Shkruan Avni Selmani
Kur shohim se çfarë po ndodh në skenën politike dhe parlamentare, është e vështirë të përmbahesh dhe të gjesh fjalët e duhura për të folur për ta. Gjithçka në jetën politike dhe institucionale duket e paralizuar, sepse nuk po u dalin llogaritë e pazareve dhe interesave të tyre të ngushta. Ata nuk tregojnë asnjë ndjesi, as njerëzore, as institucionale, dhe kjo është e patolerueshme.
Është e pashpjegueshme kjo papjekuri politike në një kohë kur vendi ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm gjeopolitik dhe përballet me shumë probleme të brendshme. Zyrtarisht jemi vendi më i varfër në Evropë, në një kohë kur duhen zgjidhur çështje që lidhen drejtpërdrejt me shtetin dhe me qytetarin. Përkundër kësaj gjendjeje dhe këtyre sfidave, politikanët tanë sillen sikur nuk e ndiejnë aspak përgjegjësinë që kanë. Ata nuk tregojnë asnjë ndjesi, asnjë empati shtetërore, sikur kjo të mos ishte puna e tyre.
Ne jemi një shtet i ri, një shtet që është ëndërruar për shekuj. Dhe kur sheh një klasë politike që ushqehet me armiqësi të hapur ndaj njëra-tjetrës, lind pyetja: çfarë mund të presësh nga ta? Si mund të presësh që të mendojnë për të ardhmen e shtetit kur ata nuk arrijnë të kalojnë as përtej inateve të tyre personale?
Kur inatet kalojnë në armiqësi, gjithçka ndalet. Në një situatë të tillë nuk mund të ketë as mirëkuptim dhe as bashkëpunim. Çdo vendim, çdo qëndrim, shpesh duket i lidhur me hakmarrje dhe jo me përgjegjësi. Kjo nuk është politikë, kjo është një lojë e rrezikshme që paralizon shtetin dhe rrezikon të shkatërrojë gjithçka që është ndërtuar me sakrifica të mëdha.
Nëse politika vazhdon të jetë arenë për hakmarrje dhe jo për ide, si mund të ndërtohet besimi i qytetarëve? Si mund të krijohen institucione të forta kur të parët që i dobësojnë janë pikërisht ata që duhet t’i mbrojnë? Besimi i humbur nuk kthehet lehtë dhe shoqëria lodhet duke parë të njëjtën skenë çdo ditë. E keqja është se kjo gjendje nuk do të ndryshojë shpejt. Politikanët janë të njëjtët dhe votuesit, shumica, mbeten po ata që u japin sërish besim. Kjo do të vazhdojë deri në ditën kur të vijë një klasë politike që e merr seriozisht shtetin dhe nuk e sheh pushtetin si pronë personale.
Një klasë politike që e sheh pushtetin si plaçkë dhe jo si përgjegjësi nuk mund të sjellë asgjë tjetër veç ndarjes dhe mosbesimit. Pyetja është, a do të vijë ndonjëherë dita që këta njerëz të kuptojnë se shteti nuk është pronë private e tyre? Dhe nëse jo, sa gjatë do të zgjasë durimi i qytetarëve që shohin çdo ditë të luhet me të ardhmen e tyre?A.S

