Shkruan Avni Selmani
Kombëtarja e Kosovës është një ndjenjë që nuk përshkruhet lehtë. Është e veçantë sepse përfaqëson atë që për shumë vite ka munguar. Është një skuadër që del në fushë me emrin tonë, me flamurin tonë dhe që më në fund na përfaqëson.
Por në të njëjtën kohë është edhe e dhimbshme. Sepse çdo herë kur thuhet “për herë të parë në histori”, kjo nuk është vetëm një fjali krenarie, por na kujton edhe gjithë atë kohë që nuk e patëm këtë mundësi. Na rikthen pas dhe na bën të mendojmë për atë që është humbur.
Për shumë vite, talenti ynë nuk kishte ku të shfaqej, sepse nuk ishim shtet. Lojtarët që mund të luanin për Kosovën u detyruan të zgjedhin shtete të tjera, jo sepse donin, por sepse nuk kishin zgjidhje tjetër. Edhe sot, kur shohim sukseset e para, është e pamundur të mos mendojmë për ata që nuk patën mundësi ta përjetojnë këtë.
Prandaj çdo sukses i kombëtares nuk duket si një fitore e zakonshme. Është një hap i vonuar, por i merituar. Është një fillim që ka ardhur pas shumë pritjesh. Për këtë arsye, gëzimi është më i madh, sepse nuk është vetëm sport, por edhe histori.
Kur flasim për futbollin, menjëherë na shkon mendja te legjendat, sidomos te ato të viteve të 80-ta, që na bënë krenarë. Ishin ata që e mbajtën gjallë ndjenjën e krenarisë dhe na dhanë arsye të besojmë. Në krye të tyre printe i madhi Fadil Vokrri, një emër që nuk lidhet vetëm me futbollin, por me identitetin dhe dinjitetin tonë në sport.
Ne po i jetojmë gjërat që shumë shtete i kanë përjetuar më herët. Kjo nuk është dobësi, është realiteti ynë. Por edhe brenda këtij realiteti ka forcë, sepse çdo arritje, sado e vogël për dikë tjetër, për ne ka peshë të madhe.
Kombëtarja e Kosovës nuk është vetëm një ekip futbolli. Është një dëshmi që kemi arritur këtu edhe pse vonë. Dhe çdo “herë e parë” është fillimi i diçkaje që tani është e jona.
Është kënaqësi kur në ndeshjet e kombëtares të gjithë frymojnë njëjtë. Nuk ka ndarje, nuk ka dallime, ka vetëm një ndjenjë të përbashkët që i bashkon të gjithë. Diçka që në fusha të tjera, sidomos në politikë, nuk e kemi. Jemi më të ndarë se kurrë.
Mund të flitej shumë edhe për gjëra të tjera, por më mirë po ndalemi këtu. Mos ta prishim kënaqësinë e futbollit. A.S
Forca Kosova

