëzve të tyre. Deri më tani, as në studiot televizive nuk po shohim dikë që flet seriozisht për programe apo alternativa se si të dilet nga ky kaos politik. Energjia harxhohet duke sulmuar tjetrin dhe duke e luajtur secili rolin e viktimës para qytetarëve.Sot në Kosovë kundërshtari politik nuk shihet më si rival në program apo ide, por si armik që duhet sulmuar me çdo kusht, dhe kjo frymë po bartet edhe te qytetarët. Politika ka arritur ta përçajë qytetarin deri në atë shkallë, sa shumë njerëz sot e shohin politikën njësoj si tifozllëkun në futboll, ku mbrohet partia apo lideri pa marrë parasysh nëse ka të drejtë apo jo. Në këtë klimë, nuk diskutohet më për programe, përgjegjësi apo zgjidhje, por vetëm për sulme ndaj palës tjetër. Më e keqja është se shumë qytetarë nuk e kuptojnë se kjo përçarje shpesh ushqehet me qëllim nga vetë klasa politike, sepse sa më të ndarë dhe më të tensionuar të jenë njerëzit, aq më lehtë manipulohet opinioni publik dhe largohet vëmendja nga problemet reale të vendit.Pasojat e kësaj politike të mbrapshtë janë të rënda, sepse prej një kohe të gjatë kemi ngelur në vendnumëro, edhe pse vendin e presin shumë punë dhe sfida, si në politikën e brendshme ashtu edhe në politikën e jashtme, ku ende kemi shumë çështje të pazgjidhura. Prandaj, nëse duam një shoqëri më të qetë dhe një shtet më funksional, politika duhet të kthehet te kultura e debatit, kompromisit, përgjegjësisë dhe respektit për qytetarin, e jo te logjika “përçaj dhe sundo”. A.S

50 vjet në kujtim të atdhetarit Met Podjeva Babllokut

Shkruan Avni Selmani

Në përkujtimin e 50 vjetorit të atdhetarit Met Podjeva Babllokut, kujtojmë një nga figurat më të njohura të Llapit për përkushtimin dhe qëndrimin e tij kombëtar për dekada me radhë.Ai i takoi një brezi dhe një periudhe historike ku ndodhën ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar, duke përjetuar shpalljen e pavarësisë së vitit 1912, Luftën e Parë dhe Luftën e Dytë Botërore. Gjatë gjithë jetës tregoi gatishmëri për të mbrojtur interesat kombëtare dhe qëndroi i lidhur me çështjen shqiptare.Jetoi me përgjegjësi ndaj vendit dhe identitetit kombëtar. Përpos që ishte patriot, ishte edhe humanist i madh dhe njeri i afërt me popullin. Në kohë të vështira për shqiptarët, ai ishte ndër ata njerëz që nuk u tërhoqën nga përgjegjësia dhe ruajtën lidhjen me popullin dhe vendin e tyre.Për shumë njerëz në Podujevë dhe më gjerë, Met Podjeva mbeti simbol i një kohe kur fjala, besa dhe qëndrimi kishin peshë.Pas vetes la një trashëgimi të çmuar kombëtare, patriotike dhe njerëzore, si dhe një familje të respektuar që vazhdon ta bëjë krenar emrin e tij. A.S

Banalizimi i skajshëm i politikës kosovare

Shkruan Avni Selmani

Me përfundimin e luftës dhe realizimin e ëndrrës shekullore për ta pasur shtetin tonë, në Kosovë kishte një shpresë të madhe për të ardhmen. Kishte besim se pas luftës do të fillonte një kohë me më shumë përgjegjësi për shtetin dhe qytetarët. Shumë njerëz besonin se pas gjithë asaj sakrifice, politika do të shërbente për ndërtimin e shtetit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.Por nuk ndodhi kështu. Përkundrazi, pas luftës filloi një kohë e errët dhe e pakompromis politike. Nuk ishte e lehtë të kishe bindje politike në atë kohë, sepse shoqëria filloi të ndahej në kampe të ndryshme, ku kundërshtari nuk shihej si rival politik, por si armik. Të gjithëve na kujtohet ajo periudhë kur tensionet, akuzat dhe përplasjet filluan ta ndanin shoqërinë dhe të krijonin armiqësi të skajshme mes njerëzve.Ishte koha kur duhej të ndërtohej një program serioz afatgjatë ekonomik, të aktivizoheshin resurset nëntokësore dhe energjetike, ku Kosova ka pasuri të mëdha, të krijohej një platformë serioze për përfaqësim në politikën e jashtme dhe të vendoseshin themelet e një shteti funksional. Por asnjëra nga këto nuk ishte primare për qeveritë e kaluara. Në vend të zhvillimit dhe ndërtimit të shtetit, prioritet u bë lufta për pushtet dhe kontroll politik.Si pasojë e kësaj mënyre të keqe të qeverisjes, sot jemi në fund të pothuajse të gjitha raporteve evropiane. Sipas raportit të fundit, Kosova zyrtarisht është vendi më i varfër në Evropë. Në testin PISA, që mat dijen bazë të nxënësve, jemi renditur ndër të fundit, ndërsa sipas raportit të Bankës Botërore, Kosova është ndër vendet me ikjen më të madhe të popullsisë dhe tkurrjen më të rëndë demografike. Kjo do të duhej të ishte alarm kombëtar për çdo shtet normal.Por, pavarësisht këtyre statistikave tronditëse dhe zbrazjes dramatike të vendit, klasës politike pothuajse nuk i intereson kjo gjendje. Nuk është as temë debati. Ata jetojnë në një realitet tjetër, të izoluar nga hallet e qytetarit, të zënë me pazare politike, interesa personale dhe përplasje të pafundme për pushtet. Atyre nuk u intereson kush ikën, kush varfërohet dhe kush nuk sheh më të ardhme në këtë vend. Në vend që shteti të përballet me varfërinë, me ikjen e të rinjve dhe me krizën sociale si probleme urgjente, këto po pranohen gradualisht si realitet normal.Së fundmi, pas një ngërçi të gjatë politik dhe pasi më në fund u krijua një qeveri stabile për t’u marrë me problemet reale të qytetarëve dhe me punët e shtetit, përsëri po shkojmë drejt zgjedhjeve. Jo për shkak të ndonjë rreziku shtetëror apo ndonjë krize të madhe kombëtare, por vetëm sepse dikush nuk po bëhet ose nuk po lejohet të bëhet president. Pikërisht në këtë pikë shihet banalizimi i skajshëm i politikës kosovare. Kur politika vendoset mbi shtetin dhe qytetarin, politika shndërrohet në interes personal.Dhe sot, pas gjithë këtyre viteve, politika në Kosovë më shumë prodhon përçarje dhe konflikt sesa zgjidhje. Sepse politikës i konvenon një shoqëri e përçarë, pasi e ka më të lehtë ta sundojë dhe manipulojë. Pikërisht ky është banalizimi i skajshëm i politikës, kur pushteti bëhet qëllim në vetvete, ndërsa shteti dhe qytetari mbeten në plan të dytë.

A ishin vërtet të nevojshme këto zgjedhje apo vetëm një tjetër dështim politik

Shkruan Avni Selmani

Kjo situatë na kujton një periudhë të hershme, rreth vitit 1919, kur asnjë qeveri shqiptare nuk arrinte të qëndronte në pushtet më shumë se disa muaj. Paqendrueshmeria ishte aq e madhe sa fqinjët e asaj kohe, sllavët dhe grekët, i propozuan fuqive evropiane të kohës ndarjen e Shqipërisë, duke pretenduar se shqiptarët nuk ishin të aftë të bënin shtet. Kjo çështje u diskutua në Konferencën e Paqes në Paris, dhe megjithëse kjo ide mori mbështetje nga shumë vende evropiane, ajo nuk u realizua fal ndërhyrjes dhe qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit Wilson. Edhe sot, në një kohë tjetër dhe në rrethana krejt të ndryshme, përballemi me një lloj paqëndrueshmërie që të shtyn të pyesësh, a kemi mësuar vërtet nga e kaluara, apo thjesht po i përsërisim gabimet në forma të tjera.Unë mendoj se problemi nuk është te vetë zgjedhjet. Problemi është pse po vijmë deri këtu. Sepse kur një vend shkon shpesh në zgjedhje, pa një arsye të qartë dhe pa një krizë që nuk zgjidhet ndryshe, atëherë diçka nuk po funksionon si duhet.Në vend që të kishte përpjekje për zgjidhje, e cila në fakt kërkonte vetëm një kompromis të vogël mes partive, sot do t’i kishim institucionet funksionale dhe shteti do të ecte normalisht. Sidomos në këto kohë, kur na presin shumë punë si në politikën dhe ekonominë e brendshme, ashtu edhe në politikën e jashtme dhe në rrugën drejt integrimeve evropiane. Por në vend të kësaj, u rrënua kjo mundësi dhe po shkojmë në zgjedhje pa asnjë nevojë, sepse partive politike nuk u përputhen interesat personale dhe partiake.Natën kur dështoi zgjedhja e presidentit dhe u bë e qartë se vendi po shkonte drejt zgjedhjeve të reja, pritej një moment reflektimi. Por ajo që u pa ishte diçka tjetër. Në disa studio televizive nisi një lloj humori, sikur të mos kishte ndodhur asgjë serioze. Në fytyrat e tyre nuk u pa asnjë shenjë keqardhjeje. E njëjta gjë u reflektua edhe në rrjetet sociale. Dy taborre, secila duke mbrojtur të vetët, pa u ndalur për një moment për të menduar çfarë po ndodh me vendin.Dhe këtu lind një pyetje që nuk është e lehtë, por është e domosdoshme. A duhet ta kërkojmë fajin vetëm te klasa politike, apo edhe te vetja jonë si qytetarë.Sepse kur një situatë që prek të gjithë kthehet në humor dhe në përplasje mes palëve, atëherë problemi nuk është vetëm lart. Është edhe mënyra si ne e përjetojmë dhe si reagojmë. Po e pranojmë si normale dhe po rreshtohemi pas tyre, në vend që të reflektojmë.Mesazhi nga e gjithë kjo është i qartë. Nëse politika vazhdon të vendosë interesat e ngushta mbi interesin e shtetit, dhe nëse qytetari vazhdon të rreshtohet sipas bindjeve të njërës apo partisë tjetër, pa reflektim, atëherë kriza nuk është më vetëm e politikës, por bëhet e të gjithëve. Me këtë mënyrë veprimi, nuk shihet asnjë perspektivë për vendin, por vetëm një cikël zgjedhjesh pas zgjedhjesh, pa zgjidhje reale. Me këtë mendësi dhe me këtë klasë politike, nuk shihen shpresa për vendin. Zoti na ndihmoftë. A.S

