Mediat në Kosovë, një Ngjarje, dy të vërteta

Shkruan Avni Selmani

Në këto ditë fushate pamë përplasje të ashpra, opinione të kundërta, akuza dhe manipulime. Shumë media u rreshtuan në anë të ndryshme, duke e paraqitur realitetin sipas interesave të tyre. Një kandidat, në një medium, shihej si shpëtimtari i vendit, ndërsa në një tjetër si kërcënimi më i madh për shtetin. E njëjta ngjarje, në një portal cilësohej si skandal kombëtar, ndërsa në një tjetër nuk përmendej fare. Kjo nuk është gazetari, është përpjekje për të ndikuar në opinionin publik.

Shumë media në Kosovë nuk po informojnë, por po manipulojnë. Nuk ofrojnë fakte, por krijojnë opinione sipas interesave të caktuara. Pas shumë mediumeve qëndrojnë grupe interesi që na imponojnë çfarë duhet të lexojmë. Nuk raportojnë atë që ndodh, por atë që u leverdis. Dhe ne, shpesh pa e kuptuar, ndahemi në dy pozicione, duke mbrojtur “të vërtetat” që na janë servirur.

A janë mediat në Kosovë të lira dhe të pavarura? Liria ekziston, por shpesh përdoret për të ndjekur interesa të caktuara, ndërsa pavarësia shndërrohet në varësi nga grupet e interesit. Kjo krijon një ambient ku e vërteta nuk mohohet, por humbet midis shumë versioneve që i shërbejnë agjendave të ndryshme.

Megjithatë, jo të gjitha mediat janë të njëjta. Ka gazetarë profesionistë dhe media të pavarura, por në një hapësirë të mbushur me të pavëteta, shpesh është e vështirë të dallosh të vërtetën nga gënjeshtra. Në këtë kaos informativ, e vërteta mbetet në hije, e humbur mes interesave dhe perceptimeve të ndikuara. Dhe ndoshta sfida më e madhe sot nuk është të gjejmë informacion, por të dallojmë të vërtetën nga propaganda. A.S

Enis Presheva – Një Rrugëtim mes Muzikës dhe Besimit

Shkruan Avni Selmani

Enis Presheva është një nga emrat më të njohur në botën e muzikës shqiptare, i njohur për kontributin e tij të madh në industrinë muzikore. Ai ka bashkëpunuar me disa prej artistëve më të mirë të vendit, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë muzikore. Enisi, ka ndjekur studimet në akademitë më të njohura në Austri, duke u formuar profesionalisht si kompozitor dhe muzikant. Me njohuri të avancuara në fushën e muzikës, ai u specializua edhe në programin e njohur “Pro Tools” në Londër dhe punët rreth inçizimit, miksimit, dhe masterizimit në studiot muzikore, duke e ngritur nivelin e tij artistik në përmasa të larta profesionale. Puna e tij ka qenë e njohur jo vetëm brenda kufijve të vendit, por edhe jashtë tij, ku ka bashkëpunuar me artistë dhe muzikantë të njohur. Kontributi i tij në prodhimin dhe përpunimin e muzikës ka ndihmuar në ngritjen e cilësisë së artit muzikor shqiptar.

Enis Pesheva

Pavarësisht suksesit të tij në muzikë, Enisi vendosi të ndërpriste karrierën muzikore për arsye të besimit të tij në Islam. Ky vendim i tij ishte një zgjedhje personale dhe shprehje e devotshmërisë ndaj fesë, duke e vendosur atë në një rrugë të re të jetës së tij. Besimi i tij në Islam u bë një pjesë e rëndësishme e identitetit të tij dhe një udhërrëfyes në vendimet e tij personale dhe profesionale. Ai ka ndarë përvojat e tij dhe është përpjekur të frymëzojë të tjerët përmes shembullit të tij të devotshmërisë dhe etikës së lartë.

Megjithatë, ky ndryshim nuk e ka ndaluar atë të vazhdojë të jetë aktiv dhe i suksesshëm në fusha të tjera. Sot, ai është një ndërmarrës i suksesshëm që merret me teknologjinë e informatikës, duke përshirë zhvillimin dhe integrimin e pajisjeve teknologjike moderne. Përkundër vendimeve të tij personale dhe profesionale, Enisi ka mbetur i njëjti njeri që gjithmonë ka poseduar vlera të larta njerëzore. Ai vazhdon të jetë një figurë e respektuar në shoqëri, duke dhënë shembullin e tij përkushtimit dhe suksesit si në muzikë, ashtu edhe në teknologji. Rruga e tij jetësore na tregon se suksesi nuk ka kufij, dhe se me punë, dedikim dhe besim në veten dhe në Zot, mund të arrijmë sukses në çdo fushë të jetës. Pavarësisht rrethanave apo kushteve, ai qëndron gjithmonë vetvetja. Enisi është person autentik, i drejtë dhe i përkushtuar ndaj parimeve të tij, duke dëshmuar se vlerat njerëzore janë thelbi i suksesit dhe respektit të tij në shoqëri.

Ekspozita “Homazh” e fotografit Fahredin Spahija

shkruan Avni Selmani

Fotografi Fahredin Spahija vjen me ekspozitën e radhës, duke sjellë personalitete të njohura të artit dhe kulturës shqiptare.Kjo ekspozitë është një homazh për ata që kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare, duke i sjellë më pranë nesh përmes portreteve artistike bardh e zi. Fahredini nuk bën vetëm një dokumentim, por na rikujton rolin dhe vlerën e secilit prej tyre në historinë shqiptare.A.S.

Fenomeni i Kritikës dhe Viktimizimit

Shkruan Avni Selmani

Dikur, kritika e drejtuar ndaj figurave publike, qoftë politikanë apo personalitete të njohura, kishte një peshë të madhe dhe shpesh ndikonte në reputacionin e tyre. Një kritikë serioze mund të shkaktonte pasoja reale, si humbje të mbështetjes publike apo edhe largimin nga posti. Mirëpo, sot gjërat kanë ndryshuar. Në vend që kritika të dëmtojë atë që e meriton, shpesh ndodh e kundërta e ndihmon të forcohet edhe më shumë.

