Kush e ka udhëhequr Kosovën për 27 vjet?

Shkruan Avni Selmani

Për 27 vjet, pothuajse të gjitha partitë kryesore politike në Kosovë kanë qenë në pushtet, vetëm ose në koalicione, dhe secila prej tyre thirret në një sukses të caktuar. Njëra thotë se e ka çliruar vendin, tjetra se ka kontribuar në shtetndërtim dhe pavarësi, tjetra se e ka formuar ushtrinë, ndërsa një tjetër sot thotë se ka shtrirë sovranitetin dhe autoritetin e shtetit në veri.
Por këtu lind pyetja: nëse secila parti i numëron me krenari meritat e veta, kush e merr përgjegjësinë për dështimin ekonomik, social dhe institucional të vendit?
Pas gjithë këtyre qeverive, asnjëra nuk arriti t’i japë vendit një drejtim afatgjatë zhvillimi, një model të qartë ekonomik, industri dhe prodhim vendor të fuqishëm, shfrytëzim strategjik të resurseve natyrore e minerare, sigurim shëndetësor dhe social funksional, arsim cilësor dhe sundim të fortë të ligjit. Dhe këto janë vetëm disa nga gjërat më vitale që nuk u bënë, sepse lista është shumë më e gjatë.
Pas gjithë këtyre qeverive, Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet më të varfra në Evropë, me ekonomi të dobët, prodhim dhe eksporte të dobëta, varësi të madhe nga importi dhe remitancat e bashkatdhetarëve, standard jetese larg atij evropian dhe emigrim të vazhdueshëm. Një pjesë e madhe e qytetarëve vazhdon ta shohë perspektivën jashtë vendit.
Partia në pushtet erdhi si pasojë e dështimeve të mëdha të qeverive të kaluara dhe fitoi mbi 50 për qind të votave, në një kohë kur dëshpërimi i qytetarëve ishte i madh dhe pritjet për ndryshim edhe më të mëdha. Por edhe kjo qeverisje, me kalimin e kohës, filloi t’u ngjajë gjithnjë e më shumë atyre që kishte kritikuar. Përpos shtrirjes së sovranitetit në veri, në ekonomi nuk u pa kthesa e pritur: nuk u krijua një model i ri zhvillimi, nuk pati hov në prodhim e industri dhe nuk u vu në lëvizje serioze potenciali i resurseve të vendit. Me një fjalë, nuk po shihet as nisja e një kthese serioze ekonomike. Pra, edhe alternativa që erdhi për ta ndryshuar modelin, deri tani nuk arriti ta krijojë modelin e ri.
Dhe pas gjithë këtij dështimi në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit, Kosova sot gjendet edhe në bllokadë institucionale, me një klasë politike të përçarë deri në skaj, ku kompromisi pothuajse nuk ekziston. Dështimet në ekonomi, shëndetësi, arsim e zhvillim pothuajse nuk janë më as temë, sepse politika është e zënë me pyetjen se kush do ta marrë pushtetin. Ata që thirren në meritat për ndërtimin e Kosovës, sot nuk arrijnë as ta bëjnë atë të funksionojë.
Dhe tani shtrohet pyetja:
Edhe sa duhet të presë Kosova që të vijë një parti, një gjeneratë apo një brez politik që do ta bëjë kthesën dhe do t’i japë drejtim zhvillimit të këtij vendi? A.S.

Lini një koment