Pezullimi i Dialogut me SHBA, kush e sheh si fitore, kush humb?

Shkruan Avni Selmani

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për ta pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën nuk është një lajm i zakonshëm. Ai është një paralajmërim serioz për partneritetin më të rëndësishëm që ka Kosova. Në vend të shqetësimit, një pjesë e klasës politike dhe disa media e kanë parë si fitore politike.

Ky qëndrim tregon se sa e ndarë dhe e përçarë është klasa jonë politike. Për interesa të ngushta, në vend që të ishin të shqetësuar për vendin, e marrin si përfitim politik kur dëmtohet imazhi i qeverisë, pa marrë parasysh se në fakt dëmtohet Kosova si shtet. Në vend që të shohin rrezikun e ftohjes së marrëdhënieve me aleatin kryesor, në vend që ta kuptojnë si rrezik për vendin, e shfrytëzojnë për përfitime të përkohshme politike.

Një sjellje e tillë është e rrezikshme, sepse vendos interesin partiak mbi atë kombëtar. Në vend që të hapet debat se si të ruhet besimi i SHBA-së dhe si të korrigjohen gabimet në politikën e brendshme e të jashtme, krijohet një atmosferë ku “çdo goditje ndaj qeverisë është e mirëpritur”, edhe kur ajo goditje prek themelet e shtetit.

Në këtë kuptim, mirëpritja e pezullimit nga një pjesë e klasës politike dhe disa media është pasqyra e një mentaliteti që nuk dallon kufirin mes lojës politike dhe përgjegjësisë shtetërore. Sot është pezulluar Dialogu Strategjik, nesër mund të ftohen edhe marrëdhëniet më të thella ekonomike e ushtarake. Atëherë, kush humb dhe kush do ta përshëndesë këtë?

Ky moment duhet parë si thirrje për reflektim. Patriotizmi i vërtetë nuk matet me gëzimin që sjell dështimi i tjetrit, por me aftësinë për ta mbrojtur vendin nga dështimet e mëdha. Sepse kur humbet besimi i aleatit kryesor, pasoja nuk i ndien vetëm politika, por i gjithë shteti.A.S

A kemi parti politike apo klube private?

Shkruan Avni Selmani

Në një shoqëri demokratike, roli i partive politike do duhej të ishte që të përfaqësojnë qytetarët, të mbrojnë interesat e tyre dhe të krijojnë ide që e çojnë vendin përpara. Ato duhet të jenë ura mes popullit dhe pushtetit, vend ku qytetari ndihet pjesë e vendimmarrjes.

Por tek ne realiteti është ndryshe. Partitë ngjajnë më shumë me klube private. Udhëheqësit me rrethin e tyre i shohin partitë si prona private, mbledhin rreth vetes një grusht njerëzish besnikë dhe çdo vendim merret brenda atij rrethi. Nëse vijnë në pushtet, institucionet mbushen me militantë, postet ndahen si shpërblime, e qytetari nuk ka asnjë ndikim.

Tek partitë politike tek ne vlen një parim i thjeshtë, nuk ka rëndësi sa profesionist apo intelektual je, por sa i përkushtuar je ndaj partisë dhe sa besnik je ndaj udhëheqjes së saj. Kjo e tregon pse shumë njerëz të aftë mbesin jashtë, ndërsa vendet e rëndësishme zihen nga ata që dinë vetëm të ndjekin urdhrat dhe të sillen si servilë ndaj udhëheqësit.

Shpesh bëhet pyetja, pse në partitë tona nuk shohim akademikë, intelektualë apo profesionistë të njohur? Përgjigjja është e thjeshtë, ata nuk janë të mirëseardhur. Me njerëz të tillë nuk do të mund të bëheshin pazaret që shihen sot, sepse ata nuk do të pranonin t’i nënshtroheshin urdhrave pa kushte. Prandaj partitë zgjedhin më lehtë militantët dhe besnikët, të cilët nuk e vënë në dyshim vendimin e udhëheqjes.

E njëjta gjë shihet edhe brenda vetë partive. Sa prej tyre bëjnë zgjedhje të hapura dhe reale? Zgjedhja e kryetarit zakonisht bëhet pa kundërkandidat dhe pa vota të fshehta, sepse duhet të shihet qartë kush është me kryetarin dhe kush jo. Listat e kandidatëve përgatiten nga lart, mendimet ndryshe nuk lejohen, dhe edhe votimet në parlament duhet të jenë në koordinim me shefin e partisë. Këtë dukuri e pamë edhe në seancat e fundit të parlamentit. Deputetët votuan ashtu siç morën urdhra nga udhëheqësit e partive, pa asnjë mendim të tyre. Nuk u lejua të votohet me votim të fshehtë, sepse kjo do t’u hiqte kontrollin shefave të partive. Në vend që deputeti të përfaqësojë qytetarin, ai mbetet i lidhur me klubin e tij politik.

Çdo katër vjet, gjatë fushatave, partitë kujdesen shumë për qytetarët. I vizitojnë, i dëgjojnë për hallet e tyre dhe u premtojnë zgjidhje. Por sapo të mbarojnë zgjedhjet, gjithçka ndryshon. Ata mbyllen në qetësinë e tyre dhe e ndajnë “tallin” mes vetes, duke shpërblyer të gjithë “meritorët” e partisë me poste dhe privilegje. Për qytetarin nuk tregojnë më asnjë kujdes, sepse në këtë fazë për ta e rëndësishme është vetëm besnikëria ndaj partisë, jo ndaj popullit.

Një tjetër dukuri është rivaliteti i partive me njëra-tjetrën. Ky rivalitet shpesh kthehet në armiqësi të hapur dhe personale mes krerëve të partive. Kur krerët e partive sillen si armiq mes vete, bëhet e qartë se institucionet nuk funksionojnë. Në një shtet me institucione të forta, partitë do të ishin të detyruara të bashkëpunonin për interesin e përbashkët.

Nga e gjithë kjo lind pyetja, kush e mbron qytetarin, kur partitë sillen si klube private? Por në fund, përgjegjësia bie edhe mbi vetë qytetarin. Duke i parë këto dukuri, një pjesë e madhe e qytetarëve lidhen emocionalisht me krerët e partive dhe i mbrojnë, duke i lejuar ato të përsëriten. Në këtë mënyrë, qytetari pranon të mbetet i papërfaqësuar dhe e lë shtetin peng i tyre. A.S

A kemi media të lira, apo media të interesave të caktuara?

Shkruan Avni Selmani

Asnjëherë më parë nuk kemi qenë në një krizë kaq të thellë institucionale, ku shteti duket i paralizuar nga klasa politike, e cila për interesa të ngushta nuk ka interes të ofrojë një zgjidhje që do ta zhbllokonte këtë ngërç, i cili po duket se nuk ka mbarim. Në këtë gjendje, një pjesë të madhe të përgjegjësisë e mbajnë edhe mediat, të cilat jo vetëm që nuk e pasqyrojnë realitetin, por shpesh bëhen pjesë e lojës duke u shërbyer po atyre interesave. Në vend që të jenë kontrolluesit e klasës politike dhe mbrojtësit e së vërtetës, ato shndërrohen në instrument të politikës, duke humbur kështu misionin e tyre kryesor.

Një pjesë e fajit bie edhe mbi Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili, në vend që të garantojë pluralizmin dhe pavarësinë, është përfshirë në vendime të diskutueshme, të cilat kanë hapur dyshime serioze për ndikim politik. Kjo ka bërë që Kosova të bjerë ndjeshëm në indeksin e lirisë së medias, një tregues i qartë se hapësira e fjalës së lirë po ngushtohet dhe se mediat e pavarura po e kanë gjithnjë e më vështirë të mbijetojnë.

Këto ditë pamë se si vendimet e Gjykatës Kushtetuese interpretohen në mënyra të ndryshme nëpër studio televizive, sipas interesave të secilit kanal. Një tjetër fenomen shqetësues është shndërrimi i këtyre studieve në skena show-sh, ku përballjet bëhen më shumë për spektakël sesa për përmbajtje. Në këto debate përdoret shpesh fjalor i keq, njerëzit e jetës publike bullizohen, dhe publikut i serviret më shumë përplasje verbale sesa analizë e vërtetë.

Shumë media nuk e përcjellin as agjendën shtetërore. Kohë më parë doli një raport ndërkombëtar i SIGMA/OECD, i cili tregoi se Kosova sot qëndron më mirë se shumica e vendeve të rajonit në performancën e administratës publike, por këto të dhëna u heshtën nga shumica e mediave sepse nuk u përshtaten interesave politike që ato i shërbejnë.

Në anën tjetër, programe edukative ka shumë pak. Arsyeja është e thjeshtë, ato nuk sjellin audiencë dhe nuk konsiderohen të dobishme për interesat e mediave. Kjo tregon qartë se për shumicën e tyre nuk ka rëndësi cilësia e përmbajtjes, por vetëm tregu dhe ndikimi politik.

Pasojat e kësaj gjendjeje janë të qarta. Qytetarët nuk e shohin më median si burim të besueshëm, por si një zë që përsërit të njëjtat fjalë që dëgjojnë nga politika. Problemet e përditshme, vështirësitë ekonomike, padrejtësitë dhe shkeljet e ligjit nuk marrin hapësirën që meritojnë. Në vend të tyre, dominon skena e debatit politik, ku gjithçka kthehet në spektakël, por jo në zgjidhje.

Prandaj pyetja është. pse nuk kemi media që shërbejnë si mbrojtës i qytetarëve, por kemi media që shërbejnë si mjet i interesave të caktuara. A.S

Humbja e besimit te shteti dhe institucionet

Shkruan Avni Selmani

Me realizimin e ëndrrës shekullore për të pasur shtetin tonë, u krijua bindja se më në fund po hapej një faqe e re e historisë sonë. Rezultat i kësaj ishte kthimi i qindra mijëra të dëbuarve nga lufta, të cilët, edhe pse në vendet e Evropës kishin një jetë më të mirë e më të sigurt, vendosën të ktheheshin në Kosovë. Ky kthim nuk ishte thjesht një rikthim fizik, por besimi se më në fund kishte ardhur koha për të ndërtuar një atdhe ku secili do të ndjehej i mbrojtur dhe i barabartë. Ishte momenti kur besimi te institucionet po ndërtohej mbi entuziazmin e madh dhe pritjen që drejtësia më në fund do të bëhej realitet.

Por kjo nuk zgjati shumë. Shpejt u pa se shteti nuk po bëhej ashtu siç ishte menduar. Në vend të institucioneve që duhej të garantonin barazi, u krijuan struktura të dobëta, të kapura nga interesa të ngushta. Shpresa që njerëzit kishin sjellë me vete u ndesh me korrupsion, padrejtësi dhe mungesë vizioni.

Ky dallim mes asaj që pritej dhe asaj që ndodhi është arsyeja pse sot besimi te shteti dhe institucionet është aq i dobët. Ata që u kthyen nga një jetë e sigurt në Evropë për të ndërtuar këtu, tani e shohin se ky vend nuk i trajtoi ashtu si e kishin ëndërruar. Të zhgënjyer dhe të dëshpëruar, tani e mendojnë të ikin përsëri. Jo nga lufta, por nga realiteti i hidhur.

Klasa politike, në vend që të merret me zhvillimin e vendit, merret me përplasjet mes vetes dhe me interesat e veta. E kemi parë edhe në kohët e fundit, ku vendimet e rëndësishme janë bllokuar. Për interesa personale dhe të grupeve të caktuara është paralizuar shteti, pavarësisht çmimit dhe pasojave që mund të ketë. Institucionet, që duhej të ishin vendi ku zgjidhen problemet, janë kthyer në mjet për interesa partiake dhe personale.

Por edhe qytetari nuk mund të mbetet i përjashtuar nga kjo përgjegjësi. Heshtja, mosinteresimi dhe pajtimi me gjendjen e kanë bërë më të lehtë që shteti të kthehet në pronë të pak njerëzve. Një shoqëri që nuk kërkon llogari, e humb ngadalë të drejtën për të pasur shtet funksional.

Pasojat janë të dukshme. Kur humbet besimi te shteti, qytetari është i detyruar të zgjedhë rrugë të tjera, të largohet, të anashkalojë gjithçka ose të heshtë. Si rezultat i kësaj, po ikin edhe ata që janë mirë materialisht, sepse mënyra se si po funksionon shteti nuk u jep asnjë perspektivë. Dhe kjo ikje kësaj radhe do të jetë e dhimbshme, sepse këta nuk do të kthehen më. Kjo tregon më së miri dështimin e shtetit dhe mungesën tonë si shoqëri për ta ruajtur besimin.

