Fenomeni i patriotizmit dhe tradhtarit në realitetin shqiptar

Shkruan Avni Selmani

Fenomeni i ndarjes midis “patriotit” dhe “tradhtarit” është bërë një armë e fortë në debatet publike shqiptare, shpeshherë jo për të mbrojtur interesin kombëtar, por për të luftuar mendimin ndryshe. Ky fenomen ka gjetur vend sidomos nëpër studio televizive, media online dhe rrjete sociale, ku etiketa “tradhtar” është banalizuar deri në atë pikë sa thuhet me lehtësi, pa asnjë provë, pa asnjë përgjegjësi, njësoj sikur t’i thuash dikujt “mirëdita”. Në të vërtetë kjo është kthyer në një formë të ulët të komunikimit publik dhe një armë për përçarje, jo për debat.

Edhe më shqetësues është fakti se kur dikush e akuzon dikënd tjetër për tradhti, organet kompetente nuk ndërmarrin asnjë veprim. Në një shoqëri të drejtë dhe të rregulluar institucionalisht, një akuzë për tradhti duhet të kishte pasoja të qarta. Ose ai që akuzon pa asnjë bazë duhet të përgjigjet për shpifje, ose ai që etiketohet si tradhtar duhet të hetohet dhe të përballet me drejtësinë. Por në mungesë të këtij mekanizmi, gjithçka mbetet në nivelin e fjalëve, ndërkohë që publikut i serviren vetëm emocione, ndarje dhe konfuzion.

Një shembull i këtij fenomeni është rasti i kryeministrit të Kosovës. Në Kosovë, një pjesë e madhe e opozitës politike dhe e mediave e etiketojnë vazhdimisht si “tradhtar”, si njeri që punon për Serbinë apo si agjent i ndikimit rus, pa ofruar ndonjë fakt konkret që do ta mbështeste një akuzë të tillë. Ndërkohë që, në anën tjetër të kufirit, në Serbi, mediat e atjeshme e akuzojnë të njëjtin njeri për të kundërtën, si nxitës destabiliteti, si nacionalist ekstrem, si kërcënim për interesat e Serbisë dhe si përkrahës i projektit të “Shqipërisë së Madhe”. Pra, ndërkohë që në Kosovë quhet tradhtar, në Serbi etiketohet si rrezik nacionalist. Ky kontrast i skajshëm e thellon edhe më shumë konfuzionin te qytetari i zakonshëm. Fatkeqësisht, njerëzit e krijojnë bindjen e tyre më shumë nga ato që u thuhen vazhdimisht, sesa nga ajo që është e vërtetë.

Sot, në vend që të punojmë së bashku dhe të kemi unitet, sidomos në një kohë me zhvillime të mëdha gjeopolitike, jemi gjithnjë e më të ndarë, të dyshimtë dhe të përçarë. Debatin e hapur e kemi zëvendësuar me etiketime dhe akuza të pavërteta. Në vend të fakteve, na rrethojnë pasiguria dhe dyshimet. Ajo që e përkeqëson edhe më shumë këtë gjendje është mungesa e besimit. Qytetarët nuk e dinë më se kujt t’i besojnë. Dhe kur humbet kjo ndjenjë e përbashkët, humb gjithçka tjetër. Sepse pa të, nuk mund të ketë as drejtësi, as stabilitet, as të ardhme. A.S

Lini një koment