Enver Petrovci është një nga figurat më të veçanta të artit shqiptar. Ai nuk është vetëm aktor i njohur, por edhe këngëtar dhe bashkautor në disa prej veprave të tij. Talenti i tij është i gjerë dhe i dalluar në shumë drejtime.Kënga “Të vranë bukuri”, me të cilën ishte paraqitur në Festivalin e 53-të të Këngës në RTSH, nuk ishte thjesht një këngë. Ajo ishte një shprehje e pakënaqësisë së tij ndaj pushtetit, i cili i kishte mbyllur Akademinë “Teatri i Babës”, një institucion që ai e kishte themeluar pa ndihmën e askujt. Nga kjo akademi kishin dalë kuadro dhe artistë të mëdhenj, të cilët më vonë përfaqësuan me dinjitet skenën shqiptare. Me këtë këngë, Petrovci kishte folur për një padrejtësi që e kishte prekur thellë.Ai gjithmonë ka qenë i sinqertë, ka folur hapur dhe me guxim, si në skenë ashtu edhe jashtë saj. Përmes artit, ai vazhdon të tregojë të vërtetën dhe të mbrojë vlerat që i beson. Dhe pikërisht për këtë, ai mbetet një zë i rëndësishëm në kulturën tonë. A.S
Sot jetojmë në një kohë kur fjala është bërë më e lirë se kurrë më parë, por njëkohësisht më e pavlerë. Mendimi nuk matet më me peshën që ka, por me bujën që bën. Kushdo që ka një tastierë, një telefon apo një mikrofon ndjehet i lirë të flasë për gjithçka dhe për këdo, pa dije, pa përgjegjësi dhe pa fakte. Liria e shprehjes, që dikur ishte mjet për të luftuar padrejtësinë, sot përdoret si mburojë për banalitet, arrogancë, shpifje dhe mungesë karakteri. Mjafton të thuash “është mendimi im personal” dhe menjëherë krijohet një arsytim për të mos dhënë llogari. Po a është vërtet mendim çdo fjalë që thuhet? Apo kemi filluar ta ngatërrojmë fjalën e lirë me fjalën e vërtetë?Dikur fjala kishte peshë. Kishte turp, kishte vetëpërmbajtje, kishte përgjegjësi. Njerëzit nuk flisnin kot, sepse fjala lidhej me nderin. Rrethi, familja dhe komuniteti ishin pasqyrë e vlerave. Fjala matej me ndërgjegje, jo me klikime. Gjykimi moral nga të tjerët ishte dënimi më i madh. Sot kjo pothuajse nuk ekziston më. Në emër të lirisë së shprehjes fyhet pa arsye, sulmohet pa fakte, përçmohet pa argumente dhe lavdërohet padituria. Mendimi i matur nuk vlerësohet, fjala e mençur shpërfillet dhe heshtja me dinjitet duket si dobësi. Shoqëria është kthyer në një vend ku sa më shumë mllef të shprehësh, aq më shumë hapësirë të jepet. Në studio televizive, në rrjete sociale, në çdo hapësirë publike, zëri i ashpër dominohet mbi arsyen. Fjalët nuk peshohen më nga mendimi, por nga efekti që krijojnë në ekran.Liria e shprehjes nuk është të thuash çka duash dhe si të duash. Është ta përdorësh fjalën me vetëdije dhe me argument. Pa këtë, ajo nuk është më liri, është një maskë për papërgjegjësinë. Dhe një shoqëri ku fjala përdoret për të lënduar dhe degraduar nuk është më liri e shprehjes, por është një keqpërdorim i saj. A.S
Fenomeni i ndarjes midis “patriotit” dhe “tradhtarit” është bërë një armë e fortë në debatet publike shqiptare, shpeshherë jo për të mbrojtur interesin kombëtar, por për të luftuar mendimin ndryshe. Ky fenomen ka gjetur vend sidomos nëpër studio televizive, media online dhe rrjete sociale, ku etiketa “tradhtar” është banalizuar deri në atë pikë sa thuhet me lehtësi, pa asnjë provë, pa asnjë përgjegjësi, njësoj sikur t’i thuash dikujt “mirëdita”. Në të vërtetë kjo është kthyer në një formë të ulët të komunikimit publik dhe një armë për përçarje, jo për debat.Edhe më shqetësues është fakti se kur dikush e akuzon dikënd tjetër për tradhti, organet kompetente nuk ndërmarrin asnjë veprim. Në një shoqëri të drejtë dhe të rregulluar institucionalisht, një akuzë për tradhti duhet të kishte pasoja të qarta. Ose ai që akuzon pa asnjë bazë duhet të përgjigjet për shpifje, ose ai që etiketohet si tradhtar duhet të hetohet dhe të përballet me drejtësinë. Por në mungesë të këtij mekanizmi, gjithçka mbetet në nivelin e fjalëve, ndërkohë që publikut i serviren vetëm emocione, ndarje dhe konfuzion.Një shembull i këtij