Kur shteti bankroton politikisht

Shkruan Avni Selmani

Ka raste kur një shtet nuk dështon për shkak të ekonomisë, por për shkak të politikës. Kosova është një shembull i qartë i kësaj. Kur institucionet nuk janë në gjendje të marrin vendime elementare dhe klasa politike në mënyrë të vazhdueshme abuzon me pushtetin dhe nuk arrin as marrëveshjen minimale për çështjet e shtetit, atëherë nuk kemi thjesht krizë politike. Kemi bankrot politik.

Në një shtet normal, vendimet për institucionet kryesore janë procedura të zakonshme. Në Kosovë ato kthehen në bllokada politike. Përplasjet e vazhdueshme dhe kalkulimet partiake e kanë kthyer funksionimin e institucioneve në krizë të përhershme.

Problemi nuk është një proces apo një institucion i caktuar. Problemi është vetë niveli i klasës politike. Kur politika nuk arrin të prodhojë konsensus për çështje elementare të shtetit, kjo nuk është më debat politik. Kjo është mungesë pjekurie dhe mungesë përgjegjësie.

Dhe kjo ndodh pikërisht në një moment kur Kosova gjendet në një udhëkryq gjeopolitik dhe ekonomik. Në vend që si shtet i ri t’i tregojmë botës se dimë të menaxhojmë institucionet dhe të marrim vendime serioze, politika po sillet me papjekuri të plotë. Shteti bllokohet për inate personale dhe interesa të ngushta partiake. Mesazhi që i dërgohet botës është i qartë: për një pjesë të politikës, shteti nuk është prioritet.

Dhe kjo nuk është një situatë e përkohshme. Kjo është bërë mënyra normale e funksionimit të politikës. Shteti u bllokua për një vit të tërë. U mbajtën zgjedhje të jashtëzakonshme me premtimin se kriza do të zgjidhej. Por rezultati ishte i njëjtë. Sot përsëri flitet për zgjedhje të reja që do të na çojnë në të njëjtën situatë.

Kjo klasë politike nuk duket fare e shqetësuar për gjendjen reale të vendit. Kosova është zyrtarisht vendi më i varfër në Evropë. Në testet ndërkombëtare të arsimit si PISA jemi ndër vendet e fundit. Jemi ndër shoqëritë me migracionin më të madh, ku mijëra qytetarë largohen çdo vit nga vendi në kërkim të një jete më të mirë. Papunësia mbetet e lartë, ekonomia është e dobët dhe shteti vazhdon të mbështetet kryesisht në import dhe remitenca. Por asnjë nga këto nuk duket se e shqetëson seriozisht politikën. Në vend që të përballen me problemet reale të vendit, ata merren me kalkulime të vogla politike dhe interesa personale.

Kjo tregon se problemi nuk është procedural. Problemi është vetë kjo klasë politike. Kur politika kalon nga konkurrenca në urrejtje dhe nga përgjegjësia në bllokadë, shteti mbetet peng i krizave të përhershme.

Për sa kohë kjo klasë politike sillet në këtë mënyrë dhe qytetarët e tolerojnë, kjo gjendje do të vazhdojë. Politika nuk ndryshon vetë. Ajo ndryshon vetëm kur shoqëria nuk e pranon më këtë nivel të saj.

Lini një koment