Shkruan Avni Selmani
Duke qenë se shoqëria jonë është aq shumë e ndarë, si në aspektin politik ashtu edhe në atë mediatik, pothuajse çdo gjë shihet përmes interesave dhe simpative politike, qoftë të partive apo të liderëve. Kjo ndarje është rezultat i përçarjeve të klasës politike mes veti, të cilat më pas e kanë përçarë edhe popullin. Kjo ndarje është bërë ekstreme, ose je për një subjekt dhe lider, ose je ekstremisht kundër tij. Këtu nuk ka mes për një qëndrim të arsyeshëm.
Gjithçka nis në studiot televizive. Aty nuk ka debat të arsyeshëm, por përplasje të hapura. Çdo gjë ndahet në dy kampe, njëra palë e ngrit një çështje në qiell, tjetra të njëjtën e fundos krejtësisht. Më pas gjithçka del nga kontrolli dhe debati banalizohet me ofendime. Dhe këtu lind pyetja, pse ndodh kjo? Përgjigjja është e thjeshtë, sepse interesat dhe porositë janë të ndryshme, ndërsa studiot televizive shpesh bëhen zëdhënëse të këtyre interesave.
Këtë fenomen e përjetova edhe në shkrimet e mia të fundit, ku ideja ime si gjithmonë është të jem i paanshëm dhe i drejtpërdrejtë. Megjithatë, shpesh ndodh që disa lexues e zhvendosin temën dhe i japin tjetër drejtim. Në vend që të diskutojnë çështjen që ngrihet, disa kthehen tek simpatia për ndonjë lider apo parti politike, duke u munduar ta shfajësojnë të vetin për kaosin politik që është krijuar, ndërsa të tjerë bëjnë të kundërtën duke sulmuar e akuzuar liderin tjetër. Në të dy rastet, debati largohet nga tema. Kjo tregon sa larg ka shkuar ndarja e shoqërisë sonë dhe sa shumë e kanë idealizuar liderin e tyre, duke e parë si të madhërishëm e të paprekshëm. Pikërisht për këtë arsye është kaq e vështirë të bëhet një diskutim i shëndoshë, sepse edhe kur përpiqesh të jesh i paanshëm, prapë të gjykojnë.
Kjo gjendje e ka lodhur qytetarin e zakonshëm. Shumëkush nuk beson më as në fjalë, as në premtime. Një pjesë ka rënë nën ndikimin e kësaj situate kaotike, disa janë të hutuar dhe nuk e dinë çfarë po ndodh, ndërsa të tjerë nuk e kanë haberin dhe nuk dinë ku të pozicionohen. Në vend që të flasim për problemet që na preokupojnë si shoqëri, harxhojmë energji duke u rreshtuar pro ose kundër liderëve. Në këtë mënyrë humbet thelbi i debatit dhe përfitojnë vetëm interesat e ngushta politike.
Vetëm kur arrijmë si shoqëri të shohim realitetin pa ndikim politik, mund të ndodhë ndryshimi i vërtetë. Sepse një shoqëri që jeton me iluzione, nuk mund të ecë kurrë drejt përparimit. A.S