Kriza politike dhe manipulimi për të dalë viktimë

Shkruan Avni Selmani

Në politikën kosovare është bërë e zakonshme një sjellje që po përsëritet vazhdimisht. Sa herë krijohet një situatë ku duhet marrëveshje mes partive, sidomos për zgjedhjen e qeverisë apo të presidentit, ose kur duhet marrë një vendim i rëndësishëm, kur nuk u del hesapi, fillojnë kalkulimet e interesave.Nuk ka vullnet për zgjidhje, por vetëm për të dalë viktimë, sepse viktimizimi po bëhet pjesë e mendësisë sonë. Secila palë mundohet të tregojë se nuk është fajtore. Thotë se ka pasur vullnet dhe ka qenë e gatshme, por të tjerët po e bllokojnë. Kështu përsëritet i njëjti rreth, ku askush nuk mban përgjegjësi dhe secili kërkon arsyetime. Bisedimet që shohim shpesh nuk bëhen për marrëveshje. Bëhen sa për sy e faqe. Që të krijohet përshtypja se ka vullnet për marrëveshje. Që secila palë të thotë se ka bërë përpjekje, por pala tjetër nuk ka pranuar. Kjo është hipokrizi e shemtuar. Përderisa ke një klasë politike të papjekur, të paditur dhe që nuk i intereson interesi kombëtar, dhe qytetarë që nuk kërkojnë llogari, por bëjnë tifozëri dhe e përkrahin këtë klasë të papërgjegjshme, atëherë kjo gjendje do të përsëritet edhe në të ardhmen. Me këtë mendësi, vendi do të mbetet në vendnumëro, duke mbajtur zgjedhje të njëpasnjëshme. A.S

Përçarjet politike, pse asnjëherë gjatë historisë nuk kemi pasur një qeveri unifikuese? Dhe pse nuk e kemi as sot

Shkruan Avni Selmani

Shqiptarët, ndryshe nga shumë popuj të tjerë, asnjëherë nuk kanë arritur të krijojnë një qeveri për shpëtimin kombëtar në momentet kyçe të historisë. Përçarja dhe rivalitetet e brendshme kanë qenë gjithmonë të pranishme, kjo sjellje ka bërë që në situata vendimtare vendimet të mos jenë të koordinuara dhe të mos mbështeten në një vizion të unifikuar kombëtar. Që nga periudha osmane, kur shqiptarët ishin të ndarë në vilajete dhe principata të ndryshme, e deri te shpallja e pavarësisë në vitin 1912, ku edhe atëherë mungoi një unitet i fortë politik, historia ka treguar se shqiptarët rrallëherë kanë vepruar me një strategji të përbashkët. Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, përçarja mes nacionalistëve të Ballit Kombëtar dhe komunistëve bëri që shqiptarët të humbnin mundësinë për një organizim të përbashkët kombëtar.Lufta e fundit në Kosovë ishte një moment i rëndësishëm për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, e cila do të kishte qenë vendimtare për të siguruar jo vetëm mbijetesën e popullit, por edhe një pozitë më të fortë pas çlirimit. Megjithatë, përçarjet mes fraksioneve politike dhe ushtarake brenda UÇK-së dhe FARK-ut, si dhe mungesa e unitetit, penguan një koordinim më efikas në nivel diplomatik dhe ushtarak. Pas përfundimit të luftës, në vend që të krijohej një qeveri gjithëpërfshirëse dhe unifikuese që do të udhëhiqte Kosovën drejt ndërtimit të shtetit me një vizion kombëtar, lufta për pushtet u bë prioritet, duke ndikuar negativisht në zhvillimin institucional dhe në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Kjo mungesë uniteti nuk është vetëm pjesë e së kaluarës, por shihet qartë edhe sot. Në vend që të kishim mësuar nga historia, duket se përçarjet janë bërë edhe më të theksuara. Për një kohë të gjatë nuk po arrijmë të funksionojmë normalisht në aspektin institucional, duke mbetur të bllokuar nga konfliktet politike dhe mungesa e bashkëpunimit. Kjo tregon se problemi nuk është tejkaluar, por vazhdon të përsëritet në forma të ndryshme, duke e penguar vendin të ecë përpara me stabilitet dhe qartësi.Sot, Kosova gjendet në një udhëkryq të rëndësishëm gjeopolitik, ku vendimet e mëdha për të ardhmen e saj po merren në tavolina ndërkombëtare. Marrëveshjet me Serbinë, integrimi në BE dhe pozicioni i Kosovës në raport me fuqitë botërore janë çështje kyçe që kërkojnë unitet politik dhe një strategji kombëtare të qartë. Për fat të keq, përçarjet politike dhe mungesa e një vizioni të përbashkët po e dobësojnë qëndrimin e Kosovës në këto procese. Duke qenë se Kosova ndodhet në një moment vendimtar historik dhe ka nevojë urgjente për një strategji të mençur dhe unifikuese diplomatike, kjo fatkeqësisht nuk po i bën përshtypje klasës sonë politike. Ajo vazhdon të merret me përplasje të ndërsjella dhe me bllokimin e institucioneve dhe vetë shtetit për interesa personale dhe partiake, duke e lënë në plan të dytë interesin e përgjithshëm. Përderisa vazhdon kjo mendësi, është e pamundur të ndërtohet një qeveri gjithëpërfshirëse dhe unifikuese që e vendos vendin mbi gjithçka tjetër. Pa këtë ndryshim, Kosova rrezikon të mbetet e bllokuar, pa drejtim dhe e pambrojtur përballë sfidave që e presin. A.S

Gazetari Kushtrim Sadiku, kur kritika kalon në linçim

Shkruan Avni Selmani

Rasti i gazetarit Kushtrim Sadiku tregon më shumë se si reagojmë si shoqëri ndaj një gabimi sesa për vetë thelbin e gabimit.
Nuk ka dyshim që gabimi duhet thënë. Kjo është e qartë dhe nuk duhet anashkaluar.
Por problemi fillon më pas. A është e drejtë që kritika të kthehet në linçim?
Ne si shoqëri kemi shumë probleme për të cilat nuk reagojmë fare. Heshtim për gjëra që na prekin çdo ditë. Por kur ndodh një rast i vetëm, reagojmë menjëherë dhe pa masë, edhe kur ai rast nuk ka ofenduar askënd.
Ne nuk ndalemi te kritika. Ne kalojmë menjëherë te gjykimi dhe ofendimi i ashpër. Nga një gabim i vetëm, fillojmë të mohojmë çdo vlerë që ai njeri mund të ketë pasur më parë, sidomos në rastin e gatetarit Kushtrim Sadikut, të cilin e njohim si një profesionist të dëshmuar, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë njerëzor. Një rast përdoret për të gjykuar gjithë jetën.
Dhe mandej e shfrytëzojmë edhe një temë që për ne është shumë e ndjeshme, bëhemi edhe patetikë dhe përmes saj përpiqemi ta rëndojmë edhe më shumë situatën. Në vend që të ruajmë peshën e asaj teme, e përdorim për të goditur një njeri, duke e varrosur publikisht, edhe pse e dimë që është një profesionist i dëshmuar në punën e vet.
Kjo nuk është më kritikë. Kjo është linçim.
Të kritikosh do të thotë të kërkosh përgjegjësi për një veprim. Të linçosh do të thotë të sulmosh njeriun në tërësi, pa masë dhe pa kufi. Dhe ne shpesh nuk e bëjmë këtë dallim.
Ky rast nuk është i vetmi. Është një fenomen që ndodh shpesh në shoqërinë tonë. Kemi shumë probleme dhe mangësi që prekin të gjithë, por për to heshtim. Ndërsa për një gabim të vetëm, për të cilin nuk ka pësuar askush, reagojmë pa kufi dhe e teprojmë.
Në vend që të kërkojmë standarde më të larta, ne krijojmë një kulturë ku gabimi nuk falet kurrë. Kjo nuk e përmirëson shoqërinë. Vetëm e bën më të ashpër dhe më të padrejtë.
Sepse të gjithë gabojmë. Dallimi është se jo të gjithë gjykohemi njësoj.
Në fund, pyetja nuk është vetëm çfarë bëri ai. Pyetja është çfarë po bëjmë ne si shoqëri kur përballemi me gabimin e dikujt. A.S

Kosova, një shtet pa vizion, pa drejtim, pa të ardhme

Shkruan Avni Selmani

Duke qenë se Kosova prej një kohe të gjatë ndodhet në një krizë të thellë institucionale, gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se mungon vullneti, vizioni dhe drejtimi për ndërtimin e shtetit, çka tregon se ende nuk kemi arritur ta ndërtojmë shtetin si duhet. Kjo tregon edhe mungesën e vetëdijes kombëtare.Tani më shumë se kurrë, Kosovën e presin obligime të shumta. Duke marrë parasysh rrethanat historike, si komb dhe si shtet kemi mbetur prapa vendeve të tjera. Pikërisht në këtë kohë, kur duhet të ecim me hapa të shpejtë drejt një vizioni të qartë, ne vazhdojmë të mbetemi në vendnumëro.Në një kohë kur Kosova ndodhet në një udhëkryq gjeopolitik dhe ekonomik, në një periudhë ndryshimesh dhe krizash globale, me rritje të vazhdueshme të çmimeve, ne merremi me përplasje mes vete. Kjo ndodh sepse asnjërës parti politike nuk i intereson e ardhmja e vendit, por vetëm interesi dhe ruajtja e pozicionit të saj.Mungon një program afatgjatë ekonomik që do ta orientonte zhvillimin e vendit. Mungon një drejtim i qartë për zhvillimin. Mungon një qasje serioze dhe e qëndrueshme ndaj integrimit evropian. Mungon bashkërendimi institucional për përmbushjen e detyrimeve. Mungon bashkëpunimi ndërpartiak, sidomos për çështjet me interes kombëtar. Klasës politike i mungon kultura politike.Ajo që bie më shumë në sy është mungesa e një plani për të ardhmen. Nuk ka një strategji që tejkalon interesat ditore. Çdo gjë mbetet në nivel reagimi, si të ishte një menaxhim i ditës dhe jo ndërtim i një shteti.Kështu, Kosova po mbetet në vend. Një shtet që jeton vetëm për sot, e humb të ardhmen.Pasojat tashmë janë të dukshme. Besimi bie, të rinjtë largohen. Ekonomia mbetet e dobët dhe pa drejtim të qartë. Investimet mungojnë. Institucionet humbin besueshmërinë dhe ligji zbatohet në mënyrë të pabarabartë. Kjo gjendje krijon pasiguri dhe e dobëson seriozitetin e shtetit në politikën e jashtme.Ajo që po tregon sot klasa jonë politike është një armiqësi e vazhdueshme mes vetes. Çështjet me interes shtetëror po personalizohen dhe po trajtohen si interesa partiake dhe personale. Në vend që të ketë përgjegjësi dhe bashkëpunim, kemi përplasje që e mbajnë vendin në vend. Përderisa kjo mendësi nuk ndryshon dhe nuk krijohet një qasje tjetër ndaj shtetit, vendi nuk mund të ecë përpara. Ndryshimi nuk është më çështje zgjedhjeje, por domosdoshmëri.

