Mediat në Kosovë, një Ngjarje, dy të vërteta

Shkruan Avni Selmani

Në këto ditë fushate pamë përplasje të ashpra, opinione të kundërta, akuza dhe manipulime. Shumë media u rreshtuan në anë të ndryshme, duke e paraqitur realitetin sipas interesave të tyre. Një kandidat, në një medium, shihej si shpëtimtari i vendit, ndërsa në një tjetër si kërcënimi më i madh për shtetin. E njëjta ngjarje, në një portal cilësohej si skandal kombëtar, ndërsa në një tjetër nuk përmendej fare. Kjo nuk është gazetari, është përpjekje për të ndikuar në opinionin publik.

Shumë media në Kosovë nuk po informojnë, por po manipulojnë. Nuk ofrojnë fakte, por krijojnë opinione sipas interesave të caktuara. Pas shumë mediumeve qëndrojnë grupe interesi që na imponojnë çfarë duhet të lexojmë. Nuk raportojnë atë që ndodh, por atë që u leverdis. Dhe ne, shpesh pa e kuptuar, ndahemi në dy pozicione, duke mbrojtur “të vërtetat” që na janë servirur.

A janë mediat në Kosovë të lira dhe të pavarura? Liria ekziston, por shpesh përdoret për të ndjekur interesa të caktuara, ndërsa pavarësia shndërrohet në varësi nga grupet e interesit. Kjo krijon një ambient ku e vërteta nuk mohohet, por humbet midis shumë versioneve që i shërbejnë agjendave të ndryshme.

Megjithatë, jo të gjitha mediat janë të njëjta. Ka gazetarë profesionistë dhe media të pavarura, por në një hapësirë të mbushur me të pavëteta, shpesh është e vështirë të dallosh të vërtetën nga gënjeshtra. Në këtë kaos informativ, e vërteta mbetet në hije, e humbur mes interesave dhe perceptimeve të ndikuara. Dhe ndoshta sfida më e madhe sot nuk është të gjejmë informacion, por të dallojmë të vërtetën nga propaganda. A.S

Lini një koment