Nga e gjithë kjo mbetet të shpresojmë se do të krijohet një vetëdije kombëtare, që të kuptojmë se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Si popull nuk e meritojmë të jetojmë në një realitet ku besimi te shteti dhe institucionet është humbur. Ndryshimi është i domosdoshëm dhe duhet të vijë prej nesh, përndryshe kjo gjendje do të thellohet edhe më shumë. A.S

Pse kemi këtë gjendje në Kosovë edhe pse e kemi shtetin tonë?

Shkruan Avni Selmani

Gjatë gjithë historisë kemi qenë të robëruar. Nga kush jo. Dhe gjithmonë kemi ëndërruar të kemi shtetin tonë. Ky ka qenë qëllimi më i madh i brezave para nesh, ëndrra për të cilën u sakrifikuan jetë të tëra. Por tani që e kemi shtetin, sikur jemi ngopur me të dhe kemi harruar pse sakrifikuam aq shumë për ta pasur. Shpesh e pyesim veten pse, edhe pas kaq vitesh pavarësi, nuk ndihemi si qytetarë të një shteti që na përfaqëson dhe na mbron. Kemi flamurin, kushtetutën dhe institucionet tona, por realiteti i përditshëm na tregon një pamje krejt tjetër. Pse ndodh kjo?

Një nga arsyet pse kemi këtë gjendje është se mënyra e të menduarit ka mbetur e njëjtë. Shumë nga ata që sot mbajnë poste e trajtojnë shtetin si pronë private, jo si përgjegjësi ndaj qytetarëve. Trashëgimia e sistemeve të mëparshme, ku partia ishte mbi ligjin, vazhdon edhe sot. Edhe pse kemi ndërruar flamujt, nuk kemi ndërruar mënyrën e të menduarit.

Një tjetër arsye është kapja e institucioneve nga partitë politike, që e ka shndërruar shtetin në pronë private të pak njerëzve. Shumë vendime merren për interesa të ngushta dhe jo për të mirën e përbashkët. Qytetari nuk shihet si qëllim, por si mjet për vota. Kjo krijon mosbesim dhe humbje shprese.

Një pjesë e fajit është edhe tek ne, qytetarët. Shumë njerëz e shohin shtetin vetëm si burim përfitimesh dhe jo si diçka që duhet mbrojtur e përmirësuar. Ne e duam shtetin vetëm kur na sjell përfitime dhe e shajmë kur na mungon diçka, por rrallë e ndjejmë si përgjegjësi të përbashkët.

Ky shqetësim nuk është i ri. Ai paraqitet herë pas here, por sidomos kohët e fundit, kur jeta institucionale është thuajse e paralizuar. Kur i dëgjon arsyet e kësaj gjendjeje, janë aq banale dhe të pabesueshme, sa që njeriu fillon të mendojë me vete, si është e mundur që një shtet funksionon kaq keq, dhe askush nuk mban përgjegjësi,

Kjo gjendje ka bërë që edhe ndërkombëtarët të mos na marrin më seriozisht. Kur një shtet nuk funksionon dhe nuk ka udhëheqje me vizion, bie edhe respekti ndërkombëtar. Kjo shihet në mungesën e vizitave zyrtare, ftesave në tryeza të rëndësishme dhe pengesat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Në sytë e botës, një shtet që nuk sillet me dinjitet me veten, nuk mund të kërkojë trajtim me dinjitet nga të tjerët.

Ndoshta tek ne shqiptarët ka mbetur ende ajo ndjenja se gjatë gjithë historisë kemi jetuar vetëm për të mbijetuar. Prandaj, shtetin nuk e ndjejmë si duhet. Nuk e shohim si diçka tonën për të cilën duhet të kujdesemi, por si diçka që ose na zhgënjen, ose e përdorim kur na duhet.

Prandaj, pavarësisht se kemi shtetin tonë, shpesh nuk ndjehemi sikur jetojmë në një shtet të mirëfilltë. Sepse shteti nuk është vetëm një flamur dhe disa zyra. Shteti është ndjenja e përbashkët se ky vend është i yni dhe se secili prej nesh ka përgjegjësi për ta mbrojtur dhe përmirësuar. Deri kur të mos e kuptojmë këtë, do të kemi vetëm emrin “shtet”, por jo jetën që duhet të na japë ai. A.S

Teknologjia dixhitale, në mes përfitimeve dhe pasojave

Shkrian Avni Selmani

Teknologjia është bërë pjesë e pandashme e jetës sonë. Çdo ditë përdorim telefona, kompjuterë, makina të mençura, rrjete sociale dhe shërbime që disa dekada më parë as që i imagjinonim. Ajo na e ka lehtësuar jetën, na ka afruar më shumë me botën, por në të njëjtën kohë ka hapur edhe dilema të mëdha për mënyrën si po ndryshojmë si shoqëri dhe si njerëz.

Sot, në tryezat botërore dhe në studiot televizive, zhvillohen debate të shumta për këtë temë. Njëra anë thekson të mirat e arritjeve teknologjike dhe mundësitë që ato sjellin për jetën e njeriut. Ana tjetër ngre shqetësime për rreziqet, pasiguritë dhe të panjohurat që këto zhvillime mund të sjellin, sidomos kur bëhet fjalë për transhumanizmin, i cili ngre pyetje rreth kufijve të njeriut si qenie.

E mira e teknologjisë shihet kudo. Në mjekësi, falë teknologjisë moderne sot diagnostikohen dhe shërohen sëmundje që dikur ishin të pashpresa. Implantet, ndërhyrjet robotike dhe inteligjenca artificiale po shpëtojnë jetë. Në komunikim, teknologjia ka thyer kufijtë, një mesazh arrin në sekonda nga njëra anë e botës në tjetrën. Arsimi është bërë më i qasshëm, librat, kurset dhe dijet tani janë në dispozicion për këdo që ka internet. Edhe jeta e përditshme është më e lehtë, nga pagesat elektronike, deri te pajisjet që kursejnë kohë dhe energji.

Por teknologjia ka edhe anën e saj të errët. Varësia nga pajisjet është bërë problem serioz, sidomos tek të rinjtë. Kalojmë më shumë kohë duke shikuar ekrane sesa duke folur me njëri-tjetrin. Privatësia jonë është gjithnjë e më e rrezikuar, sepse çdo klikim, kërkim apo bisedë mund të ndiqet dhe të shfrytëzohet. Marrëdhëniet njerëzore shpesh dobësohen, sepse përqendrimi te botët virtuale na largon nga realiteti. Ndërkohë, algoritmet e rrjeteve sociale na drejtojnë pa e kuptuar, duke ndikuar tek ajo që lexojmë, besojmë e madje edhe tek mënyra si mendojmë. Frika më e madhe është se robotët dhe inteligjenca artificiale mund të zëvendësojnë shumë profesione, duke e bërë të pasigurt të ardhmen e punës.

Në fund, pyetja nuk është nëse teknologjia është e mirë apo e keqe. Ajo nuk ka moral vetvetiu. Varet nga mënyra si ne e përdorim. Ajo mund të jetë një mjet i fuqishëm për të përmirësuar jetën, por edhe një rrezik i madh nëse i dorëzohemi pa kontroll.

E ardhmja nuk varet vetëm nga sa e fuqishme bëhet teknologjia, por sa të kujdesshëm jemi ne në përdorimin e saj.A.S

Teknologjia dixhitale po ecën me shpejtësi, a jemi ne në hap me botën?

Shkruan Avni Selmani

Bota po ecën me një shpejtësi të paparë drejt përparimeve teknologjike. Çdo ditë, shpikje të reja po ndryshojnë mënyrën si jetojmë, si punojmë dhe si mendojmë. Ne, pa e kuptuar, po e përshtatim jetën tonë sipas ritmit të teknologjisë, ndoshta pa e ditur se ku do të na çojë e gjithë kjo.

Gjërat që dikur i shihnim vetëm në filma fantastiko-shkencorë po bëhen realitet, implante teknologjike që bëhen pjesë e trupit, gjene që ndryshojnë jetën tonë, inteligjencë artificiale që vendos në vendin tonë, robotë që marrin jo vetëm punët tona, por edhe rolin tonë në shoqëri. Transhumanizmi, si proces i ri, synon të bashkojë trupin dhe mendjen e njeriut me teknologjinë, përmes implanteve si Neuralink, me qëllim rritjen e inteligjencës, forcës apo kujtesës. Por kush do të vendosë se çfarë është përmirësim dhe kush do të përjashtohet nga kjo? Bioetika këto zhvillime i sheh me kujdes, sepse ngritin pyetje të thella për barazinë, privatësinë dhe vetë kuptimin e të qenit njeri.

Teknologjia nuk është thjesht një mjet. Ajo ndryshon rrënjësisht mënyrën si mendojmë, si e shohim realitetin dhe si marrim vendime. Ne e përdorim çdo ditë, por shpesh nuk e dimë si funksionon dhe cilat janë qëllimet e atyre që e krijojnë. Kjo na bën të pambrojtur, të varur dhe të lehtë për t’u kontrolluar.

Prandaj, është e domosdoshme të edukohet rinia, jo vetëm për të përdorur teknologjinë, por për ta kuptuar, për ta vlerësuar dhe për t’i njohur rreziqet e saj. Sepse ky zhvillim nuk ndalet, por ne mund të zgjedhim si t’i përgjigjemi atij.

Në shumë vende të zhvilluara, qeveritë, shkollat dhe mediat organizojnë programe që shpjegojnë teknologjitë e reja dhe pasojat e tyre. Tek ne, as arsimi dhe as mediat nuk i japin hapësirën që duhet, duke e lënë shoqërinë në mëshirën e të panjohurës. Prandaj është e domosdoshme që institucionet të marrin masa, ta orientojnë atë dhe t’i shpjegojnë për rreziqet e mundshme.

Nëse nuk e kuptojmë dhe nuk i përgjigjemi me përgjegjësi këtyre zhvillimeve, atëherë jo, nuk jemi në hap me botën. Nuk mjafton ta përdorim teknologjinë, duhet ta kuptojmë, ta drejtojmë dhe ta vëmë në shërbim të njeriut, përndryshe ajo do të na drejtojë ne. A.S

Derisa bota bashkohore merret me të ardhmen, shqiptarët merren me të kaluarën dhe me njëri-tjetrin.

Shkruan Avni Selmani

Ndërkohë që bota po merret me zhvillime të reja shkencore, teknologjike dhe shoqërore, si inteligjenca artificiale, robotika dhe risitë që po ndryshojnë mënyrën e jetesës, ne vazhdojmë të merremi me probleme që në shumë vende janë kapërcyer prej kohësh, mungesën e drejtësisë, punësimin përmes lidhjeve, tenderët e manipuluar, korrupsionin që nuk ndalet, partitë që sillen si pronarë të shtetit dhe përçarjet mes nesh.

Bota po ecën përpara duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi, ndërsa ne e humbim kohën në grindje mes vetes. Aty ku flitet për zhvillime që ndryshojnë jetën, zgjatin atë dhe përmirësojnë aftësitë e njeriut, ne merremi me fyerje dhe përplasje të kota. Ndërsa shtetet përgatiten për ekonominë e së ardhmes, ne zihemi për trashëgimi, për vendime klanore dhe për privilegje të grupeve të caktuara.

Derisa në vende të tjera studiot televizive hapin diskutime për tema që janë jo vetëm aktuale, por edhe të domosdoshme për kohën, mediat tona janë të mbushura me emisione të përsëritura dhe me argatë të klaneve politike, që flasin pa përmbajtje dhe pa ide për të ardhmen.

Kosova është një vend me një rini të jashtëzakonshme, por në vend që të udhëhiqet drejt inovacionit, ajo po detyrohet të ikë jashtë. Ndërkohë që bota mendon si të jetojë më gjatë, më shëndetshëm dhe më të lumtur, rinia jonë mendon si të shpëtojë nga papunësia, padrejtësia dhe nga një klimë që nuk e mbështet as e motivon. Bota planifikon dekadat e ardhshme, ne nuk kemi një plan as për vitin e ardhshëm.

Është e vërtetë që historia jonë ka qenë e rëndë dhe në shumë gjëra jemi vonë. Por pikërisht kjo duhet të na motivojë që të mos mbetemi peng i së kaluarës. Jo për ta harruar, sepse e kaluara nuk harrohet, por për të mos lejuar që ajo të na mbajë larg të ardhmes. Nuk kemi më kohë për të qëndruar në vend. Bota po ecën me shpejtësi dhe ne duhet të ecim bashkë me të. Integrimi në zhvillimet globale nuk është më zgjedhje, por domosdoshmëri.

