Ikja e të rinjve nga vendi, rezultat i një realiteti të dhimbshëm

Shkruan Avni Selmani

Migrimi i shqiptarëve nga trojet e tyre është një dukuri që ka ndodhur gjithmonë. Gjatë historisë, shqiptarët janë larguar për arsye të ndryshme, nga përndjekjet politike, nga dhuna e regjimeve të ndryshme, nga varfëria dhe pasiguria.

Por ajo që po ndodh sot është krejt ndryshe. Sot, më në fund, e kemi shtetin tonë, i fituar pas shumë sakrificash. Por përkundër kësaj, shqiptarët po largohen më shumë se kurrë më parë, jo nga dhuna, por nga zhgënjimi dhe realiteti që i rrethon. Dhe kjo është ajo që e bën këtë ikje ndryshe nga të gjitha, sepse tani shqiptarët po ikin nga vetvetja.

Shumë të rinj, profesionistë, akademikë, artistë e zanatlinj largohen jo vetëm për kushte më të mira, por sepse nuk e shohin veten në një vend ku mund të ndërtojnë një jetë të qëndrueshme dhe të ardhme me punë të ndershme dhe dinjitet.

Në vend që të përkrahet ai që ka dije, përkrahet ai që i shërben partisë dhe pushteteve aktuale. Kështu, shumë njerëz që kanë punuar me ndershmëri për vite të tëra, janë lënë mënjanë. Jo pse nuk dinë, por sepse nuk janë pjesë e rrethit të ngushtë që ndan pushtetin dhe mundësitë.

Shumë prej atyre që largohen, nuk e bëjnë sepse e kanë dëshirë, por sepse nuk shohin asnjë perspektivë për jetën e tyre. Kur shohin klasën politike që i përfaqëson, e cila është e gatshme të sabotojë edhe vetë shtetin për interesa personale, atëherë humbin çdo besim se kjo klasë politike do të përmirësojë ndonjëherë mirëqenien e qytetarëve. Në këtë realitet, çdo ditë humbet shpresa për ndryshim dhe për një jetë më të mirë.

Është e vërtetë se atdheu nuk mund të zëvendësohet, por fundja, vendlindjen mund ta zëvendësojë ai vend ku njeriu, me punën dhe përkushtimin e vet, mund të ndërtojë një jetë normale dhe të civilizuar. Për shumë prej tyre, kjo është e vetmja rrugë për të jetuar me dinjitet.

Askush nga klasa politike nuk mban përgjegjësi. Përkundrazi, dalin nëpër ekrane e konferenca dhe lavdërohen, duke thënë se “e kemi zbutur papunësinë”. Por realiteti është krejt tjetër, vendi po zbrazet çdo ditë. Po ikin më të përgatiturit, më të shkolluarit, më të zotët. Dhe kjo ikje nuk është as sukses, as zhvillim, është humbje. Dhe më keq akoma, është një humbje që fshihet me fjalë boshe dhe me mashtrime politike.

Të thuash se kemi zhvillim, ndërkohë që më të mirët po largohen, është mashtrim. Të mos flasësh përballë kësaj ikje masive do të thotë të bëhesh pjesë e këtij mashtrimi. Sepse kjo nuk është një largim i zakonshëm, është një ikje nga padrejtësia, nga injorimi dhe nga zhgënjimi.

E vërteta është se kjo nuk është vetëm një çështje ekonomike. Është një problem i thellë shoqëror dhe moral. Sepse kur një vend nuk i mban më njerëzit që vlejnë, kur i detyron të largohen për të mbijetuar apo për të jetuar me dinjitet, ai vend humb vetveten. Dhe nëse kjo gjendje nuk ndryshon, nëse nuk fillon të vlerësohet dija, përkushtimi dhe puna e ndershme, zbrazja do të vazhdojë, jo vetëm nga njerëzit, por edhe nga shpresa. Dhe kur të kuptohet dëmi, mund të jetë vonë. Sepse ata që mund të kishin ndrequr diçka, nuk do të jenë më këtu. A.S

Pse heshtin qytetarët përballë kësaj loje politike

Shkruan Avni Selmani

Në trojet shqiptare është krijuar një praktikë shqetësuese, heshtja ndaj padrejtësive, qofshin ato politike apo të ndonjë natyre tjetër. Çdo herë që shfaqet një problem publik, një keqpërdorim, një shkelje e rëndë e të drejtave apo e pasurisë së përbashkët, në vend të reagimit qytetar, vjen arsyetimi dhe ajo fjalia e famshme: “Unë nuk merrem me politikë”.

Por kjo vetëmbrojtje ka çmimin e saj. Sot kemi qytetarë që shohin padrejtësinë, shohin si politikanët sillen si të duan, shkelin ligjin dhe tallin publikisht ndjenjën e drejtësisë, por nuk reagojnë. Dëgjojnë për korrupsionin, por nuk flasin. Jetojnë në pasiguri, por mendojnë vetëm për të ikur.

Kjo heshtje përballë padrejtësisë, kur je plotësisht i vetëdijshëm për të, nuk është më as mosinteresim, është servilizëm i heshtur. Të shohësh problemin dhe të mos flasësh, ose nga frika, ose nga llogaritja personale, ose për të mos u përfolur, është nënshtrim ndaj padrejtësisë. Në thelb është të pajtohesh me të keqen dhe t’i japësh asaj jetë. Quaje si të duash, heshtje, mosinteresim, largim, por në të vërtetë është një formë bashkëpunimi me të keqen.

Një pjesë e qytetarëve nuk e kanë të qartë se është e drejta e tyre legjitime të kërkojnë llogari ndaj politikanëve të papërgjegjshëm. Nuk e dinë se pushteti nuk është dhuratë, por përgjegjësi ndaj popullit. Dhe sa herë që heshtin përballë një padrejtësie, ata jo vetëm që heqin dorë nga kjo e drejtë, por ia lënë të tjerëve të flasin në vend të tyre.

Në vende ku vetëdija qytetare është e lartë, reagimi ndaj padrejtësive nuk shihet si përfshirje në politikë, por si detyrim qytetar. Aty është e zakonshme të ngresh zërin për një padrejtësi, të protestosh, të shkruash, të kërkosh llogari. Në këto shoqëri, qytetarët nuk heshtin përballë vendimeve politike që shkelin të drejtat e tyre. Përkundrazi, ata reagojnë hapur, bashkëpunojnë me organet e rendit dhe bëhen burim kyç në zbulimin e krimeve. Sepse aty nuk është turp të flasësh, por është turp të heshtësh.

Të kërkosh drejtësi, të flasësh hapur, të ngresh zërin për çështje që prekin të gjithë, nuk është përzierje politike, por një detyrim qytetar. Është vetë politika në kuptimin më të lartë, kujdesi për të mirën e përbashkët. Dhe nëse nuk merremi ne me të, të tjerët do ta bëjnë në emrin tonë për interesat e tyre.

Heshtja nuk është as mençuri, as urtësi, por pajtim me të keqen. Është dorëzim para padrejtësisë dhe një leje e heshtur për të vazhduar hajnia, mashtrimi dhe shkatërrimi i asaj pakë që na ka mbetur.

Nuk është as turp të flasësh. Turp është të shohësh e të mos thuash asgjë. Turp është të dish, por të bësh sikur nuk di. Të jesh dëshmitar i padrejtësisë dhe të mos reagosh është të bëhesh pjesë e saj.

“Nuk merrem me politikë” nuk të shpëton nga pasojat.

Ndaj sot, më shumë se kurrë, të heshtësh është të tradhtosh, veten, të ardhmen dhe ata që nuk kanë zë për t’u mbrojtur vetë. A.S

A ekziston sinqeriteti në politikën kosovare?

Shkruan Avni Selmani

Nëse klasa jonë politike do të ishte e sinqertë, sot nuk do të kishim këtë kaos institucional. Nuk do të kishim bllokadë, mosmarrëveshje, akuza nga të gjitha anët dhe një skenë politike që më shumë i ngjan një arene se sa një salle kuvendi. Mjafton që vetëm njëra palë të ishte e sinqertë, dhe kjo gjendje nuk do të zgjaste as një ditë të vetme. Prandaj, nuk është rastësi që politika dhe sinqeriteti, siç e dëshmon përditshmëria jonë, janë dy rrugë që vështirë takohen.

Në vendin tonë, fjala “politikë” është bërë sinonim i interesit personal, hipokrizisë dhe manipulimit. Askush më nuk e sheh si mjet për t’i shërbyer popullit, por si shkallë për pushtet, pasuri dhe ndikim. A mund të ketë sinqeritet në një fushë ku gjithçka sillet rreth aleancave të fshehta, prapaskenave dhe heshtjes përballë së keqes? Dhe kjo nuk është thjesht bindje personale, është realitet i përditshëm që e sheh kushdo me sy të hapur.

Politika jonë është bërë si të blesh në pazar. Njëra parti i thotë tjetrës: “Unë po të jap dy ministri dhe disa poste.” Kurse pala tjetër ia kthen: “Jo, nuk kam hesap.” Ashtu siç thotë populli kur s’i del hesapi. E gjithë skena politike sot funksionon si një treg pazari, ku nuk flitet për qytetarin, por për poste, për përfitime, për ndarje pushteti. Nuk ka as parim, as drejtim. Dhe nga këto pazare që nuk mbyllen kurrë, populli mbetet i bllokuar, pa institucione që e përfaqësojnë, pa shpresë për zgjidhje. Qytetari mbetet thjesht spektator i këtyre pazareve, i zhgënjyer dhe pa zë në vendimmarrje.

Kemi parë raste kur një politikan shkel ligjin ose keqpërdor besimin publik. Dhe ata përreth tij ose heshtin, ose e mbrojnë. Jo pse nuk e dinë të vërtetën, por sepse janë pjesë e të njëjtit rreth. Sepse kur njëri mbron tjetrin, askush nuk mbetet i pastër. Dhe heshtja ndaj padrejtësisë është njësoj si bashkëpunim me të.

