Kur mosbesimi dhe besimi në Zot bëhet trend

Shkruan Avni Selmani

Ka një fenomen që po e shohim prej vitesh në shoqërinë tonë. Njerëz që ndryshojnë qëndrime ndaj besimit në Zot jo sepse kanë bërë një kthesë të sinqertë brenda vetes, por sepse ndryshon koha, ndryshon rrethi dhe ndryshojnë edhe regjimet. Sot e sheh dikë që flet si besimtar i devotshëm, ndërsa dikur ishte ndër ata që deklaroheshin si ateist. Kjo nuk është gjithmonë çështje feje. Shpesh është çështje interesi dhe përshtatjeje me kohën.

Me kujtohen vitet e tetëdhjeta, kur ishte në modë të ishe ateist. Shumë njerëz e shihnin fenë si diçka të kaluar dhe të mbrapambetur. Besimtarin e trajtonin si njeri të një kategorie tjetër. Nuk ishte gjithmonë bindje e vërtetë. Ishte pasojë e rrethanave dhe e ndikimit të shoqërisë.

Në atë kohë mbizotëronte filozofia marksiste dhe materializmi dialektik. Të mbroje ato teza ishte në modë dhe në përputhje me sistemin. Për shumë njerëz mosbesimi ishte mënyrë për t’u përshtatur me kohën.

Sot situata ka ndryshuar. Në shumë raste nuk është më në modë të tregohesh mosbesimtar. Më lehtë fiton vlerësim kur dukesh besimtar. Prandaj shohim të njëjtët njerëz që flasin shpesh për fenë, japin moral dhe paraqiten si të devotshëm, sikur kanë qenë gjithmonë të tillë.

Disa prej tyre e mbrojnë fenë më shumë se vetë predikuesit e saj. Bëhen sikur preken nëse dikush mendon ndryshe ose shpreh dyshim. Në atë pikë feja nuk është më bindje, por paraqitje para të tjerëve.

Problemi nuk është te besimi. Problemi nis kur besimi përdoret si mënyrë për t’u dukur më i mirë se të tjerët. Kur feja përdoret për të ngritur veten, ajo kthehet në mjet dhe jo në bindje.

Njeriu mund të ndryshojë dhe kjo është normale. Por ka raste kur nuk ndryshon njeriu, ndryshon vetëm roli. Dikur u duhej mosbesimi për t’u dukur në hap me kohën. Sot u duhet besimi për të qenë në anën e shumicës. Në të dy rastet kemi më shumë përshtatje sesa bindje.

Ai që e ka gjetur besimin me sinqeritet nuk ka nevojë të bëhet gjykatës i të tjerëve. Ai merret me veten. Ndërsa ai që e përdor besimin si modë, shpesh mbetet i njëjti njeri, vetëm me fjalë të reja.

Shoqëria jonë shpesh merret më shumë me dukjen sesa me përmbajtjen. Kur diçka përdoret vetëm për t’u dukur, ajo e humb vlerën. Ka pasur kohë kur ishte e pranueshme të flisje kundër fesë. Sot, në shumë raste, është më e pranueshme të flasësh në emër të fesë. Por as mosbesimi dhe as besimi nuk duhet të varen nga moda. Moda ndryshon sipas interesit, ndërsa bindja e vërtetë duhet të jetë e sinqertë dhe e qëndrueshme.

Në fund nuk ka rëndësi çka thua se je. Rëndësi ka çfarë njeriu je dhe si sillesh. Aty dallohen ata që kanë qëndrim të vërtetë nga ata që vetëm ndjekin modën.

Lini një koment