Në botën e mediave të politizuara dhe rrjeteve sociale, kritika nuk shihet më si një sinjal alarmi për të kërkuar llogari. Përkundrazi, ajo përdoret nga të kritikuarit si një armë për të fituar mbështetje, duke u viktimizuar dhe duke pretenduar se janë nën sulm të padrejtë.

Kjo situatë i ngjan shumë lojës mes “Tomit dhe Xherrit” në filmin vizatimor. Tomi, macja që përpiqet të mbrojë shtëpinë dhe të vendosë rregullin, në fund gjithmonë del si “agresori” dhe pëson keq. Ndërkohë, Xherri, miu i vogël, i cili është ai që e nis gjithë sherrin dhe shkakton rrëmujën, del i pafajshëm dhe fiton simpati. Pikërisht kështu ndodh sot në politikë dhe media: i kritikuari del si viktimë, ndërsa ata që e kritikojnë shihen si ata që po bëjnë padrejtësi.

Në këtë mënyrë, kritika nuk ka më fuqinë që kishte dikur. Në vend që të kërkojë llogari, ajo shpesh ndihmon të kritikuarin të dalë më i fortë dhe më i mbështetur nga publiku. Dhe kështu, “viktima” përfundon duke dalë fitimtare. A.S

85% Import, fatura e një ekonomie të dështuar

Shkruan Avni Selmani

Më kujtohen vitet ’80, kur kërkohej “Kosova Republikë”, kur ëndërrohej të ishim të pavarur dhe të barabartë. Thuhej me krenari se kemi pasuri të mëdha nëntokësore që do të na bënin një vend të zhvilluar dhe të pavarur ekonomikisht, dhe ëndërrohej të bëheshim një “Zvicër e vogël”. Sot, pasuria e pretenduar ka mbetur vetëm në letra dhe në fjalë boshe, ndërsa realiteti ynë është një ekonomi që varet 85% nga importet dhe një buxhet që mbushet pothuajse vetëm nga taksat e qytetarëve. Çfarë ka ndodhur me ato pasuri nëntokësore që do të duhej të ishin baza e zhvillimit tonë ekonomik? Pse kjo çështje nuk trajtohet më në asnjë program politik apo debat publik, qoftë nga politikanët apo analistët?

Si është e mundur që një vend që pretendon pasuri të mëdha nëntokësore nuk ka arritur të ndërtojë një ekonomi të qëndrueshme? Në vend të kësaj, kemi një klasë politike që shfaqet në fushata zgjedhore me premtime absurde dhe plane të pakuptimta, ndërsa çështjet themelore, si zhvillimi i resurseve natyrore dhe prodhimi vendor, lihen mënjanë. Kjo varësi nga importi dhe mungesa e zhvillimit të sektorëve strategjikë tregojnë një dështim sistematik dhe një mungesë vizioni që vazhdon të mbajë peng të ardhmen e këtij vendi.

Është e papranueshme që, në një vend që dikur ëndërrohej të bëhej “Zvicër e vogël”, qytetarët sot mbajnë barrën e një sistemi të paaftë që mbijeton vetëm përmes taksave të tyre dhe remitancave nga diaspora, ndërkohë që zyrtarisht jemi vendi më i varfër në Evropë. Pyetja që duhet bërë është kjo: a është ky dështim rezultat i paaftësisë apo i qëllimshëm? Pasi që vërtet ekzistojnë këto pasuri nëntokësore, kush po përfiton nga to dhe pse populli i Kosovës nuk sheh asnjë përfitim?

Heshtja për këtë çështje është alarmante dhe tregon një nivel të lartë të papërgjegjshmërisë politike. Në këtë situatë, asnjë premtim zgjedhor nuk ka kuptim, sepse baza e ekonomisë sonë mbetet e brishtë dhe e rrezikuar. Derisa të përballohet e vërteta dhe të ndërmerren hapa të qartë për shfrytëzimin e pasurive të vendit, Kosova do të mbetet peng i dështimeve të veta.A.S

I dashur Bekim,

Shkruan Avni Selmani

Dua të përgëzoj për botimin e librit tënd të ri, mbi figurën e madhërishme të Fadil Vokrrit. Kjo është një punë e jashtëzakonshme dhe një kontribut i çmuar për botën e futbollit dhe historinë e sportit tonë. Fadil Vokrri ishte një legjendë e vërtetë, një sportist i përkushtuar dhe një simbol i përjetshëm për të gjithë ne që e duam futbollin. Ai jo vetëm që shkëlqeu në fushë me talentin dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme, por gjithashtu inspiroi breza të tërë me pasionin, përkushtimin dhe dashurinë e tij për futbollin.

Përmes këtij libri, ti ke arritur të kapësh esencën e kësaj figure të veçantë dhe të sjellësh në jetë historinë dhe trashëgiminë e tij për gjeneratat e ardhshme. Ke treguar jo vetëm për sukseset dhe triumfet e tij, por edhe për përpjekjet dhe sakrificat që ai bëri për të arritur majat e sportit. Në këtë libër, ti ke nderuar kujtimin e tij dhe ke bërë që emri i Fadil Vokrrit të vazhdojë të jetojë në zemrat e tifozëve dhe të gjithë atyre që e kanë ndjekur dhe admiruar.

Ky libër është një testament i përkushtimit tënd, pasionit tënd për futbollin dhe respektit tënd për ata që kanë dhënë gjithçka për këtë sport. Pavarësisht se Fadil Vokrri nuk është më me ne, kujtimi dhe trashëgimia e tij vazhdojnë të jetojnë përmes veprës tënde.

Ti ke arritur të na sjellësh pranë një copëz nga jeta e tij dhe të na bësh të ndjejmë frymën e tij dhe madhështinë e tij. Urime të përzemërta për këtë pune të jashtëzakonshme. Le të jetë ky libër një inspirim për të gjithë, dhe një homazh i denjë për një legjendë të pavdekshme.
Me respekt dhe admirim, Avni Selmani!

