Partitë Politike: Nga Urrejtja në Kompromis për Interes të Pushtetit

Shkruan Avni Selmani

Partitë politike në vendin tonë shpesh luajnë një lojë të pamëshirshme dhe hipokrite, duke krijuar ndasi të thella në shoqëri. Me gjuhë urrejtjeje dhe sulme personale, ato i nxisin mbështetësit e tyre të përplasen, duke e ndërtuar politikën mbi përçarje dhe manipulim. Mbjellja e frikës dhe propagandës është strategjia e tyre për të ardhur në pushtet.

Sidomos pas luftës, rivalitetet mes partive kanë qenë të egra dhe të dhunshme, duke ndarë shoqërinë në grupe të kundërta dhe duke shkaktuar edhe incidente fatale. Edhe sot, kjo përçarje vazhdon. Me ndihmën e mediave dhe rrjeteve sociale, partitë politike i paraqesin kundërshtarët si armiq të popullit, ndërsa veten si të vetmit shpëtimtarë.

Por ironia më e madhe është se, pas zgjedhjeve, armiqtë e djeshëm bëhen miq të ngushtë. Ata që dje akuzoheshin për korrupsion, paaftësi apo tradhti kombëtare, sot ndajnë pushtetin dhe postet. Koalicionet nuk ndërtohen mbi vlera dhe parime, por mbi pazare politike dhe interesa personale. Qytetarët ndihen të tradhtuar, por zëri i tyre nuk dëgjohet më.

Dhe kështu, realiteti përsëritet çdo katër vjet. Politikanët që dje nxisnin urrejtje, sot buzëqeshin dhe shtrëngojnë duart në emër të “bashkëpunimit”. Të njëjtat fytyra, të njëjtat premtime, të njëjtat gënjeshtra. Populli mbetet spektator, duke parë sesi ata që u betuan për ndryshim, mbyllen në zyrat e pushtetit dhe ndajnë privilegjet.

Pas fushatës, votuesit harrohen. Askush nuk i pyet më për hallet e tyre, askush nuk u përgjigjet më. Dhe kur afrohen zgjedhjet e radhës, gjithçka nis nga e para. Po të njëjtët politikanë, të njëjtat fjalë të mëdha, e njëjta lojë e vjetër.

Dhe ne vazhdojmë të besojmë, vazhdojmë të presim një ndryshim që nuk vjen kurrë. Sepse për sa kohë që nuk kërkojmë llogari, ata do të vazhdojnë të luajnë me ne.

Apo, si në Big Brother, do të na thonë: “Ishte vetëm lojë”…?

Shihemi në sezonin e ardhshëm. A.S

Lini një koment