Në politikën tonë nuk ka sinqeritet. Ka interesa që ndërrojnë ngjyrë sipas rrethanave. Ka njerëz që bëjnë be për parime e i shkelin një muaj më vonë. Ka parti që flasin për drejtësi e moral, por nuk e aplikojnë as brenda vetes. Ka patriotizëm në fjalë, por pazare në prapaskenë. Edhe gjuha e përdorur shpesh e dëshmon këtë hipokrizi. Fjala “hajvanat”, e thënë nga vetë liderët ndaj kundërshtarëve, është bërë pjesë e këtij degradimi. Në të vërtetë, kjo është shprehje popullore e rëndomtë që përdoret sipas interesit. Kur palët janë në konflikt e përdorin për të goditur njëri-tjetrin, por nëse interesi i bashkon, askush nuk e përfill më, sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Edhe këtu vërtetohet se sa larg është sinqeriteti nga politika jonë.

Fatkeqësisht, ky është një realitet i dhimbshëm që e kemi parë duke u përsëritur për më shumë se dy dekada. Kush hyn në politikë me ndonjë ideal, ose largohet i dëshpëruar, ose bëhet pjesë e të njëjtit mekanizëm. Politika i gëlltit të gjithë dhe kush nuk pranon të përkulet, përjashtohet.

Në fund të fundit, në një sistem të ngritur mbi heshtje, frikë dhe marrëveshje nën tavolinë, politika dhe sinqeriteti, dy rrugë që vështirë takohen, mbeten në anë të kundërta të një realiteti që po na mbyt dita-ditës. A.S

Kush jemi ne shqiptarët

Shkruan Avni Selmani

Është ndër pyetjet më të vështira që mund të bëjmë, e megjithatë asnjëherë më të nevojshme se sot. Sepse duket sikur kemi harruar kush jemi, nga kemi ardhur dhe çfarë kemi kaluar si popull. Duket sikur jemi lodhur nga vetja dhe po e harrojmë çmimin e lirisë që dikur e ëndërronim si të shenjtë. Sot është koha për të parë veten pa iluzione, por me përgjegjësi. Kjo pyetje nuk kërkon përgjigje të shpejtë, kërkon vetëdije.

Këtë pyetje e bartim me vete, herë me krenari të tepruar, herë me një ndjenjë faji kolektiv që s’e kemi merituar. Jemi një popull me një trashëgimi të lashtë, por shpesh harrojmë të sillemi si bij të saj.

Jemi të përçarë, por të bashkuar në vuajtje. Sa herë kemi qenë më të fortë se padrejtësia, kemi qenë bashkë. Sa herë kemi pasur mundësi të ndërtojmë vetveten, jemi ndarë mes veti. Jo nga ligësia, por nga mungesa e durimit për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të pranuar dallimin.

Jemi krenarë për të shkuarën, por shpesh të hutuar për të tashmen. Jemi ata që mbrojtëm gjuhën me jetë, por që sot e zëvendësojmë me fjalë të huaja. Ata që duam të ecim përpara, por që shohim më shumë përreth sesa brenda vetes.

Na thanë se nuk jemi evropianë, por harruan se ishim këtu kur Evropa ende nuk e njihte vetveten. Tentuan të na dëbojnë nga Evropa, por i mbijetuam çdo perandorie, pa harruar kush jemi. Na quajtën me bisht, por nuk panë se mbi atë bisht mbajtëm barrën e historisë dhe qëndruam në këmbë kur shumë të tjerë u rrëzuan.

Jemi mikpritës, por shpesh të dyshimtë ndaj njëri-tjetrit. Të lidhur me zakone të hershme, por me një ndjenjë të thellë nderi. Kemi lindur mes maleve dhe kemi mësuar të durojmë, por durimin nuk e kemi kthyer gjithmonë në urtësi.

Edhe kur kemi qenë të varfër, kemi kërkuar respekt, jo mëshirë. Në sofrën tonë gjithmonë ka pasur vend për një mik. Kur nuk kishim libra, këndonim për të mos harruar kush jemi. Jemi rritur në durim dhe kemi ruajtur nderin mbi gjithçka. Kur vjen rreziku, dimë të bëhemi një.

Nuk jemi as më të mirë, as më të këqij se të tjerët. Por kemi diçka që shumë popuj e kanë humbur: kemi zemër. Zemrën që rreh fort për të afërmin, për të panjohurin, për të huajin që troket në derë. Zemrën që qajmë për padrejtësi që nuk na prek drejtpërdrejt, por që na djeg si të ishte e jona.

Përplasen për të treguar kush është më shqiptar, por harrojnë se shqiptaria nuk dëshmohet me fjalë, por me vepra. Kemi shumë fe dhe besime, por shqiptarinë e kemi mbi të gjitha.

Kush jemi ne shqiptarët? Ende po e mësojmë. Dhe ndoshta ky është çelësi. Të mos pretendojmë se e dimë, por të mos ndalojmë së kërkuari. Të mos harrojmë nga vijmë, por të mos mbetemi peng i së kaluarës. Të mos fshihemi pas flamurit, por ta mbajmë atë në zemër. Jo për të goditur tjetrin, por për të ngritur veten.

Ne nuk kemi ecur mbi qilima, por mbi plagë. Nuk jemi rritur me dorë të butë, por me duar që kanë mbajtur armën, librin, gurin dhe shpresën. Kemi qenë të shtypur, të ndarë, të nëpërkëmbur, por kurrë të humbur. Edhe kur na morën tokën, nuk na morën gjuhën. Edhe kur na mohuan të drejtën të jemi, ne mbetëm. Kjo është dëshmia më e madhe se kush jemi.

Nuk kemi pasur shtet, por kemi pasur atdhe. Nuk kemi pasur pushtet, por kemi pasur krenari. Dhe ndonëse sot jemi të lirë në letër, liria jonë më e vërtetë është ruajtja e vetvetes.

Identiteti ynë nuk është i shpikur, por i mbijetuar. Është ruajtur në këngë, në zakone, në heshtje, në qëndresë. Dhe mbijetesën nuk na e fali askush. E paguam me kohë, me jetë, me gjak. Por nuk u shitëm kurrë.

Prandaj kjo pyetje nuk ka një përgjigje të vetme. Por ka një themel të pathyeshëm: jemi ata që i mbijetuam gjithçkaje, pa u shuar si popull. Dhe ky është një borxh që e kemi jo vetëm ndaj të shkuarës, por edhe ndaj së ardhmes.

Sot politika ka harruar nga kemi ardhur. Dikur e kishim ëndërr një shtet tonin, sot e sabotojmë vetë. Në vend që të ndërtojmë, bllokojmë gjithçka për interes. Shteti është kthyer në teatër për pushtet, jo në shërbim të popullit.

Por askush nuk ka të drejtë të kalojë mbi atë që kemi ndërtuar me gjak. Sepse edhe pa shtet, edhe pa liri, edhe pa tokë, ne e kemi ruajtur identitetin. Kemi qenë popull me gjuhë, me dinjitet, me zemër dhe me kujtesë. Edhe në robëri kemi qenë të lirë në shpirt. Dhe kjo është ajo që na dallon prej të tjerëve.

Bashkimi sot nuk është dëshirë, është nevojë. Dhe nëse nuk zgjohemi tani, nesër mund të mos kemi as kujt t’i themi kush jemi ne shqiptarët.

Dhe nëse sot do të na shikonin ata që sakrifikuan gjithçka, ndoshta do të ndiheshin krenarë që kemi një flamur të lirë, një gjuhë pa frikë. Por bashkë me krenarinë, do të na shikonin me mall e me lutje. Do të na thoshin të mos e prishim me duart tona atë që ndërtuan me mund. Të jemi bashkë, të mos e kthejmë lirinë në përçarje, por shtetin në strehë të përbashkët ku ndërtohet e ardhmja. Sepse amaneti i tyre nuk ishte vetëm të çliroheshim, por të qëndronim si popull me kujtesë, me dinjitet dhe me zemër.A.S

Pse aktori Jeton Zogjani zgjodhi ta njollosë publikisht Enver Petrovcin?

Shkruan Avni Selmani

Së fundmi, aktori Jeton Zogjani publikoi një fotografi të profesorit dhe aktorit të mirënjohur Enver Petrovci me kryeministrin, duke nxitur komente fyese dhe denigruese ndaj profesorit. Edhe më i rëndë bëhet ky veprim publik i qëllimshëm, në një kohë kur Enver Petrovci meriton më shumë se kurrë respekt dhe ndjeshmëri, jo përçmim.

Kjo nuk është gafë. Nuk është as naivitet. Është një veprim i ndërgjegjshëm, i qëllimshëm dhe i ulët. Kur një njeri me qasje publike vendos t’ia hedhë masës një figurë të nderuar të kulturës sonë, duke e nxitur turmën të derdhë vrer e përbuzje, nuk kemi të bëjmë me humor apo ironi, por me një sulm të pastër dhe të qëllimshëm. Dhe aq më i rëndë kur vjen nga dikush që e quan veten “aktor”.

Enver Petrovci nuk është një emër dosido. Ai është një njeri që i ka kushtuar jetën teatrit, filmit dhe edukimit të brezave të rinj. Një personalitet që ka ndërtuar, formuar dhe frymëzuar me dhjetëra vepra dhe me qindra studentë, të cilët sot janë emra të respektuar të skenës sonë, dhe që kanë kaluar përmes fjalës, skenës dhe përkushtimit të tij.

Në këto ofendime nuk kemi të bëjmë me mendime ndryshe, por me një shpërthim të neveritshëm fyerjesh personale, gjuhe urrejtjeje dhe etiketimeve të rënda, që e përshkruajnë Petrovcin me terma të turpshëm dhe denigrues që nuk meritojnë as të përsëriten. Nuk është debat. Është linçim.