Nëse nuk e ndryshojmë drejtimin, do të mbetemi një vend që jeton gjithmonë në të kaluarën, ndërsa bota do të ecë drejt një të ardhmeje që ne nuk do ta kuptojmë, madje edhe kur ajo të jetë bërë realitet. Por atëherë do të jetë tepër vonë për të pyetur pse mbetëm pas. E ardhmja nuk do të na presë. Edhe kështu jemi vonë, prandaj të ecim në hap me botën duke i lënë anash të gjitha ndarjet dhe interesat personale, sepse shteti është mbi të gjitha. A.S

Pse diaspora heziton të investojë në Kosovë?

Për dekada me radhë, diaspora shqiptare ka qenë një nga shtyllat më të rëndësishme për mbështetjen e vendit, duke kontribuar jo vetëm ekonomikisht, por edhe me ide, përvojë dhe gatishmëri për t’u angazhuar në zhvillimin e vendit. Ka qenë pjesë e shumë aksioneve për ndihmën e Kosovës, sidomos në periudha kur shteti ishte i pafuqishëm ose nuk funksiononte. Megjithatë, kur bëhet fjalë për investime në ekonomi, faktet tregojnë një tjetër realitet. Investimet nga diaspora janë të pakta, ndërsa potenciali mbetet i pashfrytëzuar. Shpesh thuhet se mërgata nuk ka interes për të investuar, por problemi është më i thellë. Kosova nuk ofron kushte të mjaftueshme për ta kthyer këtë vullnet në veprim konkret.

Çdo investitor kërkon siguri. Shumë mërgimtarë që kanë tentuar të investojnë janë përballur me gjykata të ngadalshme, vendime të padrejta dhe ndikime politike që mbrojnë lidhjet, jo ligjin. Kur dikush që ka punuar ndershëm për vite të tëra humb investimin për shkak të mashtrimeve apo ndërhyrjeve politike, kjo jo vetëm që është padrejtësi, por shndërrohet në një mesazh negativ për të gjithë të tjerët. Në mungesë të sigurisë ligjore, pak kush merr rrezikun përsipër. Po ashtu, nuk ekziston një mekanizëm shtetëror që ta orientojë apo ta mbështesë seriozisht investitorin nga jashtë. Politikat janë të paqarta, qasja në treg është e vështirë dhe lehtësitë që premtohen në fjalime rrallëherë zbatohen në praktikë. Edhe iniciativat që vijnë nga vetë diaspora rrallëherë merren seriozisht nga institucionet. Ata që kthehen me ide, shpesh përballen me zvarritje dhe pengesa në vend të bashkëpunimit. Disa kanë humbur kursimet, të tjerë janë mashtruar nga bashkëpunëtorë të paqëndrueshëm. Disa janë nënvlerësuar ose përballur me mosbesim. E në fund, edhe nëse arrijnë të fillojnë një veprimtari, shpesh përballen me konkurrencë jo të ndershme në treg, që mbështetet nga lidhjet politike, abuzimi me ligjin apo privilegjet informale që u jepen atyre që janë afër pushtetit.

Shteti nuk mund të presë që diaspora të investojë për arsye emocionale. Është e papranueshme që pas kaq vitesh pavarësi, ende të mos ekzistojë një strategji serioze për përfshirjen e kapitalit dhe përvojës së diasporës në zhvillimin e vendit. Të kërkosh ndihmë vetëm në kohë krizash dhe ta injorosh diasporën kur ofron zgjidhje, nuk është as politikë, as menaxhim, është papërgjegjësi. Ajo që mungon nuk është vetëm vullneti politik, por edhe ndershmëria për të krijuar një sistem ku investimi vlerësohet dhe mbrohet. Në vend të partneritetit, diaspora trajtohet si burim i përkohshëm kursimesh që shteti as nuk përpiqet ta ruajë. Kjo tregon jo vetëm dështim administrativ, por edhe një mentalitet të vjetruar që i largon mundësitë në vend që t’i afrojë.

Kapitali nuk lëviz pa garanci, dhe askush nuk rrezikon atë që është fituar me mund, larg familjes dhe në kushte të vështira. Nuk është përgjegjësi e diasporës të bëjë shtetin. Është përgjegjësi e shtetit të krijojë kushte që ata të mos ndihen të huaj në vendin prej nga vijnë. Investimi është çështje besimi, dhe ky besim nuk fitohet me fjalë të mira, por me drejtësi që mbron dhe institucione që veprojnë. Pa një reformë të vërtetë në drejtësi dhe administratë, thirrjet për investim mbeten formale dhe pa rezultat. Pa një program të mirëfilltë me projektligje konkrete për nxitjen e investimeve, jo që nuk do të kemi investitorë, por as zhvillim. Ekonomia i ka ligjet e veta dhe nuk njeh sentiment. I gjithë ky kapital që pritet të investohet është fituar me mund, mall dhe me sakrifica të mëdha, dhe nuk hidhet në një sistem që nuk jep garanci. Nëse nuk ka veprim konkret dhe përgjegjësi shtetërore, diaspora do të vazhdojë të qëndrojë larg. Besimi nuk rikthehet me fjalë, por me veprime konkrete. A.S.

Kur armiqësia personale mes politikanëve e paralizon shtetin

Shkruan Avni Selmani

Kur shohim se çfarë po ndodh në skenën politike dhe parlamentare, është e vështirë të përmbahesh dhe të gjesh fjalët e duhura për të folur për ta. Gjithçka në jetën politike dhe institucionale duket e paralizuar, sepse nuk po u dalin llogaritë e pazareve dhe interesave të tyre të ngushta. Ata nuk tregojnë asnjë ndjesi, as njerëzore, as institucionale, dhe kjo është e patolerueshme.

Është e pashpjegueshme kjo papjekuri politike në një kohë kur vendi ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm gjeopolitik dhe përballet me shumë probleme të brendshme. Zyrtarisht jemi vendi më i varfër në Evropë, në një kohë kur duhen zgjidhur çështje që lidhen drejtpërdrejt me shtetin dhe me qytetarin. Përkundër kësaj gjendjeje dhe këtyre sfidave, politikanët tanë sillen sikur nuk e ndiejnë aspak përgjegjësinë që kanë. Ata nuk tregojnë asnjë ndjesi, asnjë empati shtetërore, sikur kjo të mos ishte puna e tyre.

Ne jemi një shtet i ri, një shtet që është ëndërruar për shekuj. Dhe kur sheh një klasë politike që ushqehet me armiqësi të hapur ndaj njëra-tjetrës, lind pyetja: çfarë mund të presësh nga ta? Si mund të presësh që të mendojnë për të ardhmen e shtetit kur ata nuk arrijnë të kalojnë as përtej inateve të tyre personale?

Kur inatet kalojnë në armiqësi, gjithçka ndalet. Në një situatë të tillë nuk mund të ketë as mirëkuptim dhe as bashkëpunim. Çdo vendim, çdo qëndrim, shpesh duket i lidhur me hakmarrje dhe jo me përgjegjësi. Kjo nuk është politikë, kjo është një lojë e rrezikshme që paralizon shtetin dhe rrezikon të shkatërrojë gjithçka që është ndërtuar me sakrifica të mëdha.

Nëse politika vazhdon të jetë arenë për hakmarrje dhe jo për ide, si mund të ndërtohet besimi i qytetarëve? Si mund të krijohen institucione të forta kur të parët që i dobësojnë janë pikërisht ata që duhet t’i mbrojnë? Besimi i humbur nuk kthehet lehtë dhe shoqëria lodhet duke parë të njëjtën skenë çdo ditë. E keqja është se kjo gjendje nuk do të ndryshojë shpejt. Politikanët janë të njëjtët dhe votuesit, shumica, mbeten po ata që u japin sërish besim. Kjo do të vazhdojë deri në ditën kur të vijë një klasë politike që e merr seriozisht shtetin dhe nuk e sheh pushtetin si pronë personale.

Një klasë politike që e sheh pushtetin si plaçkë dhe jo si përgjegjësi nuk mund të sjellë asgjë tjetër veç ndarjes dhe mosbesimit. Pyetja është, a do të vijë ndonjëherë dita që këta njerëz të kuptojnë se shteti nuk është pronë private e tyre? Dhe nëse jo, sa gjatë do të zgjasë durimi i qytetarëve që shohin çdo ditë të luhet me të ardhmen e tyre?A.S

Besimet fetare te shqiptarët, bashkëjetesë apo përçarje?

Shkruan Avni Selmani

Ne shqiptarët, si asnjë popull tjetër, e kemi fatin, ose fatkeqësinë, të kemi kaluar nëpër të gjitha besimet fetare që historia na ka sjellë përpara. Jemi pasardhës të ilirëve, të cilët besonin në shumë zotra dhe besimin e tyre e lidhnin me natyrën dhe me forcat e padukshme.

Më pas, me pushtimet e njëpasnjëshme, u ballafaquam me imponimin e feve të mëdha. Erdhën të krishterët e lindjes e të perëndimit, më pas osmanët me fenë islame. E veçanta është se nuk i pranuam këto fe me fanatizëm, siç ndodhi në vende të tjera, por i morëm me një rezervë që na lejoi të ruajmë identitetin tonë.

Kemi pasur fise që brenda tyre kanë pasur të krishterë dhe myslimanë, që kanë jetuar në harmoni, duke ruajtur respektin e ndërsjellë për besimin e njëri-tjetrit. Kjo është një nga vlerat më të mëdha të shoqërisë sonë dhe një shembull i qartë i bashkëjetesës që kemi ditur të ndërtojmë.

Mirëpo, pikërisht kur krijuam shtetet tona, gjërat filluan të ndërlikohen. Besimet që dikur na bashkonin, tani po përdoren për të na ndarë. Politika i futi duart në fe dhe i përdori për interesa të vogla e për përçarje. Ndërsa dikur e kishim menaxhuar me urtësi këtë shumëllojshmëri, sot po e përdorim për të ndërtuar mure mes nesh.

Sot shohim disa lëvizje që propozojnë ndryshime në jetën fetare dhe shoqërore. Këto lëvizje janë të mirëseardhura vetëm nëse kanë për qëllim të ringjallin vlera të shëndosha dhe të forcojnë bashkëjetesën. Por jo ato që mbjellin përçarje, që nxisin mungesë respekti ndaj komunitetit tjetër fetar, apo që e përdorin fenë si mjet për ndasi mes shqiptarëve.

Në shoqërinë tonë nuk ka vend për asnjë lloj fanatizmi fetar. Të gjitha fetë, përmes librave të tyre të shenjtë, na mësojnë respekt dhe mirëkuptim ndaj njëri-tjetrit. Por shpesh jemi ne që i përdorim këto libra për të ndarë e jo për të bashkuar. Besimi duhet të na afrojë me njëri-tjetrin, këtë na e mësojnë edhe librat fetarë.

Na kujtohen të gjithëve gjyshërit tanë. Ka pasur prej tyre që nuk dinin as shkrim e as lexim, por asnjëherë nuk na shtynin drejt fesë. Përkundrazi, ata i jepnin më shumë rëndësi dijes, arsimit dhe sjelljes me dinjitet. Kurse sot, në një kohë zhvillimi e teknologjie, po shohim një kthim mbrapa, drejt një besimi të ngushtë dhe fanatik, që në vend se të na afrojë, po na ndan. Fatmirësisht, ky është një numër i vogël njerëzish. Dhe nëse nuk do të ekzistonin rrjetet sociale, ndoshta nuk do të dinim për ta. Rrjetet i kanë zmadhuar, jo realiteti.

Kjo bashkëjetesë dhe harmoni fetare që ka ekzistuar mes shqiptarëve ka pasur shumë herë përpjekje për t’u prishur, por asnjëherë nuk ia kanë arritur. Shqiptarët e kanë ruajtur gjithmonë këtë vlerë si një pasuri të tyre të brendshme. Dhe kjo ndodh jo sepse kemi qenë pa dallime, por sepse kemi ditur t’i kapërcejmë ato për hir të asaj që na bashkon më shumë, gjuha, gjaku dhe përkatësia.

Dhe ashtu siç patëm një fat historik ku na u imponuan të gjitha besimet fetare, sot kemi shtetet tona dhe mund ta zgjedhim besimin tonë lirshëm, sipas dëshirës dhe ndjenjës personale.

Të qenurit shqiptar nuk matet me të qenurit i krishterë apo mysliman. Shtetet shqiptare u krijuan dhe mbijetuan sepse e deshën të krishterët, myslimanët dhe të gjitha komunitetet fetare. Edhe alfabeti dhe shumë arritje të tjera kulturore që i kemi sot u bënë sepse u mbështetën nga të gjitha këto komunitete, pa dallim. Prandaj askush sot nuk ka të drejtë të shkelë mbi këto vlera dhe sakrifica të atyre që dhanë gjithçka që ne të gëzojmë sot.

