Teknologjia dixhitale po ecën me shpejtësi, a jemi ne në hap me botën?

Shkruan Avni Selmani

Bota po ecën me një shpejtësi të paparë drejt përparimeve teknologjike. Çdo ditë, shpikje të reja po ndryshojnë mënyrën si jetojmë, si punojmë dhe si mendojmë. Ne, pa e kuptuar, po e përshtatim jetën tonë sipas ritmit të teknologjisë, ndoshta pa e ditur se ku do të na çojë e gjithë kjo.

Gjërat që dikur i shihnim vetëm në filma fantastiko-shkencorë po bëhen realitet, implante teknologjike që bëhen pjesë e trupit, gjene që ndryshojnë jetën tonë, inteligjencë artificiale që vendos në vendin tonë, robotë që marrin jo vetëm punët tona, por edhe rolin tonë në shoqëri. Transhumanizmi, si proces i ri, synon të bashkojë trupin dhe mendjen e njeriut me teknologjinë, përmes implanteve si Neuralink, me qëllim rritjen e inteligjencës, forcës apo kujtesës. Por kush do të vendosë se çfarë është përmirësim dhe kush do të përjashtohet nga kjo? Bioetika këto zhvillime i sheh me kujdes, sepse ngritin pyetje të thella për barazinë, privatësinë dhe vetë kuptimin e të qenit njeri.

Teknologjia nuk është thjesht një mjet. Ajo ndryshon rrënjësisht mënyrën si mendojmë, si e shohim realitetin dhe si marrim vendime. Ne e përdorim çdo ditë, por shpesh nuk e dimë si funksionon dhe cilat janë qëllimet e atyre që e krijojnë. Kjo na bën të pambrojtur, të varur dhe të lehtë për t’u kontrolluar.

Prandaj, është e domosdoshme të edukohet rinia, jo vetëm për të përdorur teknologjinë, por për ta kuptuar, për ta vlerësuar dhe për t’i njohur rreziqet e saj. Sepse ky zhvillim nuk ndalet, por ne mund të zgjedhim si t’i përgjigjemi atij.

Në shumë vende të zhvilluara, qeveritë, shkollat dhe mediat organizojnë programe që shpjegojnë teknologjitë e reja dhe pasojat e tyre. Tek ne, as arsimi dhe as mediat nuk i japin hapësirën që duhet, duke e lënë shoqërinë në mëshirën e të panjohurës. Prandaj është e domosdoshme që institucionet të marrin masa, ta orientojnë atë dhe t’i shpjegojnë për rreziqet e mundshme.

Nëse nuk e kuptojmë dhe nuk i përgjigjemi me përgjegjësi këtyre zhvillimeve, atëherë jo, nuk jemi në hap me botën. Nuk mjafton ta përdorim teknologjinë, duhet ta kuptojmë, ta drejtojmë dhe ta vëmë në shërbim të njeriut, përndryshe ajo do të na drejtojë ne. A.S

Lini një koment