Kombëtarja e Kosovës, aq e bukur sa e dhimbshme, kur thuhet për herë të parë në histori për një sukses

Shkruan Avni Selmani

Kombëtarja e Kosovës është një ndjenjë që nuk përshkruhet lehtë. Është e veçantë sepse përfaqëson atë që për shumë vite ka munguar. Është një skuadër që del në fushë me emrin tonë, me flamurin tonë dhe që më në fund na përfaqëson.
Por në të njëjtën kohë është edhe e dhimbshme. Sepse çdo herë kur thuhet “për herë të parë në histori”, kjo nuk është vetëm një fjali krenarie, por na kujton edhe gjithë atë kohë që nuk e patëm këtë mundësi. Na rikthen pas dhe na bën të mendojmë për atë që është humbur.
Për shumë vite, talenti ynë nuk kishte ku të shfaqej, sepse nuk ishim shtet. Lojtarët që mund të luanin për Kosovën u detyruan të zgjedhin shtete të tjera, jo sepse donin, por sepse nuk kishin zgjidhje tjetër. Edhe sot, kur shohim sukseset e para, është e pamundur të mos mendojmë për ata që nuk patën mundësi ta përjetojnë këtë.
Prandaj çdo sukses i kombëtares nuk duket si një fitore e zakonshme. Është një hap i vonuar, por i merituar. Është një fillim që ka ardhur pas shumë pritjesh. Për këtë arsye, gëzimi është më i madh, sepse nuk është vetëm sport, por edhe histori.
Kur flasim për futbollin, menjëherë na shkon mendja te legjendat, sidomos te ato të viteve të 80-ta, që na bënë krenarë. Ishin ata që e mbajtën gjallë ndjenjën e krenarisë dhe na dhanë arsye të besojmë. Në krye të tyre printe i madhi Fadil Vokrri, një emër që nuk lidhet vetëm me futbollin, por me identitetin dhe dinjitetin tonë në sport.
Ne po i jetojmë gjërat që shumë shtete i kanë përjetuar më herët. Kjo nuk është dobësi, është realiteti ynë. Por edhe brenda këtij realiteti ka forcë, sepse çdo arritje, sado e vogël për dikë tjetër, për ne ka peshë të madhe.
Kombëtarja e Kosovës nuk është vetëm një ekip futbolli. Është një dëshmi që kemi arritur këtu edhe pse vonë. Dhe çdo “herë e parë” është fillimi i diçkaje që tani është e jona.
Është kënaqësi kur në ndeshjet e kombëtares të gjithë frymojnë njëjtë. Nuk ka ndarje, nuk ka dallime, ka vetëm një ndjenjë të përbashkët që i bashkon të gjithë. Diçka që në fusha të tjera, sidomos në politikë, nuk e kemi. Jemi më të ndarë se kurrë.
Mund të flitej shumë edhe për gjëra të tjera, por më mirë po ndalemi këtu. Mos ta prishim kënaqësinë e futbollit. A.S

Forca Kosova

Ku po jetojmë? Aktori Sevdai Radogoshi linçohet për mendimin e tij të lirë

Shkruan Avni Selmani

A po jetojmë në një vend ku ekziston fjala e lirë, apo në një vend ku për një mendim të lirë të linçojnëDeklarata e Sevdai Radogoshit bëri bujë. Reagimet ishin të shumta, madje edhe të ashpra. Por nëse ndalemi pak dhe e shohim me qetësi, lind një pyetje e thjeshtë, a u tha diçka e pavërtetë, apo një realitet që të gjithë e dimëNë thelb, ai nuk ofendoi askënd. Gjatë një interviste, ai foli për mënyrën se si ai dhe disa aktorë të tjerë kanë qenë inspirim për shumë gjenerata të kohës. Ai theksoi një mungesë që ka ekzistuar, se jo të gjitha komunat kanë pasur teatër. Jo të gjithë të rinjtë kanë pasur mundësi të hyjnë në një sallë teatri apo të kenë kontakt me artin nga afër. Fatkeqësisht,ky ishte realiteti i hidhur i kohës dhe në shumë raste vazhdon të ekzistojë edhe sot, pasi shumë komuna ende nuk kanë teatër. Një pjesë e intervistës së tij u nxor nga konteksti, iu shtrembërua kuptimi dhe iu dha një drejtim i qëllimshëm për të nxitur reagimin publik.Si rezultat i kësaj, pati reagime të ashpra në disa media, sidomos në rrjete sociale, të shoqëruara me ofendime. Në këto reagime nuk kemi të bëjmë me mendime ndryshe, por me një shpërthim fyerjesh personale, gjuhë urrejtjeje dhe etiketime të rënda, që nuk kanë të bëjnë me debat.Por ajo që është edhe më e habitshme është standardi që po krijojmë. Në studio televizive dëgjojmë çdo ditë etiketime të rënda. Njerëz quhen spiunë dhe etiketohen me fjalë të rënda, dhe kjo kalon pothuajse pa reagim.Sepse problemi i vërtetë nuk është ajo që u tha, por fakti që ende sot ka vende në Kosovë ku arti dhe teatri mungojnë.

Në këtë kaos politik, “askush nuk është fajtor”, por shteti është i bllokuar

Shkruan Avni Selmani

Në këtë kaos politik, “askush nuk është fajtor”, por shteti është i bllokuar

Prej më shumë se një viti po jetojmë në një gjendje që quhet krizë institucionale. Por sa më shumë që flitet për krizë, aq më pak flitet për përgjegjësi. Kur i dëgjon arsyetimet e partive politike, krijohet përshtypja sikur të gjithë janë në rregull dhe askush nuk është “fajtor”.Nëse e dëgjon pushtetin, ai e ka shpjegimin e vet. Sipas tyre, fajin e ka opozita sepse nuk bashkëpunon. Nëse e dëgjon opozitën, edhe ajo e ka rrëfimin e vet dhe faji gjithmonë është te pushteti.Nëse i dëgjon qytetarët, shumë prej tyre janë të lidhur me parti sikur të ishin fe dhe secili mbron taborrin e vet. Në këtë lëmsh askush nuk e kërkon të vërtetën dhe askush nuk është “fajtor”, edhe pse shteti është i bllokuar.Në këtë kaos politik nuk ka as sinqeritet dhe as përgjegjësi. Secili flet për të tjerët, por askush nuk flet për veten. Secili kërkon llogari, por askush nuk jep llogari. Dhe kjo nuk është më politikë, është një lojë ku të gjithë shohin vetëm interesin e vet, dhe askush interesin e shtetit.Nëse e shikojmë situatën konkrete, atëherë gjithçka bëhet edhe më e qartë. Në zgjedhjet e kaluara nuk u krijua qeveria sepse munguan tre vota. Në këto të fundit nuk u arrit zgjedhja e presidentit sepse mungoi kuorumi. Në këtë situatë kanë mjaftuar vetëm tre deputetë dhe institucionet do të ishin funksionale që para një viti. Prandaj është e pavërtetë të thuhet se askush nuk është “fajtor”. Të gjithë janë fajtorë, pa përjashtim.Në realitetin tonë politik, secili subjekt politik ka krijuar rreth vetes një armatë mbështetësish që verbërisht mbrojnë partinë e vet. Nuk ka rëndësi çka ndodh, ata janë gjithmonë në mbrojtje. Gabimi nuk pranohet kurrë, kritika nuk dëgjohet, vetëm sulmohet. Dhe kështu krijohet një realitet ku e vërteta nuk ka më asnjë peshë.Në këtë gjendje nuk ka debat normal. Ka vetëm përplasje dhe mbrojtje të verbër. Nëse është “i yni”, është i drejtë. Nëse është “tjetri”, është kundër. Me këtë logjikë, shteti nuk mund të ecë përpara, ai vetëm bllokohet.Ndërkohë, qytetari e paguan çmimin e këtij realiteti të hidhur. Dhe këtu qëndron problemi më i madh. Kjo nuk duket më si një krizë e përkohshme. Duket si një mënyrë e qëllimshme për të mos marrë përgjegjësi. Sepse kur askush nuk pranon gabimin, atëherë gjithçka mund të vazhdojë njësoj.Në fund, mbetet vetëm një e vërtetë e hidhur: shteti bllokohet, problemet rriten dhe të gjithë vazhdojnë të sillen sikur janë në rregull.Nga e gjithë kjo, shihet qartë se me këtë klasë politike shteti nuk mund të ecë përpara. Këtë e kanë treguar deri më tani. Nga këta njerëz nuk pritet as të reflektojnë.Të shpresojmë që në të ardhmen të vijë një klasë politike që respekton shtetin dhe qytetarin dhe që e sheh pushtetin si përgjegjësi, jo si interes personal. Kaq është e thjeshtë.

Kur kushtetuta lexohet sipas interesit

Shkruan Avni Selmani

Në politikën kosovare është bërë e zakonshme që për të njëjtin tekst kushtetues të kemi interpretime të kundërta. I njëjti nen për disa është i qartë dhe i drejtë, ndërsa për të tjerët është i gabuar. I njëjti interpretim për një palë është në përputhje me kushtetutën, ndërsa për palën tjetër është shkelje e saj. Krijohet përshtypja sikur vendi ka disa kushtetuta dhe jo një. Kjo ndodh pothuajse sa herë që lind një krizë politike. Mjafton një mosmarrëveshje për zgjedhjen e kryeparlamentarit, për formimin e qeverisë apo për zgjedhjen e presidentit dhe menjëherë fillojnë interpretime të ndryshme. Secila palë përpiqet ta paraqesë kushtetutën si argument për qëndrimin e vet. Situata bëhet edhe më problematike kur interpretime të ndryshme dëgjohen edhe nga njerëz që kanë qenë pjesë e hartimit të kushtetutës. I njëjti tekst shpjegohet në mënyra të ndryshme, sikur të bëhej fjalë për dokumente të ndryshme. Në vend që kushtetuta të jetë rregulli që zgjidh konfliktet politike, ajo shpesh përdoret si mjet në përplasjen politike. Çdo palë përpiqet ta lexojë atë në mënyrë që t’i shërbejë interesit të vet. Pyetja që lind është e thjeshtë. Pse ndodh kjo. Si është e mundur që një tekst kushtetues të prodhojë interpretime kaq të kundërta. Arsyeja kryesore është se kushtetuta nuk lexohet gjithmonë për atë që është, por për atë që i shërben interesit politik të momentit. Kur një dispozitë i shkon për shtat një partie, ajo shpallet e drejtë. Kur e njëjta dispozitë nuk i përshtatet interesit të saj, menjëherë fillojnë interpretime të tjera. Në këtë mënyrë kushtetuta nuk trajtohet më si rregull i përbashkët për të gjithë. Ajo përdoret si argument politik. Kjo dukuri shihet edhe në debatet publike dhe në studiot televizive. Për të njëjtin nen kushtetues jepen interpretime të kundërta. Secili e shpjegon kushtetutën sipas pozicionit politik që mbron. Pasojat janë të qarta. Krizat politike zgjasin, institucionet bllokohen dhe qytetarët dëgjojnë interpretime të pafundme për të njëjtin tekst kushtetues. Kur kushtetuta lexohet sipas interesit politik, ajo nuk shërben më si themel i rendit institucional. Ajo bëhet pjesë e konfliktit politik. Dhe përderisa kushtetuta vazhdon të përdoret sipas interesit politik, me këtë klasë politike vendi nuk mund të ketë një të ardhme të sigurt.

