Banalizimi i skajshëm i politikës kosovare

Shkruan Avni Selmani

Me përfundimin e luftës dhe realizimin e ëndrrës shekullore për ta pasur shtetin tonë, në Kosovë kishte një shpresë të madhe për të ardhmen. Kishte besim se pas luftës do të fillonte një kohë me më shumë përgjegjësi për shtetin dhe qytetarët. Shumë njerëz besonin se pas gjithë asaj sakrifice, politika do të shërbente për ndërtimin e shtetit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Por nuk ndodhi kështu. Përkundrazi, pas luftës filloi një kohë e errët dhe e pakompromis politike. Nuk ishte e lehtë të kishe bindje politike në atë kohë, sepse shoqëria filloi të ndahej në kampe të ndryshme, ku kundërshtari nuk shihej si rival politik, por si armik. Të gjithëve na kujtohet ajo periudhë kur tensionet, akuzat dhe përplasjet filluan ta ndanin shoqërinë dhe të krijonin armiqësi të skajshme mes njerëzve.

Ishte koha kur duhej të ndërtohej një program serioz afatgjatë ekonomik, të aktivizoheshin resurset nëntokësore dhe energjetike, ku Kosova ka pasuri të mëdha, të krijohej një platformë serioze për përfaqësim në politikën e jashtme dhe të vendoseshin themelet e një shteti funksional. Por asnjëra nga këto nuk ishte primare për qeveritë e kaluara. Në vend të zhvillimit dhe ndërtimit të shtetit, prioritet u bë lufta për pushtet dhe kontroll politik.

Si pasojë e kësaj mënyre të keqe të qeverisjes, sot jemi në fund të pothuajse të gjitha raporteve evropiane. Sipas raportit të fundit, Kosova zyrtarisht është vendi më i varfër në Evropë. Në testin PISA, që mat dijen bazë të nxënësve, jemi renditur ndër të fundit, ndërsa sipas raportit të Bankës Botërore, Kosova është ndër vendet me ikjen më të madhe të popullsisë dhe tkurrjen më të rëndë demografike. Kjo do të duhej të ishte alarm kombëtar për çdo shtet normal.

Por, pavarësisht këtyre statistikave tronditëse dhe zbrazjes dramatike të vendit, klasës politike pothuajse nuk i intereson kjo gjendje. Nuk është as temë debati. Ata jetojnë në një realitet tjetër, të izoluar nga hallet e qytetarit, të zënë me pazare politike, interesa personale dhe përplasje të pafundme për pushtet. Atyre nuk u intereson kush ikën, kush varfërohet dhe kush nuk sheh më të ardhme në këtë vend. Në vend që shteti të përballet me varfërinë, me ikjen e të rinjve dhe me krizën sociale si probleme urgjente, këto po pranohen gradualisht si realitet normal.

Së fundmi, pas një ngërçi të gjatë politik dhe pasi më në fund u krijua një qeveri stabile për t’u marrë me problemet reale të qytetarëve dhe me punët e shtetit, përsëri po shkojmë drejt zgjedhjeve. Jo për shkak të ndonjë rreziku shtetëror apo ndonjë krize të madhe kombëtare, por vetëm sepse dikush nuk po bëhet ose nuk po lejohet të bëhet president. Pikërisht në këtë pikë shihet banalizimi i skajshëm i politikës kosovare. Kur politika vendoset mbi shtetin dhe qytetarin, politika shndërrohet në interes personal.

Dhe sot, pas gjithë këtyre viteve, politika në Kosovë më shumë prodhon përçarje dhe konflikt sesa zgjidhje. Sepse politikës i konvenon një shoqëri e përçarë, pasi e ka më të lehtë ta sundojë dhe manipulojë. Pikërisht ky është banalizimi i skajshëm i politikës, kur pushteti bëhet qëllim në vetvete, ndërsa shteti dhe qytetari mbeten në plan të dytë.

Lini një koment