Pse Kosova vazhdon të jetë vendi më i varfër në Evropë

Shkruan Avni Selmani

Pavarësisht se Kosova edhe zyrtarisht është vendi më i varfër në Evropë, unë nuk shoh një shqetësim serioz as te politikanët, as te institucionet akademike, as në debatin publik dhe shoqërinë civile. Gjatë zgjedhjeve të fundit, partitë politike, të paktën nga ajo që pamë, nuk paraqitën një program të qartë dhe afatgjatë për zhvillimin ekonomik të vendit. Diskutimet publike vazhdojnë të fokusohen kryesisht në çështje politike ditore, duke lënë anash problemet e varfërisë, papunësisë dhe mungesës së një modeli të qëndrueshëm ekonomik.

Mungesa e këtij debati është evidente edhe në studiot televizive, ku diskursi dominohet nga polemikat politike dhe jo nga analiza e strategjive konkrete për rimëkëmbjen ekonomike. Edhe më shqetësuese është heshtja e ekspertëve dhe e akademisë. Ku janë ekspertët e ekonomisë, Akademia e Shkencave dhe institucionet kërkimore? A nuk është detyra e tyre të shtrojnë pyetje të rëndësishme dhe të ofrojnë zgjidhje? Në vend që të jenë motor i zhvillimit, ata mbeten pasivë, të tërhequr nga debati publik. Edhe pse klasa politike nuk kërkon këshilla profesionale, sepse janë injorant duke menduar se i dinë të gjitha, institucionet akademike nuk duhet të heshtin. Ato duhet të krijojnë trysni mbi institucionet dhe të jenë më aktive në mediat televizive dhe revistat shkencore, duke qenë më aktivë dhe më ndikues për politikat zhvillimore.

Ne jemi shndërruar në një shoqëri kryesisht konsumuese, që jeton nga importi dhe jo nga puna e vet. Nuk kemi prodhim të mjaftueshëm vendor dhe as ndonjë strategji për ta nxitur atë. Tregjet janë të mbushura me produkte të huaja, ndërsa bujqësia dhe industria vendore mbesin të lëna pas dore. Kjo varësi nga importi jo vetëm që dëmton ekonominë, por e bën vendin të pambrojtur ndaj çdo krize të jashtme.

Si pasojë e kësaj gjendjeje të vazhdueshme të papërgjegjësisë, sot jemi në fund të të gjitha raporteve evropiane. Sipas raportit të fundit, Kosova zyrtarisht është vendi më i varfër në Evropë. Në testin PISA, që mat dijen bazë të nxënësve, jemi renditur të fundit. Dhe si për të mos mjaftuar kjo, sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore, Kosova është në vendin e parë në botë për ikjen e popullsisë dhe tkurrjen demografike, duke e tejkaluar edhe ato shtete që janë në luftë, në krizë të thellë apo në kolaps të plotë.

Imagjinoni, pavarësisht këtyre statistikave tronditëse dhe zbrazjes drastike të popullsisë, klasës politike as që i intereson dhe as nuk është temë. Sepse ata jetojnë në një realitet tjetër, të izoluar, të zënë me pazare, interesa personale. Atyre nuk u intereson kush ikë, kush vuan dhe kush nuk sheh të ardhme.

Në vend që të përballet me varfërinë si një problem urgjent, shteti po e pranon atë si realitet të pashmangshëm. Megjithëse Kosova ka pasuri natyrore, rini të arsimuar dhe një diasporë që kontribuon në ekonomi, ky potencial mbetet i pashfrytëzuar. Pa prodhim vendor, pa zhvillim bujqësor, pa klimë të mirë për biznes dhe pa arsim që lidhet me tregun, nuk ka përparim.

Nëse politika nuk merr përgjegjësi, nëse ekspertët heshtin dhe qytetarët nuk kërkojnë llogari, atëherë askush nuk ka të drejtë të ankohet për gjendjen. Sepse varfëria nuk është më pasojë, është bërë realitet i asaj që kemi lejuar të ndodhë. Dhe ky realitet sot tregon një vend të braktisur nga ata që e udhëheqin. A,S

Shënimi i 50-vjetorit – Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”

Shkruan Avni Selmani

Në Prishtinë, më 26 dhe 27 shtator, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” shënon 50-vjetorin e themelimit me një program madhështor jubilar. Në këtë festë marren pjesë grupe simotra nga të gjitha trojet shqiptare, duke sjellë një atmosferë të ngrohtë mbarëkombëtare. Në skenë ngjiten breza artistësh që i kanë dhënë emër ansamblit ndër vite, ndërsa publiku përjeton një program të pasur me këngë, valle dhe interpretime që përmbledhin historinë dhe shpirtin e “Shotës”.

Ngjarja kulmoi me gala-koncertin në Pallatin “1 Tetori”, ku “Shota” u shfaq në formën e saj më të mirë – me ekzekutim të përkryer, veshje të pastra tradicionale dhe lojë skenike plot energji. Vullneti dhe dashuria për artin e traditën e kanë mbajtur këtë ansambël gjallë për pesë dekada, përmes qindra artistëve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e tij.

Programi u hap me këngën “Ma gëzofsh 50-vjetorin”, me tekst të Ilir Shaqirit dhe përpunim të Ylber Asllanajt, shoqëruar me vallen e Shalës së Bajgorës në koreografi të Haki Mulliqit. Në skenë morën pjesë edhe grupe nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora, duke i dhënë ngjarjes karakter mbarëkombëtar dhe një atmosferë të ngrohtë bashkimi kulturor.

Në kuadër të festimeve u hap edhe ekspozita “50 vite në 50 fotografi”, e cila përmbledhte momente dhe sete artistike të realizuara posaçërisht për këtë jubile nga fotografi Avni Selmani. Ekspozita paraqiti përmes imazhit rrugëtimin e gjatë të ansamblit dhe figurat që e kanë bërë “Shotën” simbol të identitetit artistik të Kosovës.

Ky jubile u organizua me kujdes dhe përkushtim të madh nën drejtimin e Shefqet Gjocajt, drejtor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, i cili me vizionin dhe përvojën e tij arriti ta kthejë këtë përvjetor në një ngjarje të denjë për historinë e ansamblit dhe për vetë artin skenik shqiptar.

Programi u përmbyll me koreografinë e Xhemali Berishës, që u prit me ovacione të gjata nga publiku. Kështu u kurorëzua një ngjarje që, përveç festës, ishte edhe një homazh për brezat që themeluan dhe mbajtën gjallë emrin “Shota”.

Fotografitë zyrtare dhe dokumentimi vizual i ngjarjes u realizuan nga Avni Selmani.