fenomeni është rasti i kryeministrit të Kosovës. Në Kosovë, një pjesë e madhe e opozitës politike dhe e mediave e etiketojnë vazhdimisht si “tradhtar”, si njeri që punon për Serbinë apo si agjent i ndikimit rus, pa ofruar ndonjë fakt konkret që do ta mbështeste një akuzë të tillë. Ndërkohë që, në anën tjetër të kufirit, në Serbi, mediat e atjeshme e akuzojnë të njëjtin njeri për të kundërtën, si nxitës destabiliteti, si nacionalist ekstrem, si kërcënim për interesat e Serbisë dhe si përkrahës i projektit të “Shqipërisë së Madhe”. Pra, ndërkohë që në Kosovë quhet tradhtar, në Serbi etiketohet si rrezik nacionalist. Ky kontrast i skajshëm e thellon edhe më shumë konfuzionin te qytetari i zakonshëm. Fatkeqësisht, njerëzit e krijojnë bindjen e tyre më shumë nga ato që u thuhen vazhdimisht, sesa nga ajo që është e vërtetë.Sot, në vend që të punojmë së bashku dhe të kemi unitet, sidomos në një kohë me zhvillime të mëdha gjeopolitike, jemi gjithnjë e më të ndarë, të dyshimtë dhe të përçarë. Debatin e hapur e kemi zëvendësuar me etiketime dhe akuza të pavërteta. Në vend të fakteve, na rrethojnë pasiguria dhe dyshimet. Ajo që e përkeqëson edhe më shumë këtë gjendje është mungesa e besimit. Qytetarët nuk e dinë më se kujt t’i besojnë. Dhe kur humbet kjo ndjenjë e përbashkët, humb gjithçka tjetër. Sepse pa të, nuk mund të ketë as drejtësi, as stabilitet, as të ardhme. A.S
Në vitet e fundit, studiot televizive shqiptare janë kthyer nga hapësira informimi në një skenë spektakli. Në vend të një debati të vërtetë, kemi përplasje të sajuara, tensione të panevojshme dhe figura që luajnë role të shumëfishta për të zënë sa më shumë hapësirë në ekran. Ajo që mungon gjithnjë e më shumë është profesionalizmi. Dhe më shqetësuesja, mungon e vërteta.Sipas rregullave bazë të etikës profesionale, gazetari duhet të qëndrojë i paanshëm, të raportojë me saktësi dhe të mos bëhet pjesë e qëndrimeve politike apo ideologjike. Tani, shumë prej tyre janë shndërruar në “analistë” të përhershëm, të pozicionuar politikisht, me tone të ashpra, që më shumë po ndikojnë sesa informojnë. Kur gazetari mban anë në vend që të mbajë qëndrim profesional, nuk kemi më media, por propagandë e paketuar si debat.Por më problematike se kaq janë ata që e quajnë veten “analistë”, e në fakt janë shfaqje më vete, njerëz që çdo mbrëmje dalin në ekran dhe flasin me autoritet për gjithçka. Nuk ka fushë që nuk e njohin, nga ekonomia globale te historia botërore, nga vaksinat te konflikti në Lindjen e Mesme, nga politika amerikane te ligji zgjedhor në Shqipëri. Janë “ekspertë universale” që do t’i kishte zili edhe Google-i.Disa prej tyre janë bërë pjesë e pandashme e studios, të pranishëm pavarësisht se çfarë po diskutohet. Të njëjtat fytyra, të njëjtat mendime, e njëjta vetëbesim i tepruar. Ata dinë çfarë ka bërë gabim presidenti amerikan, çfarë ka në mendje kryeministri, çfarë do ndodhë nesër me çmimin e naftës dhe pse je ti me tension të ulët. Dhe kur mbarojnë batutat e lodhura politike, kalojnë në rolin e humoristit. Sepse edhe të qeshësh në studio është pjesë e performancës.Ndërkohë, analistët e vërtetë që dinë, ekspertët e fushave, profesorë, mjekë, ekonomistë, shkencëtarë janë lënë pas dore. Janë shumë “të qetë” për televizionin, shumë “të mërzitshëm” për publikun që ka nevojë për konflikt, jo për sqarim. Dhe kështu, vendin e dijes e ka zënë vetëbesimi. Vendin e argumentit e ka zënë emocioni. Vendin e të vërtetës, opinioni.Në këtë kaos mediatik, televizioni po e humb funksionin e tij informues dhe po shndërrohet në një skenë spektakli. Nëse nuk kthehemi te profesionalizmi dhe përmbajtja, do të vazhdojmë të dëgjojmë shumë, por të kuptojmë shumë pak. A.S
