Kur kushtetuta lexohet sipas interesit

Shkruan Avni Selmani

Në politikën kosovare është bërë e zakonshme që për të njëjtin tekst kushtetues të kemi interpretime të kundërta. I njëjti nen për disa është i qartë dhe i drejtë, ndërsa për të tjerët është i gabuar. I njëjti interpretim për një palë është në përputhje me kushtetutën, ndërsa për palën tjetër është shkelje e saj. Krijohet përshtypja sikur vendi ka disa kushtetuta dhe jo një. Kjo ndodh pothuajse sa herë që lind një krizë politike. Mjafton një mosmarrëveshje për zgjedhjen e kryeparlamentarit, për formimin e qeverisë apo për zgjedhjen e presidentit dhe menjëherë fillojnë interpretime të ndryshme. Secila palë përpiqet ta paraqesë kushtetutën si argument për qëndrimin e vet. Situata bëhet edhe më problematike kur interpretime të ndryshme dëgjohen edhe nga njerëz që kanë qenë pjesë e hartimit të kushtetutës. I njëjti tekst shpjegohet në mënyra të ndryshme, sikur të bëhej fjalë për dokumente të ndryshme. Në vend që kushtetuta të jetë rregulli që zgjidh konfliktet politike, ajo shpesh përdoret si mjet në përplasjen politike. Çdo palë përpiqet ta lexojë atë në mënyrë që t’i shërbejë interesit të vet. Pyetja që lind është e thjeshtë. Pse ndodh kjo. Si është e mundur që një tekst kushtetues të prodhojë interpretime kaq të kundërta. Arsyeja kryesore është se kushtetuta nuk lexohet gjithmonë për atë që është, por për atë që i shërben interesit politik të momentit. Kur një dispozitë i shkon për shtat një partie, ajo shpallet e drejtë. Kur e njëjta dispozitë nuk i përshtatet interesit të saj, menjëherë fillojnë interpretime të tjera. Në këtë mënyrë kushtetuta nuk trajtohet më si rregull i përbashkët për të gjithë. Ajo përdoret si argument politik. Kjo dukuri shihet edhe në debatet publike dhe në studiot televizive. Për të njëjtin nen kushtetues jepen interpretime të kundërta. Secili e shpjegon kushtetutën sipas pozicionit politik që mbron. Pasojat janë të qarta. Krizat politike zgjasin, institucionet bllokohen dhe qytetarët dëgjojnë interpretime të pafundme për të njëjtin tekst kushtetues. Kur kushtetuta lexohet sipas interesit politik, ajo nuk shërben më si themel i rendit institucional. Ajo bëhet pjesë e konfliktit politik. Dhe përderisa kushtetuta vazhdon të përdoret sipas interesit politik, me këtë klasë politike vendi nuk mund të ketë një të ardhme të sigurt.

Lini një koment