Fenomeni i rritjes ekonomike, a kemi pasur rritje reale që nga paslufta deri sot?

Shkruan Avni Selmani

Që nga përfundimi i luftës e deri më sot, në Kosovë është folur vazhdimisht për rritje ekonomike. Çdo qeveri, në periudha të ndryshme, e ka përdorur këtë shprehje për ta paraqitur veten si të suksesshme. Por nëse e shikojmë me kujdes strukturën reale të ekonomisë së vendit, lind pyetja nëse kjo rritje ka qenë reale apo vetëm në shifra.

Buxheti i Kosovës, prej pasluftës e deri sot, është mbështetur kryesisht në tatimet e qytetarëve, në dogana dhe remitencat e bashkatdhetarëve. Remitencat kanë pasur rol jetik për mbijetesën sociale dhe për mbajtjen gjallë të konsumit, por ato nuk përfaqësojnë zhvillim ekonomik, sepse janë para të fituara jashtë vendit dhe jo vlerë e krijuar brenda Kosovës.

Ekonomia e Kosovës është ndërtuar mbi konsum dhe import, jo mbi prodhim. Doganat janë shndërruar në një nga burimet kryesore të të hyrave shtetërore, duke krijuar një paradoks të vazhdueshëm ku shteti përfiton nga importi, ndërsa prodhimi vendor mbetet i dobët dhe i pazhvilluar. Sot, rreth 85 përqind e mallrave që konsumohen në Kosovë janë importe, ndërsa vetëm rreth 15 përqind janë eksporte, çka tregon qartë mungesën e një baze prodhuese dhe pamundësinë për të folur për rritje ekonomike reale.

Një pjesë e asaj që është paraqitur si rritje ekonomike në vitet e pasluftës lidhet edhe me procesin e privatizimit. Të hyrat nga privatizimi janë paraqitur si rritje ekonomike, edhe pse në thelb kanë qenë shitje e pasurisë shoqërore dhe për këtë arsye nuk mund të llogariten si rritje ekonomike reale. Në shumë raste, privatizimi nuk ka sjellë zhvillim, por shuarje të kapaciteteve prodhuese që ekzistonin më herët.

Nga periudha e pasluftës deri më sot, ekonomia jonë është mbështetur edhe në ndihma dhe projekte të huaja. Varësia nga ndihmat dhe projektet e huaja ka krijuar përshtypjen e zhvillimit, por pa ndërtuar kapacitete të qëndrueshme prodhuese dhe për këtë arsye nuk mund të quhet rritje ekonomike. Këto fonde kanë ndihmuar rimëkëmbjen afatshkurtër, por nuk janë shndërruar në bazë zhvillimi afatgjatë.

Sektori publik ka qenë për shumë vite punëdhënësi kryesor, duke ofruar një stabilitet të përkohshëm social, por pa krijuar vlerë të re ekonomike. Edhe ndërtimtaria ka dhënë pamje të zhvillimit, por kryesisht përmes banesave të financuara nga remitencat dhe kredia, jo përmes investimeve prodhuese apo industriale që do të krijonin ekonomi të qëndrueshme.

Situata është rënduar edhe më shumë në vitet e fundit për shkak të inflacionit të lartë. Kriza globale si pandemia, lufta në Ukrainë dhe rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimit kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Në këto kushte, rritja e buxhetit dhe e qarkullimit financiar nuk ka sjellë përmirësim real të mirëqenies, por vetëm rritje të shifrave nominale.

Ajo që është quajtur rritje ekonomike ka qenë shpesh statistikë në ajër, e fryrë nga inflacioni, importi, privatizimi dhe ndihmat e jashtme, jo rezultat i prodhimit vendor, investimeve strategjike dhe eksporteve. Ekonomia është matur me arkën e shtetit dhe jo me jetën e qytetarit.

Prandaj, nëse i qëndrojmë realitetit, Kosova pas luftës nuk ka përjetuar rritje ekonomike të mirëfilltë. Ka pasur ekonomi mbijetese, të mbështetur në konsum, remitenca, import dhe sektor publik. Pa prodhim vendor, pa industri dhe pa një strategji afatgjate zhvillimi, termi rritje ekonomike mbetet më shumë retorikë sesa realitet.

Vetëm duke e pranuar këtë gjendje, mund të hapet një debat i ndershëm për të ardhmen ekonomike të vendit dhe për nevojën e një modeli që krijon punë, prodhim dhe mirëqenie reale për qytetarët.

Lini një koment