FENOMENI, pse gjithmonë krijojmë një krizë të re?

Ende pa përfunduar një krizë politike, në Kosovë fillon tjetra. Për gati dy vite u morëm me bllokada institucionale, formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentes. Edhe pse në rrethana të çuditshme, me kushtëzime dhe shantazh politik, më në fund u arrit një marrëveshje dhe institucionet u formuan. Por nuk kaloi shumë kohë dhe përsëri u krijua një krizë e re, këtë herë me Ligjin për Gjykatën Speciale.
Shkak i kushtëzimeve dhe shantazhit politik ishte votimi i Ligjit për Specialen, me të cilin u lidh edhe zgjedhja e Presidentes. Ligji u miratua në minutat e fundit para skadimit të afatit kushtetues. Fillimisht u votua ligji, pastaj u zgjodh Presidentja. Dhe pikërisht tani, vetëm disa ditë më vonë, vetë partia që e propozoi kërkon kthimin e tij për rishqyrtim, me arsyetime që ende nuk e shpjegojnë bindshëm këtë kthesë. Po kur duhej të bëhej analiza juridike, para votimit apo pasi u arrit marrëveshja politike? Kush e analizoi ligjin, kush garantoi për zbatimin e tij dhe kush mban përgjegjësi tani?
Dorën në zemër, kryeministri kishte paralajmëruar se ndryshimet po bëheshin me nguti dhe pa analizë të mjaftueshme juridike. Por kjo nuk e liron nga përgjegjësia. Përkundrazi, nëse ishte i vetëdijshëm për këto probleme, pse e mbështeti miratimin e ligjit? Pse pranoi një kushtëzim dhe shantazh të tillë politik? Nuk mund të paralajmërosh për rreziqet e një vendimi dhe pastaj të sillesh sikur përgjegjësinë e kanë vetëm ata që e propozuan.
Tek ne është bërë një fenomen i çuditshëm. Sa herë përballemi me marrëveshje që krijojnë detyrime ndërkombëtare, duket sikur rëndësi ka vetëm përfitimi politik i momentit. Vendimet merren nën presion, me kalkulime partiake, pa analiza të mjaftueshme profesionale dhe pa një debat serioz për pasojat afatgjata. Fillimisht gjithçka paraqitet si sukses, ndërsa kur dalin problemet, të njëjtët politikanë fillojnë të ankohen, të kërkojnë ndryshime dhe t’ia hedhin përgjegjësinë njëri-tjetrit.
A nuk mësuam asgjë nga marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nga themelimi i Gjykatës Speciale? Dy raste të ndryshme, por që na kujtojnë sa të rëndësishme janë analizat profesionale dhe shqyrtimi i pasojave përpara marrjes së vendimeve. Përse këto çështje nuk trajtohen me seriozitetin e duhur në kohën kur negociohen? Pse nuk konsultohen ekspertët, juristët dhe institucionet përgjegjëse?
Dhe tani, të nderuar politikanë, pasi i keni nënshkruar marrëveshjet, urdhëroni dhe zbatojini! Detyrimet juridike dhe ndërkombëtare nuk janë hajgare partiake që mund t’i ndryshoni sa herë t’ju teket apo nuk u përshtaten interesave tuaja. Ato kanë pasoja për shtetin, jo vetëm për politikanët që i kanë nënshkruar. Nuk mund të kërkoni meritat kur i miratoni dhe pastaj të hiqeni si të pafajshëm kur vjen koha e zbatimit.
Dhe tani, në një kohë kur Kosova ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm gjeopolitik dhe ekonomik, kur përballet me sfida në marrëdhëniet ndërkombëtare, me mungesë të zhvillimit industrial, me probleme në arsim, shëndetësi, punësim dhe largimin e të rinjve, politika jonë vazhdon të merret me krizat që vetë i prodhon. Për këto probleme nuk shohim as përafërsisht urgjencën që shfaqet kur bëhet fjalë për poste, pushtet dhe marrëveshje partiake. A mos po shfrytëzohen këto kriza edhe për të mbuluar paaftësinë për të qeverisur, dështimet dhe premtimet e parealizuara?
Mjaft më me arsyetime dhe fajësime të njëri-tjetrit. Kush merr vendime, duhet të mbajë edhe përgjegjësi për pasojat e tyre. Kush nënshkruan marrëveshje, nuk mund të sillet nesër sikur nuk e di çfarë ka pranuar. Kosova nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e kalkulimeve politike, ndërsa ata që marrin vendimet vazhdojnë pa dhënë llogari. Sepse nëse askush nuk mban përgjegjësi për krizën e sotme, çfarë do t’i pengojë të krijojnë një krizë tjetër nesër? A.S

Lini një Përgjigje