Dhe çfarë bën Jeton Zogjani përballë kësaj? Asgjë. Nuk fshin asnjë koment. Nuk dënon askënd. Nuk reagon. Përkundrazi, miratim ndaj fyerjeve. Ai mund të thotë se nuk i kontrollon komentuesit, por kjo nuk është e vërtetë. Sepse kur ti je ai që ndez zjarrin dhe qëndron aty duke parë të digjet dikush tjetër, ti nuk je më spektator. Je zjarrvënësi. Dhe ky zjarr nuk ka të bëjë me lirinë e shprehjes, por me shkatërrimin e dinjitetit të një njeriu.

Në fund të ditës, Zogjani nuk e bëri rastësisht këtë veprim. Ai e zgjodhi vetë. E zgjodhi të heshtë, të mos ndërhyjë dhe ta kthejë emrin e Enver Petrovcit në objekt fyerjesh. Dhe me këtë zgjedhje, ai nuk qëndron në krahun e atyre që nderojnë, por në radhën e atyre që baltosin, përbuzin dhe poshtërojnë.

Profesori Enver Petrovci nuk ka nevojë për “bodyguard medial”. Ai flet vetë me veprën, me jetën dhe me kontributin e tij. Por jemi dëshmitarë se jo rrallë ai është bërë objekt linçimi publik, shpesh pa asnjë shkak tjetër përveç qëndrimeve të tij të lira. Reagimi im nuk është për të mbrojtur një emër që nuk ka nevojë të mbrohet, por për të refuzuar një praktikë që nxit urrejtje dhe përçarje në publik. Sepse ka momente kur heshtja nuk është neutralitet, por shmangie nga përgjegjësia. A.S

Në këtë kaos politik, pse heshtin elita intelektuale dhe shoqëria civile

Shkruan Avni Selmani

Kosova është duke kaluar një nga periudhat më të rënda të pasluftës. Institucionet janë të bllokuara, klasa politike ka humbur busullën dhe çdo ditë që kalon e thellon edhe më shumë krizën. Është e pashpjegueshme që të mos konstituohet Kuvendi, pikërisht tani kur vendi, si kurrë më parë, ka nevojë për një unitet kombëtar, sidomos në këtë udhëkryq të madh gjeopolitik ku ndodhemi. Si është e mundur të ndodhë kjo në një vend që ende nuk e ka ndërtuar mirë stabilitetin e brendshëm dhe po përballet me trysni të jashtme nga çdo drejtim. Në një kohë kur vendi ka nevojë më shumë se kurrë për seriozitet dhe përgjegjësi, klasa politike sillet sikur ka kohë për pazare dhe për inate personale. Dhe ndërkohë, vendi po shkon drejt një krize që nesër mund të ketë pasoja të mëdha

Në këtë situatë, do të ishte më se e natyrshme të pritej që të fliste elita e intelektualëve, ata që kanë dije, peshë morale dhe përgjegjësi publike. Por ajo që ndodh është e kundërta. Elita intelektuale dhe shoqëria civile heshtin, sikur gjithçka që po ndodh nuk i përket, sikur nuk është ky vendi i tyre që po shembet dita ditës.

Një pjesë e elitës intelektuale është në varësi të drejtpërdrejtë nga politika. Vende pune të siguruara, kontrata të qëndrueshme, privilegje të vogla që ua kanë blerë qetësinë. Ata që dikur ishin të zëshëm, sot nuk flasin më, sepse i ka zbutur klasa politike.

Të tjerë intelektualë janë dorëzuar. Janë lodhur nga pritjet, nga zhgënjimet, nga një realitet që duket i pandryshueshëm. Kanë humbur besimin se fjala e lirë mund të sjellë ndryshim. Për ta, heshtja është mbrojtje, tërheqje, largim nga përgjegjësia. Por të tërhiqesh në kohë të vështira nuk është as mençuri, as neutralitet është dorëzim.

Madje as Akademia e Shkencave dhe e Arteve, që në parim duhet të jetë institucioni më i lartë i dijes dhe i ndërgjegjes kombëtare, nuk po e përmbush rolin e saj. Asnjë reagim, asnjë qëndrim, asnjë thirrje publike. Heshtje totale, në një kohë kur fjala e saj do të duhej të kishte peshë. Një institucion që duhej të udhëhiqte me fjalën ka rënë në gjumë të thellë, i painteresuar për gjendjen dhe situatën e krijuar.

Pavarësisht arsyeve për heshtjen, pasojat janë të mëdha. Vendi dhe populli pësojnë. Sepse kur mungon reagimi intelektual, hapet rruga për abuzim, për mashtrim, për rrënim.

E njëjta heshtje vjen edhe nga shoqëria civile që dikur përfaqësonte zërin e qytetarit, mbikëqyrjen ndaj pushtetit, reagimin ndaj padrejtësisë. Organizata që dikur protestonin, sot janë heshtur në projekte dhe raporte. Janë kthyer në mekanizma të mbyllur që operojnë brenda vetes, larg realitetit të popullit. Heshtja e saj është edhe më zhgënjyese, sepse vjen nga struktura që janë ndërtuar për të folur.

Dhe në fund, hesht edhe populli. I lodhur nga premtimet, i thyer nga zhgënjimet, ai ka rënë në një lloj dorëzimi kolektiv. I shikon të gjitha, i kupton të gjitha, por nuk reagon. E pranon padrejtësinë si normalitet, e pranon krizën si fat, e pranon pushtetin si të pakontestueshëm. Përderisa në vendet e zhvilluara, nëse për disa cent shtrenjtohet rryma apo ushqimi, qytetarët reagojnë menjëherë, tek ne klasa politike mund të bëjë çfarë të dojë dhe askush nuk reagon.

Kjo heshtje e përgjithshme është më e rrezikshme se çdo krizë institucionale. Sepse kur heshtin të gjithë, padrejtësia bëhet rregull. Dhe kur të vijë dita e fundit, nuk do të mund të themi se nuk e dinim, por se e dinim dhe heshtëm. A.S

Mediat në Kosovë të ndara mes të ‘tonave’ dhe të ‘atyre’

Shkruan Avni Selmani

Në një shoqëri të lirë dhe demokratike pritet që mediat të jenë të pavarura, të paanshme dhe të vendosin interesin e publikut mbi interesat politike. Por realiteti në vendin tonë shpesh tregon të kundërtën. Kemi media që nuk e fshehin anën e tyre politike, disa rreshtohen haptazi pas pozitës, ndërsa të tjerat bëjnë të njëjtën me opozitën. Kjo ndarje nuk vjen rastësisht, as nuk është një dukuri e re, por është bërë më e dukshme dhe më e theksuar në vitet e fundit

Sot nuk është e nevojshme ta dëgjosh një lajm deri në fund për të kuptuar se çfarë qëndrimi do të mbajë media. Mjafton të shohësh logon apo emrin e saj dhe menjëherë e di nëse lajmi do të sulmojë apo do të mbrojë. Nuk ka më as përpjekje për të fshehur anshmërinë. Dhe kur ndodh kjo, mediat nuk janë më burime informacioni por funksionojnë si zëdhënës të politikës jo si media të pavarura

Kjo gjendje ka sjellë një pasojë të rëndë. Mediat nuk e pranojnë të vërtetën nëse ajo vjen nga pala kundërshtare. Nëse kryeministri bën diçka të mirë, mediat që janë kundër tij heshtin. E njëjta ndodh edhe me opozitën. Nuk vlerësohet ajo që është e drejtë, por ajo që u shkon për shtat atyre që e mbështesin.

Dikur mund të thuhej se kjo vinte nga pushteti aktual ose mungesa e guximit. Sot nuk është më çështje guximi sepse tashmë mund të thuash çfarë të duash. Çështja është interesi. Nëse një opinionist hesht, sulmon apo lavdëron, ai nuk e bën këtë sepse ka frikë por sepse ka interes. Dhe ky interes është i formave të ndryshme

Kështu publiku përballet me një realitet ku lajmet janë kthyer në qëndrime të njëanshme

Edhe më shqetësuese është mungesa e reagimit nga vetë asociacionet e mediave. Ato shpesh heshtin kur mediat bëhen të njëanshme, sepse nuk duan të prishin raportet me ndonjërën palë apo thjesht nuk e kanë guximin të mbajnë qëndrim të drejtë. Në vend që të mbrojnë standardin dhe qytetarin, zgjedhin të mos thonë asgjë

Si pasojë e këtyre parregullsive, kjo gjendje pasqyrohet edhe në Indeksin e fundit të Lirisë së Mediave. Kosova është renditur në vendin e 99, duke rënë për 45 vende. Kjo nuk është thjesht një numër, por një pasqyrë e qartë e realitetit që kemi lejuar të krijohet. Dhe kjo është ndoshta gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një vendi që pretendon të jetë demokratik

Në këtë gjendje rruga e kthimit nuk është e lehtë por duhet të fillojë nga vetë qytetari. Duke mos pranuar më të jetë konsumues pasiv i propagandës por kërkues aktiv i së vërtetës. Duke mos pranuar që mediat të ndahen në “tonat” dhe “të atyre” por duke u kërkuar të gjithave që të jenë profesionale, të drejta dhe të ndershme. Sepse kur media vendos të mbajë anë, e vërteta mbetet pa u treguar. Dhe pa të as demokracia nuk mund të ecë përpara. A.S

Kinematografia e Kosovës, pse nuk kemi një film që do të tregonte se kush jemi?

Shkruan Avni Selmani

Kinematografia e një vendi është pasqyrë e historisë, kulturës dhe sakrificave të tij.
Kosova është një vend me histori të rëndë dhe përplot ngjarje që kanë lënë gjurmë në shoqërinë tonë. Mungesa e një filmi që me sinqeritet e pasqyron atë që kemi kaluar si popull, tregon një zbrazëti të madhe në përfaqësimin tonë kulturor dhe historik.

Gjatë ish sistemit, u krijuan disa filma, por ata ishin të censuruar dhe të kontrolluar, pa mundësi për të treguar të vërtetën tonë. Sot, që kemi shtetin dhe lirinë për të treguar vetveten, kjo ende nuk po ndodh.

