Shkruan Avni Selmani
Në shikim të parë, kjo mund të duket si një pyetje e pazakontë dhe provokuese. Integrimi në Bashkimin Evropian, të paktën në deklarata, prej vitesh paraqitet si një nga prioritetet kryesore shtetërore të Kosovës dhe pothuajse asnjë forcë politike nuk e kundërshton atë publikisht. Por kur shohim se si sillet klasa jonë politike, sa pak flitet për këtë proces, sa ngadalë ecin reformat dhe sa shumë energji harxhohet në banalitete, kriza, bllokada dhe përplasje për interesa personale e partiake, atëherë pyetja nuk duket më aq e pazakontë.
Rruga drejt Bashkimit Evropian nuk bëhet vetëm me deklarata dhe premtime politike. Për t’u bërë pjesë e tij duhet të plotësohen kriteret dhe të zbatohen reformat. Raporti i fundit i Komisionit Evropian ishte shqetësues. Ai tregoi se procesi i reformave të lidhura me BE-në ngeci gjatë krizës së gjatë institucionale dhe se Kosova duhet ta përshpejtojë atë. Shqetësime u ngritën edhe për funksionimin e gjyqësorit dhe respektimin e të drejtave themelore, ndërsa lufta kundër korrupsionit vazhdon pa rezultate të mjaftueshme, sidomos në rastet e korrupsionit ku përfshihen zyrtarë të lartë.
Raporti gjithashtu thotë se qeveria nuk është mjaftueshëm transparente në vendimmarrje dhe se ligji për qasje në dokumente shtetërore nuk zbatohet sa duhet. Si t’u kërkojmë llogari institucioneve dhe ta kontrollojmë punën e tyre kur kemi vështirësi të marrim edhe informacionin që na takon me ligj?
Pas daljes së raportit, nuk pamë shqetësim serioz as nga opozita, as në studiot televizive. Për përplasje partiake mbushen emisionet, ndërsa për ngecjet e vendit mjafton një lajm kalimtar, sa për sy e faqe. Sikur jemi imunizuar ndaj kritikave të BE-së dhe dështimin e kemi pranuar si normalitet.
Shqetësim i madh është edhe fakti se, në momentin që përfundojnë zgjedhjet, integrimi evropian nuk është më as temë diskutimi. Kur kemi dëgjuar një zyrtar përgjegjës të dalë para qytetarëve dhe t’u thotë qartë se cilat ishin detyrat tona për integrim, cilat i realizuam, cilat nuk i realizuam dhe cilat afate i humbëm? Kush jep llogari për ngecjet? Kush e mat punën e institucioneve që paguhen pikërisht për këtë proces?
Gjithashtu, shqetësuese është edhe papërgjegjësia ndaj obligimeve ndërkombëtare. Marrëveshjet i nënshkruajnë në mënyrë xhentëlmene politikanë të padijshëm, që kush mund ta dijë pse i bëjnë këto dhe sa i kanë analizuar me ekspertë. Këtë e kemi parë me Asociacionin dhe Gjykatën Speciale, si dhe me vendimin e fundit të Kuvendit për ndryshimin e ligjit për Specialen, që BE-ja e vlerësoi si kundër obligimeve ndërkombëtare të Kosovës. Këto janë gabime shumë të rënda dhe pastaj çuditemi pse kemi probleme me BE-në dhe pse jemi këtu ku jemi. Ata që marrin vendime në emër të shtetit duhet të japin llogari për pasojat, sepse Kosova po pëson nga politikanët e papërgjegjshëm.
Shqetësuese është sa lehtë po e pranojmë këtë sjellje. Pa presion nga qytetarët, pa kontroll nga mediat dhe pa pasoja politike për dështimet, çfarë i detyron të punojnë me përgjegjësi?
Klasa politike duhet t’i zbatojë reformat dhe obligimet që ka marrë përsipër, të tregojë çfarë ka realizuar dhe të japë llogari për detyrat e pakryera. Me premtime nuk na bind më. Duhet të na bindë me rezultate se integrimi evropian mbetet vërtet prioritet. Deri atëherë, kemi të drejtë të dyshojmë dhe të pyesim.
A ka hequr dorë Kosova nga integrimet evropiane?A.S
