Si shtet, a kemi filluar t’i ngjajmë një “Banana Republike”?

Shkruan Avni Selmani

Pas gjithë asaj që po ndodh prej vitesh në Kosovë, nuk është më pyetje që duhet shmangur vetëm sepse tingëllon keq.
Pyetja është edhe më e pakëndshme: A kemi filluar t’i shfaqim disa nga simptomat e një “Banana Republike”?
Kur politika merret me muaj me ndarjen e pushtetit, kur institucionet bllokohen për poste dhe kur për çdo mosmarrëveshje përfundojmë te Gjykata Kushtetuese, ndërsa edhe vendimet e saj shpesh interpretohen nga partitë sipas interesit të momentit, atëherë problemi nuk është më vetëm një krizë politike.
Është mënyra si kemi filluar ta trajtojmë shtetin.
Por shikojeni absurdin e kësaj logjike politike.
Për numrat në Kuvend mund të zhvillohet betejë me muaj. Për Presidencën mund të rrezikohet funksionimi i institucioneve. Për një post mund të prishet një koalicion.
Ndërkohë, problemet vitale të vendit mbeten pothuajse gjithmonë në plan të dytë:
Ekonomi e dobët, pa një drejtim të qartë ekonomik dhe me prodhim të pamjaftueshëm vendor.
Varësi e madhe nga importi dhe diaspora.
Pasuri natyrore që ende nuk janë shndërruar sa duhet në industri, zhvillim dhe vende pune.
Arsim me rezultate shumë të dobëta.
Shëndetësi me probleme të vazhdueshme dhe ende pa një sistem të plotë funksional të sigurimeve shëndetësore.
Largim i vazhdueshëm i të rinjve.
Probleme të vazhdueshme me sundimin e ligjit, korrupsionin dhe ndikimin partiak në institucione.
Dhe shumë probleme të tjera që prej vitesh presin zgjidhje.
Por për të gjitha këto nuk ka as beteja, as urgjencë, as mobilizim, madje as shqetësim si për pushtetin.
Dhe kjo është ndoshta simptoma më shqetësuese nga të gjitha.
Jo vetëm që problemet janë grumbulluar, por kemi filluar të bashkëjetojmë me to.
Arsimi diskutohet kur publikohen rezultatet dhe harrohet. Emigrimi diskutohet kur dalin shifrat dhe harrohet. Ekonomia diskutohet në fushatë dhe harrohet. Shëndetësia kujtohet kur shpërthen ndonjë skandal.
Ndërsa për pushtetin, lufta dhe alarmi nuk pushojnë asnjë ditë.
Kemi arritur në një pikë ku pyetja kryesore e politikës nuk është më çfarë shteti po ndërtojmë, por kush do ta kontrollojë shtetin që kemi.
Edhe më shqetësues është raporti që është krijuar mes partive politike. Rivaliteti politik ka kaluar prej kohësh në armiqësi të skajshme, me fyerje, etiketime si “tradhtar”, “shërbëtor i Serbisë” apo “i Rusisë”, ndërsa kohëve të fundit përplasjet po marrin forma edhe më të rënda, me akuza, kërcënime dhe tentativa për diskreditim të kundërshtarit.
Në një klimë të tillë politike, pyetja nuk është më vetëm se kush do ta qeverisë Kosovën, por si do të jenë këto parti ndonjëherë në gjendje ta qeverisin bashkë një shtet, kur mezi e konsiderojnë njëra-tjetrën kundërshtare legjitime?
Por në fund, përgjegjësia nuk është vetëm e politikës. Për sa kohë partitë kanë përkrahës dhe militantë që ua arsyetojnë çdo veprim, edhe kur është në dëm të shtetit, ato nuk kanë arsye të ndryshojnë. Politika vazhdon ta prodhojë këtë model sepse një pjesë e qytetarëve vazhdon ta shpërblejë me votë.
Kemi filluar të mësohemi me krizën politike, ekonominë e varur, arsimin e dobët, largimin e njerëzve dhe institucionet që bllokohen për pushtet.
Pyetja e titullit nuk është më vetëm provokim.
Është paralajmërim.
Nëse kthehemi pas dhe kujtojmë nëpër çfarë periudhash historike kemi kaluar si shqiptarë, vështirë se dikujt do t’i kishte shkuar mendja se një ditë problemi ynë nuk do të ishte më si ta fitojmë lirinë dhe shtetin, por si të merremi vesh se si ta qeverisim atë.
Lirinë e fituam. Shtetin e bëmë. Por a dimë ta qeverisim?

Lini një koment