Si popull i vjetër dhe autokton në këto troje, ne kemi shumë tema që lidhen me identitetin tonë. Si Kanuni, me të cilin kemi jetuar për shekuj. Në të ruhen rregulla për nderin, mikpritjen, drejtësinë, por edhe përballje të vështira me jetën. Kemi edhe shumë tema të tjera që do të ishin realizuar në filma të suksesshëm, sidomos ngjarjet e fundit janë nga më të rëndësishmet në historinë tonë të afërt. Ato kanë lënë gjurmë të thella në mendjen e popullit tonë dhe meritojnë të tregohen me kujdes dhe dinjitet, dhe shumë tema tjera që i japin kuptim jetës sonë dhe na tregojnë si popull.

Janë bërë disa filma dhe dokumentarë, janë prekur tema dytësore, por mungon ende një vepër filmike e madhe, një film që me forcë artistike, sinqeritet emocional dhe mjeshtëri regjisoriale t’i tregojë botës se çfarë kemi kaluar si popull. Një film që jo vetëm rrëfen, por lë gjurmë.

Por për të realizuar një film të tillë, me standarde të larta dhe të denjë për skenën ndërkombëtare, duhet para së gjithash një buxhet i madh, përkrahje e pakushtëzuar shtetërore dhe vullnet i qartë institucional, gjëra që, fatkeqësisht, nuk i kemi pasur kurrë.

Sot kemi artistë, regjisorë, skenaristë e aktorë të talentuar që mund të sjellin një film të denjë për t’u treguar edhe jashtë vendit. Madje, për të tërhequr më shumë vëmendje, pse të mos përfshihet edhe ndonjë emër i njohur nga bota, që do t’i jepte jehonë dhe përhapje filmit?

Shumë vende kanë ditur të tregojnë veten përmes filmit. Boshnjakët fituan çmimin Oscar për një film që tregoi dhimbjen e tyre. Edhe çekët, edhe ukrainasit, madje edhe vende që nuk kanë përjetuar luftë, i kanë treguar historitë e tyre me sinqeritet dhe përkushtim. Ne, për fat të keq, nuk e kemi bërë ende.

Një film i tillë nuk do të ishte vetëm rrëfim për të kaluarën, por edhe një pasqyrë për veten që duam të ndërtojmë si shoqëri. Ai do të ndihmonte jo vetëm në ruajtjen e historisë sonë dhe në edukimin e brezave të rinj, por mbi të gjitha për t’ia treguar botës sakrificat dhe të vërtetën e gjithë asaj që kemi kaluar. Një nismë e tillë kërkon guxim, përgjegjësi, buxhet të madh, përkrahje shtetërore dhe institucionale dhe mbi të gjitha vullnet. Kjo është edhe një kërkesë që institucionet të reflektojnë për një vepër të madhe, por edhe nga ne si shoqëri që kërkojmë t’ia tregojmë botës historinë tonë nëpërmjet artit. A.S

Enver Petrovci  “Të vranë bukuri”

Shkruan Avni Selmani

Enver Petrovci është një nga figurat më të veçanta të artit shqiptar. Ai nuk është vetëm aktor i njohur, por edhe këngëtar dhe bashkautor në disa prej veprave të tij. Talenti i tij është i gjerë dhe i dalluar në shumë drejtime.

Kënga “Të vranë bukuri”, me të cilën ishte paraqitur në Festivalin e 53-të të Këngës në RTSH, nuk ishte thjesht një këngë. Ajo ishte një shprehje e pakënaqësisë së tij ndaj pushtetit, i cili i kishte mbyllur Akademinë “Teatri i Babës”, një institucion që ai e kishte themeluar pa ndihmën e askujt. Nga kjo akademi kishin dalë kuadro dhe artistë të mëdhenj, të cilët më vonë përfaqësuan me dinjitet skenën shqiptare. Me këtë këngë, Petrovci kishte folur për një padrejtësi që e kishte prekur thellë.

Ai gjithmonë ka qenë i sinqertë, ka folur hapur dhe me guxim, si në skenë ashtu edhe jashtë saj. Përmes artit, ai vazhdon të tregojë të vërtetën dhe të mbrojë vlerat që i beson. Dhe pikërisht për këtë, ai mbetet një zë i rëndësishëm në kulturën tonë. A.S

Kur liria e shprehjes keqpërdoret

Shkruan Avni Selmani

Sot jetojmë në një kohë kur fjala është bërë më e lirë se kurrë më parë, por njëkohësisht më e pavlerë. Mendimi nuk matet më me peshën që ka, por me bujën që bën. Kushdo që ka një tastierë, një telefon apo një mikrofon ndjehet i lirë të flasë për gjithçka dhe për këdo, pa dije, pa përgjegjësi dhe pa fakte. Liria e shprehjes, që dikur ishte mjet për të luftuar padrejtësinë, sot përdoret si mburojë për banalitet, arrogancë, shpifje dhe mungesë karakteri. Mjafton të thuash “është mendimi im personal” dhe menjëherë krijohet një arsytim për të mos dhënë llogari. Po a është vërtet mendim çdo fjalë që thuhet? Apo kemi filluar ta ngatërrojmë fjalën e lirë me fjalën e vërtetë?

Dikur fjala kishte peshë. Kishte turp, kishte vetëpërmbajtje, kishte përgjegjësi. Njerëzit nuk flisnin kot, sepse fjala lidhej me nderin. Rrethi, familja dhe komuniteti ishin pasqyrë e vlerave. Fjala matej me ndërgjegje, jo me klikime. Gjykimi moral nga të tjerët ishte dënimi më i madh. Sot kjo pothuajse nuk ekziston më. Në emër të lirisë së shprehjes fyhet pa arsye, sulmohet pa fakte, përçmohet pa argumente dhe lavdërohet padituria. Mendimi i matur nuk vlerësohet, fjala e mençur shpërfillet dhe heshtja me dinjitet duket si dobësi. Shoqëria është kthyer në një vend ku sa më shumë mllef të shprehësh, aq më shumë hapësirë të jepet. Në studio televizive, në rrjete sociale, në çdo hapësirë publike, zëri i ashpër dominohet mbi arsyen. Fjalët nuk peshohen më nga mendimi, por nga efekti që krijojnë në ekran.

Liria e shprehjes nuk është të thuash çka duash dhe si të duash. Është ta përdorësh fjalën me vetëdije dhe me argument. Pa këtë, ajo nuk është më liri, është një maskë për papërgjegjësinë. Dhe një shoqëri ku fjala përdoret për të lënduar dhe degraduar nuk është më liri e shprehjes, por është një keqpërdorim i saj. A.S

Fenomeni i patriotizmit dhe tradhtarit në realitetin shqiptar

Shkruan Avni Selmani

Fenomeni i ndarjes midis “patriotit” dhe “tradhtarit” është bërë një armë e fortë në debatet publike shqiptare, shpeshherë jo për të mbrojtur interesin kombëtar, por për të luftuar mendimin ndryshe. Ky fenomen ka gjetur vend sidomos nëpër studio televizive, media online dhe rrjete sociale, ku etiketa “tradhtar” është banalizuar deri në atë pikë sa thuhet me lehtësi, pa asnjë provë, pa asnjë përgjegjësi, njësoj sikur t’i thuash dikujt “mirëdita”. Në të vërtetë kjo është kthyer në një formë të ulët të komunikimit publik dhe një armë për përçarje, jo për debat.

Edhe më shqetësues është fakti se kur dikush e akuzon dikënd tjetër për tradhti, organet kompetente nuk ndërmarrin asnjë veprim. Në një shoqëri të drejtë dhe të rregulluar institucionalisht, një akuzë për tradhti duhet të kishte pasoja të qarta. Ose ai që akuzon pa asnjë bazë duhet të përgjigjet për shpifje, ose ai që etiketohet si tradhtar duhet të hetohet dhe të përballet me drejtësinë. Por në mungesë të këtij mekanizmi, gjithçka mbetet në nivelin e fjalëve, ndërkohë që publikut i serviren vetëm emocione, ndarje dhe konfuzion.

Një shembull i këtij fenomeni është rasti i kryeministrit të Kosovës. Në Kosovë, një pjesë e madhe e opozitës politike dhe e mediave e etiketojnë vazhdimisht si “tradhtar”, si njeri që punon për Serbinë apo si agjent i ndikimit rus, pa ofruar ndonjë fakt konkret që do ta mbështeste një akuzë të tillë. Ndërkohë që, në anën tjetër të kufirit, në Serbi, mediat e atjeshme e akuzojnë të njëjtin njeri për të kundërtën, si nxitës destabiliteti, si nacionalist ekstrem, si kërcënim për interesat e Serbisë dhe si përkrahës i projektit të “Shqipërisë së Madhe”. Pra, ndërkohë që në Kosovë quhet tradhtar, në Serbi etiketohet si rrezik nacionalist. Ky kontrast i skajshëm e thellon edhe më shumë konfuzionin te qytetari i zakonshëm. Fatkeqësisht, njerëzit e krijojnë bindjen e tyre më shumë nga ato që u thuhen vazhdimisht, sesa nga ajo që është e vërtetë.

Sot, në vend që të punojmë së bashku dhe të kemi unitet, sidomos në një kohë me zhvillime të mëdha gjeopolitike, jemi gjithnjë e më të ndarë, të dyshimtë dhe të përçarë. Debatin e hapur e kemi zëvendësuar me etiketime dhe akuza të pavërteta. Në vend të fakteve, na rrethojnë pasiguria dhe dyshimet. Ajo që e përkeqëson edhe më shumë këtë gjendje është mungesa e besimit. Qytetarët nuk e dinë më se kujt t’i besojnë. Dhe kur humbet kjo ndjenjë e përbashkët, humb gjithçka tjetër. Sepse pa të, nuk mund të ketë as drejtësi, as stabilitet, as të ardhme. A.S

Debatet televizive aty ku gazetarët shndërrohen në analistë

Shkruan Avni Selmani

Në vitet e fundit, studiot televizive shqiptare janë kthyer nga hapësira informimi në një skenë spektakli. Në vend të një debati të vërtetë, kemi përplasje të sajuara, tensione të panevojshme dhe figura që luajnë role të shumëfishta për të zënë sa më shumë hapësirë në ekran. Ajo që mungon gjithnjë e më shumë është profesionalizmi. Dhe më shqetësuesja, mungon e vërteta.