Gjylë Krasniqi, një emër që quhet kujtuar

Shkruan Avni Selmani

Gjylë Krasniqi ishte shumë e re kur u bë pjesë e një momenti historik për Kosovën. Në vitin 1981, ajo organizoi dhe mori pjesë në demonstratat kundër padrejtësive që iu bënin popullit shqiptar në ish Jugosllavi. Megjithëse shumë e re, ajo tregoi një ndërgjegje dhe një dashuri të jashtëzakonshme për vendin e saj, duke sfiduar një regjim të pamëshirshëm.

Përveç që ishte një aktiviste e vendosur, Gjyla ishte edhe një nxënëse shembullore. E përkushtuar ndaj mësimeve, ajo shkëlqente në shkollë, duke u dalluar për zgjuarsinë dhe etikën e saj të punës. Njëkohësisht, Gjyla ishte një talent shumëdimensional, një artiste në shpirt që shprehej përmes krijimtarisë së saj. Ajo shquhej si një vajzë me vizion të jashtëzakonshëm dhe me aftësi që i tejkalonin kufijtë e moshës së saj.

Sakrificat e saj nuk mbetën pa pasoja. E arrestuar dhe e dënuar me burg nga regjimi jugosllav, ajo përjetoi dhimbjen dhe represionin e asaj kohe, por nuk e humbi kurrë shpirtin e saj luftarak. Ajo mbeti një shembull i qëndresës dhe guximit për të gjithë ata që luftuan për liri.

Sot, Gjyla jeton një jetë të qetë diku në Evropë. Ajo ka zgjedhur të jetojë e qetë, duke u përqendruar në jetën e saj private. Por historia e saj, si e shumë të rinjve të tjerë që sfiduan të pamundurën, meriton të kujtohet dhe të vlerësohet. Është e dhimbshme që një figurë e tillë, e cila dha gjithçka për atdheun, nuk ka marrë ende një mirënjohje zyrtare. Një falënderim, një përkujtim, një akt simbolik do të ishte një minimum për sakrificat e saj dhe të shumë të tjerëve si ajo.

Gjylë Krasniqi nuk është vetëm një emër. Ajo përfaqëson një brez të tërë, të rinj dhe të reja që dhanë gjithçka pa kërkuar asgjë në këmbim. Për ta, liria ishte shpërblimi i vetëm. Sot, është detyra jonë të kujtojmë Gjylën dhe të gjithë ata që, si ajo, mbetën të harruar. Një mirënjohje, një përkujtim, apo një fjalë nderimi nuk janë thjesht formë, por detyrim moral për ata që bënë të mundur të jetojmë të lirë sot. A.S

Enver Petrovci, libri “Amanete Zemre”

Shkruan Avni Selmani

Doli nga shtypi libri “Amanete Zemre” i autorit Enver Petrovci, një vepër që mbledh mendime dhe reflektime të shkruara me sinqeritet dhe qartësi. Libri sjell përvoja personale, vëzhgime mbi jetën dhe çaste që kanë lënë gjurmë, duke e afruar lexuesin me botën e brendshme të autorit.

“Amanete Zemre” trajton tema të përditshme por thelbësore, marrëdhënien me veten, me të tjerët, me kohën dhe me të kaluarën. Petrovci e paraqet njeriun me të gjitha brengat, pritjet dhe kërkimet e tij, duke e shndërruar librin në një udhëtim të thjeshtë, të drejtë dhe njerëzor.

Stili i tij mbetet i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Ai nuk kërkon të zbukurojë realitetin, por ta tregojë atë ashtu siç e ka ndier dhe siç e ka përjetuar. Pikërisht kjo e bën librin të komunikojë natyrshëm me lexuesin dhe të mbetet i afërt për këdo.

“Amanete Zemre” është një prej atyre librave që nuk kërkojnë interpretim të ndërlikuar, ai flet qartë, me zemër, dhe lë hapësirë për reflektim për secilin që e lexon.

Fotografitë promovuese të librit, si dhe ballina, janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Libri “Nën Hijën e së Kaluarës”Autor: Ali Maxhuni

Shkruan Avni Selmani

Doli nga shtypi libri “Nën Hijën e së Kaluarës” i autorit Ali Maxhuni, një vepër që trajton ndikimin e së kaluarës në jetën e njeriut dhe mënyrën se si kujtimet, përjetimet dhe ngjarjet e dikurshme vazhdojnë të formojnë të tashmen. Libri sjell një rrëfim të ndërtuar mbi përjetime personale dhe realitete shoqërore, duke e paraqitur të kaluarën si një hije që vazhdon të qëndrojë pranë njeriut, pavarësisht përpjekjeve për ta lënë pas.

Autori e shtjellon temën me qasje të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, duke u fokusuar te njeriu, familja, kujtesa dhe raportet që ndërtohen mbi përvojat e dikurshme. Libri ngre pyetje mbi përgjegjësinë, mbi mënyrën se si e shohim historinë personale dhe kolektive, dhe mbi ndikimin që ajo ka në formësimin e karakterit dhe vendimeve tona.

Vepra është pritur si një kontribut që ndihmon në dokumentimin e realiteteve njerëzore dhe në nxitjen e reflektimit mbi marrëdhënien me të kaluarën.

Fotografitë promovuese të projektit janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Ali Maxhuni
Photo by Avni Selmani

Romani “Dashuritë e Paprekura – Saga e Një Fryme të Heshtur”

Shkruan Avni Selmani

Romani “Dashuritë e Paprekura – Saga e Një Fryme të Heshtur” i autorit Vilson Culaj është një homazh i ndjeshëm dhe i sinqertë për jetën, artin dhe shpirtin e aktores së madhe Leze Qena. Përmes një rrëfimi të qetë dhe të përmbajtur, autori rikthen kujtime, momente dhe emocione që lidhen me figurën e saj, duke e sjellë si njeri dhe si artiste që ka lënë gjurmë të thella.

