Shkruan Avni Selmani
Ndërkohë që bota po merret me zhvillime të reja shkencore, teknologjike dhe shoqërore, si inteligjenca artificiale, robotika dhe risitë që po ndryshojnë mënyrën e jetesës, ne vazhdojmë të merremi me probleme që në shumë vende janë kapërcyer prej kohësh, mungesën e drejtësisë, punësimin përmes lidhjeve, tenderët e manipuluar, korrupsionin që nuk ndalet, partitë që sillen si pronarë të shtetit dhe përçarjet mes nesh.
Bota po ecën përpara duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi, ndërsa ne e humbim kohën në grindje mes vetes. Aty ku flitet për zhvillime që ndryshojnë jetën, zgjatin atë dhe përmirësojnë aftësitë e njeriut, ne merremi me fyerje dhe përplasje të kota. Ndërsa shtetet përgatiten për ekonominë e së ardhmes, ne zihemi për trashëgimi, për vendime klanore dhe për privilegje të grupeve të caktuara.
Derisa në vende të tjera studiot televizive hapin diskutime për tema që janë jo vetëm aktuale, por edhe të domosdoshme për kohën, mediat tona janë të mbushura me emisione të përsëritura dhe me argatë të klaneve politike, që flasin pa përmbajtje dhe pa ide për të ardhmen.
Kosova është një vend me një rini të jashtëzakonshme, por në vend që të udhëhiqet drejt inovacionit, ajo po detyrohet të ikë jashtë. Ndërkohë që bota mendon si të jetojë më gjatë, më shëndetshëm dhe më të lumtur, rinia jonë mendon si të shpëtojë nga papunësia, padrejtësia dhe nga një klimë që nuk e mbështet as e motivon. Bota planifikon dekadat e ardhshme, ne nuk kemi një plan as për vitin e ardhshëm.
Është e vërtetë që historia jonë ka qenë e rëndë dhe në shumë gjëra jemi vonë. Por pikërisht kjo duhet të na motivojë që të mos mbetemi peng i së kaluarës. Jo për ta harruar, sepse e kaluara nuk harrohet, por për të mos lejuar që ajo të na mbajë larg të ardhmes. Nuk kemi më kohë për të qëndruar në vend. Bota po ecën me shpejtësi dhe ne duhet të ecim bashkë me të. Integrimi në zhvillimet globale nuk është më zgjedhje, por domosdoshmëri.
Nëse nuk e ndryshojmë drejtimin, do të mbetemi një vend që jeton gjithmonë në të kaluarën, ndërsa bota do të ecë drejt një të ardhmeje që ne nuk do ta kuptojmë, madje edhe kur ajo të jetë bërë realitet. Por atëherë do të jetë tepër vonë për të pyetur pse mbetëm pas. E ardhmja nuk do të na presë. Edhe kështu jemi vonë, prandaj të ecim në hap me botën duke i lënë anash të gjitha ndarjet dhe interesat personale, sepse shteti është mbi të gjitha. A.S