Dhe kjo tregon më shumë për ne si shoqëri sesa për besimet vetë. Sepse Zoti nuk ka nevojë për mbrojtjen tonë dhe që të shtyhemi se cila fe është më e mirë, por ne kemi nevojë për një mënyrë të vërtetë për të jetuar me njëri-tjetrin. Dhe rrënjët tona ilire na mësojnë më shumë për këtë se sa çdo dogmë fetare që na është imponuar më vonë. A.S

Gjykata Kushtetuese, pjesë e problemit apo zgjidhjes

Shkruan Avni Selmani

Në këtë kaos politik dhe institucional, aty ku klasa politike përplaset dhe ligji shkelet, pritet që së paku një institucion të tregojë përgjegjësi dhe të veprojë me qartësi: Gjykata Kushtetuese. Por në vend që të jetë zëri i rendit kushtetues, aty ku pritej vendim i shpejtë dhe i prerë, kemi vonesë, paqartësi dhe një krizë që vetëm po thellohet.

Gjykata që duhet të ndalë kapjen e shtetit, sot po bëhet pjesë e mjegullës. Vendimet e saj nuk e ndalin kaosin, përkundrazi, e shtojnë. Në vend që të jenë të qarta dhe të pakontestueshme, ato bëhen temë për debate politike, ku secila palë i shtrembëron sipas interesit të vet. Si është e mundur që një vendim kushtetues të ketë disa interpretime të ndryshme? Lind pyetja: pse kemi kaq shumë mjegull në rendin kushtetues?

Sepse institucioni që duhet ta ruajë këtë rend ka zgjedhur të mos e bëjë punën e vet. Ka zgjedhur të mos flasë qartë kur duhet. Nuk ka vendosmëri, ndoshta as guxim, dhe mbi të gjitha mungon përgjegjësia. Kur Gjykata Kushtetuese humb autoritetin, atëherë ndërhyrjet politike futen në lojë pa pengesë. Dhe kjo është ajo që po ndodh sot.

Gjykata Kushtetuese duhet të flasë qartë dhe të veprojë me forcën që i jep kushtetuta, jo të fshihet pas frazave të paqarta. Kur ajo lë gjithçka të hapur për interpretime, nuk jep drejtësi, por i hap rrugë lojës politike. Dhe një shtet që nuk ka vendim të prerë për çështjet themelore, nuk është shtet me rend, por me pasiguri të vazhdueshme.

Prandaj, pyetja është e qartë: Çfarë po ndodh me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës? A është në gjendje ta mbrojë rendin kushtetues? Apo është bërë pjesë e problemit? A.S

Pse Akademia e Shkencave dhe e Arteve nuk ndërhyn as kur vendi është në krizë?

Shkruan Avni Selmani

Në një shoqëri demokratike, roli i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve do të duhej të ishte thelbësor, një zë kritik dhe udhëheqës që mbron vlerat e dijes dhe udhëzon institucionet për një të ardhme më të mirë. Ajo do të duhej të ishte institucioni që prodhon ide për të ardhmen, që i qet përballë përgjegjësisë ata që udhëheqin. Por te ne, kjo nuk po ndodh.

Do të ishte jo vetëm e nevojshme, por e domosdoshme që Akademia e Shkencave dhe e Arteve të ndërhynte në çdo segment të jetës shoqërore. Ajo nuk duhet të jetë spektatore e ngjarjeve, por e përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimet që ndikojnë të ardhmen.

Në aspektin politik dhe institucional, Kosova po përjeton krizën më të thellë që nga themelimi i shtetit. Jemi në një realitet absurd ku për një kohë të gjatë nuk kemi institucione të plota, përfshirë mosfunksionimin e disa prej tyre thelbësore për rendin kushtetues dhe jetën demokratike. Heshtja e Akademisë është e pajustifikueshme. Nëse ajo nuk ndjen përgjegjësi për të ngritur zërin në një moment kaq kritik, atëherë kur?

Në aspektin ekonomik, Kosova është zyrtarisht vendi më i varfër në Evropë. Nga Akademia e Shkencave dhe nga ekspertët e ekonomisë do të duhej të ofroheshin zgjidhje, qoftë përmes studimeve shkencore, qoftë përmes trysnisë publike. Por jo, Akademia e Shkencave dhe e Arteve është mbyllur në rehatinë e vet. Dhe shtrohet pyetja, pse ndodh kjo? Sepse Akademia nuk funksionon si një institucion i pavarur dhe i gjallë, por si një rreth i mbyllur, ku mungon guximi për të folur dhe vullneti për të vepruar. Ajo është shndërruar në një strukturë formale, pa ndikim real dhe pa ndjeshmëri ndaj asaj që ndodh jashtë mureve të saj. Për shumë prej anëtarëve, titulli është qëllim më vete, jo përgjegjësi ndaj shoqërisë. Dhe pikërisht këtu fillon problemi.

Në aspektin arsimor, gjendja është po aq alarmante. Në testin ndërkombëtar PISA, Kosova renditet në fund të listës, duke dëshmuar rrënimin e sistemit arsimor dhe mungesën e çdo standardi serioz. Shkollat nuk i kushtojnë rëndësi cilësisë së mësimdhënies. Mjafton që nxënësit të ndjekin orët dhe të sillen mirë në komunikacion, pjesën tjetër e kryen vetë shkolla. Diplomat ndahen pa ndonjë standard të qartë, dhe askush nuk pyet nëse nxënësit vërtet kanë mësuar diçka. Akademia nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë madhore për reformimin e arsimit, nuk ka propozuar një platformë, nuk ka dhënë një udhërrëfim të qartë për të dalë nga kjo krizë që po na zbrazë mendërisht si shoqëri.

Në aspektin artistik e kulturor, situata është po aq e zymtë. Mungesa e hapësirave për krijimtari, mungesa e politikave kulturore, e mbështetjes për artin e pavarur dhe madje edhe e kushteve bazë si mungesa e një salle koncertale në kryeqytet, dëshmojnë një shoqëri që nuk e respekton as artin, as artistin. Dhe Akademia, që në emër mban edhe “e Arteve”, nuk reagon as për mungesën e infrastrukturës, as për anashkalimin e krijuesve, dhe as për mënyrën si po bie vlera e kulturës në jetën publike.
Sado që hesht, Akademia nuk mund të reduktohet në një institucion formal që shpërndan tituj dhe boton libra që askush nuk i lexon, ndërsa vendi është në krizë. Shkenca, arsimi dhe arti nuk janë fusha të shkëputura nga shoqëria, përkundrazi, janë baza e saj. Dhe nëse baza është në krizë, atëherë më shumë se kurrë kërkohet ndërhyrja e një institucioni që mban emrin e dijes dhe të mendimit të pavarur.

Akademia nuk është aty për të ruajtur rehatin e vet. Nëse ajo nuk ngre zërin sot, kur institucionet nuk funksionojnë, arsimi po shembet, varfëria po zgjerohet dhe arti po anashkalohet plotësisht, atëherë duhet të shtrojmë pyetjen serioze: a kemi vërtet një Akademi, apo kemi thjesht një emër të madh në letër dhe një heshtje të madhe në realitet?

Në shtetet e zhvilluara, akademitë janë të zëshme dhe me ndikim. Ato japin mendim për çështje madhore, botojnë analiza, këshillojnë institucionet dhe reagojnë publikisht. Janë pjesë aktive e debatit kombëtar. Kurse këtu tek ne, për fat të keq, Akademia hesht edhe kur vendi është në krizë. Manekenët tanë janë mbyllë në vetvete, pa zë, pa prani. Askush nuk di çfarë bëjnë, as përse janë aty. A.S

Ikja e të rinjve nga vendi, rezultat i një realiteti të dhimbshëm

Shkruan Avni Selmani

Migrimi i shqiptarëve nga trojet e tyre është një dukuri që ka ndodhur gjithmonë. Gjatë historisë, shqiptarët janë larguar për arsye të ndryshme, nga përndjekjet politike, nga dhuna e regjimeve të ndryshme, nga varfëria dhe pasiguria.

Por ajo që po ndodh sot është krejt ndryshe. Sot, më në fund, e kemi shtetin tonë, i fituar pas shumë sakrificash. Por përkundër kësaj, shqiptarët po largohen më shumë se kurrë më parë, jo nga dhuna, por nga zhgënjimi dhe realiteti që i rrethon. Dhe kjo është ajo që e bën këtë ikje ndryshe nga të gjitha, sepse tani shqiptarët po ikin nga vetvetja.

Shumë të rinj, profesionistë, akademikë, artistë e zanatlinj largohen jo vetëm për kushte më të mira, por sepse nuk e shohin veten në një vend ku mund të ndërtojnë një jetë të qëndrueshme dhe të ardhme me punë të ndershme dhe dinjitet.

Në vend që të përkrahet ai që ka dije, përkrahet ai që i shërben partisë dhe pushteteve aktuale. Kështu, shumë njerëz që kanë punuar me ndershmëri për vite të tëra, janë lënë mënjanë. Jo pse nuk dinë, por sepse nuk janë pjesë e rrethit të ngushtë që ndan pushtetin dhe mundësitë.

Shumë prej atyre që largohen, nuk e bëjnë sepse e kanë dëshirë, por sepse nuk shohin asnjë perspektivë për jetën e tyre. Kur shohin klasën politike që i përfaqëson, e cila është e gatshme të sabotojë edhe vetë shtetin për interesa personale, atëherë humbin çdo besim se kjo klasë politike do të përmirësojë ndonjëherë mirëqenien e qytetarëve. Në këtë realitet, çdo ditë humbet shpresa për ndryshim dhe për një jetë më të mirë.

Është e vërtetë se atdheu nuk mund të zëvendësohet, por fundja, vendlindjen mund ta zëvendësojë ai vend ku njeriu, me punën dhe përkushtimin e vet, mund të ndërtojë një jetë normale dhe të civilizuar. Për shumë prej tyre, kjo është e vetmja rrugë për të jetuar me dinjitet.

Askush nga klasa politike nuk mban përgjegjësi. Përkundrazi, dalin nëpër ekrane e konferenca dhe lavdërohen, duke thënë se “e kemi zbutur papunësinë”. Por realiteti është krejt tjetër, vendi po zbrazet çdo ditë. Po ikin më të përgatiturit, më të shkolluarit, më të zotët. Dhe kjo ikje nuk është as sukses, as zhvillim, është humbje. Dhe më keq akoma, është një humbje që fshihet me fjalë boshe dhe me mashtrime politike.

Të thuash se kemi zhvillim, ndërkohë që më të mirët po largohen, është mashtrim. Të mos flasësh përballë kësaj ikje masive do të thotë të bëhesh pjesë e këtij mashtrimi. Sepse kjo nuk është një largim i zakonshëm, është një ikje nga padrejtësia, nga injorimi dhe nga zhgënjimi.

E vërteta është se kjo nuk është vetëm një çështje ekonomike. Është një problem i thellë shoqëror dhe moral. Sepse kur një vend nuk i mban më njerëzit që vlejnë, kur i detyron të largohen për të mbijetuar apo për të jetuar me dinjitet, ai vend humb vetveten. Dhe nëse kjo gjendje nuk ndryshon, nëse nuk fillon të vlerësohet dija, përkushtimi dhe puna e ndershme, zbrazja do të vazhdojë, jo vetëm nga njerëzit, por edhe nga shpresa. Dhe kur të kuptohet dëmi, mund të jetë vonë. Sepse ata që mund të kishin ndrequr diçka, nuk do të jenë më këtu. A.S

Pse heshtin qytetarët përballë kësaj loje politike

Shkruan Avni Selmani

Në trojet shqiptare është krijuar një praktikë shqetësuese, heshtja ndaj padrejtësive, qofshin ato politike apo të ndonjë natyre tjetër. Çdo herë që shfaqet një problem publik, një keqpërdorim, një shkelje e rëndë e të drejtave apo e pasurisë së përbashkët, në vend të reagimit qytetar, vjen arsyetimi dhe ajo fjalia e famshme: “Unë nuk merrem me politikë”.

Por kjo vetëmbrojtje ka çmimin e saj. Sot kemi qytetarë që shohin padrejtësinë, shohin si politikanët sillen si të duan, shkelin ligjin dhe tallin publikisht ndjenjën e drejtësisë, por nuk reagojnë. Dëgjojnë për korrupsionin, por nuk flasin. Jetojnë në pasiguri, por mendojnë vetëm për të ikur.

Kjo heshtje përballë padrejtësisë, kur je plotësisht i vetëdijshëm për të, nuk është më as mosinteresim, është servilizëm i heshtur. Të shohësh problemin dhe të mos flasësh, ose nga frika, ose nga llogaritja personale, ose për të mos u përfolur, është nënshtrim ndaj padrejtësisë. Në thelb është të pajtohesh me të keqen dhe t’i japësh asaj jetë. Quaje si të duash, heshtje, mosinteresim, largim, por në të vërtetë është një formë bashkëpunimi me të keqen.

