Pse heshtin qytetarët përballë kësaj loje politike

Shkruan Avni Selmani

Në trojet shqiptare është krijuar një praktikë shqetësuese, heshtja ndaj padrejtësive, qofshin ato politike apo të ndonjë natyre tjetër. Çdo herë që shfaqet një problem publik, një keqpërdorim, një shkelje e rëndë e të drejtave apo e pasurisë së përbashkët, në vend të reagimit qytetar, vjen arsyetimi dhe ajo fjalia e famshme: “Unë nuk merrem me politikë”.

Por kjo vetëmbrojtje ka çmimin e saj. Sot kemi qytetarë që shohin padrejtësinë, shohin si politikanët sillen si të duan, shkelin ligjin dhe tallin publikisht ndjenjën e drejtësisë, por nuk reagojnë. Dëgjojnë për korrupsionin, por nuk flasin. Jetojnë në pasiguri, por mendojnë vetëm për të ikur.

Kjo heshtje përballë padrejtësisë, kur je plotësisht i vetëdijshëm për të, nuk është më as mosinteresim, është servilizëm i heshtur. Të shohësh problemin dhe të mos flasësh, ose nga frika, ose nga llogaritja personale, ose për të mos u përfolur, është nënshtrim ndaj padrejtësisë. Në thelb është të pajtohesh me të keqen dhe t’i japësh asaj jetë. Quaje si të duash, heshtje, mosinteresim, largim, por në të vërtetë është një formë bashkëpunimi me të keqen.

Një pjesë e qytetarëve nuk e kanë të qartë se është e drejta e tyre legjitime të kërkojnë llogari ndaj politikanëve të papërgjegjshëm. Nuk e dinë se pushteti nuk është dhuratë, por përgjegjësi ndaj popullit. Dhe sa herë që heshtin përballë një padrejtësie, ata jo vetëm që heqin dorë nga kjo e drejtë, por ia lënë të tjerëve të flasin në vend të tyre.

Në vende ku vetëdija qytetare është e lartë, reagimi ndaj padrejtësive nuk shihet si përfshirje në politikë, por si detyrim qytetar. Aty është e zakonshme të ngresh zërin për një padrejtësi, të protestosh, të shkruash, të kërkosh llogari. Në këto shoqëri, qytetarët nuk heshtin përballë vendimeve politike që shkelin të drejtat e tyre. Përkundrazi, ata reagojnë hapur, bashkëpunojnë me organet e rendit dhe bëhen burim kyç në zbulimin e krimeve. Sepse aty nuk është turp të flasësh, por është turp të heshtësh.

Të kërkosh drejtësi, të flasësh hapur, të ngresh zërin për çështje që prekin të gjithë, nuk është përzierje politike, por një detyrim qytetar. Është vetë politika në kuptimin më të lartë, kujdesi për të mirën e përbashkët. Dhe nëse nuk merremi ne me të, të tjerët do ta bëjnë në emrin tonë për interesat e tyre.

Heshtja nuk është as mençuri, as urtësi, por pajtim me të keqen. Është dorëzim para padrejtësisë dhe një leje e heshtur për të vazhduar hajnia, mashtrimi dhe shkatërrimi i asaj pakë që na ka mbetur.

Nuk është as turp të flasësh. Turp është të shohësh e të mos thuash asgjë. Turp është të dish, por të bësh sikur nuk di. Të jesh dëshmitar i padrejtësisë dhe të mos reagosh është të bëhesh pjesë e saj.

“Nuk merrem me politikë” nuk të shpëton nga pasojat.

Ndaj sot, më shumë se kurrë, të heshtësh është të tradhtosh, veten, të ardhmen dhe ata që nuk kanë zë për t’u mbrojtur vetë. A.S

Lini një koment