Kur shteti bankroton politikisht

Shkruan Avni Selmani

Ka raste kur një shtet nuk dështon për shkak të ekonomisë, por për shkak të politikës. Kosova është një shembull i qartë i kësaj. Kur institucionet nuk janë në gjendje të marrin vendime elementare dhe klasa politike në mënyrë të vazhdueshme abuzon me pushtetin dhe nuk arrin as marrëveshjen minimale për çështjet e shtetit, atëherë nuk kemi thjesht krizë politike. Kemi bankrot politik.
Në një shtet normal, vendimet për institucionet kryesore janë procedura të zakonshme. Në Kosovë ato kthehen në bllokada politike. Përplasjet e vazhdueshme dhe kalkulimet partiake e kanë kthyer funksionimin e institucioneve në krizë të përhershme.
Problemi nuk është një proces apo një institucion i caktuar. Problemi është vetë niveli i klasës politike. Kur politika nuk arrin të prodhojë konsensus për çështje elementare të shtetit, kjo nuk është më debat politik. Kjo është mungesë pjekurie dhe mungesë përgjegjësie.
Dhe kjo ndodh pikërisht në një moment kur Kosova gjendet në një udhëkryq gjeopolitik dhe ekonomik. Në vend që si shtet i ri t’i tregojmë botës se dimë të menaxhojmë institucionet dhe të marrim vendime serioze, politika po sillet me papjekuri të plotë. Shteti bllokohet për inate personale dhe interesa të ngushta partiake. Mesazhi që i dërgohet botës është i qartë: për një pjesë të politikës, shteti nuk është prioritet.
Dhe kjo nuk është një situatë e përkohshme. Kjo është bërë mënyra normale e funksionimit të politikës. Shteti u bllokua për një vit të tërë. U mbajtën zgjedhje të jashtëzakonshme me premtimin se kriza do të zgjidhej. Por rezultati ishte i njëjtë. Sot përsëri flitet për zgjedhje të reja që do të na çojnë në të njëjtën situatë.
Kjo klasë politike nuk duket fare e shqetësuar për gjendjen reale të vendit. Kosova është zyrtarisht vendi më i varfër në Evropë. Në testet ndërkombëtare të arsimit si PISA jemi ndër vendet e fundit. Jemi ndër shoqëritë me migracionin më të madh, ku mijëra qytetarë largohen çdo vit nga vendi në kërkim të një jete më të mirë. Papunësia mbetet e lartë, ekonomia është e dobët dhe shteti vazhdon të mbështetet kryesisht në import dhe remitenca. Por asnjë nga këto nuk duket se e shqetëson seriozisht politikën. Në vend që të përballen me problemet reale të vendit, ata merren me kalkulime të vogla politike dhe interesa personale.
Kjo tregon se problemi nuk është procedural. Problemi është vetë kjo klasë politike. Kur politika kalon nga konkurrenca në urrejtje dhe nga përgjegjësia në bllokadë, shteti mbetet peng i krizave të përhershme.
Për sa kohë kjo klasë politike sillet në këtë mënyrë dhe qytetarët e tolerojnë, kjo gjendje do të vazhdojë. Politika nuk ndryshon vetë. Ajo ndryshon vetëm kur shoqëria nuk e pranon më këtë nivel të saj. A.S

Fenomeni Edi Rama në sytë e kosovarëve

Shkruan Avni Selmani

Në realitetin shqiptar rrallë ndodh që një figurë politike të mos krijojë reagime të kundërta, por në rastin e Edi Ramës ky fenomen duket edhe më i theksuar. Çdo deklaratë e tij për Kosovën pritet me interes, komentohet gjatë dhe shpesh kalon nga ajo që thuhet te dyshimet për qëllimet e tij. Kjo flet më shumë për mënyrën si reagon opinioni publik sesa për vetë deklaratën.
Përtej asaj se si interpretohen veprimet e Ramës, mbetet fakti se ai pothuajse çdo herë kur i është dhënë rasti në konferenca ndërkombëtare e ka ngritur çështjen e Kosovës dhe temat që lidhen me të. Qoftë në Këshillin e Evropës, në takime të aleancës veri atlantike apo në forume të tjera politike, ai e ka sjellë në vëmendje Kosovën duke kërkuar trajtim më të drejtë. Pavarësisht kësaj, përpjekja e tij për ta çuar çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare nga një pjesë vlerësohet, ndërsa nga një pjesë tjetër shihet me rezervë dhe dyshim.
Në Kosovë, emri i Edi Ramës është bërë pjesë e ndarjeve politike. Njëra palë e vlerëson si mbështetje për Kosovën, ndërsa pala tjetër e sheh me dyshim. Shpesh reagimi ndaj tij varet më shumë nga pozicionimi partiak sesa nga vetë qëndrimi që ai mban. Kjo tregon se problemi nuk është vetëm te një emër i përveçëm, por te mënyra si ne si shoqëri reagojmë ndaj figurave politike.
Krijohet një situatë ku çdo veprim interpretohet në dy mënyra. Nëse flet, akuzohet për interes politik. Nëse hesht, thuhet se nuk e ngriti zërin. Ky është thelbi i fenomenit. Nuk është vetëm çështje e një figure politike, por mënyra si shoqëria shqiptare e lexon politikën sot.
Në Kosovë ekziston një ndjeshmëri e veçantë ndaj çdo deklarimi që vjen nga jashtë kufijve të saj, edhe kur ai vjen nga Shqipëria. Për këtë arsye, çdo fjalë analizohet jo vetëm për atë që thotë, por edhe për atë që mund të nënkuptojë.
Fenomeni që po shohim sot lidhet me besimin dhe dyshimin njëkohësisht. Kosovarët presin shumë nga politika shqiptare, veçanërisht nga kryeministri Rama, por njëkohësisht e shohin atë me rezervë. Kjo bën që reagimet të mbeten të ndara dhe debati të vazhdojë.
Në fund, pavarësisht kontradiktave që sillen rreth figurës së Edi Ramës, nuk janë debatet e ditës ato që e përcaktojnë peshën e tij politike, por historia, e cila do ta gjykojë apo do ta lartësojë emrin e tij. Debatet e momentit shpesh ndikohen nga klima politike, nga emocionet dhe nga ndarjet partiake. Me kalimin e kohës mbeten vetëm faktet, veprimet konkrete dhe ndikimi real që një figurë lë pas. Vetëm atëherë mund të bëhet një vlerësim më i qartë për rolin e tij në raport me Kosovën dhe me politikën shqiptare në përgjithësi. A.S

Zgjedhjet Përfunduan, Problemet u Zgjidhën… Jetë o Jetë

Shkruan Avni Selmani

Zgjedhjet përfunduan. Sipas premtimeve që dëgjuam për një muaj të tërë, tani të gjitha problemet janë zgjidhur. Më në fund, do të kemi mirëqenie të lartë, pagat do të rriten menjëherë dhe askush nuk do të detyrohet të largohet më nga vendi për një jetë më të mirë. Madje, diaspora do të kthehet, sepse tani këtu do të ketë mundësi të shumta. Investimet do të shtohen në çdo sektor, papunësia do të zhduket dhe të rinjtë do të kenë vende pune me paga të larta. E si mund të ndodhë ndryshe, kur politikanët na premtuan “kulla dhe pallate”, parajsën e vërtetë.

Por pastaj vjen realiteti. Të njëjtat probleme mbesin, të njëjtat fytyra vazhdojnë të japin arsyetime dhe gjithçka mbetet një iluzion fushate. Papunësia nuk zhduket, diaspora nuk kthehet. Paga minimale mbetet e ulët, ndërsa çmimet vazhdojnë të rriten. Importet vazhdojnë të mbulojnë tregun, duke lënë ekonominë vendore në mëshirë të tregjeve të huaja. Prodhimi vendor mbetet i dobët, sepse asnjë strukturë shtetërore nuk merr hapa seriozë për ta zhvilluar.

Premtimet nuk janë më vetëm fjalë të fushatës, por janë bërë një zakon që përsëritet çdo herë. Problemi nuk është vetëm te ata që premtojnë shumë, por edhe te fakti që këto premtime dëgjohen në çdo fushatë sa herë kemi zgjedhje të reja, edhe pse janë të njëjtat që i kemi dëgjuar ndër vite. Kjo e ka kthyer politikën në një skenë ku fjala vlen më shumë gjatë fushatës sesa puna pas saj.

Ata që dolën fitues tani janë të zënë me ndarjen e posteve dhe sistemimin e njerëzve të tyre. Aktivistët e partisë gjejnë vend në struktura të reja, ndërsa qytetarët që votuan me shpresë mbeten me të njëjtat vështirësi. Premtimet zhduken shpejt dhe zëvendësohen me arsyetime të zakonshme. Çdo katër vjet përsëritet e njëjta skenë, të njëjtat fjalë dhe i njëjti zhgënjim. Njerëzit ose e harrojnë shpejt, ose e pranojnë këtë gjendje si diçka normale.

Njerëzit, të lodhur nga zhgënjimet, ose e harrojnë, ose e pranojnë si fat të pashmangshëm. Dhe ndoshta kjo është pjesa më e dhimbshme, sepse kur zhgënjimi bëhet zakon, edhe pritjet bëhen më të vogla.

A thua do të vijë një ditë kur kjo mënyrë e qeverisjes do të ndryshojë, apo gjithçka do të mbetet një skenar i njëjtë, zgjedhje pas zgjedhjeje? Edhe sa do të na duhet si shoqëri të vetëdijesohemi dhe të mos i lejojmë më këto lojëra dhe këtë mënyrë udhëheqjeje? Është koha për reflektim dhe për përgjegjësi, dhe t’u bëhet e qartë se ata janë të punësuarit tanë, jo pronarët e fatit tonë.

Afera Lajçak dhe pyetja nëse Evropa ende ka rezerva ndaj shqiptarëve

Shkruan Avni Selmani

Gjatë gjithë historisë moderne, Evropa nuk ka qenë e drejtë dhe as e sinqertë ndaj shqiptarëve. Politika e saj ka qenë e orientuar nga interesat e të tjerëve, jo nga drejtësia ndaj shqiptarëve. Shqiptarët nuk janë trajtuar si faktor i barabartë dhe, si pasojë e këtyre rrethanave, pasojat i ndiejmë edhe sot.

Kjo u pa qartë që në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Në Kongresin e Berlinit, fuqitë evropiane rregulluan Ballkanin pa përfshirë shqiptarët që jetonin aty. Territore shqiptare u shpërndanë për të kënaqur interesa dhe aleanca të popujve të tjerë, ndërsa shqiptarët nuk u njohën si faktor politik.

Në Konferencën e Londrës më 1913, u njoh një shtet shqiptar i cunguar. Vendimi nuk u mor mbi bazë etnie, historie apo vullneti të popullit, por për të ruajtur qetësinë mes fuqive të mëdha dhe për t’i kënaqur fqinjët e tyre. Një pjesë e madhe e kombit mbeti jashtë kufijve të shtetit të sapokrijuar.

Në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, Shqipëria rrezikoi seriozisht të zhdukej si shtet. U diskutua hapur ndarja e saj si zgjidhje e pranueshme për stabilitetin rajonal. Ky plan nuk u realizua falë qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit Woodrow Wilson, i cili në mënyrë kategorike refuzoi këto plane shkatërruese për popullin shqiptar.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Evropa e pranoi Jugosllavinë si faktor stabiliteti. Kosova mbeti brenda saj, pa të drejta reale dhe pa vetëvendosje. Çështja shqiptare sërish u dëmtua në emër të një paqeje të rreme dhe të përkohshme.

Edhe kur shpërtheu lufta në Kosovë, reagimi ndërkombëtar erdhi vetëm atëherë kur kriza u bë kërcënim për vetë Evropën. Edhe në këtë rast, roli vendimtar iu takoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Evropa nuk ishte në rol udhëheqës, por vetëm e ndoqi procesin.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, qasja ndryshoi vetëm në formë. Njohja ishte e pjesshme dhe e kushtëzuar. Kosova nuk u trajtua si çështje e mbyllur, por si problem që duhet administruar vazhdimisht.