Libri trajton dashuritë e pashprehura, miqësitë e brishta dhe dimensionin e brendshëm të aktores sonë, që i qëndroi besnike skenës dhe publikut. Rrëfimi është i thjeshtë dhe i drejtëpërdrejtë, duke e bërë romanin një dëshmi për një jetë të jetuar me pasion dhe përkushtim.

Aktorja e madhe Leze Qena, e cila njihej për besimin e saj të plotë ndaj njerëzve të artit, ia kishte besuar pa hezitim historinë dhe kujtimet e saj shkrimtarit Vilson Culaj. Ky besim i ndërsjellë i jep veprës një peshë të veçantë dhe e bën rrëfimin edhe më të afërt dhe të sinqertë.

Fotografitë promovuese të projektit janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Posta e Kosovës, Pullë Postare “Leze Qena”

Shkruan Avni Selmani

Posta e Kosovës publikoi pullën postare kushtuar aktores së madhe Leze Qena, një prej emrave më të dashur dhe më të respektuar të skenës shqiptare. Leze Qena mbetet një figurë e pazëvendësueshme e teatrit dhe filmit, e njohur për thjeshtësinë, natyrshmërinë dhe fuqinë emocionale që i jepte çdo roli. Ajo ishte artiste që jetoi me publikun dhe për publikun, duke lënë një trashëgimi të pasur shpirtërore që vazhdon të përcillet ndër breza.

Pullat postare që nderojnë personalitete të artit dhe kulturës janë një mënyrë e thjeshtë, por shumë domethënëse për të ruajtur kujtimin dhe për të çuar më tej vlerat tona. Ato e bëjnë artin dhe historinë tonë të udhëtojnë përmes çdo pullë postare.

Pullat postare kushtuar personaliteteve kanë rol të rëndësishëm në dokumentimin dhe përjetësimin e figurave të shquara. Ato janë një formë zyrtare nderimi që udhëton brenda dhe jashtë vendit, duke e bërë artin dhe historinë tonë pjesë të komunikimit publik. Çdo pullë postare e tillë e ngre personalitetin në një nivel simbolik, duke e shndërruar në pjesë të kujtesës kolektive dhe të identitetit kulturor.

Autor i pullës postare “Leze Qena” është fotografi Avni Selmani.

Lule Elezi, projekti: “Piano Works” – Beethoven & Chopin, Vjenë

Shkruan Avni Selmani

Pianistja Lule Elezi prezanton projektin diskografik “Piano Works”, një album i realizuar në Vjenë dhe i dedikuar veprave të Ludwig van Beethoven dhe Frédéric Chopin. Albumi sjell interpretime të zgjedhura nga repertori klasik, të cilat Elezi i qaset me teknikë të pastër dhe qartësi muzikore, duke i dhënë veprave një interpretim të matur dhe profesional.

Në pjesën e Beethovenit përfshihet Sonata Nr. 8 në Do Minor, Op. 13 (“Pathetique”), me tri lëvizjet e saj të njohura: Grave – Allegro di molto e con brio, Adagio cantabile dhe Rondo – Allegro. Interpretimi vendos theks në strukturën e veprës dhe në energjinë karakteristike të kompozitorit.

Pjesa e Chopin-it sjell disa nga veprat më përfaqësuese të tij, përfshirë Nocturne Op. 9/1, Nocturne Op. 27/2, Ballade Nr. 1 në Sol Minor dhe Scherzo Nr. 2 në Si Bemol Minor. Elezi i trajton këto vepra me kujdes të veçantë, duke nxjerrë në pah qartësinë melodike dhe karakterin e tyre të brendshëm.

Albumi paraqet një qasje serioze dhe të përkushtuar ndaj repertorit klasik, duke e vendosur projektin si një pikë të rëndësishme në rrugëtimin artistik të pianistes.

Fotografitë promovuese dhe kopertina e albumit janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Teatri Dodona Shfaqja “Tango”

Shkruan Avni Selmani

Teksti: Albana Muja
Regjia: Ekrem Sopi

Teatri Dodona sjell shfaqjen “Tango”, një vepër bashkëkohore me tekst nga Albana Muja dhe regji nga Ekrem Sopi. Shfaqja eksploron temat e represionit, identitetit gjinor dhe dhunës simbolike përmes një estetike të fortë teatrale ku ndërthuren fjala, vallëzimi dhe zëri.

Ngjarja zhvillohet në një hapësirë simbolike të quajtur “Dielli i Zbehtë”, një klinikë imagjinare mes jetës dhe vdekjes, ku dy gra të shtypura përballen me plagët dhe të vërtetat e tyre të heshtura.

Aktorët Anisa Ismaili dhe Rabije Kryeziu sjellin një lojë të ngrohtë, të saktë dhe të përmbajtur emocionalisht. Përmes një interpretimi të fokusuar dhe të sinqertë, ato e mbajnë shfaqjen në tension të vazhdueshëm, duke i dhënë zë brendësisë së personazheve dhe dhimbjes së tyre të heshtur. Loja e tyre krijon një lidhje të drejtpërdrejtë me publikun, duke e bërë përvojën skenike të fuqishme dhe bindëse.

Teksti i Albana Mujës shquhet për qasjen e sinqertë dhe të guximshme, duke artikuluar zërin e gruas në një shoqëri të mbyllur ndaj ndryshimit. Regjia e Ekrem Sopit e përçon këtë mesazh përmes një ndërtimi të drejtpërdrejtë skenik dhe një gjuhe teatrale që sfidon konvencionin, duke e vendosur “Tango”-n në frymën e teatrit postdramatik.

Luajnë: Anisa Ismaili dhe Rabije Kryeziu
Kompozitor: Memli Kelmendi
Fizarmonikë: Shkumbin N. Miftari
Skenografia: Bujar Selimi
Dizajn i dritave: Skënder Latifi
Fotografi: Avni Selmani

Fotografitë e projektit janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Nuhi Bytyqi “Libri i Luftës”

Shkruan Avni Selmani

Doli nga shtypi “Libri i Luftës” nga gazetari Nuhi Bytyqi, një përmbledhje me rrëfime, reportazha dhe kronika të shkruara në kohë reale nga terreni gjatë luftës në Kosovë. Libri pasqyron dramën njerëzore të popullit shqiptar përballë represionit, duke sjellë dëshmi të drejtpërdrejta për dhunën, shpërnguljet, qëndresën dhe sakrificën e popullatës civile.

