A i duhet Kosovës Presidenti, apo partive Presidenca?

Shkruan Avni Selmani

Bllokimi i shtetit për zgjedhjen e Presidentit është banaliteti më i madh politik që mund t’i ndodhë një vendi, sidomos një vendi si Kosova, që nuk e ka luksin ta humbasë as edhe një ditë. Me një ekonomi të dobët dhe shumë probleme të pazgjidhura, klasa jonë politike sillet sikur i ka përfunduar të gjitha punët dhe i ka mbetur vetëm të vendosë kush do të ulet në karrigen e Presidentit.
Për një kohë të gjatë, shteti mbahet peng jo për ndonjë çështje jetike, por sepse partitë nuk arrijnë ta ndajnë një post. Absurdi bëhet edhe më i madh kur dihet se Kosova është republikë parlamentare dhe se Presidenti, sado i rëndësishëm si përfaqësues i shtetit, nuk e drejton as Qeverinë, as ekonominë. Megjithatë, njëra parti dëshiron ta marrë edhe Presidencën, ndërsa të tjerat, meqë nuk mund ta marrin, përpiqen ta bllokojnë. Për këtë karrige janë të gatshme ta rrëzojnë tërë shtetin dhe pastaj të dalin para qytetarëve e të flasin për përgjegjësi dhe interes shtetëror.
Kjo nuk është përgjegjësi shtetërore. Është hipokrizi e shëmtuar politike.
Presidenti duhet ta përfaqësojë unitetin e popullit dhe të qëndrojë mbi partitë. Në praktikë, ai zgjidhet përmes përplasjes më të ashpër partiake. Pra, institucioni që duhet të jetë mbi partitë lind nga pazaret mes tyre.
Këtu vazhdon hipokrizia. Secila parti kërkon President që i bashkon të gjithë, por vetëm nëse kandidati është i saj. Kur e propozon vetë, kërkon që të tjerët të tregohen shtetërorë dhe ta votojnë. Kur kandidati është i kundërshtarit, kujtohet për konsensusin, pavarësinë dhe mbrojtjen e demokracisë.
Partia në pushtet e ka Qeverinë dhe shumicën në Kuvend, por kërkon edhe Presidencën. Opozita, meqë nuk mund ta marrë, përdor bllokadën. Njëra palë kërkon t’i marrë të gjitha, të tjerat përpiqen t’i bllokojnë të gjitha. Ndërsa të dyja palët betohen se po e mbrojnë Kosovën.
Në të vërtetë, askush nuk pyet seriozisht çfarë Presidenti i duhet vendit. A duhet të ketë integritet, autoritet dhe përvojë ndërkombëtare? A duhet të jetë i aftë ta kundërshtojë edhe Qeverinë, edhe opozitën? Pyetjet që u interesojnë partive janë të tjera: A është i yni? A mund ta kontrollojmë? Çfarë marrim nëse e votojmë?
Për 27 vjet, pothuajse të gjithë Presidentët kanë ardhur nga partitë ose nga marrëveshjet mes tyre. Fillimisht janë njerëz të partisë, pastaj japin dorëheqje dhe, brenda një dite, shpallen përfaqësues të unitetit. Sikur dorëheqja formale t’i fshinte edhe lidhjet dhe borxhet politike.
Kosova tashmë kishte një Presidente që, pavarësisht vërejtjeve ndaj saj, e përfaqësoi vendin me sukses, sidomos kur marrëdhëniet me aleatët ishin dëmtuar. Në një shtet normal do të vlerësohej puna e saj dhe do të pyetej nëse vazhdimësia ishte në interes të vendit. Te ne u pyet: kujt i takon tani Presidenca?
Atëherë, cili ishte problemi? Kosova kishte nevojë për një President më të mirë, apo pushteti për një President më të dëgjueshëm?
Kur pazari dështon, Kuvendi shpërndahet, shteti bllokohet dhe qytetarët dërgohen përsëri në zgjedhje. Pastaj fajtorët dalin në televizione dhe premtojnë se do ta shpëtojnë Kosovën nga kriza që e krijuan vetë.
Presidenca nuk do të duhej të ishte shpërblim për fituesin, ngushëllim për humbësin dhe as plaçkë për t’u ndarë. Ajo është institucion i shtetit.
Kush e bllokon Kosovën për ta marrë Presidencën, nuk po e mbron shtetin. Po dëshmon se për të, karrigia vlen më shumë se vetë Kosova. A.S.

Lini një koment