Duke parë këtë kronologji padrejtësish ndaj shqiptarëve, afera e emisarit për dialogun Lajçak nuk duket rastësi. Reagimi i zyrtarëve të Bashkimit Evropian për ta minimizuar këtë çështje vetëm sa e përforcon bindjen se vendimet vazhdojnë të merren pa transparencë dhe se interesat shqiptare trajtohen si të negociueshme.

Por më e keqja në gjithë këtë histori nuk është vetëm ajo që ka bërë Evropa. Më e keqja është ajo që nuk kemi bërë ne.

Duke i parë këto tendenca historike dhe idetë e përsëritura për shkatërrimin e popullit shqiptar, kjo nuk na ka shërbyer kurrë si shkollë për t’u bërë të bashkuar. Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë plotësisht unikë në momentet vendimtare. Përkundrazi, kanë dominuar ndarjet dhe përçarjet, ndërsa pushteti dhe interesi personal janë vendosur mbi interesin e përbashkët. Për këtë arsye, nuk kemi pasur kurrë një qeveri të shpëtimit kombëtar që do të fliste me një zë dhe do ta mbronte seriozisht interesin kombëtar.

Kjo mungesë uniteti ua ka lehtësuar të tjerëve vendimmarrjen për fatin tonë. Një popull pa unitet nuk merret seriozisht dhe bëhet i lehtë për t’u manipuluar.

Unitet nuk e kemi as sot. Edhe sot jemi të ndarë dhe të polarizuar, pa një qëndrim të përbashkët për çështjet jetike, sidomos tani kur Kosova gjendet në një udhëkryq gjeopolitik dhe ekonomik. Politika vazhdon të sillet si garë pushteti dhe jo si përgjegjësi kombëtare.

Dhe duke qenë se Evropa asnjëherë gjatë historisë nuk ka qenë për interesat shqiptare, ajo që ndodh sot na bën të mendojmë se Evropa ende ka rezerva ndaj nesh.

Pse Kosova nuk ka politika ekonomike afatgjata, zhvillimi ekonomik nuk bëhet nga politikanët

Shkruan Avni Selmani

Që nga përfundimi i luftës e deri sot, Kosova nuk ka pasur asnjëherë politika ekonomike serioze dhe as projekte strategjike shtetërore. Nuk ka pasur plan, nuk ka pasur vizion dhe nuk ka pasur as dije të mjaftueshme se çfarë ekonomie duhet të ndërtohet. Vendimet janë marrë nga politikanë dhe jo nga ekspertë të fushave profesionale, dhe kjo është arsyeja kryesore pse ekonomia ka mbetur pa drejtim.

Resurset natyrore janë trajtuar keq ose janë lënë jashtë funksionit. Në vend që të shihen si bazë zhvillimi, janë kthyer në çështje politike ose janë shtyrë pa afat. Asnjë strategji serioze nuk është ndërtuar për t’i kthyer këto pasuri në vlerë ekonomike për shtetin dhe qytetarët.

Mungesa e industrisë është pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj qasjeje. Pas luftës, kapacitetet prodhuese nuk u rindërtuan dhe nuk u krijua asnjë industri e re që do ta zëvendësonte atë që u shkatërrua. Nuk pati plan se çfarë strukture ekonomike po ndërtohej. Në vend të prodhimit u zgjodh rruga më e lehtë, importi, konsumi dhe remitencat. Ky nuk është zhvillim, por mbijetesë.

Dikur Kosova kishte kombinate dhe fabrika prodhuese me mijëra punëtorë. Kishte industri ndërtimi, përpunim metalesh, energjetikë dhe ndërmarrje shoqërore që mbanin gjallë ekonominë dhe punësimin. Këto struktura nuk ishin pa probleme, por krijonin prodhim, siguronin vende pune dhe përbënin bazë ekonomike. Sot pothuajse asnjëra prej tyre nuk funksionon. Nuk u modernizuan, nuk u rindërtuan dhe nuk u zëvendësuan me industri të reja. U lanë të shkatërrohen, duke e lënë vendin pa bazë prodhuese dhe pa ekonomi reale.

Privatizimi u trajtua në mënyrën më të gabuar të mundshme. U realizua pa kritere zhvillimore, pa obligime të qarta dhe pa kontroll institucional. Ndërmarrjet u shitën jo për t’u zhvilluar, por për përfitime afatshkurtra. Si pasojë u humb baza prodhuese dhe mijëra vende pune, pa ndonjë përfitim real për ekonominë.

Dështimi vazhdoi edhe në shfrytëzimin e resurseve njerëzore. Asnjëherë nuk u ndërtua një trup serioz ekspertësh që do të udhëhiqte politikat ekonomike. Ekonomia u drejtua nga politikanë që nuk e kuptojnë se si ndërtohet zhvillimi afatgjatë. Vendimet u morën pa analiza, pa dije dhe pa përgjegjësi.

Në shtetet që funksionojnë, politikat ekonomike hartohen nga ekspertët dhe zbatohen nga politika. Në Kosovë ndodh e kundërta. Politikanët vendosin, ndërsa ekspertët anashkalohen. Për këtë arsye nuk ka vazhdimësi, nuk ka rezultate dhe nuk ka zhvillim.

Sot ekonomia e Kosovës është e varur nga importi. Pa industri nuk ka punësim të qëndrueshëm dhe pa punësim nuk ka zhvillim. Kjo nuk është mungesë mundësish, por pasojë e drejtpërdrejtë e vendimeve të gabuara.

Zhvillimi ekonomik nuk vjen nga fjalimet dhe as nga ciklet zgjedhore. Ai kërkon dije, plan dhe vazhdimësi. Kosova nuk ka dështuar sepse është e vogël apo e varfër, por sepse ekonominë e ka trajtuar si mjet pushteti dhe jo si projekt shteti. Përderisa ekonomia vazhdon të trajtohet si çështje politike dhe jo profesionale, vendi do të mbetet konsumues, i varur dhe pa perspektivë zhvillimi.

Kur mosbesimi dhe besimi në Zot bëhet trend

Shkruan Avni Selmani

Ka një fenomen që po e shohim prej vitesh në shoqërinë tonë. Njerëz që ndryshojnë qëndrime ndaj besimit në Zot jo sepse kanë bërë një kthesë të sinqertë brenda vetes, por sepse ndryshon koha, ndryshon rrethi dhe ndryshojnë edhe regjimet. Sot e sheh dikë që flet si besimtar i devotshëm, ndërsa dikur ishte ndër ata që deklaroheshin si ateist. Kjo nuk është gjithmonë çështje feje. Shpesh është çështje interesi dhe përshtatjeje me kohën.

Me kujtohen vitet e tetëdhjeta, kur ishte në modë të ishe ateist. Shumë njerëz e shihnin fenë si diçka të kaluar dhe të mbrapambetur. Besimtarin e trajtonin si njeri të një kategorie tjetër. Nuk ishte gjithmonë bindje e vërtetë. Ishte pasojë e rrethanave dhe e ndikimit të shoqërisë.

Në atë kohë mbizotëronte filozofia marksiste dhe materializmi dialektik. Të mbroje ato teza ishte në modë dhe në përputhje me sistemin. Për shumë njerëz mosbesimi ishte mënyrë për t’u përshtatur me kohën.

Sot situata ka ndryshuar. Në shumë raste nuk është më në modë të tregohesh mosbesimtar. Më lehtë fiton vlerësim kur dukesh besimtar. Prandaj shohim të njëjtët njerëz që flasin shpesh për fenë, japin moral dhe paraqiten si të devotshëm, sikur kanë qenë gjithmonë të tillë.

Disa prej tyre e mbrojnë fenë më shumë se vetë predikuesit e saj. Bëhen sikur preken nëse dikush mendon ndryshe ose shpreh dyshim. Në atë pikë feja nuk është më bindje, por paraqitje para të tjerëve.

Problemi nuk është te besimi. Problemi nis kur besimi përdoret si mënyrë për t’u dukur më i mirë se të tjerët. Kur feja përdoret për të ngritur veten, ajo kthehet në mjet dhe jo në bindje.

Njeriu mund të ndryshojë dhe kjo është normale. Por ka raste kur nuk ndryshon njeriu, ndryshon vetëm roli. Dikur u duhej mosbesimi për t’u dukur në hap me kohën. Sot u duhet besimi për të qenë në anën e shumicës. Në të dy rastet kemi më shumë përshtatje sesa bindje.

Ai që e ka gjetur besimin me sinqeritet nuk ka nevojë të bëhet gjykatës i të tjerëve. Ai merret me veten. Ndërsa ai që e përdor besimin si modë, shpesh mbetet i njëjti njeri, vetëm me fjalë të reja.

Shoqëria jonë shpesh merret më shumë me dukjen sesa me përmbajtjen. Kur diçka përdoret vetëm për t’u dukur, ajo e humb vlerën. Ka pasur kohë kur ishte e pranueshme të flisje kundër fesë. Sot, në shumë raste, është më e pranueshme të flasësh në emër të fesë. Por as mosbesimi dhe as besimi nuk duhet të varen nga moda. Moda ndryshon sipas interesit, ndërsa bindja e vërtetë duhet të jetë e sinqertë dhe e qëndrueshme.

Në fund nuk ka rëndësi çka thua se je. Rëndësi ka çfarë njeriu je dhe si sillesh. Aty dallohen ata që kanë qëndrim të vërtetë nga ata që vetëm ndjekin modën.

Fenomeni i rritjes ekonomike, a kemi pasur rritje reale që nga paslufta deri sot?

Shkruan Avni Selmani

Që nga përfundimi i luftës e deri më sot, në Kosovë është folur vazhdimisht për rritje ekonomike. Çdo qeveri, në periudha të ndryshme, e ka përdorur këtë shprehje për ta paraqitur veten si të suksesshme. Por nëse e shikojmë me kujdes strukturën reale të ekonomisë së vendit, lind pyetja nëse kjo rritje ka qenë reale apo vetëm në shifra.

Buxheti i Kosovës, prej pasluftës e deri sot, është mbështetur kryesisht në tatimet e qytetarëve, në dogana dhe remitencat e bashkatdhetarëve. Remitencat kanë pasur rol jetik për mbijetesën sociale dhe për mbajtjen gjallë të konsumit, por ato nuk përfaqësojnë zhvillim ekonomik, sepse janë para të fituara jashtë vendit dhe jo vlerë e krijuar brenda Kosovës.

Ekonomia e Kosovës është ndërtuar mbi konsum dhe import, jo mbi prodhim. Doganat janë shndërruar në një nga burimet kryesore të të hyrave shtetërore, duke krijuar një paradoks të vazhdueshëm ku shteti përfiton nga importi, ndërsa prodhimi vendor mbetet i dobët dhe i pazhvilluar. Sot, rreth 85 përqind e mallrave që konsumohen në Kosovë janë importe, ndërsa vetëm rreth 15 përqind janë eksporte, çka tregon qartë mungesën e një baze prodhuese dhe pamundësinë për të folur për rritje ekonomike reale.