Sipas rregullave bazë të etikës profesionale, gazetari duhet të qëndrojë i paanshëm, të raportojë me saktësi dhe të mos bëhet pjesë e qëndrimeve politike apo ideologjike. Tani, shumë prej tyre janë shndërruar në “analistë” të përhershëm, të pozicionuar politikisht, me tone të ashpra, që më shumë po ndikojnë sesa informojnë. Kur gazetari mban anë në vend që të mbajë qëndrim profesional, nuk kemi më media, por propagandë e paketuar si debat.

Por më problematike se kaq janë ata që e quajnë veten “analistë”, e në fakt janë shfaqje më vete, njerëz që çdo mbrëmje dalin në ekran dhe flasin me autoritet për gjithçka. Nuk ka fushë që nuk e njohin, nga ekonomia globale te historia botërore, nga vaksinat te konflikti në Lindjen e Mesme, nga politika amerikane te ligji zgjedhor në Shqipëri. Janë “ekspertë universale” që do t’i kishte zili edhe Google-i.

Disa prej tyre janë bërë pjesë e pandashme e studios, të pranishëm pavarësisht se çfarë po diskutohet. Të njëjtat fytyra, të njëjtat mendime, e njëjta vetëbesim i tepruar. Ata dinë çfarë ka bërë gabim presidenti amerikan, çfarë ka në mendje kryeministri, çfarë do ndodhë nesër me çmimin e naftës dhe pse je ti me tension të ulët. Dhe kur mbarojnë batutat e lodhura politike, kalojnë në rolin e humoristit. Sepse edhe të qeshësh në studio është pjesë e performancës.

Ndërkohë, analistët e vërtetë që dinë, ekspertët e fushave, profesorë, mjekë, ekonomistë, shkencëtarë janë lënë pas dore. Janë shumë “të qetë” për televizionin, shumë “të mërzitshëm” për publikun që ka nevojë për konflikt, jo për sqarim. Dhe kështu, vendin e dijes e ka zënë vetëbesimi. Vendin e argumentit e ka zënë emocioni. Vendin e të vërtetës, opinioni.

Në këtë kaos mediatik, televizioni po e humb funksionin e tij informues dhe po shndërrohet në një skenë spektakli. Nëse nuk kthehemi te profesionalizmi dhe përmbajtja, do të vazhdojmë të dëgjojmë shumë, por të kuptojmë shumë pak. A.S

Kush e vrau pikturën

Shkruan Avni Selmani

Instalacioni i mikut tim, Driton Hajredini, “Kush e vrau pikturën” nuk është vetëm një titull provokues, por një pyetje që të bën me menduar thellë për rrugën që ka bërë arti te ne pas luftës. Me shumë ndjeshmëri, ai sjell përmes kësaj vepre transformimin e tij si artist, nga një piktor i përbetuar në dikënd që eksploron forma të reja të shprehjes artistike.

Kjo vepër nuk flet vetëm për ndjenjat e tij personale ndaj pikturës, por edhe për një periudhë të tërë ku arti në Kosovë po kërkonte mënyra të reja për t’u shprehur. Përmes këtij instalacioni, Dritoni e ka sfiduar veten dhe njëkohësisht ka dhënë një mesazh të fortë për të gjithë ne që e duam artin.

Përndryshe, Dritoni është i njohur për këtë mënyrë të shprehjes artistike. Ndër veprat e tij është video-performanca “SIN”, ku ai shtjellon çështje të identitetit dhe paragjykimit përmes një bisede me një prift në një kishë gjermane, ku rrëfimi bëhet përmes një ndarjeje, pa u parë sy më sy, duke e pyetur nëse është mëkat të jesh shqiptar. Po ashtu, ai ishte pjesë e Manifesta 14 në Prishtinë, me një ndërhyrje artistike që trajtonte kufijtë, izolimin dhe përvojat e refugjatëve, tema që prekin thellë realitetin tonë shoqëror.

Më vjen mirë që kjo vepër po hap një hapësirë të re si Reporting House Gallery dhe po merr vëmendjen që e meriton. Sepse arti i mirë, edhe kur ndryshon formën, gjithmonë mbetet i gjallë. A.S

Gjuha shqipe pse po e prishim gjuhën tonë?

Shkruan Avni Selmani

Gjuhën shqipe u munduan ta zhdukin që nga osmanët e deri te të tjerët që erdhën pas tyre. Por ne e ruajtëm, nuk lejuam të na e copëtonin. Edhe pse në treva të ndryshme kemi dialekte dhe …izma të ndryshëm, kur shkruajmë dhe flasim shqip, fjala jonë nuk i ngjan asnjë gjuhe tjetër. Kjo do të thotë se kemi një gjuhë të vjetër dhe të veçantë, por për fat të keq, kemi filluar ta prishim vetë duke futur fjalë të huaja që nuk na duhen, sikur shqipja të jetë e vjetruar dhe duhet “modernizuar”.

Dikur, kur dikush fliste qartë dhe kuptohej lehtë, thoshim se flet rrjedhshëm. Sot themi se është koherent, sepse ashtu gjëja se tingëllon më “inteligjent”. Më parë, kur dikush përpiqej të frikësonte dikënd, e quanim kërcënim, por jo, tani duhet të duket më serioze dhe e quajmë intimidim. Nëse dikush nuk pajtohej me ne, ishte kundërshtar, por kjo s’na duket mjaft elegante, ndaj tani themi oponent. Sepse, po të thuash “kundërshtar”, nuk dukesh sikur ke mbaruar shkollën jashtë!

Ja kështu, pa e kuptuar, po i bëjmë vetes keq. Po e kthejmë shqipen në një përzierje pa kuptim, një gjuhë që nuk dihet më çfarë është. Në kafe, në zyrë, në televizion… më parë flisnim, tani artikulojmë. Më parë mendonim, tani reflektojmë. Më parë bënim diçka, tani implementojmë strategji. Sepse një “strategji e implementuar” tingëllon demek më e rëndësishme se sa një “plan i zbatuar”.

Ne i kemi fjalët tona, por na duken si këpucë të vjetra: të rehatshme, por jo moderne. Tani nuk ka më të drejtë apo gabim, por opinion subjektiv. Asgjë nuk është më e qartë, por transparente. Askush nuk është më punëtor, por operator. Po na ikën edhe gjuha, pak nga pak, duke mos e vënë re fare.

E kur e sheh këtë gjendje, të vjen në mend Fishta, që do të na shante po të ishte gjallë. Por jo vetëm ai. Imagjinoni nëse do të zgjoheshin rilindasit, Naimi, Samiu apo De Rada…
Do të mjaftonte një fjali prej tyre, ndoshta me ironi dhe ndonjë vështrim i ftohtë.
Do të thoshin:
“Për këtë u flijua Rilindja Kombëtare? Që të flisni me fjalë të huaja e të mos kuptoni më veten?”

Pra, ne që dikur e ruanim gjuhën si gjënë më të shtrenjtë, sot po e lëmë pas dore. Ndërsa vendet e tjera e mbrojnë gjuhën e tyre, ne po e mbushim me fjalë të huaja. Mos të çuditemi kur të vijë dita që të mos themi më humbje e gjuhës, por degradim i strukturës gjuhësore, se ashtu tingëllon demek më “shkencërisht”.

Dita ditës, sa më shumë që duam të dukemi të mençur, aq më shumë bëhemi qesharakë.
Kështu, gjuhën që e ruajtëm për shekuj me mund, po e prishim vetë.
Dhe po vazhduam kështu, nesër nuk do ta kuptojmë më as veten.

Sepse gjuha shqipe nuk është thjesht vetëm mjet komunikimi, por pasqyra, kultura dhe rrënjët e identitetit tonë kombëtar. A.S

Përçarjet politike, pse asnjëherë gjatë historisë nuk kemi pasur një qeveri unifikuese?

Shkruan Avni Selmani

Shqiptarët, ndryshe nga shumë popuj të tjerë, asnjëherë nuk kanë arritur të krijojnë një qeveri për shpëtimin kombëtar në momentet kyçe të historisë. Përçarja dhe rivalitetet e brendshme kanë qenë gjithmonë të pranishme, duke bërë që në situata kritike vendimet të mos merren me një vizion të unifikuar kombëtar. Që nga periudha osmane, kur shqiptarët ishin të ndarë në vilajete dhe principata të ndryshme, e deri te shpallja e pavarësisë në 1912, ku edhe atëherë mungoi një unitet i fortë politik, historia ka treguar se shqiptarët rrallëherë kanë vepruar me një strategji të përbashkët. Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, përçarja mes nacionalistëve të Ballit Kombëtar dhe komunistëve bëri që shqiptarët të humbnin mundësinë për një organizim të përbashkët kombëtar.

Lufta e fundit në Kosovë ishte një moment i rëndësishëm për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, e cila do të kishte qenë vendimtare për të siguruar jo vetëm mbijetesën e popullit, por edhe një pozitë më të fortë pas çlirimit. Megjithatë, përçarjet mes fraksioneve politike dhe ushtarake brenda UÇK-së dhe FARK-ut, si dhe mungesa e një strategjie të përbashkët, penguan një koordinim më efikas në nivel diplomatik dhe ushtarak. Pas përfundimit të luftës, në vend që të krijohej një qeveri gjithëpërfshirëse dhe unifikuese që do të udhëhiqte Kosovën drejt ndërtimit të shtetit me një vizion kombëtar, lufta për pushtet u bë prioritet, duke ndikuar negativisht në zhvillimin institucional dhe në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

Sot, Kosova gjendet në një udhëkryq të rëndësishëm gjeopolitik, ku vendimet e mëdha për të ardhmen e saj po merren në tavolina ndërkombëtare. Marrëveshjet me Serbinë, integrimi në BE dhe pozicioni i Kosovës në raport me fuqitë botërore janë çështje kyçe që kërkojnë unitet politik dhe një strategji kombëtare të qartë. Për fat të keq, përçarjet politike dhe mungesa e një vizioni të përbashkët po e dobësojnë qëndrimin e Kosovës në këto procese.