Një pjesë e qytetarëve nuk e kanë të qartë se është e drejta e tyre legjitime të kërkojnë llogari ndaj politikanëve të papërgjegjshëm. Nuk e dinë se pushteti nuk është dhuratë, por përgjegjësi ndaj popullit. Dhe sa herë që heshtin përballë një padrejtësie, ata jo vetëm që heqin dorë nga kjo e drejtë, por ia lënë të tjerëve të flasin në vend të tyre.

Në vende ku vetëdija qytetare është e lartë, reagimi ndaj padrejtësive nuk shihet si përfshirje në politikë, por si detyrim qytetar. Aty është e zakonshme të ngresh zërin për një padrejtësi, të protestosh, të shkruash, të kërkosh llogari. Në këto shoqëri, qytetarët nuk heshtin përballë vendimeve politike që shkelin të drejtat e tyre. Përkundrazi, ata reagojnë hapur, bashkëpunojnë me organet e rendit dhe bëhen burim kyç në zbulimin e krimeve. Sepse aty nuk është turp të flasësh, por është turp të heshtësh.

Të kërkosh drejtësi, të flasësh hapur, të ngresh zërin për çështje që prekin të gjithë, nuk është përzierje politike, por një detyrim qytetar. Është vetë politika në kuptimin më të lartë, kujdesi për të mirën e përbashkët. Dhe nëse nuk merremi ne me të, të tjerët do ta bëjnë në emrin tonë për interesat e tyre.

Heshtja nuk është as mençuri, as urtësi, por pajtim me të keqen. Është dorëzim para padrejtësisë dhe një leje e heshtur për të vazhduar hajnia, mashtrimi dhe shkatërrimi i asaj pakë që na ka mbetur.

Nuk është as turp të flasësh. Turp është të shohësh e të mos thuash asgjë. Turp është të dish, por të bësh sikur nuk di. Të jesh dëshmitar i padrejtësisë dhe të mos reagosh është të bëhesh pjesë e saj.

“Nuk merrem me politikë” nuk të shpëton nga pasojat.

Ndaj sot, më shumë se kurrë, të heshtësh është të tradhtosh, veten, të ardhmen dhe ata që nuk kanë zë për t’u mbrojtur vetë. A.S

A ekziston sinqeriteti në politikën kosovare?

Shkruan Avni Selmani

Nëse klasa jonë politike do të ishte e sinqertë, sot nuk do të kishim këtë kaos institucional. Nuk do të kishim bllokadë, mosmarrëveshje, akuza nga të gjitha anët dhe një skenë politike që më shumë i ngjan një arene se sa një salle kuvendi. Mjafton që vetëm njëra palë të ishte e sinqertë, dhe kjo gjendje nuk do të zgjaste as një ditë të vetme. Prandaj, nuk është rastësi që politika dhe sinqeriteti, siç e dëshmon përditshmëria jonë, janë dy rrugë që vështirë takohen.

Në vendin tonë, fjala “politikë” është bërë sinonim i interesit personal, hipokrizisë dhe manipulimit. Askush më nuk e sheh si mjet për t’i shërbyer popullit, por si shkallë për pushtet, pasuri dhe ndikim. A mund të ketë sinqeritet në një fushë ku gjithçka sillet rreth aleancave të fshehta, prapaskenave dhe heshtjes përballë së keqes? Dhe kjo nuk është thjesht bindje personale, është realitet i përditshëm që e sheh kushdo me sy të hapur.

Politika jonë është bërë si të blesh në pazar. Njëra parti i thotë tjetrës: “Unë po të jap dy ministri dhe disa poste.” Kurse pala tjetër ia kthen: “Jo, nuk kam hesap.” Ashtu siç thotë populli kur s’i del hesapi. E gjithë skena politike sot funksionon si një treg pazari, ku nuk flitet për qytetarin, por për poste, për përfitime, për ndarje pushteti. Nuk ka as parim, as drejtim. Dhe nga këto pazare që nuk mbyllen kurrë, populli mbetet i bllokuar, pa institucione që e përfaqësojnë, pa shpresë për zgjidhje. Qytetari mbetet thjesht spektator i këtyre pazareve, i zhgënjyer dhe pa zë në vendimmarrje.

Kemi parë raste kur një politikan shkel ligjin ose keqpërdor besimin publik. Dhe ata përreth tij ose heshtin, ose e mbrojnë. Jo pse nuk e dinë të vërtetën, por sepse janë pjesë e të njëjtit rreth. Sepse kur njëri mbron tjetrin, askush nuk mbetet i pastër. Dhe heshtja ndaj padrejtësisë është njësoj si bashkëpunim me të.

Në politikën tonë nuk ka sinqeritet. Ka interesa që ndërrojnë ngjyrë sipas rrethanave. Ka njerëz që bëjnë be për parime e i shkelin një muaj më vonë. Ka parti që flasin për drejtësi e moral, por nuk e aplikojnë as brenda vetes. Ka patriotizëm në fjalë, por pazare në prapaskenë. Edhe gjuha e përdorur shpesh e dëshmon këtë hipokrizi. Fjala “hajvanat”, e thënë nga vetë liderët ndaj kundërshtarëve, është bërë pjesë e këtij degradimi. Në të vërtetë, kjo është shprehje popullore e rëndomtë që përdoret sipas interesit. Kur palët janë në konflikt e përdorin për të goditur njëri-tjetrin, por nëse interesi i bashkon, askush nuk e përfill më, sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Edhe këtu vërtetohet se sa larg është sinqeriteti nga politika jonë.

Fatkeqësisht, ky është një realitet i dhimbshëm që e kemi parë duke u përsëritur për më shumë se dy dekada. Kush hyn në politikë me ndonjë ideal, ose largohet i dëshpëruar, ose bëhet pjesë e të njëjtit mekanizëm. Politika i gëlltit të gjithë dhe kush nuk pranon të përkulet, përjashtohet.

Në fund të fundit, në një sistem të ngritur mbi heshtje, frikë dhe marrëveshje nën tavolinë, politika dhe sinqeriteti, dy rrugë që vështirë takohen, mbeten në anë të kundërta të një realiteti që po na mbyt dita-ditës. A.S

Kush jemi ne shqiptarët

Shkruan Avni Selmani

Është ndër pyetjet më të vështira që mund të bëjmë, e megjithatë asnjëherë më të nevojshme se sot. Sepse duket sikur kemi harruar kush jemi, nga kemi ardhur dhe çfarë kemi kaluar si popull. Duket sikur jemi lodhur nga vetja dhe po e harrojmë çmimin e lirisë që dikur e ëndërronim si të shenjtë. Sot është koha për të parë veten pa iluzione, por me përgjegjësi. Kjo pyetje nuk kërkon përgjigje të shpejtë, kërkon vetëdije.

Këtë pyetje e bartim me vete, herë me krenari të tepruar, herë me një ndjenjë faji kolektiv që s’e kemi merituar. Jemi një popull me një trashëgimi të lashtë, por shpesh harrojmë të sillemi si bij të saj.

Jemi të përçarë, por të bashkuar në vuajtje. Sa herë kemi qenë më të fortë se padrejtësia, kemi qenë bashkë. Sa herë kemi pasur mundësi të ndërtojmë vetveten, jemi ndarë mes veti. Jo nga ligësia, por nga mungesa e durimit për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të pranuar dallimin.

Jemi krenarë për të shkuarën, por shpesh të hutuar për të tashmen. Jemi ata që mbrojtëm gjuhën me jetë, por që sot e zëvendësojmë me fjalë të huaja. Ata që duam të ecim përpara, por që shohim më shumë përreth sesa brenda vetes.

Na thanë se nuk jemi evropianë, por harruan se ishim këtu kur Evropa ende nuk e njihte vetveten. Tentuan të na dëbojnë nga Evropa, por i mbijetuam çdo perandorie, pa harruar kush jemi. Na quajtën me bisht, por nuk panë se mbi atë bisht mbajtëm barrën e historisë dhe qëndruam në këmbë kur shumë të tjerë u rrëzuan.

Jemi mikpritës, por shpesh të dyshimtë ndaj njëri-tjetrit. Të lidhur me zakone të hershme, por me një ndjenjë të thellë nderi. Kemi lindur mes maleve dhe kemi mësuar të durojmë, por durimin nuk e kemi kthyer gjithmonë në urtësi.

Edhe kur kemi qenë të varfër, kemi kërkuar respekt, jo mëshirë. Në sofrën tonë gjithmonë ka pasur vend për një mik. Kur nuk kishim libra, këndonim për të mos harruar kush jemi. Jemi rritur në durim dhe kemi ruajtur nderin mbi gjithçka. Kur vjen rreziku, dimë të bëhemi një.

Nuk jemi as më të mirë, as më të këqij se të tjerët. Por kemi diçka që shumë popuj e kanë humbur: kemi zemër. Zemrën që rreh fort për të afërmin, për të panjohurin, për të huajin që troket në derë. Zemrën që qajmë për padrejtësi që nuk na prek drejtpërdrejt, por që na djeg si të ishte e jona.

Përplasen për të treguar kush është më shqiptar, por harrojnë se shqiptaria nuk dëshmohet me fjalë, por me vepra. Kemi shumë fe dhe besime, por shqiptarinë e kemi mbi të gjitha.

Kush jemi ne shqiptarët? Ende po e mësojmë. Dhe ndoshta ky është çelësi. Të mos pretendojmë se e dimë, por të mos ndalojmë së kërkuari. Të mos harrojmë nga vijmë, por të mos mbetemi peng i së kaluarës. Të mos fshihemi pas flamurit, por ta mbajmë atë në zemër. Jo për të goditur tjetrin, por për të ngritur veten.

Ne nuk kemi ecur mbi qilima, por mbi plagë. Nuk jemi rritur me dorë të butë, por me duar që kanë mbajtur armën, librin, gurin dhe shpresën. Kemi qenë të shtypur, të ndarë, të nëpërkëmbur, por kurrë të humbur. Edhe kur na morën tokën, nuk na morën gjuhën. Edhe kur na mohuan të drejtën të jemi, ne mbetëm. Kjo është dëshmia më e madhe se kush jemi.

Nuk kemi pasur shtet, por kemi pasur atdhe. Nuk kemi pasur pushtet, por kemi pasur krenari. Dhe ndonëse sot jemi të lirë në letër, liria jonë më e vërtetë është ruajtja e vetvetes.

Identiteti ynë nuk është i shpikur, por i mbijetuar. Është ruajtur në këngë, në zakone, në heshtje, në qëndresë. Dhe mbijetesën nuk na e fali askush. E paguam me kohë, me jetë, me gjak. Por nuk u shitëm kurrë.

Prandaj kjo pyetje nuk ka një përgjigje të vetme. Por ka një themel të pathyeshëm: jemi ata që i mbijetuam gjithçkaje, pa u shuar si popull. Dhe ky është një borxh që e kemi jo vetëm ndaj të shkuarës, por edhe ndaj së ardhmes.

Sot politika ka harruar nga kemi ardhur. Dikur e kishim ëndërr një shtet tonin, sot e sabotojmë vetë. Në vend që të ndërtojmë, bllokojmë gjithçka për interes. Shteti është kthyer në teatër për pushtet, jo në shërbim të popullit.

Por askush nuk ka të drejtë të kalojë mbi atë që kemi ndërtuar me gjak. Sepse edhe pa shtet, edhe pa liri, edhe pa tokë, ne e kemi ruajtur identitetin. Kemi qenë popull me gjuhë, me dinjitet, me zemër dhe me kujtesë. Edhe në robëri kemi qenë të lirë në shpirt. Dhe kjo është ajo që na dallon prej të tjerëve.

Bashkimi sot nuk është dëshirë, është nevojë. Dhe nëse nuk zgjohemi tani, nesër mund të mos kemi as kujt t’i themi kush jemi ne shqiptarët.

Dhe nëse sot do të na shikonin ata që sakrifikuan gjithçka, ndoshta do të ndiheshin krenarë që kemi një flamur të lirë, një gjuhë pa frikë. Por bashkë me krenarinë, do të na shikonin me mall e me lutje. Do të na thoshin të mos e prishim me duart tona atë që ndërtuan me mund. Të jemi bashkë, të mos e kthejmë lirinë në përçarje, por shtetin në strehë të përbashkët ku ndërtohet e ardhmja. Sepse amaneti i tyre nuk ishte vetëm të çliroheshim, por të qëndronim si popull me kujtesë, me dinjitet dhe me zemër.A.S

Pse aktori Jeton Zogjani zgjodhi ta njollosë publikisht Enver Petrovcin?