Shkrimet janë dokumentuar në kushte të rënda sigurie, gjatë viteve më të vështira të konfliktit, kur gazetaria e pavarur ishte akt i guximit. Bytyqi e vë në pah se ai ka rrezikuar veten, familjen dhe miqtë për të kryer misionin e tij gazetaresk.

Shtëpia botuese “Armagedoni”, përmes përfaqësuesit Berat Dakaj, e vlerëson librin si një vepër autobiografike dhe biografike, të pasuruar me qindra fotografi që dokumentojnë ngjarjet, protagonistët dhe realitetin e luftës. Libri është botuar si nderim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për të gjithë ata që kontribuan për lirinë, dëshmorë, heronj, civilë, invalidë dhe udhëheqës të luftës.

Fotografitë promovuese dhe kopertina e librit janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Libri “Portrete të Skënderbeut Gjatë Shekujve”,

Shkruan Avni Selmani

Doli nga shtypi libri “Portrete të Skënderbeut Gjatë Shekujve”, i autorit Luan Tashi, botuar në kuadër të shënimit të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Libri paraqet një përmbledhje të gjerë me portrete, gravura, skica dhe interpretimet artistike të figurës së Skënderbeut përgjatë shumë shekujve. Ai dokumenton mënyrën se si është paraqitur heroi në artin shqiptar dhe europian, duke treguar evoluimin e imazhit të tij në kulturën vizuale.

Vepra shërben si një dokumentim i rëndësishëm historik dhe ikonografik. Materialet janë mbledhur nga muze, koleksione private dhe burime arkivore, duke krijuar një pamje të plotë të pasqyrimit artistik të Skënderbeut ndër vite.

Libri u promovua në kuadër të aktiviteteve jubiliare dhe u shoqërua me një ekspozitë të dedikuar figurës së heroit.

Fotografitë promovuese të librit janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Teatri Avdush Hasani – Shfaqja “Kosovatrans”

Shkruan Avni Selmani

Teatri Avdush Hasani sjell shfaqjen “Kosovatrans”, një dramë psikologjike me elemente komike, me tekst dhe regji nga Naser Shatrolli. Shfaqja trajton realitetin shoqëror dhe politik të Kosovës pas luftës, duke u fokusuar në tranzicionin e zgjatur dhe pasojat e tij te individi dhe shoqëria.

Ngjarja ndërtohet rreth dy personazheve qendrore, Flamurit dhe Arafatit, të cilët përfaqësojnë dy botëkuptime të ndryshme për luftën, pasluftën dhe realitetin aktual në Kosovë. Flamuri, ish-komandant i luftës, përballet me harresën dhe zhgënjimin shoqëror, ndërsa Arafati, një i ri i rritur në mërgim, kthehet në Kosovë me pikëpamje kritike ndaj miteve dhe narrativave të ndërtuara pas luftës. Përmes dialogut mes tyre, shfaqja hap dilema mbi heroizmin, kujtesën kolektive dhe drejtimin e shoqërisë kosovare.

Në shfaqje luajnë Ismet Azemi dhe Faris Berisha. Ekipi realizues përfshin Ermal Gërdovcin si asistent regjisë, Drinor Zymberin për muzikën, Flutura Dedinjën për kostumografinë, Zeni Ballazhin për skenografinë, Robert Nuhën për koreografinë, Ekrem Xhakën për dekorimin e përgjithshëm, si dhe Albert Gashin dhe Skënder Latifin për ndriçimin.

Shfaqja u realizua nën drejtimin e Agron Gergurit, drejtor i Teatrit “Avdush Hasani”.

Fotografitë promovuese të shfaqjes janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Teatri i Kumanovës, shfaqja “As andej, as këndej”

Shkeuan Avni Selmani

Teatri i Kumanovës solli në skenë shfaqjen “As andej, as këndej” në regji të Kastriot Abdylit, me tekst të Bojan Trifunovskit, Simeon Damevskit dhe Lupço Todorovskit.

Shfaqja pasqyron realitetin e sotëm, ku shumë njerëz, për shkaqe sociale dhe ekonomike, marrin rrugën e migrimit në kërkim të një jete më të mirë. Iliri, i cili është në moshën pesëdhjetë vjeçare, niset drejt Amerikës me shpresën për të filluar gjithçka nga e para. Në aeroportin e Frankfurtit ai takon Bekimin, i cili, pas tetëmbëdhjetë vjetësh në migrim, vendos të kthehet në vendlindje për ta rifilluar jetën, pasi ka përjetuar probleme familjare në Amerikë. Takimi i tyre sjell momente të lehta dhe komike, por edhe tensione dramatike që zbulojnë vështirësinë e zgjedhjes mes largimit dhe kthimit.

Në shfaqje luajnë aktorët Ismail Kasumi, Musa Isufi, Taulant Destani dhe Faton Ibrahimi. Muzika është realizuar nga Baba Bend dhe Funda Ali. Për mbarëvajtjen skenike është kujdesur ispicienti Driton Ramadani, organizimin e ka mbajtur Jakupi Jakupi, ndërsa scenografinë e ka punuar Ardian Kadriu.

Fotografitë e projektit janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Ismail Kasumi – Musa Isufi
Photo by Avni SelmanI

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” Shfaqja “KUMT”

Shkruan Avni Selmani

Ansambli “Shota” solli në skenë shfaqjen “KUMT” një koreodramë artistike në nderim të figurës historike të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Nën regjinë dhe koreografinë e artistit të njohur Gjergj Prevazi, kjo vepër skenike ndërthur elemente të valleve tradicionale shqiptare me ndjeshmëri dramatike dhe koncept bashkëkohor artistik.