Është e qartë se Kosova ndodhet në një moment vendimtar historik dhe ka nevojë urgjente për një strategji të mençur diplomatike. Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet pa një qeveri gjithëpërfshirëse dhe unifikuese, e cila të vendosë interesin kombëtar mbi ndarjet politike dhe ambiciet personale. Pa një unitet të tillë, Kosova rrezikon të mbetet e paqartë dhe e cenueshme përballë sfidave të ardhshme. A.S

Shoqëria “Josip Rela” në Podujevë: Një Trashëgimi Kulturore e Shuar Padrejtësisht

Shkruan Avni Selmani

Shoqëria Kulturore-Artistike “Josip Rela” ishte një nga institucionet më të rëndësishme të kulturës dhe artit në trevën e Llapit, duke ruajtur dhe promovuar trashëgiminë shqiptare për më shumë se pesë dekada. Themeluar në vitin 1966, ajo nisi me aktivitetin dramatik dhe më pas e zgjeroi veprimtarinë me grupin muzikor, duke u bërë një qendër e rëndësishme për zhvillimin e artit skenik dhe muzikor. Përmes shfaqjeve teatrale dhe koncerteve, shoqëria jo vetëm që ruajti dhe zhvilloi traditat kulturore, por edhe u bë një vatër frymëzimi për brezat e rinj të artistëve.

Gjatë dekadave të veprimtarisë së saj, “Josip Rela” u bë një simbol i identitetit kulturor në Llap dhe më gjerë. Ajo përfaqësoi kulturën shqiptare në festivale të ndryshme dhe mbajti koncerte në qytete të shumta brenda dhe jashtë Kosovës. Repertori i saj artistik ishte i frymëzuar nga vlerat kombëtare, duke e shndërruar këtë shoqëri në një faktor të rëndësishëm në ruajtjen dhe përhapjen e artit shqiptar. Përmes dramave dhe këngëve të saj, shoqëria ndikoi në vetëdijen kombëtare dhe artistike të komunitetit, duke e bërë artin një mjet të fuqishëm për mbrojtjen dhe promovimin e kulturës sonë.

Pavarësisht sfidave politike dhe shoqërore, “Josip Rela” mbijetoi për dekada, duke vazhduar të funksionojë edhe në kushte të vështira. Megjithatë, në vend që të përkrahej dhe të zhvillohej më tej, ajo u mbyll në mënyrë të padrejtë dhe pa asnjë shpjegim nga institucionet komunale, të cilat “nuk e kanë haberin për kulturën dhe rëndësinë e saj”. Mbyllja e kësaj shoqërie nuk ishte thjesht një vendim administrativ, por një akt shkatërrimi i qëllimshëm i një trashëgimie të ndërtuar me mund dhe përkushtim për më shumë se 50 vjet.

Është koha që institucionet përgjegjëse të reflektojnë dhe të korrigjojnë këtë padrejtësi. Kultura nuk mund të trajtohet si diçka dytësore dhe as të lihet në harresë. Shoqëria Kulturore-Artistike “Josip Rela” duhet të vazhdojë të ekzistojë, të ruajë dhe të zhvillojë vlerat që ka ndërtuar ndër vite. Kjo nuk është vetëm një çështje artistike, por një përgjegjësi e institucioneve ndaj trashëgimisë sonë kombëtare. Arti nuk shuhet, ai duhet të mbështetet dhe të ringjallet! A.S

Partitë Politike: Nga Urrejtja në Kompromis për Interes të Pushtetit

Shkruan Avni Selmani

Partitë politike në vendin tonë shpesh luajnë një lojë të pamëshirshme dhe hipokrite, duke krijuar ndasi të thella në shoqëri. Me gjuhë urrejtjeje dhe sulme personale, ato i nxisin mbështetësit e tyre të përplasen, duke e ndërtuar politikën mbi përçarje dhe manipulim. Mbjellja e frikës dhe propagandës është strategjia e tyre për të ardhur në pushtet.

Sidomos pas luftës, rivalitetet mes partive kanë qenë të egra dhe të dhunshme, duke ndarë shoqërinë në grupe të kundërta dhe duke shkaktuar edhe incidente fatale. Edhe sot, kjo përçarje vazhdon. Me ndihmën e mediave dhe rrjeteve sociale, partitë politike i paraqesin kundërshtarët si armiq të popullit, ndërsa veten si të vetmit shpëtimtarë.

Por ironia më e madhe është se, pas zgjedhjeve, armiqtë e djeshëm bëhen miq të ngushtë. Ata që dje akuzoheshin për korrupsion, paaftësi apo tradhti kombëtare, sot ndajnë pushtetin dhe postet. Koalicionet nuk ndërtohen mbi vlera dhe parime, por mbi pazare politike dhe interesa personale. Qytetarët ndihen të tradhtuar, por zëri i tyre nuk dëgjohet më.

Dhe kështu, realiteti përsëritet çdo katër vjet. Politikanët që dje nxisnin urrejtje, sot buzëqeshin dhe shtrëngojnë duart në emër të “bashkëpunimit”. Të njëjtat fytyra, të njëjtat premtime, të njëjtat gënjeshtra. Populli mbetet spektator, duke parë sesi ata që u betuan për ndryshim, mbyllen në zyrat e pushtetit dhe ndajnë privilegjet.

Pas fushatës, votuesit harrohen. Askush nuk i pyet më për hallet e tyre, askush nuk u përgjigjet më. Dhe kur afrohen zgjedhjet e radhës, gjithçka nis nga e para. Po të njëjtët politikanë, të njëjtat fjalë të mëdha, e njëjta lojë e vjetër.

Dhe ne vazhdojmë të besojmë, vazhdojmë të presim një ndryshim që nuk vjen kurrë. Sepse për sa kohë që nuk kërkojmë llogari, ata do të vazhdojnë të luajnë me ne.

Apo, si në Big Brother, do të na thonë: “Ishte vetëm lojë”…?

Shihemi në sezonin e ardhshëm. A.S

Mediat në Kosovë, një Ngjarje, dy të vërteta

Shkruan Avni Selmani

Në këto ditë fushate pamë përplasje të ashpra, opinione të kundërta, akuza dhe manipulime. Shumë media u rreshtuan në anë të ndryshme, duke e paraqitur realitetin sipas interesave të tyre. Një kandidat, në një medium, shihej si shpëtimtari i vendit, ndërsa në një tjetër si kërcënimi më i madh për shtetin. E njëjta ngjarje, në një portal cilësohej si skandal kombëtar, ndërsa në një tjetër nuk përmendej fare. Kjo nuk është gazetari, është përpjekje për të ndikuar në opinionin publik.

Shumë media në Kosovë nuk po informojnë, por po manipulojnë. Nuk ofrojnë fakte, por krijojnë opinione sipas interesave të caktuara. Pas shumë mediumeve qëndrojnë grupe interesi që na imponojnë çfarë duhet të lexojmë. Nuk raportojnë atë që ndodh, por atë që u leverdis. Dhe ne, shpesh pa e kuptuar, ndahemi në dy pozicione, duke mbrojtur “të vërtetat” që na janë servirur.

A janë mediat në Kosovë të lira dhe të pavarura? Liria ekziston, por shpesh përdoret për të ndjekur interesa të caktuara, ndërsa pavarësia shndërrohet në varësi nga grupet e interesit. Kjo krijon një ambient ku e vërteta nuk mohohet, por humbet midis shumë versioneve që i shërbejnë agjendave të ndryshme.

Megjithatë, jo të gjitha mediat janë të njëjta. Ka gazetarë profesionistë dhe media të pavarura, por në një hapësirë të mbushur me të pavëteta, shpesh është e vështirë të dallosh të vërtetën nga gënjeshtra. Në këtë kaos informativ, e vërteta mbetet në hije, e humbur mes interesave dhe perceptimeve të ndikuara. Dhe ndoshta sfida më e madhe sot nuk është të gjejmë informacion, por të dallojmë të vërtetën nga propaganda. A.S

Enis Presheva – Një Rrugëtim mes Muzikës dhe Besimit

Shkruan Avni Selmani

Enis Presheva është një nga emrat më të njohur në botën e muzikës shqiptare, i njohur për kontributin e tij të madh në industrinë muzikore. Ai ka bashkëpunuar me disa prej artistëve më të mirë të vendit, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë muzikore. Enisi, ka ndjekur studimet në akademitë më të njohura në Austri, duke u formuar profesionalisht si kompozitor dhe muzikant. Me njohuri të avancuara në fushën e muzikës, ai u specializua edhe në programin e njohur “Pro Tools” në Londër dhe punët rreth inçizimit, miksimit, dhe masterizimit në studiot muzikore, duke e ngritur nivelin e tij artistik në përmasa të larta profesionale. Puna e tij ka qenë e njohur jo vetëm brenda kufijve të vendit, por edhe jashtë tij, ku ka bashkëpunuar me artistë dhe muzikantë të njohur. Kontributi i tij në prodhimin dhe përpunimin e muzikës ka ndihmuar në ngritjen e cilësisë së artit muzikor shqiptar.

Enis Pesheva

Pavarësisht suksesit të tij në muzikë, Enisi vendosi të ndërpriste karrierën muzikore për arsye të besimit të tij në Islam. Ky vendim i tij ishte një zgjedhje personale dhe shprehje e devotshmërisë ndaj fesë, duke e vendosur atë në një rrugë të re të jetës së tij. Besimi i tij në Islam u bë një pjesë e rëndësishme e identitetit të tij dhe një udhërrëfyes në vendimet e tij personale dhe profesionale. Ai ka ndarë përvojat e tij dhe është përpjekur të frymëzojë të tjerët përmes shembullit të tij të devotshmërisë dhe etikës së lartë.

