Kush jemi ne shqiptarët

Shkruan Avni Selmani

Është ndër pyetjet më të vështira që mund të bëjmë, e megjithatë asnjëherë më të nevojshme se sot. Sepse duket sikur kemi harruar kush jemi, nga kemi ardhur dhe çfarë kemi kaluar si popull. Duket sikur jemi lodhur nga vetja dhe po e harrojmë çmimin e lirisë që dikur e ëndërronim si të shenjtë. Sot është koha për të parë veten pa iluzione, por me përgjegjësi. Kjo pyetje nuk kërkon përgjigje të shpejtë, kërkon vetëdije.

Këtë pyetje e bartim me vete, herë me krenari të tepruar, herë me një ndjenjë faji kolektiv që s’e kemi merituar. Jemi një popull me një trashëgimi të lashtë, por shpesh harrojmë të sillemi si bij të saj.

Jemi të përçarë, por të bashkuar në vuajtje. Sa herë kemi qenë më të fortë se padrejtësia, kemi qenë bashkë. Sa herë kemi pasur mundësi të ndërtojmë vetveten, jemi ndarë mes veti. Jo nga ligësia, por nga mungesa e durimit për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të pranuar dallimin.

Jemi krenarë për të shkuarën, por shpesh të hutuar për të tashmen. Jemi ata që mbrojtëm gjuhën me jetë, por që sot e zëvendësojmë me fjalë të huaja. Ata që duam të ecim përpara, por që shohim më shumë përreth sesa brenda vetes.

Na thanë se nuk jemi evropianë, por harruan se ishim këtu kur Evropa ende nuk e njihte vetveten. Tentuan të na dëbojnë nga Evropa, por i mbijetuam çdo perandorie, pa harruar kush jemi. Na quajtën me bisht, por nuk panë se mbi atë bisht mbajtëm barrën e historisë dhe qëndruam në këmbë kur shumë të tjerë u rrëzuan.

Jemi mikpritës, por shpesh të dyshimtë ndaj njëri-tjetrit. Të lidhur me zakone të hershme, por me një ndjenjë të thellë nderi. Kemi lindur mes maleve dhe kemi mësuar të durojmë, por durimin nuk e kemi kthyer gjithmonë në urtësi.

Edhe kur kemi qenë të varfër, kemi kërkuar respekt, jo mëshirë. Në sofrën tonë gjithmonë ka pasur vend për një mik. Kur nuk kishim libra, këndonim për të mos harruar kush jemi. Jemi rritur në durim dhe kemi ruajtur nderin mbi gjithçka. Kur vjen rreziku, dimë të bëhemi një.

Nuk jemi as më të mirë, as më të këqij se të tjerët. Por kemi diçka që shumë popuj e kanë humbur: kemi zemër. Zemrën që rreh fort për të afërmin, për të panjohurin, për të huajin që troket në derë. Zemrën që qajmë për padrejtësi që nuk na prek drejtpërdrejt, por që na djeg si të ishte e jona.

Përplasen për të treguar kush është më shqiptar, por harrojnë se shqiptaria nuk dëshmohet me fjalë, por me vepra. Kemi shumë fe dhe besime, por shqiptarinë e kemi mbi të gjitha.

Kush jemi ne shqiptarët? Ende po e mësojmë. Dhe ndoshta ky është çelësi. Të mos pretendojmë se e dimë, por të mos ndalojmë së kërkuari. Të mos harrojmë nga vijmë, por të mos mbetemi peng i së kaluarës. Të mos fshihemi pas flamurit, por ta mbajmë atë në zemër. Jo për të goditur tjetrin, por për të ngritur veten.

Ne nuk kemi ecur mbi qilima, por mbi plagë. Nuk jemi rritur me dorë të butë, por me duar që kanë mbajtur armën, librin, gurin dhe shpresën. Kemi qenë të shtypur, të ndarë, të nëpërkëmbur, por kurrë të humbur. Edhe kur na morën tokën, nuk na morën gjuhën. Edhe kur na mohuan të drejtën të jemi, ne mbetëm. Kjo është dëshmia më e madhe se kush jemi.

Nuk kemi pasur shtet, por kemi pasur atdhe. Nuk kemi pasur pushtet, por kemi pasur krenari. Dhe ndonëse sot jemi të lirë në letër, liria jonë më e vërtetë është ruajtja e vetvetes.

Identiteti ynë nuk është i shpikur, por i mbijetuar. Është ruajtur në këngë, në zakone, në heshtje, në qëndresë. Dhe mbijetesën nuk na e fali askush. E paguam me kohë, me jetë, me gjak. Por nuk u shitëm kurrë.

Prandaj kjo pyetje nuk ka një përgjigje të vetme. Por ka një themel të pathyeshëm: jemi ata që i mbijetuam gjithçkaje, pa u shuar si popull. Dhe ky është një borxh që e kemi jo vetëm ndaj të shkuarës, por edhe ndaj së ardhmes.

Sot politika ka harruar nga kemi ardhur. Dikur e kishim ëndërr një shtet tonin, sot e sabotojmë vetë. Në vend që të ndërtojmë, bllokojmë gjithçka për interes. Shteti është kthyer në teatër për pushtet, jo në shërbim të popullit.

Por askush nuk ka të drejtë të kalojë mbi atë që kemi ndërtuar me gjak. Sepse edhe pa shtet, edhe pa liri, edhe pa tokë, ne e kemi ruajtur identitetin. Kemi qenë popull me gjuhë, me dinjitet, me zemër dhe me kujtesë. Edhe në robëri kemi qenë të lirë në shpirt. Dhe kjo është ajo që na dallon prej të tjerëve.

Bashkimi sot nuk është dëshirë, është nevojë. Dhe nëse nuk zgjohemi tani, nesër mund të mos kemi as kujt t’i themi kush jemi ne shqiptarët.

Dhe nëse sot do të na shikonin ata që sakrifikuan gjithçka, ndoshta do të ndiheshin krenarë që kemi një flamur të lirë, një gjuhë pa frikë. Por bashkë me krenarinë, do të na shikonin me mall e me lutje. Do të na thoshin të mos e prishim me duart tona atë që ndërtuan me mund. Të jemi bashkë, të mos e kthejmë lirinë në përçarje, por shtetin në strehë të përbashkët ku ndërtohet e ardhmja. Sepse amaneti i tyre nuk ishte vetëm të çliroheshim, por të qëndronim si popull me kujtesë, me dinjitet dhe me zemër.A.S

Lini një koment