Një pjesë e asaj që është paraqitur si rritje ekonomike në vitet e pasluftës lidhet edhe me procesin e privatizimit. Të hyrat nga privatizimi janë paraqitur si rritje ekonomike, edhe pse në thelb kanë qenë shitje e pasurisë shoqërore dhe për këtë arsye nuk mund të llogariten si rritje ekonomike reale. Në shumë raste, privatizimi nuk ka sjellë zhvillim, por shuarje të kapaciteteve prodhuese që ekzistonin më herët.

Nga periudha e pasluftës deri më sot, ekonomia jonë është mbështetur edhe në ndihma dhe projekte të huaja. Varësia nga ndihmat dhe projektet e huaja ka krijuar përshtypjen e zhvillimit, por pa ndërtuar kapacitete të qëndrueshme prodhuese dhe për këtë arsye nuk mund të quhet rritje ekonomike. Këto fonde kanë ndihmuar rimëkëmbjen afatshkurtër, por nuk janë shndërruar në bazë zhvillimi afatgjatë.

Sektori publik ka qenë për shumë vite punëdhënësi kryesor, duke ofruar një stabilitet të përkohshëm social, por pa krijuar vlerë të re ekonomike. Edhe ndërtimtaria ka dhënë pamje të zhvillimit, por kryesisht përmes banesave të financuara nga remitencat dhe kredia, jo përmes investimeve prodhuese apo industriale që do të krijonin ekonomi të qëndrueshme.

Situata është rënduar edhe më shumë në vitet e fundit për shkak të inflacionit të lartë. Kriza globale si pandemia, lufta në Ukrainë dhe rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimit kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Në këto kushte, rritja e buxhetit dhe e qarkullimit financiar nuk ka sjellë përmirësim real të mirëqenies, por vetëm rritje të shifrave nominale.

Ajo që është quajtur rritje ekonomike ka qenë shpesh statistikë në ajër, e fryrë nga inflacioni, importi, privatizimi dhe ndihmat e jashtme, jo rezultat i prodhimit vendor, investimeve strategjike dhe eksporteve. Ekonomia është matur me arkën e shtetit dhe jo me jetën e qytetarit.

Prandaj, nëse i qëndrojmë realitetit, Kosova pas luftës nuk ka përjetuar rritje ekonomike të mirëfilltë. Ka pasur ekonomi mbijetese, të mbështetur në konsum, remitenca, import dhe sektor publik. Pa prodhim vendor, pa industri dhe pa një strategji afatgjate zhvillimi, termi rritje ekonomike mbetet më shumë retorikë sesa realitet.

Vetëm duke e pranuar këtë gjendje, mund të hapet një debat i ndershëm për të ardhmen ekonomike të vendit dhe për nevojën e një modeli që krijon punë, prodhim dhe mirëqenie reale për qytetarët.

Kur mediat humbin ndikimin dhe qytetarët vendosin vetë

Shkruan Avni Selmani

Mediat kanë pasur gjithmonë rol të rëndësishëm dhe vendimtar në formimin e opinionit publik. Ajo që është thënë në media, është pranuar si e vërtetë. Dikur mjaftonte një version i vetëm në televizion që publiku ta merrte si të vërtetë. Por zgjedhjet e fundit ngritën një pyetje të thjeshtë: a kanë ndryshuar rregullat e lojës dhe a ka ndryshuar edhe ndikimi i mediave.

Ajo që u duk gjatë kësaj periudhe ishte se një numër i madh mediash po silleshin më shumë si të njëanshme, sesa si burim informacioni. Për një pjesë të madhe të publikut, kjo qasje la përshtypjen e një fushate mediatike dhe jo të informimit të drejt.

Debatet dhe emisionet televizive nuk sollën asgjë të re. I njëjti rreth analistësh dhe të njëjtat qëndrime u përsëritën nga një studio në tjetrën. Ajo që u tha nëpër studio nuk u mor më seriozisht dhe u kthye në kundërefekt. Kjo u pa edhe në rezultatin zgjedhor dhe në fitoren bindëse të partisë në pushtet.

Qytetari sot nuk e merr më informacionin vetëm nga televizori. Ai ka rrjete sociale, burime të ndryshme dhe e krijon vetë përshtypjen se çfarë po ndodh. Prandaj nuk ndikohet lehtë nga një rrjedhë e vetme mendimi, sado e fortë të duket në studio. Sidomos kur për vite të tëra shfaqen të njëjtat fytyra dhe publiku i njeh tashmë. Në shumë raste, sapo moderatori bën pyetjen, qytetarët e dinë çfarë do të thotë analisti edhe pa folur fare. Kjo e ul ndikimin dhe e bën debatin të parashikueshëm.

Në këtë klimë, ndikimi i mediave nuk matet më me imponim mediatik, por me besim. Dhe besimi është dobësuar pikërisht aty ku media humb qëndrimin e drejtë dhe bëhet e njëanshme. Kur publiku e ndien që po i imponohet një qëndrim, ai reagon duke e refuzuar.

Prandaj edhe rezultati i zgjedhjeve doli ndryshe nga ajo që pritej nga shumë studio. Kjo tregoi se qytetarët nuk reagojnë automatikisht ndaj asaj që u serviret, por e filtrojnë vetë, e krahasojnë dhe vendosin sipas perceptimit të tyre.

Pavarësisht kritikave dhe gjithë spektaklit mediatik, prap partia fituese doli ajo që u kritikua më shumë. Këtu mund të nxjerrim përfundimin pse ndodhi kjo. A është se mediat kanë humbur besimin, apo se nga kritika e tepërt qytetarët u irrituan. Në të dy rastet, kjo tregon se ndikimi mediatik nuk funksionon më si dikur.

Mediat i lanë anash problemet dhe hallet e qytetarëve. Shpesh u fol më shumë për përplasjet politike sesa për jetën e përditshme të qytetarëve. Kjo krijoi pakënaqësi, sepse ajo që flitej në studio nuk përputhej me realitetin.

Kritika ndaj pushtetit është e domosdoshme, kur është e bazuar në fakte. Por problemi lind kur ajo teprohet dhe kthehet në sulm të vazhdueshëm. Atëherë nuk bind më dhe shpesh prodhon efekt të kundërt.

Zgjedhjet e fundit e nxorën në pah këtë fenomen. Ndikimi i mediave varet nga besimi. Kur ky besim humbet, humbet edhe ndikimi. Dhe në fund, qytetarët vendosin vetë.

Zgjedhjet në Kosovë, çka tregon një fitore mbi 50 përqind të votave

Shkruan Avni Selmani

Pas 26 vitesh nga përfundimi i luftës dhe më shumë se një dekade e gjysmë shtetësi, për herë të parë në Kosovë një parti politike fiton mbi 50 përqind të votave. Ky fakt është demokratik, pasi zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të drejta, por nuk është i zakonshëm për një shoqëri që pretendon pluralizëm politik dhe për këtë arsye duhet kuptuar siç është.

Pyetja kryesore nuk është pse kjo parti fitoi mbi 50 përqind të votave, por çfarë e çoi shoqërinë deri në këtë pikë. A kemi të bëjmë me një besim të madh qytetar apo me një zhgënjim të thellë të grumbulluar ndër vite. Sepse një shumicë e tillë nuk lind nga entuziazmi, por nga lodhja qytetare dhe mungesa e alternativave politike.

Zgjedhjet nuk u fituan sepse u bind shumica e qytetarëve me ide të reja apo me një program të jashtëzakonshëm. Ato u fituan sepse për vite me radhë u krijua pakënaqësi e thellë ndaj partive që kanë qeverisur më parë. Korrupsioni, keqmenaxhimi, mungesa e përgjegjësisë dhe përsëritja e të njëjtëve emra në poste e shtynë qytetarin drejt një vote ndëshkuese. Në këtë kuptim, fitorja ishte pasojë e pakënaqësisë së akumuluar ndër vite, më shumë sesa miratim i gjendjes aktuale.

Nëse pas kësaj fitoreje nuk reformohet një opozitë e re, serioze dhe e ndershme, me figura të reja dhe jo me ata që e krijuan këtë pakënaqësi dhe këtë zemërim te qytetarët, dhe nëse shoqëria civile vazhdon të heshtë, problemi nuk do të jetë më partia fituese, por mungesa e një alternative politike të besueshme. Atëherë ky 50 përqindësh nuk do të mbahet mend si shpresë, por si paralajmërim që nuk u mor seriozisht.

Për të ndryshuar këtë gjendje, partitë opozitare duhet të bëjnë reforma të thella, të dalin nga inatet personale dhe të jenë bashkëpunuese, sidomos kur është në pyetje interesi kombëtar. Ato duhet të ndërtohen mbi ide konkrete, figura të reja dhe seriozitet politik, jo mbi të njëjtat fytyra që e kanë krijuar këtë pakënaqësi. Prandaj ky rezultat nuk duhet as festuar dhe as demonizuar, por kuptuar si sinjal i qartë për ndryshim në mënyrën se si ndërtohet shteti dhe si funksionon demokracia.

Në fund, problemi nuk është se një parti fitoi mbi 50 përqind të votave, por sepse konkurrenca politike ishte e dobët. Në mungesë të alternativave reale dhe të një opozite të besueshme, rezultati i zgjedhjeve flet më shumë për gjendjen e sistemit politik sesa për suksesin e një subjekti të vetëm. Në këtë udhëkryq gjeopolitik dhe ekonomik, vazhdimi i të njëjtës mënyrë veprimi nga klasa politike nuk është më opsion, por rrezik për të ardhmen e vendit.

Pas zgjedhjeve, pritshmëritë dhe sfidat që e presin Kosovën

Shkruan Avni Selmani

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, Kosovës i takon urimi për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet dhe për nivelin e lartë të kulturës zgjedhore të treguar nga qytetarët, çka tregon një pjekuri demokratike që duhet vlerësuar dhe ruajtur edhe në të ardhmen.

Tani pritet që institucionet të formohen sa më shpejt, sepse vendi ka nevojë urgjente për stabilitet institucional dhe vendimmarrje funksionale. Përtej retorikës zgjedhore, pritshmëria kryesore është që qeverisja e ardhshme të përballet seriozisht me sfidat reale të zhvillimit të vendit, ato që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Në këtë mandat, i gjithë fokusi dhe përgjegjësia bien mbi institucionet e reja, të cilat gjatë fushatës kërkuan besimin për të qeverisur vendin e vetme dhe tani duhet ta dëshmojnë këtë në praktikë.

Në këtë drejtim, ekonomia mbetet problemi më i madh dhe më urgjent. Pas më shumë se dy dekada stagnimi, pritet që të fillojë rimëkëmbja reale e sektorëve kyç, duke nisur nga minierat dhe resurset natyrore. Veçanërisht Trepça, e cila për dekada është trajtuar më shumë si simbol politik sesa si potencial ekonomik, duhet të dalë nga kjo gjendje.

Energjitika është një tjetër fushë kritike që kërkon zgjidhje të menjëhershme dhe të qëndrueshme. Teknologjia e vjetruar, kapacitetet e pamjaftueshme, mungesa e investimeve të reja dhe humbjet e mëdha në sistem e mbajnë vendin në pasiguri energjetike.

Gjendja në shëndetësi vazhdon të jetë shqetësuese. Sistemi shëndetësor është i dobët, qytetarët janë pa sigurim shëndetësor, ka mungesë të pajisjeve dhe shërbimeve bazë, duke i detyruar ata të paguajnë nga xhepi ose të kërkojnë shërim jashtë vendit.

