Besimet fetare te shqiptarët, bashkëjetesë apo përçarje?

Shkruan Avni Selmani

Ne shqiptarët, si asnjë popull tjetër, e kemi fatin, ose fatkeqësinë, të kemi kaluar nëpër të gjitha besimet fetare që historia na ka sjellë përpara. Jemi pasardhës të ilirëve, të cilët besonin në shumë zotra dhe besimin e tyre e lidhnin me natyrën dhe me forcat e padukshme.

Më pas, me pushtimet e njëpasnjëshme, u ballafaquam me imponimin e feve të mëdha. Erdhën të krishterët e lindjes e të perëndimit, më pas osmanët me fenë islame. E veçanta është se nuk i pranuam këto fe me fanatizëm, siç ndodhi në vende të tjera, por i morëm me një rezervë që na lejoi të ruajmë identitetin tonë.

Kemi pasur fise që brenda tyre kanë pasur të krishterë dhe myslimanë, që kanë jetuar në harmoni, duke ruajtur respektin e ndërsjellë për besimin e njëri-tjetrit. Kjo është një nga vlerat më të mëdha të shoqërisë sonë dhe një shembull i qartë i bashkëjetesës që kemi ditur të ndërtojmë.

Mirëpo, pikërisht kur krijuam shtetet tona, gjërat filluan të ndërlikohen. Besimet që dikur na bashkonin, tani po përdoren për të na ndarë. Politika i futi duart në fe dhe i përdori për interesa të vogla e për përçarje. Ndërsa dikur e kishim menaxhuar me urtësi këtë shumëllojshmëri, sot po e përdorim për të ndërtuar mure mes nesh.

Sot shohim disa lëvizje që propozojnë ndryshime në jetën fetare dhe shoqërore. Këto lëvizje janë të mirëseardhura vetëm nëse kanë për qëllim të ringjallin vlera të shëndosha dhe të forcojnë bashkëjetesën. Por jo ato që mbjellin përçarje, që nxisin mungesë respekti ndaj komunitetit tjetër fetar, apo që e përdorin fenë si mjet për ndasi mes shqiptarëve.

Në shoqërinë tonë nuk ka vend për asnjë lloj fanatizmi fetar. Të gjitha fetë, përmes librave të tyre të shenjtë, na mësojnë respekt dhe mirëkuptim ndaj njëri-tjetrit. Por shpesh jemi ne që i përdorim këto libra për të ndarë e jo për të bashkuar. Besimi duhet të na afrojë me njëri-tjetrin, këtë na e mësojnë edhe librat fetarë.

Na kujtohen të gjithëve gjyshërit tanë. Ka pasur prej tyre që nuk dinin as shkrim e as lexim, por asnjëherë nuk na shtynin drejt fesë. Përkundrazi, ata i jepnin më shumë rëndësi dijes, arsimit dhe sjelljes me dinjitet. Kurse sot, në një kohë zhvillimi e teknologjie, po shohim një kthim mbrapa, drejt një besimi të ngushtë dhe fanatik, që në vend se të na afrojë, po na ndan. Fatmirësisht, ky është një numër i vogël njerëzish. Dhe nëse nuk do të ekzistonin rrjetet sociale, ndoshta nuk do të dinim për ta. Rrjetet i kanë zmadhuar, jo realiteti.

Kjo bashkëjetesë dhe harmoni fetare që ka ekzistuar mes shqiptarëve ka pasur shumë herë përpjekje për t’u prishur, por asnjëherë nuk ia kanë arritur. Shqiptarët e kanë ruajtur gjithmonë këtë vlerë si një pasuri të tyre të brendshme. Dhe kjo ndodh jo sepse kemi qenë pa dallime, por sepse kemi ditur t’i kapërcejmë ato për hir të asaj që na bashkon më shumë, gjuha, gjaku dhe përkatësia.

Dhe ashtu siç patëm një fat historik ku na u imponuan të gjitha besimet fetare, sot kemi shtetet tona dhe mund ta zgjedhim besimin tonë lirshëm, sipas dëshirës dhe ndjenjës personale.

Të qenurit shqiptar nuk matet me të qenurit i krishterë apo mysliman. Shtetet shqiptare u krijuan dhe mbijetuan sepse e deshën të krishterët, myslimanët dhe të gjitha komunitetet fetare. Edhe alfabeti dhe shumë arritje të tjera kulturore që i kemi sot u bënë sepse u mbështetën nga të gjitha këto komunitete, pa dallim. Prandaj askush sot nuk ka të drejtë të shkelë mbi këto vlera dhe sakrifica të atyre që dhanë gjithçka që ne të gëzojmë sot.

Dhe kjo tregon më shumë për ne si shoqëri sesa për besimet vetë. Sepse Zoti nuk ka nevojë për mbrojtjen tonë dhe që të shtyhemi se cila fe është më e mirë, por ne kemi nevojë për një mënyrë të vërtetë për të jetuar me njëri-tjetrin. Dhe rrënjët tona ilire na mësojnë më shumë për këtë se sa çdo dogmë fetare që na është imponuar më vonë. A.S

Lini një koment