Shkruan Avni Selmani
Këto ditë po zhvillohet një debat i madh dhe i ashpër rreth interesimit të një kompanie të huaj për të realizuar një investim të madh në bregdetin shqiptar. Përveç diskutimeve normale, po shohim edhe protesta kundër vetë idesë së investimit.
Natyrisht, çdo projekt duhet shikuar me kujdes dhe duhet të respektojë mjedisin dhe interesin publik. Kjo nuk vihet në diskutim. Por këtu po flitet për një investim të madh turistik dhe jo për një industri të rëndë apo aktivitet që në vetvete ngre shqetësime për ndotjen e mjedisit apo shëndetin e njerëzve. Prandaj është e vështirë të kuptohet pse po kundërshtohet vetë ideja e investimit dhe jo kushtet konkrete të tij.
Nëse një investitor është i gatshëm të vendosë qindra miliona euro, të marrë përsipër rrezikun e biznesit dhe të ndërtojë një projekt turistik, pyetja normale duhet të jetë si të përfitojë sa më shumë Shqipëria nga ky investim. Në vend të kësaj, po dëgjojmë thirrje për ta penguar atë.
Të protestosh pse dikush dëshiron të investojë qindra miliona euro në vendin tënd, ndërsa për vite me radhë ankohesh për mungesë zhvillimi, vende pune dhe investime, është një nga absurditetet më të mëdha që mund të ndodhin në një ekonomi tregu.
Një investim i tillë nuk duhet parë përmes interesave politike të ditës. Në gjithë këtë debat krijohet përshtypja se për disa njerëz problemi nuk është vetë investimi, por përplasja politike që po zhvillohet rreth tij. Kjo është për të ardhur keq, sepse investime të tilla nuk bëhen për një qeveri, për një kryeministër apo për një parti politike.
Qeveritë ndryshojnë, kryeministrat shkojnë e vijnë, por shteti mbetet. Pikërisht për këtë arsye, investime të tilla duhet të shihen si projekte të shtetit dhe jo si projekte të një qeverie.
Përderisa shumë vende krijojnë politika ekonomike për të tërhequr investime, ofrojnë lehtësira të ndryshme dhe investojnë në infrastrukturë për t’i bërë më tërheqëse për investitorët, ne po debatojmë nëse duhet kundërshtuar një investim që dëshiron të vijë vetë.
Mjafton të shohim Turqinë. Ajo nuk u bë fuqi turistike duke penguar investimet, por duke i mirëpritur ato. Sot askush nuk pyet kush e ndërtoi një hotel në Antalia. Bota e njeh Turqinë si një destinacion turistik dhe ekonomia e saj përfiton miliarda euro çdo vit.
Kjo mënyrë e kundërshtimit të investimeve dërgon një mesazh të keq edhe për investitorët e tjerë që mund të jenë të interesuar për Shqipërinë. Kjo u pa edhe nga reagimet e mediave ndërkombëtare, ku u ngrit pyetja se si është e mundur që një vend që kërkon zhvillim ekonomik dhe investime të kundërshtojë projekte të tilla.
Shqipëria ka mundësinë të bëhet pjesë e tregut global të turizmit dhe të përfitojë nga një nga pasuritë më të mëdha që ka, bregdeti i saj. Në fund, zgjedhja është e thjeshtë: ose hapemi ndaj investimeve, zhvillimit dhe ekonomisë globale, ose vazhdojmë të ankohemi për varfërinë, papunësinë dhe mungesën e perspektivës, ndërsa refuzojmë mundësitë që na vijnë vetë.
Do të ishte paradoks dhe e pafalshme që të pengonim një investim historik, i cili ka potencialin të ndryshojë rrjedhën ekonomike të Shqipërisë për dekadat që vijnë.A.S