Arsimi mbetet një nga problemet më serioze afatgjata. Rezultatet ndërkombëtare të testit PISA tregojnë qartë se sistemi arsimor nuk po prodhon dije dhe aftësi të lidhura me tregun e punës. Pa reformë reale në arsim, çdo zhvillim ekonomik mbetet i brishtë.

Politika e jashtme duhet të jetë po ashtu prioritet strategjik i qeverisë së re, veçanërisht procesi i integrimeve në Bashkimin Evropian dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare, si dhe dialogu me Serbinë, i cili duhet të udhëhiqet me qartësi politike, transparencë dhe në përputhje me interesin shtetëror.

Sundimi i ligjit duhet të jetë një nga prioritetet kryesore të kësaj qeverie. Pa drejtësi funksionale, pa institucione të pavarura dhe pa luftë reale kundër korrupsionit, asnjë reformë ekonomike nuk mund të japë rezultat. Pa ligj të barabartë për të gjithë, zhvillimi mbetet vetëm në letër.

Duhet thënë qartë se një ekonomi si kjo e jona nuk rimëkëmbet me retorikë politike dhe as vetëm nga politikanët. Rimëkëmbja kërkon punë serioze, ekspertizë profesionale, plane afatgjata të hartuara nga ekspertë kombëtarë dhe, pse jo, edhe ndërkombëtarë, si dhe politika ekonomike të bazuara në ekspertizë reale. Nëse kjo legjislaturë nuk arrin ta kuptojë këtë, zhgënjimi do të thellohet edhe më shumë dhe nuk ka më hapësirë për justifikime.

Shpresa mbetet që kjo legjislaturë të fillojë realisht ta rimëkëmbë vendin, jo me fjalë, por me veprime konkrete. Sepse kjo mund të jetë një nga mundësitë e fundit për ta nxjerrë Kosovën nga cikli i stagnimit dhe për ta rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet e vendit.

Zgjedhjet në Kosovë, për kënd të votojmë? Mes meritave të dikurshme dhe realitetit të sotëm

Shkruan Avni Selmani

Në këto ditë fushate pamë gjithçka përveç një debati serioz për të ardhmen e vendit. Premtime pa mbulesë, populizëm, akuza të ndërsjella dhe rikthim të vazhdueshëm te e kaluara. Secila parti nxori në pah disa “suksese” të dikurshme njëra thotë se e ka çliruar vendin, tjetra se e ka formuar ushtrinë, një tjetër se e ka çliruar Mitrovicën. Këto pohime përsëriten prej vitesh dhe përdoren si argument kryesor për të kërkuar votën, pa ofruar ndonjë program afatgjatë dhe të mirëfilltë ekonomik dhe pa asnjë ndjenjë përgjegjësie për gjendjen aktuale të vendit.Problemi është se politika nuk mund të jetojë pafundësisht nga e kaluara. Statistikat për gjendjen reale në Kosovë tregojnë një pamje krejt tjetër nga ajo që serviret në fushata. Kosova vazhdon të jetë vendi më i varfër në Evropë. Në arsim, rezultatet e testit PISA e rendisin Kosovën në fund të listës. Në korrupsion dhe sundim të ligjit, besimi në institucione mbetet i ulët dhe problemet janë të vazhdueshme. Ndërkohë, një pjesë e madhe e popullsisë jeton jashtë vendit, duke e bërë Kosovën një rast ekstrem në Evropë për ikjen e të rinjve dhe migrimin masiv. Përballë kësaj situate alarmante, nuk shihet ndonjë shqetësim serioz as te klasa politike, por fatkeqësisht as te qytetarët.Në këtë realitet, programet zgjedhore do të duhej të ofronin zgjidhje të qarta dhe të realizueshme. Por gjatë fushatës nuk pamë plane serioze që tregojnë se si Kosova mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Nuk pamë ndonjë program për vënien në funksion të resurseve ekonomike, veçanërisht të minierave, as ndonjë qasje të qartë për nxitjen e investimeve të huaja apo për krijimin e një klime të besueshme për biznes. Nuk pamë ide konkrete për prodhimin vendor, për hapjen e vendeve të reja të punës, për mbështetjen reale të bizneseve apo për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Në vend të kësaj, pamë vetëm garë se kush flet më shumë për të kaluarën dhe kush e përdor atë si mburojë politike.Debati po kthehet vazhdimisht te e kaluara dhe jo te zgjidhjet për të ardhmen. Pyetja mbetet e thjeshtë a po votojmë për atë që ishte dikur, apo për atë që duhet të bëhet sot. Nëse vazhdojmë të votojmë pa kërkuar llogari, atëherë nuk po zgjedhim ndryshim, por po e pranojmë këtë gjendje. A.S

Pse dështimet dhe keqpërdorimet politike nuk sanksionohen kurrë

Shkruan Avni Selmani

Në politikën kosovare, dështimet dhe keqpërdorimet nuk kanë kosto. Merren vendime të gabuara, thyhen premtime, bllokohen institucione, shkelet Kushtetuta, por askush nuk mban përgjegjësi. Nuk ka dorëheqje, nuk ka llogaridhënie dhe nuk ka pasoja reale. Gjithçka vazhdon sikur asgjë të mos ketë ndodhur.Kjo ndodh sepse politika është ndërtuar për të mbrojtur veten, jo interesin publik. Gabimi relativizohet, arsyetohet ose zhvendoset te dikush tjetër. Faji nuk pranohet kurrë. Gjithmonë gjendet një arsyetim, një armik i jashtëm ose një rrethanë që shërben si alibi.Prej shpalljes së pavarësisë kemi pasur shumë dështime politike dhe ekonomike. Në aspektin politik janë nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare të dëmshme për Kosovën dhe nuk kemi arritur të ndërtojmë institucione të qëndrueshme. Korrupsioni, si një nga format më të rënda të keqpërdorimit të pushtetit, është shndërruar në një problem të vazhdueshëm dhe ka dobësuar funksionimin e institucioneve. Në aspektin ekonomik, Kosova është zyrtarisht shteti më i varfër në Evropë. Prej çlirimit deri më sot nuk kemi as edhe një projekt strategjik shtetëror. Kosova ka pasur kapacitet prodhues, por e ka humbur atë jo sepse ishte e pamundur, por sepse nuk u ndërtua asnjë model i ri pas luftës. Shumë resurse natyrore nuk janë vënë në funksion, edhe pse do të kishin ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit dhe në mirëqenien e qytetarëve. Si rezultat i këtij dështimi, sot kemi një ekonomi ku rreth 85 për qind e tregut mbështetet në importe. Nga e gjithë kjo, askush nuk ka mbajtur përgjegjësi, të paktën morale.Por kjo gjendje nuk është vetëm përgjegjësi e klasës politike. Përgjegjësi kanë edhe qytetarët, të cilët janë thellësisht të ndarë në mes të “tonëve” dhe “atyre”. Secili mbron një lider ose një parti, pavarësisht veprimeve të saj. Këto rrethana krijojnë një shoqëri që nuk kërkon llogari. Në mungesë përgjegjësie, politika vazhdon njësoj dhe dështimet institucionalizohen.Përderisa qytetarët i lejojnë këto dukuri dhe nuk sanksionojnë çdo veprim të klasës politike, dështimet do të vazhdojnë dhe shteti do të mbetet jofunksional.A.S

Fenomeni Big Brother, a është kthyer politika jonë në një reality show?

Shkruan Avni Selmani

Politika në Kosovë çdo ditë e më shumë po ngjan me një reality show. Nuk shihen ide, plane, vizion apo vendime serioze. Shihen përplasje, deklarata të ashpra, intriga dhe sjellje të menduara për të tërhequr vëmendje. Vendimet nuk merren sipas interesit të shtetit, por sipas reagimit të publikut. Politikanët sillen si lojtarë që garojnë kush e mban vëmendjen më gjatë.Me trendin e “Big Brother”-it, djemtë e mirë, njerëzit me kulturë dhe me klas, largohen të parët. Ata që kanë integritet nuk hyjnë në skena të ulëta, nuk përfshihen në provokime, nuk e ulin veten dhe nuk futen në lojëra të pakuptimta. Ata nuk rrinë gjatë, sepse nuk pranojnë të bëhen pjesë e mentalitetit të “personazhit”.Lojën e vazhdojnë vetëm ata që janë gati të bëjnë gjithçka për vëmendje. Sjelljet provokuese, akuzat e kota, thashethemet dhe manipulimet pranohen vetëm për të qëndruar në skenë. Këto janë rregullat e lojës Big Brother. Mbeten brenda ata që krijojnë konflikt, intriga dhe ofendime, jo ata që sjellin vlerë, dhe e gjithë kjo justifikohet me fjalinë “kjo është lojë”.E njëjta gjë po ndodh edhe në politikë. Akademikët, profesionistët dhe ekspertët e vërtetë nuk janë pjesë e jetës politike. Ata nuk mund të jenë pjesë e kësaj forme të ulët të lojës, sepse politika nuk kërkon dije dhe as përvojë. Politika kërkon të jesh i zhurmshëm. Kërkon njerëz që u binden urdhrave, jo mendim të lirë. Prandaj vendin e tyre e zënë njerëz pa përgatitje, pa vizion dhe pa aftësi, por me ambicie për pushtet dhe nevojë për t’u dukur.Kjo nuk është politikë. Është spektakël. Dhe spektakli nuk ndërton institucione. Nuk sjell stabilitet. Nuk sjell zhvillim. Vetëm e lodh vendin dhe e mban peng.Në politikë, prime time-i është çdo mbrëmje në studio televizive. Aty bëhet nami. Politikanë, analistë dhe militantë mblidhen për të bërë spektakël, jo për të diskutuar. Nuk ka rregulla, ka ofendime. Nuk ka respekt. Secili flet për kamerën, jo për temën. Konflikti nxitet qëllimisht, sepse tensioni mban publikun. Si në reality show, edhe këtu fiton ai që është më i zhurmshëm. Politika e ditës nuk bëhet në institucione, por në oraret e shikueshmërisë së lartë.Deri sa politika vazhdon të sillet si spektakël, vendi nuk do të ecë përpara. Kosovës i duhen njerëz që punojnë dhe marrin vendime, jo figura që kërkojnë skena dhe vëmendje. I duhen institucione të forta, jo personazhe që vijnë e ikin. A.S

