Shkruan Avni Selmani
Kjo situatë na kujton një periudhë të hershme, rreth vitit 1919, kur asnjë qeveri shqiptare nuk arrinte të qëndronte në pushtet më shumë se disa muaj. Paqëndrueshmëria ishte aq e thellë sa fqinjët e asaj kohe, sllavët dhe grekët, kërkonin ndarjen e Shqipërisë, duke pretenduar se shqiptarët nuk ishin të aftë të bënin shtet. Kjo çështje u diskutua në Konferencën e Paqes në Paris, dhe megjithëse kjo ide mori mbështetje nga disa vende evropiane, ajo nuk u realizua fal ndërhyrjes dhe qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit Wilson.
Edhe sot, në një kohë tjetër dhe në rrethana krejt të ndryshme, përballemi me një lloj paqëndrueshmërie që të detyron të mendosh. A kemi mësuar vërtet nga e kaluara, apo thjesht po e përsërisim në forma të tjera.
Unë mendoj se problemi nuk është te vetë zgjedhjet. Problemi është pse po vijmë deri këtu. Sepse kur një vend shkon shpesh në zgjedhje, pa një arsye të qartë dhe pa një krizë që nuk zgjidhet ndryshe, atëherë diçka nuk po funksionon si duhet.
Në vend që të kishte përpjekje për zgjidhje, e cila në fakt kërkonte vetëm një kompromis të vogël mes partive, sot do t’i kishim institucionet funksionale dhe shteti do të ecte normalisht. Sidomos në këto kohë, kur na presin shumë punë si në politikën dhe ekonominë e brendshme, ashtu edhe në politikën e jashtme dhe në rrugën drejt integrimeve evropiane. Por në vend të kësaj, u rrënua kjo mundësi dhe po shkojmë në zgjedhje pa asnjë nevojë, sepse partive politike nuk u përputhen interesat personale dhe partiake.
Natën kur dështoi zgjedhja e presidentit dhe u bë e qartë se vendi po shkonte drejt zgjedhjeve të reja, pritej një moment reflektimi. Por ajo që u pa ishte diçka tjetër. Në disa studio televizive nisi një lloj humori, sikur të mos kishte ndodhur asgjë serioze. Në fytyrat e tyre nuk u pa asnjë shenjë keqardhjeje. E njëjta gjë u reflektua edhe në rrjetet sociale. Dy taborre, secila duke mbrojtur të vetët, pa u ndalur për një moment për të menduar çfarë po ndodh me vendin.
Dhe këtu lind një pyetje që nuk është e lehtë, por është e domosdoshme. A duhet ta kërkojmë fajin vetëm te klasa politike, apo edhe te vetja jonë si qytetarë.
Sepse kur një situatë që prek të gjithë kthehet në humor dhe në përplasje mes palëve, atëherë problemi nuk është vetëm lart. Është edhe mënyra si ne e përjetojmë dhe si reagojmë. Po e pranojmë si normale dhe po rreshtohemi pas tyre, në vend që të reflektojmë.
Mesazhi nga e gjithë kjo është i qartë. Nëse politika vazhdon të vendosë interesat e ngushta mbi interesin e shtetit, dhe nëse qytetari vazhdon të rreshtohet sipas bindjeve të njërës apo partisë tjetër, pa reflektim, atëherë kriza nuk është më vetëm e politikës, por bëhet e të gjithëve. Me këtë mënyrë veprimi, nuk shihet asnjë perspektivë për vendin, por vetëm një cikël zgjedhjesh pas zgjedhjesh, pa zgjidhje reale. Me këtë mendësi dhe me këtë klasë politike, nuk shihen shpresa për vendin. Zoti na ndihmoftë. A.S
