Shhkruan Avni Selmani
Pas shumë debatesh dhe kundërshtish politike, u nënshkruan parimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por marrëveshja, në vend që ta qartësonte çështjen, hapi një debat edhe më shqetësues: çfarë u nënshkrua në të vërtetë?
Pala serbe flet për një Bashkësi me kompetenca të gjera, ndërsa kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, këmbëngul se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë nivel i tretë i pushtetit. Të dyja palët dolën të kënaqura nga Brukseli. Por nuk mund t’u thuhet dy popujve se secili ka fituar në të njëjtën pikë, kur njëra palë thotë po dhe tjetra jo. A do të ketë Asociacioni kompetenca ekzekutive? Kjo pyetje kërkon përgjigje, jo deklarata për fitore.
Nëse përgjigjja është jo, pse pala serbe vazhdon ta paraqesë Bashkësinë si diçka shumë më të fuqishme? Nëse përgjigjja është po, pse kryeministri i Kosovës po i siguron qytetarët për të kundërtën? Dhe nëse marrëveshja lejon të dyja leximet, kush pranoi ta nënshkruajë një paqartësi të tillë për një çështje që prek funksionimin e shtetit?
Këtu nuk po flasim për një keqkuptim të vogël gjuhësor. Po flasim për kompetenca, për pushtet dhe për përgjegjësinë e atyre që vendosën firmat. Një kryeministër nuk mund të kërkojë besimin e qytetarëve vetëm duke u thënë «mos u shqetësoni», ndërkohë që pala tjetër u thotë qytetarëve të vet se ka arritur diçka krejt tjetër.
Pse, atëherë, çështja më e rëndësishme e marrëveshjes po mbetet në mjegull? A po shmanget një përgjigje e qartë sepse ajo do ta prishte rrëfimin e njërës palë për fitore? Qytetarët kanë të drejtë të dyshojnë, të kërkojnë shpjegim dhe të dinë se çfarë është pranuar në emër të tyre. Sepse nëse as sot nuk na thuhet qartë çfarë kompetencash ka Asociacioni, nesër nuk mjafton të na thuhet se e paskemi kuptuar gabim.A.S
