85% Import, fatura e një ekonomie të dështuar

Shkruan Avni Selmani

Më kujtohen vitet ’80, kur kërkohej “Kosova Republikë”, kur ëndërrohej të ishim të pavarur dhe të barabartë. Thuhej me krenari se kemi pasuri të mëdha nëntokësore që do të na bënin një vend të zhvilluar dhe të pavarur ekonomikisht, dhe ëndërrohej të bëheshim një “Zvicër e vogël”. Sot, pasuria e pretenduar ka mbetur vetëm në letra dhe në fjalë boshe, ndërsa realiteti ynë është një ekonomi që varet 85% nga importet dhe një buxhet që mbushet pothuajse vetëm nga taksat e qytetarëve. Çfarë ka ndodhur me ato pasuri nëntokësore që do të duhej të ishin baza e zhvillimit tonë ekonomik? Pse kjo çështje nuk trajtohet më në asnjë program politik apo debat publik, qoftë nga politikanët apo analistët?

Si është e mundur që një vend që pretendon pasuri të mëdha nëntokësore nuk ka arritur të ndërtojë një ekonomi të qëndrueshme? Në vend të kësaj, kemi një klasë politike që shfaqet në fushata zgjedhore me premtime absurde dhe plane të pakuptimta, ndërsa çështjet themelore, si zhvillimi i resurseve natyrore dhe prodhimi vendor, lihen mënjanë. Kjo varësi nga importi dhe mungesa e zhvillimit të sektorëve strategjikë tregojnë një dështim sistematik dhe një mungesë vizioni që vazhdon të mbajë peng të ardhmen e këtij vendi.

Është e papranueshme që, në një vend që dikur ëndërrohej të bëhej “Zvicër e vogël”, qytetarët sot mbajnë barrën e një sistemi të paaftë që mbijeton vetëm përmes taksave të tyre dhe remitancave nga diaspora, ndërkohë që zyrtarisht jemi vendi më i varfër në Evropë. Pyetja që duhet bërë është kjo: a është ky dështim rezultat i paaftësisë apo i qëllimshëm? Pasi që vërtet ekzistojnë këto pasuri nëntokësore, kush po përfiton nga to dhe pse populli i Kosovës nuk sheh asnjë përfitim?

Heshtja për këtë çështje është alarmante dhe tregon një nivel të lartë të papërgjegjshmërisë politike. Në këtë situatë, asnjë premtim zgjedhor nuk ka kuptim, sepse baza e ekonomisë sonë mbetet e brishtë dhe e rrezikuar. Derisa të përballohet e vërteta dhe të ndërmerren hapa të qartë për shfrytëzimin e pasurive të vendit, Kosova do të mbetet peng i dështimeve të veta.A.S

Lini një koment