Kur egoja bëhet më e rëndësishme se shteti

Shkruan Avni Selmani

Nga mënyra se si kanë filluar bisedimet për themelimin e institucioneve, gjithçka tregon se vendi po shkon drejt një bllokade politike edhe më të thellë. Asgjë e re. Prej vitesh po shohim të njëjtin skenar: akuza, kundërakuza, kushte, refuzim të kompromisit dhe bllokim të institucioneve.
Kjo nuk është më çështje e dallimeve politike. Është mungesë përgjegjësie. Si gjithmonë, partitë politike po e vendosin interesin personal dhe partiak mbi interesin shtetëror. Në vend që të kërkojnë zgjidhje, ato merren me llogari politike dhe me mënyrën se si ta dëmtojnë kundërshtarin. Kur egoja bëhet më e rëndësishme se shteti, nuk ka më kompromis. Në fund, humbësi nuk është as njëra parti e as tjetra. Humbës janë qytetarët dhe shteti.
Është e papranueshme që funksionimi i institucioneve të bllokohet sepse dikush duhet ose nuk duhet të zgjidhet në një funksion. Kjo praktikë nuk mund të vazhdojë të trajtohet si pjesë normale e jetës politike. Asnjë emër dhe asnjë post nuk duhet të jetë arsye për bllokimin e institucioneve.
Ata që e krijojnë krizën nuk paguajnë asnjë çmim. Pagat, privilegjet dhe përfitimet e tyre nuk preken. Faturën e paguajnë qytetarët. Ata përballen me institucione të bllokuara, me vendime të vonuara, me procese që zvarriten, me investime të humbura dhe me një shtet që humb kohë dhe besueshmëri.
Problemi është se kjo mënyrë e të bërit politikë nuk ka pothuajse asnjë kosto. Askush nuk jep dorëheqje. Askush nuk humb privilegjet. Askush nuk mban përgjegjësi për bllokimin e institucioneve. Për sa kohë që krizat nuk sjellin pasoja për ata që i shkaktojnë, ato do të vazhdojnë të përsëriten.
Një pjesë e qytetarëve, në vend që t’u kërkojë llogari partive politike, vazhdon të mbrojë çdo veprim të partisë që përkrah. Politika është kthyer në tifozllëk. Në rrjetet sociale debati është zëvendësuar me sharje, fyerje dhe ofendime. Për shumë militantë nuk ka rëndësi nëse bllokohen institucionet apo dëmtohet shteti; mjafton që partia e tyre të mos lëshojë pe.
Edhe partitë politike kanë përgjegjësi për këtë klimë. Pothuajse asnjëra nuk distancohet nga gjuha e fyerjeve dhe e urrejtjes që përdoret në emër të saj. Asnjëra nuk u bën thirrje mbështetësve të saj të debatojnë me argumente dhe të respektojnë mendimin ndryshe. Kjo heshtje nuk është rastësi. U shërben interesave të tyre.
Bllokimi i institucioneve është bërë praktikë. Mungesa e kompromisit është bërë rregull. Për këtë arsye, i njëjti skenar përsëritet pas çdo procesi zgjedhor.
Për sa kohë që qytetarët vazhdojnë ta arsyetojnë këtë sjellje dhe ta shpërblejnë me votë, politika nuk do të ketë asnjë arsye të ndryshojë. A.S

Lini një koment