Shkruan Avni Selmani
Shqiptarët, ndryshe nga shumë popuj të tjerë, asnjëherë nuk kanë arritur të krijojnë një qeveri për shpëtimin kombëtar në momentet kyçe të historisë. Përçarja dhe rivalitetet e brendshme kanë qenë gjithmonë të pranishme, kjo sjellje ka bërë që në situata vendimtare vendimet të mos jenë të koordinuara dhe të mos mbështeten në një vizion të unifikuar kombëtar. Që nga periudha osmane, kur shqiptarët ishin të ndarë në vilajete dhe principata të ndryshme, e deri te shpallja e pavarësisë në vitin 1912, ku edhe atëherë mungoi një unitet i fortë politik, historia ka treguar se shqiptarët rrallëherë kanë vepruar me një strategji të përbashkët. Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, përçarja mes nacionalistëve të Ballit Kombëtar dhe komunistëve bëri që shqiptarët të humbnin mundësinë për një organizim të përbashkët kombëtar.Lufta e fundit në Kosovë ishte një moment i rëndësishëm për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, e cila do të kishte qenë vendimtare për të siguruar jo vetëm mbijetesën e popullit, por edhe një pozitë më të fortë pas çlirimit. Megjithatë, përçarjet mes fraksioneve politike dhe ushtarake brenda UÇK-së dhe FARK-ut, si dhe mungesa e unitetit, penguan një koordinim më efikas në nivel diplomatik dhe ushtarak. Pas përfundimit të luftës, në vend që të krijohej një qeveri gjithëpërfshirëse dhe unifikuese që do të udhëhiqte Kosovën drejt ndërtimit të shtetit me një vizion kombëtar, lufta për pushtet u bë prioritet, duke ndikuar negativisht në zhvillimin institucional dhe në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Kjo mungesë uniteti nuk është vetëm pjesë e së kaluarës, por shihet qartë edhe sot. Në vend që të kishim mësuar nga historia, duket se përçarjet janë bërë edhe më të theksuara. Për një kohë të gjatë nuk po arrijmë të funksionojmë normalisht në aspektin institucional, duke mbetur të bllokuar nga konfliktet politike dhe mungesa e bashkëpunimit. Kjo tregon se problemi nuk është tejkaluar, por vazhdon të përsëritet në forma të ndryshme, duke e penguar vendin të ecë përpara me stabilitet dhe qartësi.Sot, Kosova gjendet në një udhëkryq të rëndësishëm gjeopolitik, ku vendimet e mëdha për të ardhmen e saj po merren në tavolina ndërkombëtare. Marrëveshjet me Serbinë, integrimi në BE dhe pozicioni i Kosovës në raport me fuqitë botërore janë çështje kyçe që kërkojnë unitet politik dhe një strategji kombëtare të qartë. Për fat të keq, përçarjet politike dhe mungesa e një vizioni të përbashkët po e dobësojnë qëndrimin e Kosovës në këto procese. Duke qenë se Kosova ndodhet në një moment vendimtar historik dhe ka nevojë urgjente për një strategji të mençur dhe unifikuese diplomatike, kjo fatkeqësisht nuk po i bën përshtypje klasës sonë politike. Ajo vazhdon të merret me përplasje të ndërsjella dhe me bllokimin e institucioneve dhe vetë shtetit për interesa personale dhe partiake, duke e lënë në plan të dytë interesin e përgjithshëm. Përderisa vazhdon kjo mendësi, është e pamundur të ndërtohet një qeveri gjithëpërfshirëse dhe unifikuese që e vendos vendin mbi gjithçka tjetër. Pa këtë ndryshim, Kosova rrezikon të mbetet e bllokuar, pa drejtim dhe e pambrojtur përballë sfidave që e presin. A.S
