Shkruan Avni Selmani
Kosova është duke kaluar një nga periudhat më të rënda të pasluftës. Institucionet janë të bllokuara, klasa politike ka humbur busullën dhe çdo ditë që kalon e thellon edhe më shumë krizën. Është e pashpjegueshme që të mos konstituohet Kuvendi, pikërisht tani kur vendi, si kurrë më parë, ka nevojë për një unitet kombëtar, sidomos në këtë udhëkryq të madh gjeopolitik ku ndodhemi. Si është e mundur të ndodhë kjo në një vend që ende nuk e ka ndërtuar mirë stabilitetin e brendshëm dhe po përballet me trysni të jashtme nga çdo drejtim. Në një kohë kur vendi ka nevojë më shumë se kurrë për seriozitet dhe përgjegjësi, klasa politike sillet sikur ka kohë për pazare dhe për inate personale. Dhe ndërkohë, vendi po shkon drejt një krize që nesër mund të ketë pasoja të mëdha
Në këtë situatë, do të ishte më se e natyrshme të pritej që të fliste elita e intelektualëve, ata që kanë dije, peshë morale dhe përgjegjësi publike. Por ajo që ndodh është e kundërta. Elita intelektuale dhe shoqëria civile heshtin, sikur gjithçka që po ndodh nuk i përket, sikur nuk është ky vendi i tyre që po shembet dita ditës.
Një pjesë e elitës intelektuale është në varësi të drejtpërdrejtë nga politika. Vende pune të siguruara, kontrata të qëndrueshme, privilegje të vogla që ua kanë blerë qetësinë. Ata që dikur ishin të zëshëm, sot nuk flasin më, sepse i ka zbutur klasa politike.
Të tjerë intelektualë janë dorëzuar. Janë lodhur nga pritjet, nga zhgënjimet, nga një realitet që duket i pandryshueshëm. Kanë humbur besimin se fjala e lirë mund të sjellë ndryshim. Për ta, heshtja është mbrojtje, tërheqje, largim nga përgjegjësia. Por të tërhiqesh në kohë të vështira nuk është as mençuri, as neutralitet është dorëzim.
Madje as Akademia e Shkencave dhe e Arteve, që në parim duhet të jetë institucioni më i lartë i dijes dhe i ndërgjegjes kombëtare, nuk po e përmbush rolin e saj. Asnjë reagim, asnjë qëndrim, asnjë thirrje publike. Heshtje totale, në një kohë kur fjala e saj do të duhej të kishte peshë. Një institucion që duhej të udhëhiqte me fjalën ka rënë në gjumë të thellë, i painteresuar për gjendjen dhe situatën e krijuar.
Pavarësisht arsyeve për heshtjen, pasojat janë të mëdha. Vendi dhe populli pësojnë. Sepse kur mungon reagimi intelektual, hapet rruga për abuzim, për mashtrim, për rrënim.
E njëjta heshtje vjen edhe nga shoqëria civile që dikur përfaqësonte zërin e qytetarit, mbikëqyrjen ndaj pushtetit, reagimin ndaj padrejtësisë. Organizata që dikur protestonin, sot janë heshtur në projekte dhe raporte. Janë kthyer në mekanizma të mbyllur që operojnë brenda vetes, larg realitetit të popullit. Heshtja e saj është edhe më zhgënjyese, sepse vjen nga struktura që janë ndërtuar për të folur.
Dhe në fund, hesht edhe populli. I lodhur nga premtimet, i thyer nga zhgënjimet, ai ka rënë në një lloj dorëzimi kolektiv. I shikon të gjitha, i kupton të gjitha, por nuk reagon. E pranon padrejtësinë si normalitet, e pranon krizën si fat, e pranon pushtetin si të pakontestueshëm. Përderisa në vendet e zhvilluara, nëse për disa cent shtrenjtohet rryma apo ushqimi, qytetarët reagojnë menjëherë, tek ne klasa politike mund të bëjë çfarë të dojë dhe askush nuk reagon.
Kjo heshtje e përgjithshme është më e rrezikshme se çdo krizë institucionale. Sepse kur heshtin të gjithë, padrejtësia bëhet rregull. Dhe kur të vijë dita e fundit, nuk do të mund të themi se nuk e dinim, por se e dinim dhe heshtëm. A.S