Megjithatë, ky ndryshim nuk e ka ndaluar atë të vazhdojë të jetë aktiv dhe i suksesshëm në fusha të tjera. Sot, ai është një ndërmarrës i suksesshëm që merret me teknologjinë e informatikës, duke përshirë zhvillimin dhe integrimin e pajisjeve teknologjike moderne. Përkundër vendimeve të tij personale dhe profesionale, Enisi ka mbetur i njëjti njeri që gjithmonë ka poseduar vlera të larta njerëzore. Ai vazhdon të jetë një figurë e respektuar në shoqëri, duke dhënë shembullin e tij përkushtimit dhe suksesit si në muzikë, ashtu edhe në teknologji. Rruga e tij jetësore na tregon se suksesi nuk ka kufij, dhe se me punë, dedikim dhe besim në veten dhe në Zot, mund të arrijmë sukses në çdo fushë të jetës. Pavarësisht rrethanave apo kushteve, ai qëndron gjithmonë vetvetja. Enisi është person autentik, i drejtë dhe i përkushtuar ndaj parimeve të tij, duke dëshmuar se vlerat njerëzore janë thelbi i suksesit dhe respektit të tij në shoqëri.

Ekspozita “Homazh” e fotografit Fahredin Spahija

shkruan Avni Selmani

Fotografi Fahredin Spahija vjen me ekspozitën e radhës, duke sjellë personalitete të njohura të artit dhe kulturës shqiptare.Kjo ekspozitë është një homazh për ata që kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare, duke i sjellë më pranë nesh përmes portreteve artistike bardh e zi. Fahredini nuk bën vetëm një dokumentim, por na rikujton rolin dhe vlerën e secilit prej tyre në historinë shqiptare.A.S.

Zgjedhjet Përfunduan, Problemet u Zgjidhën… Jetë o Jetë

Shkruan Avni Selmani

Zgjedhjet përfunduan. Sipas premtimeve që dëgjuam për një muaj të tërë, tani të gjitha problemet janë zgjidhur. Më në fund, do të kemi mirëqenie të lartë, pagat do të rriten menjëherë dhe askush nuk do të detyrohet të largohet më nga vendi për një jetë më të mirë. Madje, diaspora do të kthehet, sepse tani këtu do të ketë mundësi të shumta. Investimet do të shtohen në çdo sektor, papunësia do të zhduket dhe të rinjtë do të kenë vende pune me paga të larta. E si mund të ndodhë ndryshe, kur politikanët na premtuan “kulla dhe pallate”, parajsën në tokë?

Por pastaj vjen realiteti. Të njëjtat probleme mbesin, të njëjtat fytyra vazhdojnë të japin arsyetime dhe gjithçka mbetet një iluzion fushate. Papunësia nuk zhduket, diaspora nuk kthehet. Paga minimale mbetet e ulët, ndërsa çmimet vazhdojnë të rriten. Importet vazhdojnë të mbulojnë tregun, duke lënë ekonominë vendore në mëshirë të tregjeve të huaja. Prodhimi vendor mbetet i dobët, sepse asnjë strukturë shtetërore nuk merr hapa seriozë për ta zhvilluar.

Ata që dolën fitues tani janë të zënë duke shpërndarë favore. Aktivistët e partisë sistemohen në poste të reja, ndërsa qytetarët e zakonshëm, që u përdorën si votues, mbeten aty ku ishin. Premtimet e mëdha fshihen pas justifikimeve të përditshme dhe e njëjta histori vazhdon pa ndryshim.

Çdo katër vjet, e njëjta histori përsëritet: të njëjtat skena, të njëjtat mashtrime. Njerëzit, të lodhur nga zhgënjimet, ose e harrojnë, ose e pranojnë si fat të pashmangshëm.

A thua do të vijë një ditë kur kjo mënyrë e qeverisjes do të ndryshojë, apo gjithçka do të mbetet një skenar i rishkruar zgjedhje pas zgjedhjeje? A.S

Fenomeni i Kritikës dhe Viktimizimit

Shkruan Avni Selmani

Dikur, kritika e drejtuar ndaj figurave publike, qoftë politikanë apo personalitete të njohura, kishte një peshë të madhe dhe shpesh ndikonte në reputacionin e tyre. Një kritikë serioze mund të shkaktonte pasoja reale, si humbje të mbështetjes publike apo edhe largimin nga posti. Mirëpo, sot gjërat kanë ndryshuar. Në vend që kritika të dëmtojë atë që e meriton, shpesh ndodh e kundërta e ndihmon të forcohet edhe më shumë.

Në botën e mediave të politizuara dhe rrjeteve sociale, kritika nuk shihet më si një sinjal alarmi për të kërkuar llogari. Përkundrazi, ajo përdoret nga të kritikuarit si një armë për të fituar mbështetje, duke u viktimizuar dhe duke pretenduar se janë nën sulm të padrejtë.

Kjo situatë i ngjan shumë lojës mes “Tomit dhe Xherrit” në filmin vizatimor. Tomi, macja që përpiqet të mbrojë shtëpinë dhe të vendosë rregullin, në fund gjithmonë del si “agresori” dhe pëson keq. Ndërkohë, Xherri, miu i vogël, i cili është ai që e nis gjithë sherrin dhe shkakton rrëmujën, del i pafajshëm dhe fiton simpati. Pikërisht kështu ndodh sot në politikë dhe media: i kritikuari del si viktimë, ndërsa ata që e kritikojnë shihen si ata që po bëjnë padrejtësi.

Në këtë mënyrë, kritika nuk ka më fuqinë që kishte dikur. Në vend që të kërkojë llogari, ajo shpesh ndihmon të kritikuarin të dalë më i fortë dhe më i mbështetur nga publiku. Dhe kështu, “viktima” përfundon duke dalë fitimtare. A.S

85% Import, fatura e një ekonomie të dështuar

Shkruan Avni Selmani

Më kujtohen vitet ’80, kur kërkohej “Kosova Republikë”, kur ëndërrohej të ishim të pavarur dhe të barabartë. Thuhej me krenari se kemi pasuri të mëdha nëntokësore që do të na bënin një vend të zhvilluar dhe të pavarur ekonomikisht, dhe ëndërrohej të bëheshim një “Zvicër e vogël”. Sot, pasuria e pretenduar ka mbetur vetëm në letra dhe në fjalë boshe, ndërsa realiteti ynë është një ekonomi që varet 85% nga importet dhe një buxhet që mbushet pothuajse vetëm nga taksat e qytetarëve. Çfarë ka ndodhur me ato pasuri nëntokësore që do të duhej të ishin baza e zhvillimit tonë ekonomik? Pse kjo çështje nuk trajtohet më në asnjë program politik apo debat publik, qoftë nga politikanët apo analistët?

Si është e mundur që një vend që pretendon pasuri të mëdha nëntokësore nuk ka arritur të ndërtojë një ekonomi të qëndrueshme? Në vend të kësaj, kemi një klasë politike që shfaqet në fushata zgjedhore me premtime absurde dhe plane të pakuptimta, ndërsa çështjet themelore, si zhvillimi i resurseve natyrore dhe prodhimi vendor, lihen mënjanë. Kjo varësi nga importi dhe mungesa e zhvillimit të sektorëve strategjikë tregojnë një dështim sistematik dhe një mungesë vizioni që vazhdon të mbajë peng të ardhmen e këtij vendi.

Është e papranueshme që, në një vend që dikur ëndërrohej të bëhej “Zvicër e vogël”, qytetarët sot mbajnë barrën e një sistemi të paaftë që mbijeton vetëm përmes taksave të tyre dhe remitancave nga diaspora, ndërkohë që zyrtarisht jemi vendi më i varfër në Evropë. Pyetja që duhet bërë është kjo: a është ky dështim rezultat i paaftësisë apo i qëllimshëm? Pasi që vërtet ekzistojnë këto pasuri nëntokësore, kush po përfiton nga to dhe pse populli i Kosovës nuk sheh asnjë përfitim?

Heshtja për këtë çështje është alarmante dhe tregon një nivel të lartë të papërgjegjshmërisë politike. Në këtë situatë, asnjë premtim zgjedhor nuk ka kuptim, sepse baza e ekonomisë sonë mbetet e brishtë dhe e rrezikuar. Derisa të përballohet e vërteta dhe të ndërmerren hapa të qartë për shfrytëzimin e pasurive të vendit, Kosova do të mbetet peng i dështimeve të veta.A.S

I dashur Bekim,

Shkruan Avni Selmani

Dua të përgëzoj për botimin e librit tënd të ri, mbi figurën e madhërishme të Fadil Vokrrit. Kjo është një punë e jashtëzakonshme dhe një kontribut i çmuar për botën e futbollit dhe historinë e sportit tonë. Fadil Vokrri ishte një legjendë e vërtetë, një sportist i përkushtuar dhe një simbol i përjetshëm për të gjithë ne që e duam futbollin. Ai jo vetëm që shkëlqeu në fushë me talentin dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme, por gjithashtu inspiroi breza të tërë me pasionin, përkushtimin dhe dashurinë e tij për futbollin.

Përmes këtij libri, ti ke arritur të kapësh esencën e kësaj figure të veçantë dhe të sjellësh në jetë historinë dhe trashëgiminë e tij për gjeneratat e ardhshme. Ke treguar jo vetëm për sukseset dhe triumfet e tij, por edhe për përpjekjet dhe sakrificat që ai bëri për të arritur majat e sportit. Në këtë libër, ti ke nderuar kujtimin e tij dhe ke bërë që emri i Fadil Vokrrit të vazhdojë të jetojë në zemrat e tifozëve dhe të gjithë atyre që e kanë ndjekur dhe admiruar.

Ky libër është një testament i përkushtimit tënd, pasionit tënd për futbollin dhe respektit tënd për ata që kanë dhënë gjithçka për këtë sport. Pavarësisht se Fadil Vokrri nuk është më me ne, kujtimi dhe trashëgimia e tij vazhdojnë të jetojnë përmes veprës tënde.