Koreografia dhe regjia e veprës janë realizuar nga Gjergj Prevazi, ndërsa muzika origjinale mban firmën e Valton Beqirit.
Rolin e Skënderbeut e interpreton Besnik Graiçevci, ndërsa roli i Donikës i është besuar Artiola Shalës.
Trupa artistike është udhëhequr nga Ylber Asllanaj, ndërsa menaxhimi i përgjithshëm i projektit është realizuar nga Shefqet Gjocaj, drejtor i Ansamblit Kombëtar “Shota”.

“KUMT” u realizua si një homazh për qëndresën dhe frymën e lirisë që Skënderbeu simbolizon, duke i sjellë ato përmes gjuhës së trupit, ritmit dhe simbolikës së valleve popullore shqiptare. Shfaqja u vlerësua për interpretimin kolektiv të trupës së “Shotës” dhe për vizionin regjisorial që i dha trajtë bashkëkohore një figure historike thelbësore për identitetin kombëtar.

Fotografitë promovuese të shfaqjes janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Ansambli “Shota”
Photo by Avni Selmani

Mentor Mripa, projekti “Dua të të Them Një Fjalë”

Shkruan Avni Selmani

Këngëtari Mentor Mripa lansoi albumin me këngë të vjetra qytetare me titullin “Dua të të Them Një Fjalë”. Albumi përmbledh këngë të njohura të traditës sonë qytetare, të rikthyera me një frymë të re muzikore dhe të punuara me kujdes të veçantë. Ky projekt u realizua në bashkëpunim me një grup artistësh dhe profesionistësh që kontribuuan në secilin hap të tij.

Orkestrimin dhe incizimin e të gjitha këngëve e ka realizuar Hysni Klinaku, i cili ishte edhe pjesë e përzgjedhjes së repertorit. Në album kanë bashkëpunuar gjithashtu Agron Syla, Hekuran Hoxha, Driton Fazliu, Shtypshkronja Iliria, produksionet Ardi dhe Arbonin,Afrim Sekiraqa dhe Florim Haliti, si edhe Agron Rexha si dizajner i albumit.

Fotografitë e projektit janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Mentor Mripa
Photo by Avni SelmanI

Artir Gjikokaj, Projekti “Live”

Shkruan Avni Selmani

Këngëtari Artir Gjikokaj publikoi albumin “Live”, i cili përfshin disa nga këngët më të njohura të repertorit të tij të interpretuara në version live. Albumi sjell tituj si “Edhe e Bukur Edhe Tradhtare”, “O Dukat”, “Fukara Pa Dashuri”, “Jam Dehur Me Raki”, “Bini Ju Tupana” dhe të tjera, duke reflektuar stilin e tij të qëndrueshëm muzikor dhe lidhjen me muzikën popullore dhe qytetare.

Fotot për albumin janë realizuar në studion e fotografit Avni Selmani.

Dritëro Shaqiri, projekti “Të Dua”

Shkruan Avni Selmani

Këngëtari Dritëro Shaqiri lansoi projektin muzikor me titullin Të Dua, një album që përmbledh këngë të punuara me kujdes dhe me një qasje melodike që ruan ndjenjën dhe frymën e muzikës së lehtë shqiptare. Albumi përfshin disa këngë të reja dhe përpunime që përçojnë stilin e tij të njohur, duke e mbështetur çdo krijim me punë profesionale dhe bashkëpunime të mirëfillta.

Në këtë album janë përfshirë këngë të punuara nga disa autorë. Muzika dhe tekstet janë krijuar nga M. Shagiri, T. Nimanaj, K. Nimani, Mr. Ilir Berani, M. Rizani dhe D. Shagiri, në varësi të secilës këngë. Për këngën Nga Prishtina në Janinë është realizuar një duet me Leonora Jakupin. Disa tekste dhe orkestrimet mbajnë nënshkrimin e autorëve si Mundri Keya dhe Dritëro Shaqiri. Incizimi dhe përpunimi teknik janë bërë në studion Okti Records në Gjilan, ndërsa editor i albumit është P. M. Arboni.

Në pjesën instrumentale kanë bashkëpunuar Mentos Sylejmani në violinë, Tafs në klarinetë dhe Astrit Selaj në kitare. Pjesa vizuale e albumit dhe fotografia janë punuar nga Afrim Leka, i cili ka realizuar paraqitjen grafike dhe pamjen e jashtme të projektit.

Fotografitë e projektit janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Dritëro Shaqiri
Photo by Avni SelmanI

Dijana Toska, libri “Maqedonia në Gazetarin Time”

Shkruan Avni Selmani

Libri “Maqedonia në Gazetarin Time” i autores Dijana Toska është një vepër publicistike që dokumenton me etikë gazetareske dhe saktësi realitetin politik e shoqëror të shqiptarëve në Maqedoni gjatë viteve ’90. I ndërtuar mbi kronika, reportazhe dhe reflektime personale, ky botim përfaqëson një dëshmi autentike të gazetarisë së guximshme për të cilën autorja njihet gjerësisht, veçanërisht në një kohë represioni politik dhe censurimi.

Si një prej zërave më të spikatur të medias shqiptare në Maqedoni, Toska sjell në vëmendje sfidat e raportimit të paanshëm, tensionet ndëretnike dhe aspiratat demokratike të një populli që përballej me një tranzicion të vështirë dhe të gjatë.

Vepra ka vlerë të veçantë historike dhe profesionale, si një kronikë e rëndësishme e kohës dhe si shembull i gazetarisë me integritet dhe përgjegjësi shoqërore.

Fotografitë promovuese dhe kopertina e librit janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Nikollë Nikprelaj “Zemrën Ma Ke Thy”

Shkruan Avni Selmani

Këngëtari këngëtari dhe kantautori i njohur Nikollë Nikprelaj solli projektin muzikor “Zemrën Ma Ke Thy”, një album i pasur me këngë të zhanrit popullor që përçojnë emocione të thella dhe tema të përjetshme si dashuria, dhimbja dhe lidhja shpirtërore me vendlindjen. Të gjitha këngët janë realizuar në studion e tij personale dhe janë kompozuar nga vetë Nikollë Nikprelaj, i njohur jo vetëm si interpretues, por edhe si autor këngësh të suksesshme për vete dhe për artistë të tjerë.

