Shkruan Avni Selmani
Edhe një herë po shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme, por tani kjo duket shumë shqetësuese, pasi kemi hyrë në një fazë ku klasa politike është hasmuar në atë shkallë sa duket se nuk do të kemi kompromise as në të ardhmen. Kjo armiqësi po reflektohet edhe te qytetarët dhe në shumë raste ka filluar t’i ngjajë tifozërisë. Kosova po hyn në një tjetër proces zgjedhor pas krizave të njëpasnjëshme institucionale dhe pamundësisë së klasës politike për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme.Në këto ditë fushate pamë gjithçka përveç një debati serioz për të ardhmen e vendit. Premtime pa mbulesë, populizëm, akuza të ndërsjella dhe rikthim të vazhdueshëm te e kaluara. Secila parti nxori në pah disa “suksese” të dikurshme. Njëra thotë se e ka çliruar vendin, tjetra se e ka formuar ushtrinë, një tjetër se e ka çliruar Mitrovicën. Këto janë të njëjtat argumente që dëgjojmë në çdo palë zgjedhje. Fundja, zgjedhjet nuk mbahen për të kaluarën. Ato mbahen për të ardhmen.Problemi është se politika nuk mund të jetojë pafundësisht nga e kaluara dhe as nga premtimet pa mbulesë, kur gjendja reale në Kosovë tregon një pamje krejt tjetër nga ajo që serviret në fushata. Kosova vazhdon të jetë ndër vendet më të varfra në Evropë. Në arsim vazhdojmë të renditemi në fund të listës. Në korrupsion dhe sundim të ligjit, besimi në institucione mbetet i ulët dhe problemet vazhdojnë. Ndërkohë, një pjesë e madhe e popullsisë jeton jashtë vendit, duke e bërë Kosovën një rast ekstrem në Evropë për ikjen e të rinjve dhe migrimin masiv. Përballë kësaj situate alarmante, nuk shihet ndonjë shqetësim serioz as te klasa politike, por fatkeqësisht as te qytetarët.Në këtë fushatë pamë gjithçka, por pothuajse asnjë fjalë për vënien në funksion të resurseve natyrore të vendit. Me një fjalë, nuk ishin as pjesë e debatit. Kosova ka ndër rezervat më të mëdha të linjitit në botë, ndërsa njëkohësisht është importuesja më e madhe e energjisë. Ky mund të jetë një nga absurditetet më të mëdha ekonomike të vendit. Në vend që të dëgjonim plane konkrete se si do të shfrytëzohen këto pasuri për zhvillim ekonomik dhe për krijimin e vendeve të punës, dëgjuam premtime joshëse për rritje pagash, pensione më të larta, shtesa dhe subvencione, por shumë pak zgjidhje konkrete. U fol për shpërndarjen e parave, por jo se kush do t’i krijojë ato. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi kryesor, sepse asnjë vend nuk mund të ecë përpara vetëm me premtime, nëse nuk ka një plan të qartë se si do të krijojë vende pune, si do të rrisë prodhimin dhe si do t’i shfrytëzojë resurset që i ka në dispozicion. Kjo tregon se për një pjesë të madhe të klasës politike është më e lehtë të premtojë shpërndarje të parave sesa të flasë për krijimin e tyre. Kur mungojnë planet konkrete, është e vështirë të kuptohet nëse synimi është zhvillimi i vendit apo vetëm fitimi i votave.Debati po kthehet vazhdimisht te e kaluara dhe jo te zgjidhjet për të ardhmen. Pyetja mbetet e thjeshtë: a po votojmë për atë që ishte dikur, apo për atë që duhet të bëhet sot? Dhe nëse edhe kësaj radhe nuk po ofrohen zgjidhje për problemet kryesore të qytetarëve, atëherë shtrohet pyetja: cili është kuptimi i këtyre zgjedhjeve dhe pse po shkojmë prap në zgjedhje? A.S
