Pse diaspora heziton të investojë në Kosovë?

Për dekada me radhë, diaspora shqiptare ka qenë një nga shtyllat më të rëndësishme për mbështetjen e vendit, duke kontribuar jo vetëm ekonomikisht, por edhe me ide, përvojë dhe gatishmëri për t’u angazhuar në zhvillimin e vendit. Ka qenë pjesë e shumë aksioneve për ndihmën e Kosovës, sidomos në periudha kur shteti ishte i pafuqishëm ose nuk funksiononte. Megjithatë, kur bëhet fjalë për investime në ekonomi, faktet tregojnë një tjetër realitet. Investimet nga diaspora janë të pakta, ndërsa potenciali mbetet i pashfrytëzuar. Shpesh thuhet se mërgata nuk ka interes për të investuar, por problemi është më i thellë. Kosova nuk ofron kushte të mjaftueshme për ta kthyer këtë vullnet në veprim konkret.

Çdo investitor kërkon siguri. Shumë mërgimtarë që kanë tentuar të investojnë janë përballur me gjykata të ngadalshme, vendime të padrejta dhe ndikime politike që mbrojnë lidhjet, jo ligjin. Kur dikush që ka punuar ndershëm për vite të tëra humb investimin për shkak të mashtrimeve apo ndërhyrjeve politike, kjo jo vetëm që është padrejtësi, por shndërrohet në një mesazh negativ për të gjithë të tjerët. Në mungesë të sigurisë ligjore, pak kush merr rrezikun përsipër. Po ashtu, nuk ekziston një mekanizëm shtetëror që ta orientojë apo ta mbështesë seriozisht investitorin nga jashtë. Politikat janë të paqarta, qasja në treg është e vështirë dhe lehtësitë që premtohen në fjalime rrallëherë zbatohen në praktikë. Edhe iniciativat që vijnë nga vetë diaspora rrallëherë merren seriozisht nga institucionet. Ata që kthehen me ide, shpesh përballen me zvarritje dhe pengesa në vend të bashkëpunimit. Disa kanë humbur kursimet, të tjerë janë mashtruar nga bashkëpunëtorë të paqëndrueshëm. Disa janë nënvlerësuar ose përballur me mosbesim. E në fund, edhe nëse arrijnë të fillojnë një veprimtari, shpesh përballen me konkurrencë jo të ndershme në treg, që mbështetet nga lidhjet politike, abuzimi me ligjin apo privilegjet informale që u jepen atyre që janë afër pushtetit.

Shteti nuk mund të presë që diaspora të investojë për arsye emocionale. Është e papranueshme që pas kaq vitesh pavarësi, ende të mos ekzistojë një strategji serioze për përfshirjen e kapitalit dhe përvojës së diasporës në zhvillimin e vendit. Të kërkosh ndihmë vetëm në kohë krizash dhe ta injorosh diasporën kur ofron zgjidhje, nuk është as politikë, as menaxhim, është papërgjegjësi. Ajo që mungon nuk është vetëm vullneti politik, por edhe ndershmëria për të krijuar një sistem ku investimi vlerësohet dhe mbrohet. Në vend të partneritetit, diaspora trajtohet si burim i përkohshëm kursimesh që shteti as nuk përpiqet ta ruajë. Kjo tregon jo vetëm dështim administrativ, por edhe një mentalitet të vjetruar që i largon mundësitë në vend që t’i afrojë.

Kapitali nuk lëviz pa garanci, dhe askush nuk rrezikon atë që është fituar me mund, larg familjes dhe në kushte të vështira. Nuk është përgjegjësi e diasporës të bëjë shtetin. Është përgjegjësi e shtetit të krijojë kushte që ata të mos ndihen të huaj në vendin prej nga vijnë. Investimi është çështje besimi, dhe ky besim nuk fitohet me fjalë të mira, por me drejtësi që mbron dhe institucione që veprojnë. Pa një reformë të vërtetë në drejtësi dhe administratë, thirrjet për investim mbeten formale dhe pa rezultat. Pa një program të mirëfilltë me projektligje konkrete për nxitjen e investimeve, jo që nuk do të kemi investitorë, por as zhvillim. Ekonomia i ka ligjet e veta dhe nuk njeh sentiment. I gjithë ky kapital që pritet të investohet është fituar me mund, mall dhe me sakrifica të mëdha, dhe nuk hidhet në një sistem që nuk jep garanci. Nëse nuk ka veprim konkret dhe përgjegjësi shtetërore, diaspora do të vazhdojë të qëndrojë larg. Besimi nuk rikthehet me fjalë, por me veprime konkrete. A.S.

Lini një koment