Një moment i veçantë në album është kënga “Linda”, e cila interpretohet në duet me të birin, Albin Nikprelaj, një talent i ri që po ndjek me përkushtim rrugën muzikore të të atit.

Në këtë projekt spikat përkushtimi artistik dhe autenticiteti i Nikollë Nikprelajt, duke e forcuar më tej pozicionin e tij si një zë i dashur dhe i fuqishëm i muzikës shqiptare.

Fotografitë promovuese dhe kopertina e albumit janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Nikollë Nikprelaj
Photo by Avni Selmani

Teatri Kombëtar, shfaqja “Ballkan Bordel”

Shkruan Avni Selmani

Teatri Kombëtar i Kosovës solli në skenë shfaqjen “Ballkan Bordel”. me tekst nga Jeton Neziraj dhe Regji nga regjisori i njohur hungarez András Urbán. Shfaqja trajton tematika të mprehta sociale dhe politike përmes një satire të drejtpërdrejtë dhe të fuqishme që karakterizon veprat e Nezirajt dhe stilin regjisorial të Urbánit. Përmes një qasjeje provokuese, ajo sfidon normat dhe paragjykimet në shoqëritë ballkanike.

Aktorët që interpretojnë në këtë shfaqje janë:

  • Astrit Kabashi
  • May-Linda Kosumoviq
  • Adrian Morina
  • Armend Baloku
  • Semira Latifi
  • Armend Smajli
  • Shengyl Ismajli
  • Arta Selimi
  • Albulena Kryeziu-Bokshi
  • Shpejtim Kastrati
  • Ylber Bardhi
  • Adhurim Demi

Bashkëpunëtorët:

  • Skenografia: Zeni Ballazhi
  • Kostumografia: Yllka Brada
  • Muzika: Irena Popović
  • Koreografia: Sinan Kajtazi
  • Ndriçimi: Sherif Sahiti & Mursel Bekteshi
  • Asistente regjie: Arta Selimi
  • Instrumentistë: Alzan Gashi, Drin Tashi, Xhemail Gllavica

Fotografitë e shfaqjes janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Etleva Tafa, libri “Zemra e Akilit”

Shkruan Avni Selmani

Libri “Zemra e Akilit” nga autorja Etleva Tafa,është një përmbledhje me poezi të zgjedhura nga krijimtaria e saj letrare shumëvjeçare. Ky botim vjen si një kurorëzim i një rrugëtimi poetik të ndjeshëm dhe të thellë, ku temat si dashuria, dhimbja, forca e brendshme dhe kujtesa personale trajtohen me ndjeshmëri dhe intensitet emocional.

Poetja Etleva Tafa është autore e disa veprave të mëparshme letrare që përfshijnë poezi, tregime dhe ese, ndër to:
“Gjithësi e buluar në lot” (poezi, 1996),
“Parfumi ndërrohet” (tregime, 1997),
“Simfoni e leopardit” (poezi, 1998),
“Hijet e flokëve të tua” (tregime & poezi, 1999),
Tersun (tregime & poezi, 2001),
“A thua mendon për hënën time” (poezi, 2003),
“Një email për Olimp” (poezi, 2006),
“Qyteti pa mure” (poezi, 2007),
dhe “E diela e luleve” (tregime të zgjedhura, 2015).

Fotografitë promovuese dhe kopertina e librit u realizuan nga fotografi Avni Selmani.

Shkumbin Ismajli, Projekti “Nuk Ta Fal”

Shkruan Avni Selmani

Shkumbin Ismajli lansoi në treg albumin “Nuk Ta Fal”, një përmbledhje këngësh të realizuara nën labelin muzikor Eurolindi. Albumi përmban tetë krijime muzikore, ku Shkumbini paraqitet si autor i shumëfishtë, në rolin e këngëtarit, kompozitorit dhe pjesërisht orkestruesit.

Bashkëpunëtorët në realizimin e albumit përfshijnë:

Kompozitorë: Shkumbin Ismajli
Tekstshkrues: Shkumbin Ismajli, Vigan Suljemani
Orkestrues: Shkumbin Ismajli, Valter Beqo
Produksion muzikor: Eurolindi

Albumi sjell këngë me tematikë dashurie, emocione të forta personale, nostalgji dhe reflektime intime, të interpretuara me stilin karakteristik të Ismajlit dhe të mbështetura nga një realizim profesional në aspektin muzikor.

Fotografitë promovuese dhe kopertina e albumit u realizuan nga fotografi Avni Selmani.

Shkumbin Ismajli
Photo by Avni Selmani

Njazi Salihu – Gino, projekti “Këngë të Paharruara”

Shkruan Avni Selmani

Këngëtari i njohur Njazi Salihu – Gino solli për publikun një projekt të veçantë muzikor me titullin “Këngë të Paharruara”. Ky album përfaqëson një kujtim artistik për këngët që kanë lënë gjurmë në kujtesën kolektive shqiptare, duke risjellë melodi të njohura me interpretimin karakteristik dhe emocional të Ginos.

Projekti u realizua me përkushtim të lartë muzikor dhe shpirt artistik, duke ruajtur origjinalitetin e këngëve, por duke i sjellë ato me një freski të re në orkestrim dhe zë. “Këngë të Paharruara” nuk ishte thjesht një rikujtim i së kaluarës, por një përpjekje për të mbajtur gjallë trashëgiminë e këngës qytetare dhe popullore shqiptare.

Xhirimet dhe spotiet muzikoe janë realizuar nga produksioni maXimus, nën regjinë e Blerdi Malushit, duke i dhënë projektit një pamje vizuale moderne dhe të përkushtuar, në përputhje me frymën e këngëve që ai përfaqëson.