Shkruan Avni Selmani

Së fundmi, aktori Jeton Zogjani publikoi një fotografi të profesorit dhe aktorit të mirënjohur Enver Petrovci me kryeministrin, duke nxitur komente fyese dhe denigruese ndaj profesorit. Edhe më i rëndë bëhet ky veprim publik i qëllimshëm, në një kohë kur Enver Petrovci meriton më shumë se kurrë respekt dhe ndjeshmëri, jo përçmim.

Kjo nuk është gafë. Nuk është as naivitet. Është një veprim i ndërgjegjshëm, i qëllimshëm dhe i ulët. Kur një njeri me qasje publike vendos t’ia hedhë masës një figurë të nderuar të kulturës sonë, duke e nxitur turmën të derdhë vrer e përbuzje, nuk kemi të bëjmë me humor apo ironi, por me një sulm të pastër dhe të qëllimshëm. Dhe aq më i rëndë kur vjen nga dikush që e quan veten “aktor”.

Enver Petrovci nuk është një emër dosido. Ai është një njeri që i ka kushtuar jetën teatrit, filmit dhe edukimit të brezave të rinj. Një personalitet që ka ndërtuar, formuar dhe frymëzuar me dhjetëra vepra dhe me qindra studentë, të cilët sot janë emra të respektuar të skenës sonë, dhe që kanë kaluar përmes fjalës, skenës dhe përkushtimit të tij.

Në këto ofendime nuk kemi të bëjmë me mendime ndryshe, por me një shpërthim të neveritshëm fyerjesh personale, gjuhe urrejtjeje dhe etiketimeve të rënda, që e përshkruajnë Petrovcin me terma të turpshëm dhe denigrues që nuk meritojnë as të përsëriten. Nuk është debat. Është linçim.

Dhe çfarë bën Jeton Zogjani përballë kësaj? Asgjë. Nuk fshin asnjë koment. Nuk dënon askënd. Nuk reagon. Përkundrazi, miratim ndaj fyerjeve. Ai mund të thotë se nuk i kontrollon komentuesit, por kjo nuk është e vërtetë. Sepse kur ti je ai që ndez zjarrin dhe qëndron aty duke parë të digjet dikush tjetër, ti nuk je më spektator. Je zjarrvënësi. Dhe ky zjarr nuk ka të bëjë me lirinë e shprehjes, por me shkatërrimin e dinjitetit të një njeriu.

Në fund të ditës, Zogjani nuk e bëri rastësisht këtë veprim. Ai e zgjodhi vetë. E zgjodhi të heshtë, të mos ndërhyjë dhe ta kthejë emrin e Enver Petrovcit në objekt fyerjesh. Dhe me këtë zgjedhje, ai nuk qëndron në krahun e atyre që nderojnë, por në radhën e atyre që baltosin, përbuzin dhe poshtërojnë.

Profesori Enver Petrovci nuk ka nevojë për “bodyguard medial”. Ai flet vetë me veprën, me jetën dhe me kontributin e tij. Por jemi dëshmitarë se jo rrallë ai është bërë objekt linçimi publik, shpesh pa asnjë shkak tjetër përveç qëndrimeve të tij të lira. Reagimi im nuk është për të mbrojtur një emër që nuk ka nevojë të mbrohet, por për të refuzuar një praktikë që nxit urrejtje dhe përçarje në publik. Sepse ka momente kur heshtja nuk është neutralitet, por shmangie nga përgjegjësia. A.S

Në këtë kaos politik, pse heshtin elita intelektuale dhe shoqëria civile

Shkruan Avni Selmani

Kosova është duke kaluar një nga periudhat më të rënda të pasluftës. Institucionet janë të bllokuara, klasa politike ka humbur busullën dhe çdo ditë që kalon e thellon edhe më shumë krizën. Është e pashpjegueshme që të mos konstituohet Kuvendi, pikërisht tani kur vendi, si kurrë më parë, ka nevojë për një unitet kombëtar, sidomos në këtë udhëkryq të madh gjeopolitik ku ndodhemi. Si është e mundur të ndodhë kjo në një vend që ende nuk e ka ndërtuar mirë stabilitetin e brendshëm dhe po përballet me trysni të jashtme nga çdo drejtim. Në një kohë kur vendi ka nevojë më shumë se kurrë për seriozitet dhe përgjegjësi, klasa politike sillet sikur ka kohë për pazare dhe për inate personale. Dhe ndërkohë, vendi po shkon drejt një krize që nesër mund të ketë pasoja të mëdha

Në këtë situatë, do të ishte më se e natyrshme të pritej që të fliste elita e intelektualëve, ata që kanë dije, peshë morale dhe përgjegjësi publike. Por ajo që ndodh është e kundërta. Elita intelektuale dhe shoqëria civile heshtin, sikur gjithçka që po ndodh nuk i përket, sikur nuk është ky vendi i tyre që po shembet dita ditës.

Një pjesë e elitës intelektuale është në varësi të drejtpërdrejtë nga politika. Vende pune të siguruara, kontrata të qëndrueshme, privilegje të vogla që ua kanë blerë qetësinë. Ata që dikur ishin të zëshëm, sot nuk flasin më, sepse i ka zbutur klasa politike.

Të tjerë intelektualë janë dorëzuar. Janë lodhur nga pritjet, nga zhgënjimet, nga një realitet që duket i pandryshueshëm. Kanë humbur besimin se fjala e lirë mund të sjellë ndryshim. Për ta, heshtja është mbrojtje, tërheqje, largim nga përgjegjësia. Por të tërhiqesh në kohë të vështira nuk është as mençuri, as neutralitet është dorëzim.

Madje as Akademia e Shkencave dhe e Arteve, që në parim duhet të jetë institucioni më i lartë i dijes dhe i ndërgjegjes kombëtare, nuk po e përmbush rolin e saj. Asnjë reagim, asnjë qëndrim, asnjë thirrje publike. Heshtje totale, në një kohë kur fjala e saj do të duhej të kishte peshë. Një institucion që duhej të udhëhiqte me fjalën ka rënë në gjumë të thellë, i painteresuar për gjendjen dhe situatën e krijuar.

Pavarësisht arsyeve për heshtjen, pasojat janë të mëdha. Vendi dhe populli pësojnë. Sepse kur mungon reagimi intelektual, hapet rruga për abuzim, për mashtrim, për rrënim.

E njëjta heshtje vjen edhe nga shoqëria civile që dikur përfaqësonte zërin e qytetarit, mbikëqyrjen ndaj pushtetit, reagimin ndaj padrejtësisë. Organizata që dikur protestonin, sot janë heshtur në projekte dhe raporte. Janë kthyer në mekanizma të mbyllur që operojnë brenda vetes, larg realitetit të popullit. Heshtja e saj është edhe më zhgënjyese, sepse vjen nga struktura që janë ndërtuar për të folur.

Dhe në fund, hesht edhe populli. I lodhur nga premtimet, i thyer nga zhgënjimet, ai ka rënë në një lloj dorëzimi kolektiv. I shikon të gjitha, i kupton të gjitha, por nuk reagon. E pranon padrejtësinë si normalitet, e pranon krizën si fat, e pranon pushtetin si të pakontestueshëm. Përderisa në vendet e zhvilluara, nëse për disa cent shtrenjtohet rryma apo ushqimi, qytetarët reagojnë menjëherë, tek ne klasa politike mund të bëjë çfarë të dojë dhe askush nuk reagon.

Kjo heshtje e përgjithshme është më e rrezikshme se çdo krizë institucionale. Sepse kur heshtin të gjithë, padrejtësia bëhet rregull. Dhe kur të vijë dita e fundit, nuk do të mund të themi se nuk e dinim, por se e dinim dhe heshtëm. A.S

Mediat në Kosovë të ndara mes të ‘tonave’ dhe të ‘atyre’

Shkruan Avni Selmani

Në një shoqëri të lirë dhe demokratike pritet që mediat të jenë të pavarura, të paanshme dhe të vendosin interesin e publikut mbi interesat politike. Por realiteti në vendin tonë shpesh tregon të kundërtën. Kemi media që nuk e fshehin anën e tyre politike, disa rreshtohen haptazi pas pozitës, ndërsa të tjerat bëjnë të njëjtën me opozitën. Kjo ndarje nuk vjen rastësisht, as nuk është një dukuri e re, por është bërë më e dukshme dhe më e theksuar në vitet e fundit

Sot nuk është e nevojshme ta dëgjosh një lajm deri në fund për të kuptuar se çfarë qëndrimi do të mbajë media. Mjafton të shohësh logon apo emrin e saj dhe menjëherë e di nëse lajmi do të sulmojë apo do të mbrojë. Nuk ka më as përpjekje për të fshehur anshmërinë. Dhe kur ndodh kjo, mediat nuk janë më burime informacioni por funksionojnë si zëdhënës të politikës jo si media të pavarura

Kjo gjendje ka sjellë një pasojë të rëndë. Mediat nuk e pranojnë të vërtetën nëse ajo vjen nga pala kundërshtare. Nëse kryeministri bën diçka të mirë, mediat që janë kundër tij heshtin. E njëjta ndodh edhe me opozitën. Nuk vlerësohet ajo që është e drejtë, por ajo që u shkon për shtat atyre që e mbështesin.

Dikur mund të thuhej se kjo vinte nga pushteti aktual ose mungesa e guximit. Sot nuk është më çështje guximi sepse tashmë mund të thuash çfarë të duash. Çështja është interesi. Nëse një opinionist hesht, sulmon apo lavdëron, ai nuk e bën këtë sepse ka frikë por sepse ka interes. Dhe ky interes është i formave të ndryshme

Kështu publiku përballet me një realitet ku lajmet janë kthyer në qëndrime të njëanshme

Edhe më shqetësuese është mungesa e reagimit nga vetë asociacionet e mediave. Ato shpesh heshtin kur mediat bëhen të njëanshme, sepse nuk duan të prishin raportet me ndonjërën palë apo thjesht nuk e kanë guximin të mbajnë qëndrim të drejtë. Në vend që të mbrojnë standardin dhe qytetarin, zgjedhin të mos thonë asgjë

Si pasojë e këtyre parregullsive, kjo gjendje pasqyrohet edhe në Indeksin e fundit të Lirisë së Mediave. Kosova është renditur në vendin e 99, duke rënë për 45 vende. Kjo nuk është thjesht një numër, por një pasqyrë e qartë e realitetit që kemi lejuar të krijohet. Dhe kjo është ndoshta gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një vendi që pretendon të jetë demokratik

Në këtë gjendje rruga e kthimit nuk është e lehtë por duhet të fillojë nga vetë qytetari. Duke mos pranuar më të jetë konsumues pasiv i propagandës por kërkues aktiv i së vërtetës. Duke mos pranuar që mediat të ndahen në “tonat” dhe “të atyre” por duke u kërkuar të gjithave që të jenë profesionale, të drejta dhe të ndershme. Sepse kur media vendos të mbajë anë, e vërteta mbetet pa u treguar. Dhe pa të as demokracia nuk mund të ecë përpara. A.S

Kinematografia e Kosovës, pse nuk kemi një film që do të tregonte se kush jemi?

Shkruan Avni Selmani

Kinematografia e një vendi është pasqyrë e historisë, kulturës dhe sakrificave të tij.
Kosova është një vend me histori të rëndë dhe përplot ngjarje që kanë lënë gjurmë në shoqërinë tonë. Mungesa e një filmi që me sinqeritet e pasqyron atë që kemi kaluar si popull, tregon një zbrazëti të madhe në përfaqësimin tonë kulturor dhe historik.

Gjatë ish sistemit, u krijuan disa filma, por ata ishin të censuruar dhe të kontrolluar, pa mundësi për të treguar të vërtetën tonë. Sot, që kemi shtetin dhe lirinë për të treguar vetveten, kjo ende nuk po ndodh.

Si popull i vjetër dhe autokton në këto troje, ne kemi shumë tema që lidhen me identitetin tonë. Si Kanuni, me të cilin kemi jetuar për shekuj. Në të ruhen rregulla për nderin, mikpritjen, drejtësinë, por edhe përballje të vështira me jetën. Kemi edhe shumë tema të tjera që do të ishin realizuar në filma të suksesshëm, sidomos ngjarjet e fundit janë nga më të rëndësishmet në historinë tonë të afërt. Ato kanë lënë gjurmë të thella në mendjen e popullit tonë dhe meritojnë të tregohen me kujdes dhe dinjitet, dhe shumë tema tjera që i japin kuptim jetës sonë dhe na tregojnë si popull.