Instalacioni i mikut tim, Driton Hajredini, “Kush e vrau pikturën” nuk është vetëm një titull provokues, por një pyetje që të bën me menduar thellë për rrugën që ka bërë arti te ne pas luftës. Me shumë ndjeshmëri, ai sjell përmes kësaj vepre transformimin e tij si artist, nga një piktor i përbetuar në dikënd që eksploron forma të reja të shprehjes artistike.Kjo vepër nuk flet vetëm për ndjenjat e tij personale ndaj pikturës, por edhe për një periudhë të tërë ku arti në Kosovë po kërkonte mënyra të reja për t’u shprehur. Përmes këtij instalacioni, Dritoni e ka sfiduar veten dhe njëkohësisht ka dhënë një mesazh të fortë për të gjithë ne që e duam artin.Përndryshe, Dritoni është i njohur për këtë mënyrë të shprehjes artistike. Ndër veprat e tij është video-performanca “SIN”, ku ai shtjellon çështje të identitetit dhe paragjykimit përmes një bisede me një prift në një kishë gjermane, ku rrëfimi bëhet përmes një ndarjeje, pa u parë sy më sy, duke e pyetur nëse është mëkat të jesh shqiptar. Po ashtu, ai ishte pjesë e Manifesta 14 në Prishtinë, me një ndërhyrje artistike që trajtonte kufijtë, izolimin dhe përvojat e refugjatëve, tema që prekin thellë realitetin tonë shoqëror.Më vjen mirë që kjo vepër po hap një hapësirë të re si Reporting House Gallery dhe po merr vëmendjen që e meriton. Sepse arti i mirë, edhe kur ndryshon formën, gjithmonë mbetet i gjallë. A.S
Gjuhën shqipe u munduan ta zhdukin që nga osmanët e deri te të tjerët që erdhën pas tyre. Por ne e ruajtëm, nuk lejuam të na e copëtonin. Edhe pse në treva të ndryshme kemi dialekte dhe …izma të ndryshëm, kur shkruajmë dhe flasim shqip, fjala jonë nuk i ngjan asnjë gjuhe tjetër. Kjo do të thotë se kemi një gjuhë të vjetër dhe të veçantë, por për fat të keq, kemi filluar ta prishim vetë duke futur fjalë të huaja që nuk na duhen, sikur shqipja të jetë e vjetruar dhe duhet “modernizuar”.Dikur, kur dikush fliste qartë dhe kuptohej lehtë, thoshim se flet rrjedhshëm. Sot themi se është koherent, sepse ashtu gjëja se tingëllon më “inteligjent”. Më parë, kur dikush përpiqej të frikësonte dikënd, e quanim kërcënim, por jo, tani duhet të duket më serioze dhe e quajmë intimidim. Nëse dikush nuk pajtohej me ne, ishte kundërshtar, por kjo s’na duket mjaft elegante, ndaj tani themi oponent. Sepse, po të thuash “kundërshtar”, nuk dukesh sikur ke mbaruar shkollën jashtë!Ja kështu, pa e kuptuar, po i bëjmë vetes keq. Po e kthejmë shqipen në një përzierje pa kuptim, një gjuhë që nuk dihet më çfarë është. Në kafe, në zyrë, në televizion… më parë flisnim, tani artikulojmë. Më parë mendonim, tani reflektojmë. Më parë bënim diçka, tani implementojmë strategji. Sepse një “strategji e implementuar” tingëllon demek më e rëndësishme se sa një “plan i zbatuar”.Ne i kemi fjalët tona, por na duken si këpucë të vjetra: të rehatshme, por jo moderne. Tani nuk ka më të drejtë apo gabim, por opinion subjektiv. Asgjë nuk është më e qartë, por transparente. Askush nuk është më punëtor, por operator. Po na ikën edhe gjuha, pak nga pak, duke mos e vënë re fare.E kur e sheh këtë gjendje, të vjen në mend Fishta, që do të na shante po të ishte gjallë. Por jo vetëm ai. Imagjinoni nëse do të zgjoheshin rilindasit, Naimi, Samiu apo De Rada… Do të mjaftonte një fjali prej tyre, ndoshta me ironi dhe ndonjë vështrim i ftohtë. Do të thoshin: “Për këtë u flijua Rilindja Kombëtare? Që të flisni me fjalë të huaja e të mos kuptoni më veten?”Pra, ne që dikur e ruanim gjuhën si gjënë më të shtrenjtë, sot po e lëmë pas dore. Ndërsa vendet e tjera e mbrojnë gjuhën e tyre, ne po e mbushim me fjalë të huaja. Mos të çuditemi kur të vijë dita që të mos themi më humbje e gjuhës, por degradim i strukturës gjuhësore, se ashtu tingëllon demek më “shkencërisht”.Dita ditës, sa më shumë që duam të dukemi të mençur, aq më shumë bëhemi qesharakë. Kështu, gjuhën që e ruajtëm për shekuj me mund, po e prishim vetë. Dhe po vazhduam kështu, nesër nuk do ta kuptojmë më as veten.Sepse gjuha shqipe nuk është thjesht vetëm mjet komunikimi, por pasqyra, kultura dhe rrënjët e identitetit tonë kombëtar. A.S
