Shkruan Avni Selmani
Nëse klasa jonë politike do të ishte e sinqertë, sot nuk do të kishim këtë kaos institucional. Nuk do të kishim bllokadë, mosmarrëveshje, akuza nga të gjitha anët dhe një skenë politike që më shumë i ngjan një arene se sa një salle kuvendi. Mjafton që vetëm njëra palë të ishte e sinqertë, dhe kjo gjendje nuk do të zgjaste as një ditë të vetme. Prandaj, nuk është rastësi që politika dhe sinqeriteti, siç e dëshmon përditshmëria jonë, janë dy rrugë që vështirë takohen.
Në vendin tonë, fjala “politikë” është bërë sinonim i interesit personal, hipokrizisë dhe manipulimit. Askush më nuk e sheh si mjet për t’i shërbyer popullit, por si shkallë për pushtet, pasuri dhe ndikim. A mund të ketë sinqeritet në një fushë ku gjithçka sillet rreth aleancave të fshehta, prapaskenave dhe heshtjes përballë së keqes? Dhe kjo nuk është thjesht bindje personale, është realitet i përditshëm që e sheh kushdo me sy të hapur.
Politika jonë është bërë si të blesh në pazar. Njëra parti i thotë tjetrës: “Unë po të jap dy ministri dhe disa poste.” Kurse pala tjetër ia kthen: “Jo, nuk kam hesap.” Ashtu siç thotë populli kur s’i del hesapi. E gjithë skena politike sot funksionon si një treg pazari, ku nuk flitet për qytetarin, por për poste, për përfitime, për ndarje pushteti. Nuk ka as parim, as drejtim. Dhe nga këto pazare që nuk mbyllen kurrë, populli mbetet i bllokuar, pa institucione që e përfaqësojnë, pa shpresë për zgjidhje. Qytetari mbetet thjesht spektator i këtyre pazareve, i zhgënjyer dhe pa zë në vendimmarrje.
Kemi parë raste kur një politikan shkel ligjin ose keqpërdor besimin publik. Dhe ata përreth tij ose heshtin, ose e mbrojnë. Jo pse nuk e dinë të vërtetën, por sepse janë pjesë e të njëjtit rreth. Sepse kur njëri mbron tjetrin, askush nuk mbetet i pastër. Dhe heshtja ndaj padrejtësisë është njësoj si bashkëpunim me të.
Në politikën tonë nuk ka sinqeritet. Ka interesa që ndërrojnë ngjyrë sipas rrethanave. Ka njerëz që bëjnë be për parime e i shkelin një muaj më vonë. Ka parti që flasin për drejtësi e moral, por nuk e aplikojnë as brenda vetes. Ka patriotizëm në fjalë, por pazare në prapaskenë. Edhe gjuha e përdorur shpesh e dëshmon këtë hipokrizi. Fjala “hajvanat”, e thënë nga vetë liderët ndaj kundërshtarëve, është bërë pjesë e këtij degradimi. Në të vërtetë, kjo është shprehje popullore e rëndomtë që përdoret sipas interesit. Kur palët janë në konflikt e përdorin për të goditur njëri-tjetrin, por nëse interesi i bashkon, askush nuk e përfill më, sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Edhe këtu vërtetohet se sa larg është sinqeriteti nga politika jonë.
Fatkeqësisht, ky është një realitet i dhimbshëm që e kemi parë duke u përsëritur për më shumë se dy dekada. Kush hyn në politikë me ndonjë ideal, ose largohet i dëshpëruar, ose bëhet pjesë e të njëjtit mekanizëm. Politika i gëlltit të gjithë dhe kush nuk pranon të përkulet, përjashtohet.
Në fund të fundit, në një sistem të ngritur mbi heshtje, frikë dhe marrëveshje nën tavolinë, politika dhe sinqeriteti, dy rrugë që vështirë takohen, mbeten në anë të kundërta të një realiteti që po na mbyt dita-ditës. A.S

