Shkruan Avni Selmani
Në një shoqëri demokratike, roli i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve do të duhej të ishte thelbësor, një zë kritik dhe udhëheqës që mbron vlerat e dijes dhe udhëzon institucionet për një të ardhme më të mirë. Ajo do të duhej të ishte institucioni që prodhon ide për të ardhmen, që i qet përballë përgjegjësisë ata që udhëheqin. Por te ne, kjo nuk po ndodh.
Do të ishte jo vetëm e nevojshme, por e domosdoshme që Akademia e Shkencave dhe e Arteve të ndërhynte në çdo segment të jetës shoqërore. Ajo nuk duhet të jetë spektatore e ngjarjeve, por e përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimet që ndikojnë të ardhmen.
Në aspektin politik dhe institucional, Kosova po përjeton krizën më të thellë që nga themelimi i shtetit. Jemi në një realitet absurd ku për një kohë të gjatë nuk kemi institucione të plota, përfshirë mosfunksionimin e disa prej tyre thelbësore për rendin kushtetues dhe jetën demokratike. Heshtja e Akademisë është e pajustifikueshme. Nëse ajo nuk ndjen përgjegjësi për të ngritur zërin në një moment kaq kritik, atëherë kur?
Në aspektin ekonomik, Kosova është zyrtarisht vendi më i varfër në Evropë. Nga Akademia e Shkencave dhe nga ekspertët e ekonomisë do të duhej të ofroheshin zgjidhje, qoftë përmes studimeve shkencore, qoftë përmes trysnisë publike. Por jo, Akademia e Shkencave dhe e Arteve është mbyllur në rehatinë e vet. Dhe shtrohet pyetja, pse ndodh kjo? Sepse Akademia nuk funksionon si një institucion i pavarur dhe i gjallë, por si një rreth i mbyllur, ku mungon guximi për të folur dhe vullneti për të vepruar. Ajo është shndërruar në një strukturë formale, pa ndikim real dhe pa ndjeshmëri ndaj asaj që ndodh jashtë mureve të saj. Për shumë prej anëtarëve, titulli është qëllim më vete, jo përgjegjësi ndaj shoqërisë. Dhe pikërisht këtu fillon problemi.
Në aspektin arsimor, gjendja është po aq alarmante. Në testin ndërkombëtar PISA, Kosova renditet në fund të listës, duke dëshmuar rrënimin e sistemit arsimor dhe mungesën e çdo standardi serioz. Shkollat nuk i kushtojnë rëndësi cilësisë së mësimdhënies. Mjafton që nxënësit të ndjekin orët dhe të sillen mirë në komunikacion, pjesën tjetër e kryen vetë shkolla. Diplomat ndahen pa ndonjë standard të qartë, dhe askush nuk pyet nëse nxënësit vërtet kanë mësuar diçka. Akademia nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë madhore për reformimin e arsimit, nuk ka propozuar një platformë, nuk ka dhënë një udhërrëfim të qartë për të dalë nga kjo krizë që po na zbrazë mendërisht si shoqëri.
Në aspektin artistik e kulturor, situata është po aq e zymtë. Mungesa e hapësirave për krijimtari, mungesa e politikave kulturore, e mbështetjes për artin e pavarur dhe madje edhe e kushteve bazë si mungesa e një salle koncertale në kryeqytet, dëshmojnë një shoqëri që nuk e respekton as artin, as artistin. Dhe Akademia, që në emër mban edhe “e Arteve”, nuk reagon as për mungesën e infrastrukturës, as për anashkalimin e krijuesve, dhe as për mënyrën si po bie vlera e kulturës në jetën publike.
Sado që hesht, Akademia nuk mund të reduktohet në një institucion formal që shpërndan tituj dhe boton libra që askush nuk i lexon, ndërsa vendi është në krizë. Shkenca, arsimi dhe arti nuk janë fusha të shkëputura nga shoqëria, përkundrazi, janë baza e saj. Dhe nëse baza është në krizë, atëherë më shumë se kurrë kërkohet ndërhyrja e një institucioni që mban emrin e dijes dhe të mendimit të pavarur.
Akademia nuk është aty për të ruajtur rehatin e vet. Nëse ajo nuk ngre zërin sot, kur institucionet nuk funksionojnë, arsimi po shembet, varfëria po zgjerohet dhe arti po anashkalohet plotësisht, atëherë duhet të shtrojmë pyetjen serioze: a kemi vërtet një Akademi, apo kemi thjesht një emër të madh në letër dhe një heshtje të madhe në realitet?
Në shtetet e zhvilluara, akademitë janë të zëshme dhe me ndikim. Ato japin mendim për çështje madhore, botojnë analiza, këshillojnë institucionet dhe reagojnë publikisht. Janë pjesë aktive e debatit kombëtar. Kurse këtu tek ne, për fat të keq, Akademia hesht edhe kur vendi është në krizë. Manekenët tanë janë mbyllë në vetvete, pa zë, pa prani. Askush nuk di çfarë bëjnë, as përse janë aty. A.S

