Demarkacioni me Malin e Zi, kush ka të drejtë dhe kush po na mashtron?

Shkruan Avni Selmani


Kohët e fundit po zhvillohen debate të ashpra rreth demarkacionit me Malin e Zi. Kemi dy qëndrime skajshmërisht të kundërta: njëra palë thotë se Kosova po humb 8.200 hektarë territor, ndërsa tjetra këmbëngul se nuk humbet asnjë hektar. Ky dallim është tepër i madh për t’u kaluar vetëm me deklarata politike. Cila palë po thotë të vërtetën?
Qeveria e Isa Mustafës e ka nënshkruar marrëveshjen dhe ka përgjegjësi ta arsyetojë atë. Nuk mjafton të përsërisë se kufiri është përcaktuar drejt. Duhet t’u përgjigjet kundërshtimeve konkrete dhe të pranojë verifikimin e punës së komisionit. Refuzimi për ta shqyrtuar një gabim të mundshëm vetëm sepse marrëveshja është nënshkruar do të ishte papërgjegjësi.
Edhe opozita duhet të përgjigjet për atë që thotë. Pretendimi se po humbim 8.200 hektarë është akuzë e rëndë. Nuk mund të përdoret vazhdimisht për të mobilizuar qytetarët pa u dëshmuar qartë. Nëse humbja është reale, kundërshtimi është i arsyeshëm. Nëse pretendimi provohet i pasaktë dhe vazhdon të përdoret për të fituar mbështetje politike, atëherë kemi manipulim.
Nëse të dyja palët janë kaq të sigurta, le t’i paraqesin provat në një ballafaqim publik mes ekspertëve, me harta, dokumente dhe përgjigje për secilën pikë të kontestuar. Kush kërkon besim, por shmang verifikimin, e vë vetë në dyshim sinqeritetin e tij.
Nëse provohet se marrëveshja cenon territorin, nuk mjafton të thuhet se komisioni ka gabuar. Përgjegjësi kanë edhe ata që e miratuan dhe e nënshkruan. Gabimi duhet të korrigjohet dhe përgjegjësia politike të përcaktohet. Nëse pretendimi për humbjen e 8.200 hektarëve rrëzohet me prova, opozita duhet ta tërheqë atë dhe t’u japë shpjegim qytetarëve.
Por edhe qytetarët kanë përgjegjësi. Sa vlerë ka gjykimi ynë nëse secili mbron taborin e vet politik, pa i shqyrtuar provat? Nëse të njëjtin pretendim e pranojmë nga partia jonë dhe e refuzojmë nga kundërshtari, atëherë edhe ne po ndihmojmë që debati për territorin të përdoret për pushtet.
Prandaj duhet pyetur drejtpërdrejt: a po kundërshtohet demarkacioni sepse vërtet po humbim territor, apo për të ardhur në pushtet? Dhe a po mbrohet marrëveshja sepse është e saktë, apo për të shmangur përgjegjësinë për nënshkrimin?
Nëse asnjëra palë nuk është e gatshme ta ndryshojë qëndrimin kur provat tregojnë të kundërtën, atëherë interesi politik është vendosur mbi çështjen e territorit. Në atë rast, as qeveria dhe as opozita nuk po tregohen të sinqerta me qytetarët. A.S

Pse ka kaq shumë mjegull rreth Asociacionit? Cila është e vërteta?

Shhkruan Avni Selmani


Pas shumë debatesh dhe kundërshtish politike, u nënshkruan parimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por marrëveshja, në vend që ta qartësonte çështjen, hapi një debat edhe më shqetësues: çfarë u nënshkrua në të vërtetë?
Pala serbe flet për një Bashkësi me kompetenca të gjera, ndërsa kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, këmbëngul se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë nivel i tretë i pushtetit. Të dyja palët dolën të kënaqura nga Brukseli. Por nuk mund t’u thuhet dy popujve se secili ka fituar në të njëjtën pikë, kur njëra palë thotë po dhe tjetra jo. A do të ketë Asociacioni kompetenca ekzekutive? Kjo pyetje kërkon përgjigje, jo deklarata për fitore.
Nëse përgjigjja është jo, pse pala serbe vazhdon ta paraqesë Bashkësinë si diçka shumë më të fuqishme? Nëse përgjigjja është po, pse kryeministri i Kosovës po i siguron qytetarët për të kundërtën? Dhe nëse marrëveshja lejon të dyja leximet, kush pranoi ta nënshkruajë një paqartësi të tillë për një çështje që prek funksionimin e shtetit?
Këtu nuk po flasim për një keqkuptim të vogël gjuhësor. Po flasim për kompetenca, për pushtet dhe për përgjegjësinë e atyre që vendosën firmat. Një kryeministër nuk mund të kërkojë besimin e qytetarëve vetëm duke u thënë mos u shqetësoni, ndërkohë që pala tjetër u thotë qytetarëve të vet se ka arritur diçka krejt tjetër.
Pse, atëherë, çështja më e rëndësishme e marrëveshjes po mbetet në mjegull? A po shmanget një përgjigje e qartë sepse ajo do ta prishte rrëfimin e njërës palë për fitore? Qytetarët kanë të drejtë të dyshojnë, të kërkojnë shpjegim dhe të dinë se çfarë është pranuar në emër të tyre. Sepse nëse as sot nuk na thuhet qartë çfarë kompetencash ka Asociacioni, nesër nuk mjafton të na thuhet se e paskemi kuptuar gabim.A.S

PriFest 2009

Shkruan Avni Selmani

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, i njohur si PriFest, u themelua pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me synimin për të promovuar imazhin kulturor dhe artistik të vendit. Edicioni i parë u mbajt në shtator të vitit 2009 dhe u bë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Kosovë.

Nën moton “Fillimi…”, festivali u hap me prezencën e aktorës së njohur Vanessa Redgrave, e cila ishte edhe nikoqire e këtij edicioni të parë.

Themeluesit e festivalit ishin Vjosa Berisha, Orhan Kerkezi, Fatos Berisha dhe Faton Hasimja. Qëllimi i tyre ishte të hapnin dyert e Kosovës për botën e filmit ndërkombëtar dhe ta paraqisnin vendin si një hapësirë ku kultura bashkon, e jo ndan. PriFesti solli në Prishtinë filma nga vende të ndryshme dhe u shndërrua shpejt në një pikëtakim të rëndësishëm për regjisorë, producentë dhe krijues të rinj.

Në hapje u shfaq filmi “Lindje, Perëndim, Lindje” i regjisorit Gjergj Xhuvani, ndërsa pjesë e programit ishin edhe filmat “I Am from Titov Veles”, “The Living and the Dead”, “Correction”, “Opium War”, “Snow”, “Storm”, “Time of the Comet” dhe “Hush Your Mouth”.

Simboli i festivalit ishte “Hyjnesha e artë”, e frymëzuar nga figura arkeologjike “Hyjnesha në fron”, që përfaqëson trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të Kosovës.

Fotografitë e këtij edicioni u realizuan në studion e fotografit Avni Selmani, ku u bënë fotografitë zyrtare të festivalit.

Galeria e fotografive nga edicioni i parë i PriFest 2009

Aktorja Vanessa Redgrave

Photo by Avni Selmani

Aktorët e filmit “Lindje, Perëndim, Lindje”, në PriFest 2009

Regjisori Gjergj Xhuvani

Photo by Avni Selmani

Aktori Ndricim Xhepa

Photo By Avni Selmani

Aktori Helidon Fino

Photo by Avni Selmani

Aktorja Valina Muqolli

Photo By Avni Selmani

Aktori Gent Hazizi

Photo by Avni Selmani