Fenomeni Trepça, nga një gjigant botëror në dështimin më të rëndë ekonomik

Shkruan Avni Selmani

Dikur Trepça ishte krenaria dhe ndërmarrja më e fuqishme industriale e Kosovës, një emër i madh në tregjet botërore të plumbit, zinkut dhe mineraleve të tjera. Si emër ka qenë më i njohur se vetë Kosova. Në kohën kur Kosova nuk ishte shtet, Trepça ishte garancia e vetme se ky vend mund të bëhej shtet me ekonomi të qëndrueshme. Trepça ka pasur miniera të fuqishme, flotacione, uzina, kapacitete të mëdha shkrirjeje, laboratorë modernë për kohën, mijëra punëtorë të kualifikuar dhe një rrjet të tërë prodhimi që e lidhte industrinë nëntokësore me tregjet ndërkombëtare. Për gjysmë shekulli, çdo zhvillim ekonomik i Kosovës dhe i ish-federatës ka kaluar përmes Trepçës.Pas luftës, kur Kosova duhej ta kishte kthyer këtë pasuri në motor të zhvillimit, ndodhi e kundërta. Trepça nuk u trajtua si projekt shtetëror. Politika mori vendime pa dije, pa ekspertizë dhe pa vizion. Teknologjia mbeti e vjetruar, ndërmarrja u fut në rënie të pandalshme dhe asnjë qeveri nuk e pa të nevojshme të ndërtojë një plan afatgjatë. Me vite, Trepça u la të rrënohej me vetëdije. Ndërhyrjet politike e ndalën zhvillimin. Kuadrot profesionale u larguan dhe u zëvendësuan me njerëz partie që nuk kishin as dije profesionale, as përgjegjësi morale. Sot prodhimi është simbolik, fitimi nuk ekziston dhe Trepça mbahet gjallë vetëm nga buxheti i shtetit, një ironi për një pasuri që dikur e mbante shtetin.Edhe më e rëndë është se Trepça nuk ka qenë kurrë pjesë serioze e programeve politike. Asnjë parti nuk ka ofruar plan. Në studio televizive nuk është as temë. Në fjalimet politike nuk përmendet as me emër. Kjo heshtje nuk është rastësi, është mbrojtje. Sepse askush nuk do t’i marrë përsipër dështimet.Kur kritikohet zhvillimi ekonomik, politika menjëherë fshihet pas meritave të vjetra. Njëra thotë se e ka çliruar vendin, tjetra se e ka bërë ushtrinë, tjetra se ka çliruar Mitrovicën. Por asnjë prej këtyre nuk ka lidhje me zhvillimin ekonomik. Ne po flasim për menaxhim, për përgjegjësi dhe për faktin se Trepça është lënë të zhduket. Për këtë, asnjëra palë nuk ka asnjë përgjigje.Asnjë qeveri nuk ka dhënë analizë profesionale për gjendjen e Trepçës. Nuk ka raport për humbjet, nuk ka plan për të ardhmen dhe nuk ka asnjë përgjegjës të identifikuar. Rënia e Trepçës nuk është gabim teknik. Është dështim politik.Fenomeni Trepça është pasqyra më e dhimbshme e shtetit. Dikur, pa shtet, Trepça ishte shpresa e vetme se Kosova mund të zhvillohej. Sot, me shtet, Trepça është dëshmia më e qartë se politika nuk ka ditur dhe nuk ka dashur të menaxhojë pasurinë e vendit. Pasuritë nëntokësore janë ende aty. Ajo që ka munguar ka qenë përgjegjësia.Trepça nuk ka dështuar vetë. E ka dështuar politika. Dhe derisa kjo të mos pranohet hapur, Kosova do të vazhdojë t’i humbasë pasuritë e saj një nga një. Ky është shkaku pse vendi nuk po zhvillohet. A.S

Pse shqiptarët idealizojnë liderët e tyre?

Shkruan Avni Selmani

Një pjesë e madhe e shqiptarëve krijojnë një lidhje të fortë emocionale me liderët politikë, duke i parë si shpëtimtarë dhe të pazëvendësueshëm. Ata nuk janë më thjesht politikanë, por idhuj, figura të shenjta që nuk duhet të kritikohen. Kjo ndodh sepse për dekada me radhë pushteti ka qenë gjithmonë në dorën e një njeriu të vetëm, dhe politika është udhëhequr më shumë nga emocionet sesa nga arsyeja.Në këtë mentalitet, liderët trajtohen si të pagabueshëm. Edhe kur marrin vendime të gabuara, gjithmonë gjendet një arsye për t’i arsyetuar: “fajin e kanë ata para nesh”, “ndërkombëtarët nuk na lejuan” ose “kushtet nuk ishin të favorshme”. Askush nuk mban përgjegjësi, dhe televizioni e portalet e lidhura me partitë e forcojnë këtë imazh duke e kthyer politikën në një spektakël tifozësh.Është e çuditshme që shumica e qytetarëve nuk u kushtojnë rëndësi temave me interes kombëtar, përveç kur lidhen me ndonjë lider politik. Sapo përfshihet një lider, debati merr vëmendje, mediat e bëjnë kryelajm dhe gjithçka përqendrohet te personi, jo te problemi.Ky fenomen nuk ndodh në vendet e zhvilluara, sepse atje liderët nuk konsiderohen të paprekshëm. Ata zgjidhen për të shërbyer dhe çdo vendim i tyre kalon nëpërmjet institucioneve dhe opinionit publik. Në vende ku funksionojnë drejtësia dhe transparenca, liderët nuk janë mbi qytetarët, por para tyre, me përgjegjësi të qartë. Pikërisht sepse ekziston kontroll demokratik dhe llogaridhënie, qytetarët nuk ndiejnë nevojë të idealizojnë askënd. Atje, votuesit zgjedhin me arsye, jo me emocione.Te ne, politika është më shumë për njerëzit sesa për idetë. Shumë votues nuk analizojnë programet apo vendimet e liderëve, mjafton që ai të jetë “i tyre”.Për aq kohë sa ne nuk e kuptojmë që liderët dhe klasa politike janë shërbyesit tanë, e jo e kundërta, nuk do të kemi qeverisje të mirëfilltë, as zhvillim të qëndrueshëm. Derisa qytetari të mos e kërkojë llogarinë dhe ta shohë pushtetin si përgjegjësi e jo si privilegj, do të vazhdojmë të jetojmë në një sistem ku individi është mbi ligjin, dhe populli mbetet spektator në vend të jetë zëri që vendos. Sepse në të kundërtën, ne do ta zgjedhim liderin jo për të na përfaqësuar, por për të na sunduar.

Fenomeni Albin Kurti

Shkruan Avni Selmani

Në politikën e Kosovës rrallë ndodh që një figurë të kthehet në dukuri. Albin Kurti është një prej tyre. Për një pjesë të qytetarëve ai është njeriu që solli shpresë dhe foli qartë për padrejtësitë që shumë njerëz i kanë përjetuar ndër vite. Për të tjerët është nxitës i përçarjeve dhe burim tensioni. Kjo ndarje tregon se këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një kryeministër, por me një fenomen që flet për gjendjen e shoqërisë sonë.Fenomeni Kurti nuk mund të kuptohet pa e parë zhgënjimin e qytetarëve ndaj politikave të vjetra. Ka një brez të tërë që është rritur me ndjenjën se politika nuk i ka mbajtur premtimet. Në këtë boshllëk ai u pa si dikush që i sfidoi politikat e vjetra dhe e tha hapur atë që qytetarët e zakonshëm ia thonin njëri-tjetrit prej vitesh. Kjo e bëri figurën e tij më të madhe se vetë roli që mban.Nga ana tjetër, kundërshtarët e tij e shohin si rrezik për rrugën që ata besojnë se duhet ndjekur. Për ta, ai bie ndesh me interesat dhe bindjet e tyre, prandaj dhe bëhet shënjestër e çdo debati. Kjo tregon sa lehtë i ndërtojmë diskutimet mbi njerëz dhe jo mbi ide.Një pjesë e këtij fenomeni lidhet me pritjet që shoqëria ua vë individëve. Ne shpesh presim që një njeri të bëjë punën që duhet bërë nga institucione të tëra. Në këtë mënyrë, i ngrisim figurat shpejt dhe po aq shpejt i rrëzojmë. Kjo formë e fenomeneve është përsëritur shpesh gjatë historisë, sa herë që një shoqëri nuk ka pasur vizion për të ndërtuar vendin dhe ka kërkuar shpëtimin te një individ.
Nëse e shohim me kujdes, fenomeni Kurti tregon më shumë për Kosovën se për vetë Kurtin. Tregon një vend që ende kërkon ekuilibrin mes asaj që dëshiron dhe asaj që mund të bëjë. Tregon një shoqëri që pret shumë nga politika, por zhgënjehet shpejt. Tregon një popull që kërkon ndryshim, por e humb energjinë duke u ndarë mes vete.Në fund, problemi nuk është një njeri. Problemi jemi ne si shoqëri që duam ndryshim, por nuk e ndërtojmë. Pa institucione të forta dhe pa një vetëdije kombëtare, çdo figurë politike do të na duket si zgjidhje. Derisa të zhgënjehemi përsëri. Dhe derisa të kuptojmë se një vend nuk mbahet nga një individ, por nga puna që bën vetë shoqëria për veten. A.S

Kur mediat shndërrohen në zëdhënëse të politikës

Shkruan Avni Selmani

Në këto zgjedhje, dhe jo vetëm, u pa më qartë se kurrë se mediat në Kosovë nuk e tregojnë më realitetin, por janë kthyer në zëdhënëse të interesave politike. Portalet dhe studiot televizive janë ndarë ashiqare në grupe, në mbrojtës dhe sulmues të caktuar. Dhe më e rënda, këtë e bëjnë hapur. Kur një gazetare në studio televizive e thotë hapur se është shumë e rëndësishme që filan lideri “mos me fitu”, ndërsa moderatori qesh, atëherë gazetaria nuk është më profesion, por shërbim i interesave të dikujt.Nëpër studiot televizive trajtohen tema të ndryshme dhe për secilën temë do të duhej të thirreshin profesionistë të fushave përkatëse. Kjo do ta bënte debatimin më të ndershëm dhe më të dobishëm. Por tek ne ndodh e kundërta. Çdo studio e ka ekipin e vet të njëjtë, gazetarë të fshehur nën petkun e “analistit”, që flasin për çdo temë, pa marrë parasysh se çka diskutohet. Ata janë aty për të gjitha problemet e qytetarëve. Ata akuzojnë, gjykojnë dhe vendosin kush ka të drejtë e kush jo. Nuk ka fushë që nuk e njohin. Ata dinë çfarë ka bërë gabim presidenti amerikan, çka ka në mendje kryeministri, çka do të ndodhë me çmimin e naftës dhe pse e ke tensionin e ulët. Dhe kur u shterrën fjalët për politikë, e banalizojnë bisedën me humor. Sepse në studio edhe humori është kthyer në pjesë të skenarit, jo të debatit.Si rezultat i këtyre parregullsive, Kosova ka rënë në indeksin e lirisë së mediave. Dikur censura bëhej nga shteti, sot mediat e bëjnë vetë. Ato nuk i pengon askush. Problemi nuk është presioni i jashtëm, por interesat që u shërbejnë. Nuk i ndalon sistemi, ato vetë pranojnë të janë në shërbim të dikujt. Prandaj problemi nuk është politika, por mediat që punojnë kundër lirisë së tyre. Në këtë gjendje, mediat janë bërë problemi i vetvetes.Në këtë situatë lind pyetja, pse nuk reagon Këshilli I Pavarur I Mediave ? Cili është roli i tij kur shkeljet ndodhin çdo ditë dhe askush nuk reagon? Heshtja e tij vetëm sa e thellon krizën. Gazetaria gjithmonë ka nevojë për reagim të brendshëm, për përgjegjësi dhe për të vërtetën.Në këtë kaos politik e social dhe në gjithë problemet me të cilat përballemi si shoqëri, mediat do të duhej të ishin lidhja mes institucioneve dhe qytetarëve. Por në praktikë po ndodh e kundërta, mediat janë bërë një nga shkaktarët kryesorë të këtij kaosi që nuk po merr fund. A.S