Shoqëria Kulturore-Artistike “Josip Rela” ishte një nga institucionet më të rëndësishme të kulturës dhe artit në trevën e Llapit, duke ruajtur dhe promovuar trashëgiminë shqiptare për më shumë se pesë dekada. Themeluar në vitin 1966, ajo nisi me aktivitetin dramatik dhe më pas e zgjeroi veprimtarinë me grupin muzikor, duke u bërë një qendër e rëndësishme për zhvillimin e artit skenik dhe muzikor. Përmes shfaqjeve teatrale dhe koncerteve, shoqëria jo vetëm që ruajti dhe zhvilloi traditat kulturore, por edhe u bë një vatër frymëzimi për brezat e rinj të artistëve.Gjatë dekadave të veprimtarisë së saj, “Josip Rela” u bë një simbol i identitetit kulturor në Llap dhe më gjerë. Ajo përfaqësoi kulturën shqiptare në festivale të ndryshme dhe mbajti koncerte në qytete të shumta brenda dhe jashtë Kosovës. Repertori i saj artistik ishte i frymëzuar nga vlerat kombëtare, duke e shndërruar këtë shoqëri në një faktor të rëndësishëm në ruajtjen dhe përhapjen e artit shqiptar. Përmes dramave dhe këngëve të saj, shoqëria ndikoi në vetëdijen kombëtare dhe artistike të komunitetit, duke e bërë artin një mjet të fuqishëm për mbrojtjen dhe promovimin e kulturës sonë.Pavarësisht sfidave politike dhe shoqërore, “Josip Rela” mbijetoi për dekada, duke vazhduar të funksionojë edhe në kushte të vështira. Megjithatë, në vend që të përkrahej dhe të zhvillohej më tej, ajo u mbyll në mënyrë të padrejtë dhe pa asnjë shpjegim nga institucionet komunale, të cilat “nuk e kanë haberin për kulturën dhe rëndësinë e saj”. Mbyllja e kësaj shoqërie nuk ishte thjesht një vendim administrativ, por një akt shkatërrimi i qëllimshëm i një trashëgimie të ndërtuar me mund dhe përkushtim për më shumë se 50 vjet.Është koha që institucionet përgjegjëse të reflektojnë dhe të korrigjojnë këtë padrejtësi. Kultura nuk mund të trajtohet si diçka dytësore dhe as të lihet në harresë. Shoqëria Kulturore-Artistike “Josip Rela” duhet të vazhdojë të ekzistojë, të ruajë dhe të zhvillojë vlerat që ka ndërtuar ndër vite. Kjo nuk është vetëm një çështje artistike, por një përgjegjësi e institucioneve ndaj trashëgimisë sonë kombëtare. Arti nuk shuhet, ai duhet të mbështetet dhe të ringjallet! A.S
Partitë politike në vendin tonë shpesh luajnë një lojë të pamëshirshme dhe hipokrite, duke krijuar ndasi të thella në shoqëri. Me gjuhë urrejtjeje dhe sulme personale, ato i nxisin mbështetësit e tyre të përplasen, duke e ndërtuar politikën mbi përçarje dhe manipulim. Mbjellja e frikës dhe propagandës është strategjia e tyre për të ardhur në pushtet.Sidomos pas luftës, rivalitetet mes partive kanë qenë të egra dhe të dhunshme, duke ndarë shoqërinë në grupe të kundërta dhe duke shkaktuar edhe incidente fatale. Edhe sot, kjo përçarje vazhdon. Me ndihmën e mediave dhe rrjeteve sociale, partitë politike i paraqesin kundërshtarët si armiq të popullit, ndërsa veten si të vetmit shpëtimtarë.Por ironia më e madhe është se, pas zgjedhjeve, armiqtë e djeshëm bëhen miq të ngushtë. Ata që dje akuzoheshin për korrupsion, paaftësi apo tradhti kombëtare, sot ndajnë pushtetin dhe postet. Koalicionet nuk ndërtohen mbi vlera dhe parime, por mbi pazare politike dhe interesa personale. Qytetarët ndihen të tradhtuar, por zëri i tyre nuk dëgjohet më.Dhe kështu, realiteti përsëritet çdo katër vjet. Politikanët që dje nxisnin urrejtje, sot buzëqeshin dhe shtrëngojnë duart në emër të “bashkëpunimit”. Të njëjtat fytyra, të njëjtat premtime, të njëjtat gënjeshtra. Populli mbetet spektator, duke parë sesi ata që u betuan për ndryshim, mbyllen në zyrat e pushtetit dhe ndajnë privilegjet.Pas fushatës, votuesit harrohen. Askush nuk i pyet më për hallet e tyre, askush nuk u përgjigjet më. Dhe kur afrohen zgjedhjet e radhës, gjithçka nis nga e para. Po të njëjtët politikanë, të njëjtat fjalë të mëdha, e njëjta lojë e vjetër.Dhe ne vazhdojmë të besojmë, vazhdojmë të presim një ndryshim që nuk vjen kurrë. Sepse për sa kohë që nuk kërkojmë llogari, ata do të vazhdojnë të luajnë me ne.Apo, si në Big Brother, do të na thonë: “Ishte vetëm lojë”…?
