Kur në emër të shtetit shkatërrohet vetë shteti

Shkruan Avni Selmani

Pas realizimit të ëndrrës shekullore për të pasur shtetin tonë, shumëkush besoi se më në fund do të jetonim të barabartë, të sigurt, të përfaqësuar. Një vend ku drejtësia do të ishte themel i shtetit. Një vend për të gjithë, për një shtet të drejtë.

Por realiteti doli ndryshe. Klasa politike e ktheu shtetin në mjet pazari, që shikohet vetëm me syrin e interesit personal dhe të grupit që e përfaqëson. Kur nuk u ecin marrëveshjet, krijojnë krizë të qëllimshme dhe e mbajnë të bllokuar shtetin për hesapet e tyre.

Ata veprojnë pa parime, pa ide dhe pa turp. Ka vetëm pazare të ulëta, të fshehta, që bëhen pas dyerve të mbyllura. Kur nuk u del llogaria, nuk ka marrëveshje. Kur u del llogaria, justifikohen me atë fjalinë e famshme “e bëjmë për të mirën e shtetit”. Në fakt, shteti është viktima e parë dhe e vetme. Sepse në emër të tij bëhet gjithçka, përveç ndërtimit të tij.

Askush nuk mban përgjegjësi. Institucionet bllokohen, vendimet dëmtojnë qytetarët, por askush nuk jep llogari. Të njëjtët veprojnë si të duan sepse e dinë që nuk ndëshkohen. Kështu mbahet i bllokuar i gjithë vendi.

Gjithë këtë komoditet për lojërat e pafund të klasës politike ua lejojmë ne. Sepse jemi të ndarë, të hutuar, të ngatërruar si tifozë futbolli. Edhe kur është fjala për shtetin sillemi si me ndeshje kush fiton kush humb kush e ka fajin. Mediat poashtu. Disa shfrytëzojnë këtë gjendje për spektakël televiziv, disa të tjera janë të blera nga grupe të ndryshme dhe s’kryejnë më asnjë funksion publik. Edhe rrjetet sociale janë kthyer në kaos të qëllimshëm. Dhe në këtë mishmash të qëlluar, klasa politike e ka shumë lehtë të luajë si të dojë pa u shqetësuar për llogari as për reagim.

Në fund, e gjithë kjo ndodh në emër të një shteti që nuk po ndërtohet. Sepse kur në emër të shtetit shkatërrohet vetë shteti nuk ka më çfarë të mbrosh. A.S

Lini një koment