Janë bërë disa filma dhe dokumentarë, janë prekur tema dytësore, por mungon ende një vepër filmike e madhe, një film që me forcë artistike, sinqeritet emocional dhe mjeshtëri regjisoriale t’i tregojë botës se çfarë kemi kaluar si popull. Një film që jo vetëm rrëfen, por lë gjurmë.

Por për të realizuar një film të tillë, me standarde të larta dhe të denjë për skenën ndërkombëtare, duhet para së gjithash një buxhet i madh, përkrahje e pakushtëzuar shtetërore dhe vullnet i qartë institucional, gjëra që, fatkeqësisht, nuk i kemi pasur kurrë.

Sot kemi artistë, regjisorë, skenaristë e aktorë të talentuar që mund të sjellin një film të denjë për t’u treguar edhe jashtë vendit. Madje, për të tërhequr më shumë vëmendje, pse të mos përfshihet edhe ndonjë emër i njohur nga bota, që do t’i jepte jehonë dhe përhapje filmit?

Shumë vende kanë ditur të tregojnë veten përmes filmit. Boshnjakët fituan çmimin Oscar për një film që tregoi dhimbjen e tyre. Edhe çekët, edhe ukrainasit, madje edhe vende që nuk kanë përjetuar luftë, i kanë treguar historitë e tyre me sinqeritet dhe përkushtim. Ne, për fat të keq, nuk e kemi bërë ende.

Një film i tillë nuk do të ishte vetëm rrëfim për të kaluarën, por edhe një pasqyrë për veten që duam të ndërtojmë si shoqëri. Ai do të ndihmonte jo vetëm në ruajtjen e historisë sonë dhe në edukimin e brezave të rinj, por mbi të gjitha për t’ia treguar botës sakrificat dhe të vërtetën e gjithë asaj që kemi kaluar. Një nismë e tillë kërkon guxim, përgjegjësi, buxhet të madh, përkrahje shtetërore dhe institucionale dhe mbi të gjitha vullnet. Kjo është edhe një kërkesë që institucionet të reflektojnë për një vepër të madhe, por edhe nga ne si shoqëri që kërkojmë t’ia tregojmë botës historinë tonë nëpërmjet artit. A.S

Enver Petrovci  “Të vranë bukuri”

Shkruan Avni Selmani

Enver Petrovci është një nga figurat më të veçanta të artit shqiptar. Ai nuk është vetëm aktor i njohur, por edhe këngëtar dhe bashkautor në disa prej veprave të tij. Talenti i tij është i gjerë dhe i dalluar në shumë drejtime.

Kënga “Të vranë bukuri”, me të cilën ishte paraqitur në Festivalin e 53-të të Këngës në RTSH, nuk ishte thjesht një këngë. Ajo ishte një shprehje e pakënaqësisë së tij ndaj pushtetit, i cili i kishte mbyllur Akademinë “Teatri i Babës”, një institucion që ai e kishte themeluar pa ndihmën e askujt. Nga kjo akademi kishin dalë kuadro dhe artistë të mëdhenj, të cilët më vonë përfaqësuan me dinjitet skenën shqiptare. Me këtë këngë, Petrovci kishte folur për një padrejtësi që e kishte prekur thellë.

Ai gjithmonë ka qenë i sinqertë, ka folur hapur dhe me guxim, si në skenë ashtu edhe jashtë saj. Përmes artit, ai vazhdon të tregojë të vërtetën dhe të mbrojë vlerat që i beson. Dhe pikërisht për këtë, ai mbetet një zë i rëndësishëm në kulturën tonë. A.S

Kur liria e shprehjes keqpërdoret

Shkruan Avni Selmani

Sot jetojmë në një kohë kur fjala është bërë më e lirë se kurrë më parë, por njëkohësisht më e pavlerë. Mendimi nuk matet më me peshën që ka, por me bujën që bën. Kushdo që ka një tastierë, një telefon apo një mikrofon ndjehet i lirë të flasë për gjithçka dhe për këdo, pa dije, pa përgjegjësi dhe pa fakte. Liria e shprehjes, që dikur ishte mjet për të luftuar padrejtësinë, sot përdoret si mburojë për banalitet, arrogancë, shpifje dhe mungesë karakteri. Mjafton të thuash “është mendimi im personal” dhe menjëherë krijohet një arsytim për të mos dhënë llogari. Po a është vërtet mendim çdo fjalë që thuhet? Apo kemi filluar ta ngatërrojmë fjalën e lirë me fjalën e vërtetë?

Dikur fjala kishte peshë. Kishte turp, kishte vetëpërmbajtje, kishte përgjegjësi. Njerëzit nuk flisnin kot, sepse fjala lidhej me nderin. Rrethi, familja dhe komuniteti ishin pasqyrë e vlerave. Fjala matej me ndërgjegje, jo me klikime. Gjykimi moral nga të tjerët ishte dënimi më i madh. Sot kjo pothuajse nuk ekziston më. Në emër të lirisë së shprehjes fyhet pa arsye, sulmohet pa fakte, përçmohet pa argumente dhe lavdërohet padituria. Mendimi i matur nuk vlerësohet, fjala e mençur shpërfillet dhe heshtja me dinjitet duket si dobësi. Shoqëria është kthyer në një vend ku sa më shumë mllef të shprehësh, aq më shumë hapësirë të jepet. Në studio televizive, në rrjete sociale, në çdo hapësirë publike, zëri i ashpër dominohet mbi arsyen. Fjalët nuk peshohen më nga mendimi, por nga efekti që krijojnë në ekran.

Liria e shprehjes nuk është të thuash çka duash dhe si të duash. Është ta përdorësh fjalën me vetëdije dhe me argument. Pa këtë, ajo nuk është më liri, është një maskë për papërgjegjësinë. Dhe një shoqëri ku fjala përdoret për të lënduar dhe degraduar nuk është më liri e shprehjes, por është një keqpërdorim i saj. A.S

Fenomeni i patriotizmit dhe tradhtarit në realitetin shqiptar

Shkruan Avni Selmani

Fenomeni i ndarjes midis “patriotit” dhe “tradhtarit” është bërë një armë e fortë në debatet publike shqiptare, shpeshherë jo për të mbrojtur interesin kombëtar, por për të luftuar mendimin ndryshe. Ky fenomen ka gjetur vend sidomos nëpër studio televizive, media online dhe rrjete sociale, ku etiketa “tradhtar” është banalizuar deri në atë pikë sa thuhet me lehtësi, pa asnjë provë, pa asnjë përgjegjësi, njësoj sikur t’i thuash dikujt “mirëdita”. Në të vërtetë kjo është kthyer në një formë të ulët të komunikimit publik dhe një armë për përçarje, jo për debat.

Edhe më shqetësues është fakti se kur dikush e akuzon dikënd tjetër për tradhti, organet kompetente nuk ndërmarrin asnjë veprim. Në një shoqëri të drejtë dhe të rregulluar institucionalisht, një akuzë për tradhti duhet të kishte pasoja të qarta. Ose ai që akuzon pa asnjë bazë duhet të përgjigjet për shpifje, ose ai që etiketohet si tradhtar duhet të hetohet dhe të përballet me drejtësinë. Por në mungesë të këtij mekanizmi, gjithçka mbetet në nivelin e fjalëve, ndërkohë që publikut i serviren vetëm emocione, ndarje dhe konfuzion.

Një shembull i këtij fenomeni është rasti i kryeministrit të Kosovës. Në Kosovë, një pjesë e madhe e opozitës politike dhe e mediave e etiketojnë vazhdimisht si “tradhtar”, si njeri që punon për Serbinë apo si agjent i ndikimit rus, pa ofruar ndonjë fakt konkret që do ta mbështeste një akuzë të tillë. Ndërkohë që, në anën tjetër të kufirit, në Serbi, mediat e atjeshme e akuzojnë të njëjtin njeri për të kundërtën, si nxitës destabiliteti, si nacionalist ekstrem, si kërcënim për interesat e Serbisë dhe si përkrahës i projektit të “Shqipërisë së Madhe”. Pra, ndërkohë që në Kosovë quhet tradhtar, në Serbi etiketohet si rrezik nacionalist. Ky kontrast i skajshëm e thellon edhe më shumë konfuzionin te qytetari i zakonshëm. Fatkeqësisht, njerëzit e krijojnë bindjen e tyre më shumë nga ato që u thuhen vazhdimisht, sesa nga ajo që është e vërtetë.

Sot, në vend që të punojmë së bashku dhe të kemi unitet, sidomos në një kohë me zhvillime të mëdha gjeopolitike, jemi gjithnjë e më të ndarë, të dyshimtë dhe të përçarë. Debatin e hapur e kemi zëvendësuar me etiketime dhe akuza të pavërteta. Në vend të fakteve, na rrethojnë pasiguria dhe dyshimet. Ajo që e përkeqëson edhe më shumë këtë gjendje është mungesa e besimit. Qytetarët nuk e dinë më se kujt t’i besojnë. Dhe kur humbet kjo ndjenjë e përbashkët, humb gjithçka tjetër. Sepse pa të, nuk mund të ketë as drejtësi, as stabilitet, as të ardhme. A.S

Debatet televizive aty ku gazetarët shndërrohen në analistë

Shkruan Avni Selmani

Në vitet e fundit, studiot televizive shqiptare janë kthyer nga hapësira informimi në një skenë spektakli. Në vend të një debati të vërtetë, kemi përplasje të sajuara, tensione të panevojshme dhe figura që luajnë role të shumëfishta për të zënë sa më shumë hapësirë në ekran. Ajo që mungon gjithnjë e më shumë është profesionalizmi. Dhe më shqetësuesja, mungon e vërteta.

Sipas rregullave bazë të etikës profesionale, gazetari duhet të qëndrojë i paanshëm, të raportojë me saktësi dhe të mos bëhet pjesë e qëndrimeve politike apo ideologjike. Tani, shumë prej tyre janë shndërruar në “analistë” të përhershëm, të pozicionuar politikisht, me tone të ashpra, që më shumë po ndikojnë sesa informojnë. Kur gazetari mban anë në vend që të mbajë qëndrim profesional, nuk kemi më media, por propagandë e paketuar si debat.

Por më problematike se kaq janë ata që e quajnë veten “analistë”, e në fakt janë shfaqje më vete, njerëz që çdo mbrëmje dalin në ekran dhe flasin me autoritet për gjithçka. Nuk ka fushë që nuk e njohin, nga ekonomia globale te historia botërore, nga vaksinat te konflikti në Lindjen e Mesme, nga politika amerikane te ligji zgjedhor në Shqipëri. Janë “ekspertë universale” që do t’i kishte zili edhe Google-i.

Disa prej tyre janë bërë pjesë e pandashme e studios, të pranishëm pavarësisht se çfarë po diskutohet. Të njëjtat fytyra, të njëjtat mendime, e njëjta vetëbesim i tepruar. Ata dinë çfarë ka bërë gabim presidenti amerikan, çfarë ka në mendje kryeministri, çfarë do ndodhë nesër me çmimin e naftës dhe pse je ti me tension të ulët. Dhe kur mbarojnë batutat e lodhura politike, kalojnë në rolin e humoristit. Sepse edhe të qeshësh në studio është pjesë e performancës.

Ndërkohë, analistët e vërtetë që dinë, ekspertët e fushave, profesorë, mjekë, ekonomistë, shkencëtarë janë lënë pas dore. Janë shumë “të qetë” për televizionin, shumë “të mërzitshëm” për publikun që ka nevojë për konflikt, jo për sqarim. Dhe kështu, vendin e dijes e ka zënë vetëbesimi. Vendin e argumentit e ka zënë emocioni. Vendin e të vërtetës, opinioni.

Në këtë kaos mediatik, televizioni po e humb funksionin e tij informues dhe po shndërrohet në një skenë spektakli. Nëse nuk kthehemi te profesionalizmi dhe përmbajtja, do të vazhdojmë të dëgjojmë shumë, por të kuptojmë shumë pak. A.S

Kush e vrau pikturën

Shkruan Avni Selmani

Instalacioni i mikut tim, Driton Hajredini, “Kush e vrau pikturën” nuk është vetëm një titull provokues, por një pyetje që të bën me menduar thellë për rrugën që ka bërë arti te ne pas luftës. Me shumë ndjeshmëri, ai sjell përmes kësaj vepre transformimin e tij si artist, nga një piktor i përbetuar në dikënd që eksploron forma të reja të shprehjes artistike.

Kjo vepër nuk flet vetëm për ndjenjat e tij personale ndaj pikturës, por edhe për një periudhë të tërë ku arti në Kosovë po kërkonte mënyra të reja për t’u shprehur. Përmes këtij instalacioni, Dritoni e ka sfiduar veten dhe njëkohësisht ka dhënë një mesazh të fortë për të gjithë ne që e duam artin.