Në këto ditë fushate pamë përplasje të ashpra, opinione të kundërta, akuza dhe manipulime. Shumë media u rreshtuan në anë të ndryshme, duke e paraqitur realitetin sipas interesave të tyre. Një kandidat, në një medium, shihej si shpëtimtari i vendit, ndërsa në një tjetër si kërcënimi më i madh për shtetin. E njëjta ngjarje, në një portal cilësohej si skandal kombëtar, ndërsa në një tjetër nuk përmendej fare. Kjo nuk është gazetari, është përpjekje për të ndikuar në opinionin publik.Shumë media në Kosovë nuk po informojnë, por po manipulojnë. Nuk ofrojnë fakte, por krijojnë opinione sipas interesave të caktuara. Pas shumë mediumeve qëndrojnë grupe interesi që na imponojnë çfarë duhet të lexojmë. Nuk raportojnë atë që ndodh, por atë që u leverdis. Dhe ne, shpesh pa e kuptuar, ndahemi në dy pozicione, duke mbrojtur “të vërtetat” që na janë servirur.A janë mediat në Kosovë të lira dhe të pavarura? Liria ekziston, por shpesh përdoret për të ndjekur interesa të caktuara, ndërsa pavarësia shndërrohet në varësi nga grupet e interesit. Kjo krijon një ambient ku e vërteta nuk mohohet, por humbet midis shumë versioneve që i shërbejnë agjendave të ndryshme.Megjithatë, jo të gjitha mediat janë të njëjta. Ka gazetarë profesionistë dhe media të pavarura, por në një hapësirë të mbushur me të pavëteta, shpesh është e vështirë të dallosh të vërtetën nga gënjeshtra. Në këtë kaos informativ, e vërteta mbetet në hije, e humbur mes interesave dhe perceptimeve të ndikuara. Dhe ndoshta sfida më e madhe sot nuk është të gjejmë informacion, por të dallojmë të vërtetën nga propaganda. A.S
Enis Presheva është një nga emrat më të njohur në botën e muzikës shqiptare, i njohur për kontributin e tij të madh në industrinë muzikore. Ai ka bashkëpunuar me disa prej artistëve më të mirë të vendit, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë muzikore. Enisi, ka ndjekur studimet në akademitë më të njohura në Austri, duke u formuar profesionalisht si kompozitor dhe muzikant. Me njohuri të avancuara në fushën e muzikës, ai u specializua edhe në programin e njohur “Pro Tools” në Londër dhe punët rreth inçizimit, miksimit, dhe masterizimit në studiot muzikore, duke e ngritur nivelin e tij artistik në përmasa të larta profesionale. Puna e tij ka qenë e njohur jo vetëm brenda kufijve të vendit, por edhe jashtë tij, ku ka bashkëpunuar me artistë dhe muzikantë të njohur. Kontributi i tij në prodhimin dhe përpunimin e muzikës ka ndihmuar në ngritjen e cilësisë së artit muzikor shqiptar.
Enis Pesheva
Pavarësisht suksesit të tij në muzikë, Enisi vendosi të ndërpriste karrierën muzikore për arsye të besimit të tij në Islam. Ky vendim i tij ishte një zgjedhje personale dhe shprehje e devotshmërisë ndaj fesë, duke e vendosur atë në një rrugë të re të jetës së tij. Besimi i tij në Islam u bë një pjesë e rëndësishme e identitetit të tij dhe një udhërrëfyes në vendimet e tij personale dhe profesionale. Ai ka ndarë përvojat e tij dhe është përpjekur të frymëzojë të tjerët përmes shembullit të tij të devotshmërisë dhe etikës së lartë.