Ky album përbën një kapitull të rëndësishëm në rrugëtimin artistik të Njazi Salihut, duke e përforcuar profilin e tij si një zë autentik dhe i dashur për publikun.

Fotografitë e projektit janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.

Shfaqja “Tregtari i Venedikut”

Shkruan Avni Selmani

Teatri Kombëtar i Kosovës solli në skenë shfaqjen “Tregtari i Venedikut”, me tekst nga William Shekspir dhe regji nga Matthew Lenton, drejtor artistik i kompanisë skoceze Vanishing Point. Kjo vepër klasike, një nga dramat më të njohura të Shekspirit, trajton çështjet e drejtësisë, mëshirës, paragjykimit dhe lakmisë njerëzore. Nën regjinë e Lentonit, shfaqja u soll në një formë bashkëkohore e të guximshme, ku përplasja mes ligjit dhe njerëzores merr një kuptim të ri në realitetin tonë. Vepra flet për tensionin midis pasurisë dhe moralit, për kufijtë e arsyes dhe hakmarrjes, si dhe për mundësinë e pajtimit në një botë të ndarë nga interesat dhe besimet.

Në role interpretojnë Luan Jaha, Kumrije Hoxha, Gresa Pallaska, Lena Kryeziu-Bokshi, Ylber Bardhi, Armend Smajli, Armend Baloku, Eshtref Durmishi, Tristan Halilaj dhe May-Linda Kosumoviq. Regjia është nën kujdesin e Matthew Lenton, asistente krijuese Kristin Kothij, bashkëpunëtor kreativ Kushtrim Koliqi, dramaturg Besim Rexhaj dhe kostumografe Yllka Brada.

Interpretimet e aktorëve u vlerësuan për fuqinë dhe ndjeshmërinë me të cilën sollën personazhet e Shekspirit. Luan Jaha, Kumrije Hoxha, Gresa Pallaska, Lena Kryeziu-Bokshi, Ylber Bardhi, Armend Smajli, Armend Baloku, Eshtref Durmishi, Tristan Halilaj dhe May-Linda Kosumoviq krijuan një harmoni të veçantë në skenë, duke e bërë shfaqjen një përjetim të gjallë e të thellë për publikun.

Një element që e veçoi këtë produksion ishte muzika e kompozuar dhe e interpretuar drejtpërdrejt nga Trimor Dhomi, i cili gjatë gjithë shfaqjes ishte i pranishëm në skenë me pianon e tij, duke krijuar një atmosferë të ndjeshme dhe emocionale që e shoqëroi ritmin dramatik të veprës.

Fotografitë e shfaqjes janë realizuar nga Avni Selmani.

Teatri Kombëtar i Kosovës – Shfaqja “Aritmi”

Shkruan Avni Selmani

Teatri Kombëtar i Kosovës solli në skenë shfaqjen “Aritmi”, me tekst nga Arta Arifi dhe regji nga Iliriana Arifi, prodhim.

Shfaqja trajton ritmet e jetës dhe çrregullimet që lindin nga nxitimi, mungesa e qetësisë dhe prishja e ekuilibrit të brendshëm. Përmes gjuhës së ndjeshme dramatike, autorja kërkon të kuptojë shpirtin e njeriut bashkëkohor që përpiqet të mbajë ritmin me një botë që lëviz më shpejt se ndjenjat.

Në role interpretojnë:
Sheqerie Buçaj, Aurita Agushi, Faris Berisha, Fatlume Bunjaku dhe Ylber Bardhi.

Skenografia: Ilmi Ballazhi
Koreografia: Agnes Nokshiq
Kostumet: Njjomza Luci
Grimi: Jehona Bunjaku
Skena: Aziz Maloku
Dekor: Driton Musliu
Dizajn dritash: Shani Sahiti
Perzgjedhja muzikore: Iljasa Arifi
Organizator: Besfort Beqiri
Me tematikën e saj reflektuese dhe ndjesinë e fortë vizuale, “Aritmi” mbetet një vepër që flet për ritmet e shpirtit njerëzor në kohën moderne.

Fotografitë e shfaqjes janë realizuar nga Avni Selmani.

Shfaqja “Përtej Kufijve të Pushtetit”

Shkruan Avni Selmani

Teatri Kombëtar i Kosovës solli në skenë shfaqjen “Përtej Kufijve të Pushtetit”, me tekst nga Albri Brahushaj dhe regji nga Esat Brajshori.

Kjo shfaqje u vlerësua si një nga komeditë më të suksesshme shqiptare të viteve të fundit, duke trajtuar me satirë realitetin politik të shoqërisë shqiptare dhe ballkanike. Në qendër të saj është një ngjarje absurde, epidemia e diarresë, që kthehet në strategji politike dhe fat qytetari në një vend të ngecur në tranzicion të pafund me aromë diktature.

Përmes ironisë dhe groteskut, vepra shpërfaq banalitetin e pushtetit, paaftësinë e sistemit dhe absurditetin e përditshmërisë sonë, duke e bërë publikun të qeshë e të reflektojë njëkohësisht. Regjisori Esat Brajshori solli një inskenim të gjallë dhe dinamik, me interpretim kolektiv të përmasave të plota.

Në role interpretojnë:
Enver Petrovci
Veton Osmani
Aurita Agushi
Ylber Bardhi
Semira Latifi
Ramadan Malaj
Selatin Ademi
Avdi Gërvalla
Kosovare Hoti
Beslidhje Bytyqi
Qëndresa Loki

Regjia: Esat Brajshori
Teksti: Albri Brahushaj
Asistente regjie: Semira Latifi
Skenografia: Krste S. Dzidrov
Kostumografia: Samka Ferri
Muzika: Florent Boshnjaku
Producent: Teatri Kombëtar i Kosovës

“Përtej Kufijve të Pushtetit” është një vepër që ndërlidh komedinë me kritikën sociale, duke e vendosur publikun përballë absurditetit të një sistemi që jeton duke u justifikuar në krizë.

Fotografitë e shfaqjes janë realizuar nga fotografi Avni Selmani

.

Photo by Avni Selman