Përndryshe, Dritoni është i njohur për këtë mënyrë të shprehjes artistike. Ndër veprat e tij është video-performanca “SIN”, ku ai shtjellon çështje të identitetit dhe paragjykimit përmes një bisede me një prift në një kishë gjermane, ku rrëfimi bëhet përmes një ndarjeje, pa u parë sy më sy, duke e pyetur nëse është mëkat të jesh shqiptar. Po ashtu, ai ishte pjesë e Manifesta 14 në Prishtinë, me një ndërhyrje artistike që trajtonte kufijtë, izolimin dhe përvojat e refugjatëve, tema që prekin thellë realitetin tonë shoqëror.

Më vjen mirë që kjo vepër po hap një hapësirë të re si Reporting House Gallery dhe po merr vëmendjen që e meriton. Sepse arti i mirë, edhe kur ndryshon formën, gjithmonë mbetet i gjallë. A.S

Gjuha shqipe pse po e prishim gjuhën tonë?

Shkruan Avni Selmani

Gjuhën shqipe u munduan ta zhdukin që nga osmanët e deri te të tjerët që erdhën pas tyre. Por ne e ruajtëm, nuk lejuam të na e copëtonin. Edhe pse në treva të ndryshme kemi dialekte dhe …izma të ndryshëm, kur shkruajmë dhe flasim shqip, fjala jonë nuk i ngjan asnjë gjuhe tjetër. Kjo do të thotë se kemi një gjuhë të vjetër dhe të veçantë, por për fat të keq, kemi filluar ta prishim vetë duke futur fjalë të huaja që nuk na duhen, sikur shqipja të jetë e vjetruar dhe duhet “modernizuar”.

Dikur, kur dikush fliste qartë dhe kuptohej lehtë, thoshim se flet rrjedhshëm. Sot themi se është koherent, sepse ashtu gjëja se tingëllon më “inteligjent”. Më parë, kur dikush përpiqej të frikësonte dikënd, e quanim kërcënim, por jo, tani duhet të duket më serioze dhe e quajmë intimidim. Nëse dikush nuk pajtohej me ne, ishte kundërshtar, por kjo s’na duket mjaft elegante, ndaj tani themi oponent. Sepse, po të thuash “kundërshtar”, nuk dukesh sikur ke mbaruar shkollën jashtë!

Ja kështu, pa e kuptuar, po i bëjmë vetes keq. Po e kthejmë shqipen në një përzierje pa kuptim, një gjuhë që nuk dihet më çfarë është. Në kafe, në zyrë, në televizion… më parë flisnim, tani artikulojmë. Më parë mendonim, tani reflektojmë. Më parë bënim diçka, tani implementojmë strategji. Sepse një “strategji e implementuar” tingëllon demek më e rëndësishme se sa një “plan i zbatuar”.

Ne i kemi fjalët tona, por na duken si këpucë të vjetra: të rehatshme, por jo moderne. Tani nuk ka më të drejtë apo gabim, por opinion subjektiv. Asgjë nuk është më e qartë, por transparente. Askush nuk është më punëtor, por operator. Po na ikën edhe gjuha, pak nga pak, duke mos e vënë re fare.

E kur e sheh këtë gjendje, të vjen në mend Fishta, që do të na shante po të ishte gjallë. Por jo vetëm ai. Imagjinoni nëse do të zgjoheshin rilindasit, Naimi, Samiu apo De Rada…
Do të mjaftonte një fjali prej tyre, ndoshta me ironi dhe ndonjë vështrim i ftohtë.
Do të thoshin:
“Për këtë u flijua Rilindja Kombëtare? Që të flisni me fjalë të huaja e të mos kuptoni më veten?”

Pra, ne që dikur e ruanim gjuhën si gjënë më të shtrenjtë, sot po e lëmë pas dore. Ndërsa vendet e tjera e mbrojnë gjuhën e tyre, ne po e mbushim me fjalë të huaja. Mos të çuditemi kur të vijë dita që të mos themi më humbje e gjuhës, por degradim i strukturës gjuhësore, se ashtu tingëllon demek më “shkencërisht”.

Dita ditës, sa më shumë që duam të dukemi të mençur, aq më shumë bëhemi qesharakë.
Kështu, gjuhën që e ruajtëm për shekuj me mund, po e prishim vetë.
Dhe po vazhduam kështu, nesër nuk do ta kuptojmë më as veten.

Sepse gjuha shqipe nuk është thjesht vetëm mjet komunikimi, por pasqyra, kultura dhe rrënjët e identitetit tonë kombëtar. A.S

Përçarjet politike, pse asnjëherë gjatë historisë nuk kemi pasur një qeveri unifikuese?

Shkruan Avni Selmani

Shqiptarët, ndryshe nga shumë popuj të tjerë, asnjëherë nuk kanë arritur të krijojnë një qeveri për shpëtimin kombëtar në momentet kyçe të historisë. Përçarja dhe rivalitetet e brendshme kanë qenë gjithmonë të pranishme, duke bërë që në situata kritike vendimet të mos merren me një vizion të unifikuar kombëtar. Që nga periudha osmane, kur shqiptarët ishin të ndarë në vilajete dhe principata të ndryshme, e deri te shpallja e pavarësisë në 1912, ku edhe atëherë mungoi një unitet i fortë politik, historia ka treguar se shqiptarët rrallëherë kanë vepruar me një strategji të përbashkët. Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, përçarja mes nacionalistëve të Ballit Kombëtar dhe komunistëve bëri që shqiptarët të humbnin mundësinë për një organizim të përbashkët kombëtar.

Lufta e fundit në Kosovë ishte një moment i rëndësishëm për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, e cila do të kishte qenë vendimtare për të siguruar jo vetëm mbijetesën e popullit, por edhe një pozitë më të fortë pas çlirimit. Megjithatë, përçarjet mes fraksioneve politike dhe ushtarake brenda UÇK-së dhe FARK-ut, si dhe mungesa e një strategjie të përbashkët, penguan një koordinim më efikas në nivel diplomatik dhe ushtarak. Pas përfundimit të luftës, në vend që të krijohej një qeveri gjithëpërfshirëse dhe unifikuese që do të udhëhiqte Kosovën drejt ndërtimit të shtetit me një vizion kombëtar, lufta për pushtet u bë prioritet, duke ndikuar negativisht në zhvillimin institucional dhe në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

Sot, Kosova gjendet në një udhëkryq të rëndësishëm gjeopolitik, ku vendimet e mëdha për të ardhmen e saj po merren në tavolina ndërkombëtare. Marrëveshjet me Serbinë, integrimi në BE dhe pozicioni i Kosovës në raport me fuqitë botërore janë çështje kyçe që kërkojnë unitet politik dhe një strategji kombëtare të qartë. Për fat të keq, përçarjet politike dhe mungesa e një vizioni të përbashkët po e dobësojnë qëndrimin e Kosovës në këto procese.

Është e qartë se Kosova ndodhet në një moment vendimtar historik dhe ka nevojë urgjente për një strategji të mençur diplomatike. Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet pa një qeveri gjithëpërfshirëse dhe unifikuese, e cila të vendosë interesin kombëtar mbi ndarjet politike dhe ambiciet personale. Pa një unitet të tillë, Kosova rrezikon të mbetet e paqartë dhe e cenueshme përballë sfidave të ardhshme. A.S

Shoqëria “Josip Rela” në Podujevë: Një Trashëgimi Kulturore e Shuar Padrejtësisht

Shkruan Avni Selmani

Shoqëria Kulturore-Artistike “Josip Rela” ishte një nga institucionet më të rëndësishme të kulturës dhe artit në trevën e Llapit, duke ruajtur dhe promovuar trashëgiminë shqiptare për më shumë se pesë dekada. Themeluar në vitin 1966, ajo nisi me aktivitetin dramatik dhe më pas e zgjeroi veprimtarinë me grupin muzikor, duke u bërë një qendër e rëndësishme për zhvillimin e artit skenik dhe muzikor. Përmes shfaqjeve teatrale dhe koncerteve, shoqëria jo vetëm që ruajti dhe zhvilloi traditat kulturore, por edhe u bë një vatër frymëzimi për brezat e rinj të artistëve.

Gjatë dekadave të veprimtarisë së saj, “Josip Rela” u bë një simbol i identitetit kulturor në Llap dhe më gjerë. Ajo përfaqësoi kulturën shqiptare në festivale të ndryshme dhe mbajti koncerte në qytete të shumta brenda dhe jashtë Kosovës. Repertori i saj artistik ishte i frymëzuar nga vlerat kombëtare, duke e shndërruar këtë shoqëri në një faktor të rëndësishëm në ruajtjen dhe përhapjen e artit shqiptar. Përmes dramave dhe këngëve të saj, shoqëria ndikoi në vetëdijen kombëtare dhe artistike të komunitetit, duke e bërë artin një mjet të fuqishëm për mbrojtjen dhe promovimin e kulturës sonë.

Pavarësisht sfidave politike dhe shoqërore, “Josip Rela” mbijetoi për dekada, duke vazhduar të funksionojë edhe në kushte të vështira. Megjithatë, në vend që të përkrahej dhe të zhvillohej më tej, ajo u mbyll në mënyrë të padrejtë dhe pa asnjë shpjegim nga institucionet komunale, të cilat “nuk e kanë haberin për kulturën dhe rëndësinë e saj”. Mbyllja e kësaj shoqërie nuk ishte thjesht një vendim administrativ, por një akt shkatërrimi i qëllimshëm i një trashëgimie të ndërtuar me mund dhe përkushtim për më shumë se 50 vjet.

Është koha që institucionet përgjegjëse të reflektojnë dhe të korrigjojnë këtë padrejtësi. Kultura nuk mund të trajtohet si diçka dytësore dhe as të lihet në harresë. Shoqëria Kulturore-Artistike “Josip Rela” duhet të vazhdojë të ekzistojë, të ruajë dhe të zhvillojë vlerat që ka ndërtuar ndër vite. Kjo nuk është vetëm një çështje artistike, por një përgjegjësi e institucioneve ndaj trashëgimisë sonë kombëtare. Arti nuk shuhet, ai duhet të mbështetet dhe të ringjallet! A.S

Partitë Politike: Nga Urrejtja në Kompromis për Interes të Pushtetit

Shkruan Avni Selmani

Partitë politike në vendin tonë shpesh luajnë një lojë të pamëshirshme dhe hipokrite, duke krijuar ndasi të thella në shoqëri. Me gjuhë urrejtjeje dhe sulme personale, ato i nxisin mbështetësit e tyre të përplasen, duke e ndërtuar politikën mbi përçarje dhe manipulim. Mbjellja e frikës dhe propagandës është strategjia e tyre për të ardhur në pushtet.

Sidomos pas luftës, rivalitetet mes partive kanë qenë të egra dhe të dhunshme, duke ndarë shoqërinë në grupe të kundërta dhe duke shkaktuar edhe incidente fatale. Edhe sot, kjo përçarje vazhdon. Me ndihmën e mediave dhe rrjeteve sociale, partitë politike i paraqesin kundërshtarët si armiq të popullit, ndërsa veten si të vetmit shpëtimtarë.

Por ironia më e madhe është se, pas zgjedhjeve, armiqtë e djeshëm bëhen miq të ngushtë. Ata që dje akuzoheshin për korrupsion, paaftësi apo tradhti kombëtare, sot ndajnë pushtetin dhe postet. Koalicionet nuk ndërtohen mbi vlera dhe parime, por mbi pazare politike dhe interesa personale. Qytetarët ndihen të tradhtuar, por zëri i tyre nuk dëgjohet më.

Dhe kështu, realiteti përsëritet çdo katër vjet. Politikanët që dje nxisnin urrejtje, sot buzëqeshin dhe shtrëngojnë duart në emër të “bashkëpunimit”. Të njëjtat fytyra, të njëjtat premtime, të njëjtat gënjeshtra. Populli mbetet spektator, duke parë sesi ata që u betuan për ndryshim, mbyllen në zyrat e pushtetit dhe ndajnë privilegjet.

Pas fushatës, votuesit harrohen. Askush nuk i pyet më për hallet e tyre, askush nuk u përgjigjet më. Dhe kur afrohen zgjedhjet e radhës, gjithçka nis nga e para. Po të njëjtët politikanë, të njëjtat fjalë të mëdha, e njëjta lojë e vjetër.

Dhe ne vazhdojmë të besojmë, vazhdojmë të presim një ndryshim që nuk vjen kurrë. Sepse për sa kohë që nuk kërkojmë llogari, ata do të vazhdojnë të luajnë me ne.

Apo, si në Big Brother, do të na thonë: “Ishte vetëm lojë”…?

Shihemi në sezonin e ardhshëm. A.S