Megjithatë, ky ndryshim nuk e ka ndaluar atë të vazhdojë të jetë aktiv dhe i suksesshëm në fusha të tjera. Sot, ai është një ndërmarrës i suksesshëm që merret me teknologjinë e informatikës, duke përshirë zhvillimin dhe integrimin e pajisjeve teknologjike moderne. Përkundër vendimeve të tij personale dhe profesionale, Enisi ka mbetur i njëjti njeri që gjithmonë ka poseduar vlera të larta njerëzore. Ai vazhdon të jetë një figurë e respektuar në shoqëri, duke dhënë shembullin e tij përkushtimit dhe suksesit si në muzikë, ashtu edhe në teknologji. Rruga e tij jetësore na tregon se suksesi nuk ka kufij, dhe se me punë, dedikim dhe besim në veten dhe në Zot, mund të arrijmë sukses në çdo fushë të jetës. Pavarësisht rrethanave apo kushteve, ai qëndron gjithmonë vetvetja. Enisi është person autentik, i drejtë dhe i përkushtuar ndaj parimeve të tij, duke dëshmuar se vlerat njerëzore janë thelbi i suksesit dhe respektit të tij në shoqëri.
Dikur, kritika e drejtuar ndaj figurave publike, qoftë politikanë apo personalitete të njohura, kishte një peshë të madhe dhe shpesh ndikonte në reputacionin e tyre. Një kritikë serioze mund të shkaktonte pasoja reale, si humbje të mbështetjes publike apo edhe largimin nga posti. Mirëpo, sot gjërat kanë ndryshuar. Në vend që kritika të dëmtojë atë që e meriton, shpesh ndodh e kundërta e ndihmon të forcohet edhe më shumëNë botën e mediave të politizuara dhe rrjeteve sociale, kritika nuk shihet më si një sinjal alarmi për të kërkuar llogari. Përkundrazi, ajo përdoret nga të kritikuarit si një armë për të fituar mbështetje, duke u viktimizuar dhe duke pretenduar se janë nën sulm të padrejtë.Kjo situatë i ngjan shumë lojës mes “Tomit dhe Xherrit” në filmin vizatimor. Tomi, macja që përpiqet të mbrojë shtëpinë dhe të vendosë rregullin, në fund gjithmonë del si “agresori” dhe pëson keq. Ndërkohë, Xherri, miu i vogël, i cili është ai që e nis gjithë sherrin dhe shkakton rrëmujën, del i pafajshëm dhe fiton simpati. Pikërisht kështu ndodh sot në politikë dhe media: i kritikuari del si viktimë, ndërsa ata që e kritikojnë shihen si ata që po bëjnë padrejtësi.Në këtë mënyrë, kritika nuk ka më fuqinë që kishte dikur. Në vend që të kërkojë llogari, ajo shpesh ndihmon të kritikuarin të dalë më i fortë dhe më i mbështetur nga publiku. Dhe kështu, “viktima” përfundon duke dalë fitimtare. A.S
Më kujtohen vitet ’80, kur kërkohej “Kosova Republikë”, kur ëndërrohej të ishim të pavarur dhe të barabartë. Thuhej me krenari se kemi pasuri të mëdha nëntokësore që do të na bënin një vend të zhvilluar dhe të pavarur ekonomikisht, dhe ëndërrohej të bëheshim një “Zvicër e vogël”. Sot, pasuria e pretenduar ka mbetur vetëm në letra dhe në fjalë boshe, ndërsa realiteti ynë është një ekonomi që varet 85% nga importet dhe një buxhet që mbushet pothuajse vetëm nga taksat e qytetarëve. Çfarë ka ndodhur me ato pasuri nëntokësore që do të duhej të ishin baza e zhvillimit tonë ekonomik? Pse kjo çështje nuk trajtohet më në asnjë program politik apo debat publik, qoftë nga politikanët apo analistët?Si është e mundur që një vend që pretendon pasuri të mëdha nëntokësore nuk ka arritur të ndërtojë një ekonomi të qëndrueshme? Në vend të kësaj, kemi një klasë politike që shfaqet në fushata zgjedhore me premtime absurde dhe plane të pakuptimta, ndërsa çështjet themelore, si zhvillimi i resurseve natyrore dhe prodhimi vendor, lihen mënjanë. Kjo varësi nga importi dhe mungesa e zhvillimit të sektorëve strategjikë tregojnë një dështim sistematik dhe një mungesë vizioni që vazhdon të mbajë peng të ardhmen e këtij vendi.