Shkruan Avni Selmani
Asnjëherë më parë nuk kemi qenë në një krizë kaq të thellë institucionale, ku shteti duket i paralizuar nga klasa politike, e cila për interesa të ngushta nuk ka interes të ofrojë një zgjidhje që do ta zhbllokonte këtë ngërç, i cili po duket se nuk ka mbarim. Në këtë gjendje, një pjesë të madhe të përgjegjësisë e mbajnë edhe mediat, të cilat jo vetëm që nuk e pasqyrojnë realitetin, por shpesh bëhen pjesë e lojës duke u shërbyer po atyre interesave. Në vend që të jenë kontrolluesit e klasës politike dhe mbrojtësit e së vërtetës, ato shndërrohen në instrument të politikës, duke humbur kështu misionin e tyre kryesor.
Një pjesë e fajit bie edhe mbi Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili, në vend që të garantojë pluralizmin dhe pavarësinë, është përfshirë në vendime të diskutueshme, të cilat kanë hapur dyshime serioze për ndikim politik. Kjo ka bërë që Kosova të bjerë ndjeshëm në indeksin e lirisë së medias, një tregues i qartë se hapësira e fjalës së lirë po ngushtohet dhe se mediat e pavarura po e kanë gjithnjë e më vështirë të mbijetojnë.
Këto ditë pamë se si vendimet e Gjykatës Kushtetuese interpretohen në mënyra të ndryshme nëpër studio televizive, sipas interesave të secilit kanal. Një tjetër fenomen shqetësues është shndërrimi i këtyre studieve në skena show-sh, ku përballjet bëhen më shumë për spektakël sesa për përmbajtje. Në këto debate përdoret shpesh fjalor i keq, njerëzit e jetës publike bullizohen, dhe publikut i serviret më shumë përplasje verbale sesa analizë e vërtetë.
Shumë media nuk e përcjellin as agjendën shtetërore. Kohë më parë doli një raport ndërkombëtar i SIGMA/OECD, i cili tregoi se Kosova sot qëndron më mirë se shumica e vendeve të rajonit në performancën e administratës publike, por këto të dhëna u heshtën nga shumica e mediave sepse nuk u përshtaten interesave politike që ato i shërbejnë.
Në anën tjetër, programe edukative ka shumë pak. Arsyeja është e thjeshtë, ato nuk sjellin audiencë dhe nuk konsiderohen të dobishme për interesat e mediave. Kjo tregon qartë se për shumicën e tyre nuk ka rëndësi cilësia e përmbajtjes, por vetëm tregu dhe ndikimi politik.
Pasojat e kësaj gjendjeje janë të qarta. Qytetarët nuk e shohin më median si burim të besueshëm, por si një zë që përsërit të njëjtat fjalë që dëgjojnë nga politika. Problemet e përditshme, vështirësitë ekonomike, padrejtësitë dhe shkeljet e ligjit nuk marrin hapësirën që meritojnë. Në vend të tyre, dominon skena e debatit politik, ku gjithçka kthehet në spektakël, por jo në zgjidhje.
Prandaj pyetja është. pse nuk kemi media që shërbejnë si mbrojtës i qytetarëve, por kemi media që shërbejnë si mjet i interesave të caktuara. A.S