Ti ke arritur të na sjellësh pranë një copëz nga jeta e tij dhe të na bësh të ndjejmë frymën e tij dhe madhështinë e tij. Urime të përzemërta për këtë pune të jashtëzakonshme. Le të jetë ky libër një inspirim për të gjithë, dhe një homazh i denjë për një legjendë të pavdekshme.
Me respekt dhe admirim, Avni Selmani!

Gjylë Krasniqi, një emër që quhet kujtuar

Shkruan Avni Selmani

Gjylë Krasniqi ishte shumë e re kur u bë pjesë e një momenti historik për Kosovën. Në vitin 1981, ajo organizoi dhe mori pjesë në demonstratat kundër padrejtësive që iu bënin popullit shqiptar në ish Jugosllavi. Megjithëse shumë e re, ajo tregoi një ndërgjegje dhe një dashuri të jashtëzakonshme për vendin e saj, duke sfiduar një regjim të pamëshirshëm.

Përveç që ishte një aktiviste e vendosur, Gjyla ishte edhe një nxënëse shembullore. E përkushtuar ndaj mësimeve, ajo shkëlqente në shkollë, duke u dalluar për zgjuarsinë dhe etikën e saj të punës. Njëkohësisht, Gjyla ishte një talent shumëdimensional, një artiste në shpirt që shprehej përmes krijimtarisë së saj. Ajo shquhej si një vajzë me vizion të jashtëzakonshëm dhe me aftësi që i tejkalonin kufijtë e moshës së saj.

Sakrificat e saj nuk mbetën pa pasoja. E arrestuar dhe e dënuar me burg nga regjimi jugosllav, ajo përjetoi dhimbjen dhe represionin e asaj kohe, por nuk e humbi kurrë shpirtin e saj luftarak. Ajo mbeti një shembull i qëndresës dhe guximit për të gjithë ata që luftuan për liri.

Sot, Gjyla jeton një jetë të qetë diku në Evropë. Ajo ka zgjedhur të jetojë e qetë, duke u përqendruar në jetën e saj private. Por historia e saj, si e shumë të rinjve të tjerë që sfiduan të pamundurën, meriton të kujtohet dhe të vlerësohet. Është e dhimbshme që një figurë e tillë, e cila dha gjithçka për atdheun, nuk ka marrë ende një mirënjohje zyrtare. Një falënderim, një përkujtim, një akt simbolik do të ishte një minimum për sakrificat e saj dhe të shumë të tjerëve si ajo.

Gjylë Krasniqi nuk është vetëm një emër. Ajo përfaqëson një brez të tërë, të rinj dhe të reja që dhanë gjithçka pa kërkuar asgjë në këmbim. Për ta, liria ishte shpërblimi i vetëm. Sot, është detyra jonë të kujtojmë Gjylën dhe të gjithë ata që, si ajo, mbetën të harruar. Një mirënjohje, një përkujtim, apo një fjalë nderimi nuk janë thjesht formë, por detyrim moral për ata që bënë të mundur të jetojmë të lirë sot. A.S

Enver Petrovci – Libri “Amanete Zemre”

Shkruan Avni Selmani

Doli nga shtypi libri “Amanete Zemre” i autorit Enver Petrovci, një vepër që mbledh mendime dhe reflektime të shkruara me sinqeritet dhe qartësi. Libri sjell përvoja personale, vëzhgime mbi jetën dhe çaste që kanë lënë gjurmë, duke e afruar lexuesin me botën e brendshme të autorit.

“Amanete Zemre” trajton tema të përditshme por thelbësore, marrëdhënien me veten, me të tjerët, me kohën dhe me të kaluarën. Petrovci e paraqet njeriun me të gjitha brengat, pritjet dhe kërkimet e tij, duke e shndërruar librin në një udhëtim të thjeshtë, të drejtë dhe njerëzor.

Stili i tij mbetet i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Ai nuk kërkon të zbukurojë realitetin, por ta tregojë atë ashtu siç e ka ndier dhe siç e ka përjetuar. Pikërisht kjo e bën librin të komunikojë natyrshëm me lexuesin dhe të mbetet i afërt për këdo.

“Amanete Zemre” është një prej atyre librave që nuk kërkojnë interpretim të ndërlikuar, ai flet qartë, me zemër, dhe lë hapësirë për reflektim për secilin që e lexon.

Fotografitë promovuese të librit, si dhe ballina, janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Libri “Nën Hijën e së Kaluarës”Autor: Ali Maxhuni

Shkruan Avni Selmani

Doli nga shtypi libri “Nën Hijën e së Kaluarës” i autorit Ali Maxhuni, një vepër që trajton ndikimin e së kaluarës në jetën e njeriut dhe mënyrën se si kujtimet, përjetimet dhe ngjarjet e dikurshme vazhdojnë të formojnë të tashmen. Libri sjell një rrëfim të ndërtuar mbi përjetime personale dhe realitete shoqërore, duke e paraqitur të kaluarën si një hije që vazhdon të qëndrojë pranë njeriut, pavarësisht përpjekjeve për ta lënë pas.

Autori e shtjellon temën me qasje të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, duke u fokusuar te njeriu, familja, kujtesa dhe raportet që ndërtohen mbi përvojat e dikurshme. Libri ngre pyetje mbi përgjegjësinë, mbi mënyrën se si e shohim historinë personale dhe kolektive, dhe mbi ndikimin që ajo ka në formësimin e karakterit dhe vendimeve tona.

Vepra është pritur si një kontribut që ndihmon në dokumentimin e realiteteve njerëzore dhe në nxitjen e reflektimit mbi marrëdhënien me të kaluarën.

Fotografitë promovuese të projektit janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Ali Maxhuni
Photo by Avni Selmani

Romani “Dashuritë e Paprekura – Saga e Një Fryme të Heshtur”

Shkruan Avni Selmani

Romani “Dashuritë e Paprekura – Saga e Një Fryme të Heshtur” i autorit Vilson Culaj është një homazh i ndjeshëm dhe i sinqertë për jetën, artin dhe shpirtin e aktores së madhe Leze Qena. Përmes një rrëfimi të qetë dhe të përmbajtur, autori rikthen kujtime, momente dhe emocione që lidhen me figurën e saj, duke e sjellë si njeri dhe si artiste që ka lënë gjurmë të thella.

Libri trajton dashuritë e pashprehura, miqësitë e brishta dhe dimensionin e brendshëm të aktores sonë, që i qëndroi besnike skenës dhe publikut. Rrëfimi është i thjeshtë dhe i drejtëpërdrejtë, duke e bërë romanin një dëshmi për një jetë të jetuar me pasion dhe përkushtim.

Aktorja e madhe Leze Qena, e cila njihej për besimin e saj të plotë ndaj njerëzve të artit, ia kishte besuar pa hezitim historinë dhe kujtimet e saj shkrimtarit Vilson Culaj. Ky besim i ndërsjellë i jep veprës një peshë të veçantë dhe e bën rrëfimin edhe më të afërt dhe të sinqertë.

Fotografitë promovuese të projektit janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Posta e Kosovës, Pullë Postare “Leze Qena”

Shkruan Avni Selmani

Posta e Kosovës publikoi pullën postare kushtuar aktores së madhe Leze Qena, një prej emrave më të dashur dhe më të respektuar të skenës shqiptare. Leze Qena mbetet një figurë e pazëvendësueshme e teatrit dhe filmit, e njohur për thjeshtësinë, natyrshmërinë dhe fuqinë emocionale që i jepte çdo roli. Ajo ishte artiste që jetoi me publikun dhe për publikun, duke lënë një trashëgimi të pasur shpirtërore që vazhdon të përcillet ndër breza.

Pullat postare që nderojnë personalitete të artit dhe kulturës janë një mënyrë e thjeshtë, por shumë domethënëse për të ruajtur kujtimin dhe për të çuar më tej vlerat tona. Ato e bëjnë artin dhe historinë tonë të udhëtojnë përmes çdo pullë postare.

Pullat postare kushtuar personaliteteve kanë rol të rëndësishëm në dokumentimin dhe përjetësimin e figurave të shquara. Ato janë një formë zyrtare nderimi që udhëton brenda dhe jashtë vendit, duke e bërë artin dhe historinë tonë pjesë të komunikimit publik. Çdo pullë postare e tillë e ngre personalitetin në një nivel simbolik, duke e shndërruar në pjesë të kujtesës kolektive dhe të identitetit kulturor.

Autor i pullës postare “Leze Qena” është fotografi Avni Selmani.

Lule Elezi, projekti: “Piano Works” – Beethoven & Chopin, Vjenë

Shkruan Avni Selmani

Pianistja Lule Elezi prezanton projektin diskografik “Piano Works”, një album i realizuar në Vjenë dhe i dedikuar veprave të Ludwig van Beethoven dhe Frédéric Chopin. Albumi sjell interpretime të zgjedhura nga repertori klasik, të cilat Elezi i qaset me teknikë të pastër dhe qartësi muzikore, duke i dhënë veprave një interpretim të matur dhe profesional.

Në pjesën e Beethovenit përfshihet Sonata Nr. 8 në Do Minor, Op. 13 (“Pathetique”), me tri lëvizjet e saj të njohura: Grave – Allegro di molto e con brio, Adagio cantabile dhe Rondo – Allegro. Interpretimi vendos theks në strukturën e veprës dhe në energjinë karakteristike të kompozitorit.

Pjesa e Chopin-it sjell disa nga veprat më përfaqësuese të tij, përfshirë Nocturne Op. 9/1, Nocturne Op. 27/2, Ballade Nr. 1 në Sol Minor dhe Scherzo Nr. 2 në Si Bemol Minor. Elezi i trajton këto vepra me kujdes të veçantë, duke nxjerrë në pah qartësinë melodike dhe karakterin e tyre të brendshëm.

Albumi paraqet një qasje serioze dhe të përkushtuar ndaj repertorit klasik, duke e vendosur projektin si një pikë të rëndësishme në rrugëtimin artistik të pianistes.

Fotografitë promovuese dhe kopertina e albumit janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.