Është e papranueshme që, në një vend që dikur ëndërrohej të bëhej “Zvicër e vogël”, qytetarët sot mbajnë barrën e një sistemi të paaftë që mbijeton vetëm përmes taksave të tyre dhe remitancave nga diaspora, ndërkohë që zyrtarisht jemi vendi më i varfër në Evropë. Pyetja që duhet bërë është kjo: a është ky dështim rezultat i paaftësisë apo i qëllimshëm? Pasi që vërtet ekzistojnë këto pasuri nëntokësore, kush po përfiton nga to dhe pse populli i Kosovës nuk sheh asnjë përfitim?Heshtja për këtë çështje është alarmante dhe tregon një nivel të lartë të papërgjegjshmërisë politike. Në këtë situatë, asnjë premtim zgjedhor nuk ka kuptim, sepse baza e ekonomisë sonë mbetet e brishtë dhe e rrezikuar. Derisa të përballohet e vërteta dhe të ndërmerren hapa të qartë për shfrytëzimin e pasurive të vendit, Kosova do të mbetet peng i dështimeve të veta.A.S
Gjylë Krasniqi ishte shumë e re kur u bë pjesë e një momenti historik për Kosovën. Në vitin 1981, ajo organizoi dhe mori pjesë në demonstratat kundër padrejtësive që iu bënin popullit shqiptar në ish Jugosllavi. Megjithëse shumë e re, ajo tregoi një ndërgjegje dhe një dashuri të jashtëzakonshme për vendin e saj, duke sfiduar një regjim të pamëshirshëm.Përveç që ishte një aktiviste e vendosur, Gjyla ishte edhe një nxënëse shembullore. E përkushtuar ndaj mësimeve, ajo shkëlqente në shkollë, duke u dalluar për zgjuarsinë dhe etikën e saj të punës. Njëkohësisht, Gjyla ishte një talent shumëdimensional, një artiste në shpirt që shprehej përmes krijimtarisë së saj. Ajo shquhej si një vajzë me vizion të jashtëzakonshëm dhe me aftësi që i tejkalonin kufijtë e moshës së saj.Sakrificat e saj nuk mbetën pa pasoja. E arrestuar dhe e dënuar me burg nga regjimi jugosllav, ajo përjetoi dhimbjen dhe represionin e asaj kohe, por nuk e humbi kurrë shpirtin e saj luftarak. Ajo mbeti një shembull i qëndresës dhe guximit për të gjithë ata që luftuan për liri.Sot, Gjyla jeton një jetë të qetë diku në Evropë. Ajo ka zgjedhur të jetojë e qetë, duke u përqendruar në jetën e saj private. Por historia e saj, si e shumë të rinjve të tjerë që sfiduan të pamundurën, meriton të kujtohet dhe të vlerësohet. Është e dhimbshme që një figurë e tillë, e cila dha gjithçka për atdheun, nuk ka marrë ende një mirënjohje zyrtare. Një falënderim, një përkujtim, një akt simbolik do të ishte një minimum për sakrificat e saj dhe të shumë të tjerëve si ajo.Gjylë Krasniqi nuk është vetëm një emër. Ajo përfaqëson një brez të tërë, të rinj dhe të reja që dhanë gjithçka pa kërkuar asgjë në këmbim. Për ta, liria ishte shpërblimi i vetëm. Sot, është detyra jonë të kujtojmë Gjylën dhe të gjithë ata që, si ajo, mbetën të harruar. Një mirënjohje, një përkujtim, apo një fjalë nderimi nuk janë thjesht formë, por detyrim moral për ata që bënë të mundur të jetojmë të lirë sot. A.S
Fotografi Fahredin Spahija vjen me ekspozitën e radhës, duke sjellë personalitete të njohura të artit dhe kulturës shqiptare.Kjo ekspozitë është një homazh për ata që kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare, duke i sjellë më pranë nesh përmes portreteve artistike bardh e zi. Fahredini nuk bën vetëm një dokumentim, por na rikujton rolin dhe vlerën e secilit prej tyre në historinë shqiptare.A.S.
Doli nga shtypi libri “Amanete Zemre” i autorit Enver Petrovci, një vepër që mbledh mendime dhe reflektime të shkruara me sinqeritet dhe qartësi. Libri sjell përvoja personale, vëzhgime mbi jetën dhe çaste që kanë lënë gjurmë, duke e afruar lexuesin me botën e brendshme të autorit.
“Amanete Zemre” trajton tema të përditshme por thelbësore, marrëdhënien me veten, me të tjerët, me kohën dhe me të kaluarën. Petrovci e paraqet njeriun me të gjitha brengat, pritjet dhe kërkimet e tij, duke e shndërruar librin në një udhëtim të thjeshtë, të drejtë dhe njerëzor.
