Shkruan Avni Selmani
Gjatë gjithë historisë kemi qenë të robëruar. Nga kush jo. Dhe gjithmonë kemi ëndërruar të kemi shtetin tonë. Ky ka qenë qëllimi më i madh i brezave para nesh, ëndrra për të cilën u sakrifikuan jetë të tëra. Por tani që e kemi shtetin, sikur jemi ngopur me të dhe kemi harruar pse sakrifikuam aq shumë për ta pasur. Shpesh e pyesim veten pse, edhe pas kaq vitesh pavarësi, nuk ndihemi si qytetarë të një shteti që na përfaqëson dhe na mbron. Kemi flamurin, kushtetutën dhe institucionet tona, por realiteti i përditshëm na tregon një pamje krejt tjetër. Pse ndodh kjo?
Një nga arsyet pse kemi këtë gjendje është se mënyra e të menduarit ka mbetur e njëjtë. Shumë nga ata që sot mbajnë poste e trajtojnë shtetin si pronë private, jo si përgjegjësi ndaj qytetarëve. Trashëgimia e sistemeve të mëparshme, ku partia ishte mbi ligjin, vazhdon edhe sot. Edhe pse kemi ndërruar flamujt, nuk kemi ndërruar mënyrën e të menduarit.
Një tjetër arsye është kapja e institucioneve nga partitë politike, që e ka shndërruar shtetin në pronë private të pak njerëzve. Shumë vendime merren për interesa të ngushta dhe jo për të mirën e përbashkët. Qytetari nuk shihet si qëllim, por si mjet për vota. Kjo krijon mosbesim dhe humbje shprese.
Një pjesë e fajit është edhe tek ne, qytetarët. Shumë njerëz e shohin shtetin vetëm si burim përfitimesh dhe jo si diçka që duhet mbrojtur e përmirësuar. Ne e duam shtetin vetëm kur na sjell përfitime dhe e shajmë kur na mungon diçka, por rrallë e ndjejmë si përgjegjësi të përbashkët.
Ky shqetësim nuk është i ri. Ai paraqitet herë pas here, por sidomos kohët e fundit, kur jeta institucionale është thuajse e paralizuar. Kur i dëgjon arsyet e kësaj gjendjeje, janë aq banale dhe të pabesueshme, sa që njeriu fillon të mendojë me vete, si është e mundur që një shtet funksionon kaq keq, dhe askush nuk mban përgjegjësi,
Kjo gjendje ka bërë që edhe ndërkombëtarët të mos na marrin më seriozisht. Kur një shtet nuk funksionon dhe nuk ka udhëheqje me vizion, bie edhe respekti ndërkombëtar. Kjo shihet në mungesën e vizitave zyrtare, ftesave në tryeza të rëndësishme dhe pengesat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Në sytë e botës, një shtet që nuk sillet me dinjitet me veten, nuk mund të kërkojë trajtim me dinjitet nga të tjerët.
Ndoshta tek ne shqiptarët ka mbetur ende ajo ndjenja se gjatë gjithë historisë kemi jetuar vetëm për të mbijetuar. Prandaj, shtetin nuk e ndjejmë si duhet. Nuk e shohim si diçka tonën për të cilën duhet të kujdesemi, por si diçka që ose na zhgënjen, ose e përdorim kur na duhet.
Prandaj, pavarësisht se kemi shtetin tonë, shpesh nuk ndjehemi sikur jetojmë në një shtet të mirëfilltë. Sepse shteti nuk është vetëm një flamur dhe disa zyra. Shteti është ndjenja e përbashkët se ky vend është i yni dhe se secili prej nesh ka përgjegjësi për ta mbrojtur dhe përmirësuar. Deri kur të mos e kuptojmë këtë, do të kemi vetëm emrin “shtet”, por jo jetën që duhet të na japë ai. A.S