Stili i tij mbetet i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Ai nuk kërkon të zbukurojë realitetin, por ta tregojë atë ashtu siç e ka ndier dhe siç e ka përjetuar. Pikërisht kjo e bën librin të komunikojë natyrshëm me lexuesin dhe të mbetet i afërt për këdo.
“Amanete Zemre” është një prej atyre librave që nuk kërkojnë interpretim të ndërlikuar, ai flet qartë, me zemër, dhe lë hapësirë për reflektim për secilin që e lexon.
Fotografitë promovuese të librit, si dhe ballina, janë realizuar nga fotografi Avni Selmani.
Enver Petrovci – Libri “Amanete Zemre” Photo by Avni SelmaniEnver Petrovci – Libri “Amanete Zemre” Photo by Avni Selmani
Dua të përgëzoj për botimin e librit tënd të ri, mbi figurën e madhërishme të Fadil Vokrrit. Kjo është një punë e jashtëzakonshme dhe një kontribut i çmuar për botën e futbollit dhe historinë e sportit tonë. Fadil Vokrri ishte një legjendë e vërtetë, një sportist i përkushtuar dhe një simbol i përjetshëm për të gjithë ne që e duam futbollin. Ai jo vetëm që shkëlqeu në fushë me talentin dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme, por gjithashtu inspiroi breza të tërë me pasionin, përkushtimin dhe dashurinë e tij për futbollin.Përmes këtij libri, ti ke arritur të kapësh esencën e kësaj figure të veçantë dhe të sjellësh në jetë historinë dhe trashëgiminë e tij për gjeneratat e ardhshme. Ke treguar jo vetëm për sukseset dhe triumfet e tij, por edhe për përpjekjet dhe sakrificat që ai bëri për të arritur majat e sportit. Në këtë libër, ti ke nderuar kujtimin e tij dhe ke bërë që emri i Fadil Vokrrit të vazhdojë të jetojë në zemrat e tifozëve dhe të gjithë atyre që e kanë ndjekur dhe admiruar.Ky libër është një testament i përkushtimit tënd, pasionit tënd për futbollin dhe respektit tënd për ata që kanë dhënë gjithçka për këtë sport. Pavarësisht se Fadil Vokrri nuk është më me ne, kujtimi dhe trashëgimia e tij vazhdojnë të jetojnë përmes veprës tënde.Ti ke arritur të na sjellësh pranë një copëz nga jeta e tij dhe të na bësh të ndjejmë frymën e tij dhe madhështinë e tij. Urime të përzemërta për këtë pune të jashtëzakonshme. Le të jetë ky libër një inspirim për të gjithë, dhe një homazh i denjë për një legjendë të pavdekshme. Me respekt dhe admirim, Avni Selmani!
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, i njohur si PriFest, u themelua pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me synimin për të promovuar imazhin kulturor dhe artistik të vendit. Edicioni i parë u mbajt në shtator të vitit 2009 dhe u bë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Kosovë.
Nën moton “Fillimi…”, festivali u hap me prezencën e aktorës së njohur Vanessa Redgrave, e cila ishte edhe nikoqire e këtij edicioni të parë.
Themeluesit e festivalit ishin Vjosa Berisha, Orhan Kerkezi, Fatos Berisha dhe Faton Hasimja. Qëllimi i tyre ishte të hapnin dyert e Kosovës për botën e filmit ndërkombëtar dhe ta paraqisnin vendin si një hapësirë ku kultura bashkon, e jo ndan. PriFesti solli në Prishtinë filma nga vende të ndryshme dhe u shndërrua shpejt në një pikëtakim të rëndësishëm për regjisorë, producentë dhe krijues të rinj.
Në hapje u shfaq filmi “Lindje, Perëndim, Lindje” i regjisorit Gjergj Xhuvani, ndërsa pjesë e programit ishin edhe filmat “I Am from Titov Veles”, “The Living and the Dead”, “Correction”, “Opium War”, “Snow”, “Storm”, “Time of the Comet” dhe “Hush Your Mouth”.
Simboli i festivalit ishte “Hyjnesha e artë”, e frymëzuar nga figura arkeologjike “Hyjnesha në fron”, që përfaqëson trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të Kosovës.
Fotografitë e këtij edicioni u realizuan në studion e fotografit Avni Selmani, ku u bënë fotografitë zyrtare të festivalit.
Galeria e fotografive nga edicioni i parë i PriFest 2009
Aktorja Vanessa Redgrave
Photo by Avni Selmani
Aktorët e filmit “Lindje, Perëndim, Lindje”, në PriFest 2009